Thursday, August 06, 2015

Hylli, mbreti i parë i ilirëve dhe misteri i kafkës së kristaltë

Në maj të vitit 2008, Harrison Ford e gjeti veten përsëri në xhirimet e një prej roleve më klasikë të aventurës, Indiana Jones. Drejtuesi i këtij filmi ishte i famshmi Steven Spielberg
dhe në qendër të aksionit ishte beteja që zhvillohej për zotërimin e një kafke të kristaltë, e cila kishte fuqi të mbinatyrshme.

Filmi, duke qenë se trajtonte edhe një prej çështjeve më misterioze reale ekzistuese, atë të kafkave të kristalta, për vitin që shkoi u rendit në vend të dytë në radhën e fitimeve që sjellin filmat e shfaqur në kinema.

Pavarësisht se ky është thjesht një film, ai të sjell ndërmend një prej historive më misterioze që vazhdon edhe sot të jetë në qendër të interpretimeve e studimeve të ndryshme.

Bëhet fjalë për kafkën misterioze, me madhësi sa ajo njerëzorja, që arkeologu anglez Albert Mitchell-Hedges, bashkë më të bijën Anën, e gjeti në vitin 1927 në xhunglat e Amerikës Qendrore e më saktësisht në Jukatan aty ku civilizimi Maja kishte lënë ndërtesat e tij.

Kushdo që e prekte atë kafkë provonte ndjesi të çuditshme. Pas vdekjes së të atit, Ana, aty nga fillimi i viteve ’60 e shtyrë nga mendimi se ajo kafkë kristali e gjetur mes rrënojave në xhungël, ishte tepër perfekte për të qenë e punuar nga fiset vendase pre-kolumbiane, vendos t’ia japë këtë kafkë shkencëtarëve me qëllim një hetim të hollësishëm të saj. I pari që u mor me këtë punë, ishte kritiku i artit Frenk Dordland.

Natyrisht që ai ishte edhe i pari që u mrekullua me atë kafkë. Frenku, pas një hetimi të hollësishëm, vuri re se kafka kishte një sistem të komplikuar kanalesh, prizmash e lentesh, të cilët krijonin efekte optike.

Por më e çuditshmja ishte se këto punime ishin në brendësi të kafkës. Sipërfaqja e saj ishte perfekte dhe e lëmuar e në të nuk gjendej asnjë shenjë punimi.

Po si ishin bërë kanalet, prizmat e si ishin gdhendur lentet në brendësi të saj? Frenku nuk e la hetimin e tij. Në vitin 1964, ai i drejtohet specialistëve të kompanisë Hewlett-Packard, të cilët ishin nga më të aftët në ndërtimin e qarqeve elektronike.

Ai nuk ishte i vetmi shkencëtar që ngeli pa fjalë kur hetoi kafkën. E njëjta gjë ndodhi edhe me shkencëtarët e Hewlett-Packard. Pas një vëzhgimi të hollësishëm ata vunë re se kafka kishte tre pjesë në brendësi të vetes dhe ishte ndërtuar e gjitha nga një copë e vetme kristali, bashkë me nofullën e poshtme.

Kristali ka një fortësi që shkon pak më poshtë se topazi, korundumi dhe diamanti. Ai mund të pritet vetëm me diamant. Është përtej habisë, por indianët e lashtë, në njëfarë mënyre e kanë prerë aq mjeshtërisht duke mos lënë asnjë shenjë, madje duke gdhendur imtësisht bashkë me dhëmbët edhe nofullën e poshtme, e cila është e lëvizshme.

Dikush e ka bërë këtë kafkë nga një kristal i vetëm në mënyrë aq mjeshtërore, sa duket sikur kristali nuk është prekur kurrë nga dora e njeriut. Gjëja më mahnitëse ishte se kafka ishte 5.13 kg, 203.4 mm e gjatë dhe 125.4 mm e gjerë, e gjitha nga një kristal i vetëm dhe kjo gjë ishte në kundërshtim me ligjet e fizikës.

Kristal me një cilësi të tillë nuk mund të gjendej në zonën në të cilën ishte gjetur kafka dhe laboratori i veçantë që u mor me analizimin e hollësishëm të saj, arriti në përfundimin se ajo kafkë ishte punuar para se të shfaqeshin civilizimet e para në Amerikë.

Në pjesën e pasme, në brendësi të kafkës ndodhej një prizëm dhe çdo rreze drite që binte mbi sytë e gdhendur të kafkës pasqyrohej atje. Nëse shikoje në brendësi nga drejtimi i syve të kafkës, mund të shikoje gjithë dhomën të reflektuar në atë prizëm.

Përfundimi i ekspertëve të Hewlett-Packard ishte se kafka ishte bërë pavarësisht thyerjes së rregullave dhe ligjeve të natyrës. “Kjo gjë “e mallkuar” nuk mund të ekzistojë fare. Ata që e kanë bërë, nuk kishin idenë e kristalografisë apo të fibrave optike.

Ata njerëz kanë qenë komplet në injorancë për sa i përket aksit të simetrisë, i cili duhet të ruhet nëse punohet një kristal me qëllim parandalimin e ndarjes së tij gjatë procesit. Është e çuditshme se përse nuk është thërrmuar!” Por nuk ka rëndësi se sa e çuditshme dhe e pabesueshme mund të duket ajo kafkë.

Kushdo mund ta shohë atë të ekspozuar në Muzeun e Indianëve të Amerikës. Kërkuesit panë se kristali ishte gdhendur kundër aksit natyral të kristalit. Skulptorët modernë të kristalit, gjithmonë kujdesen që të dinë sesi është aksi ose simetria e orientimit molekular të kristalit, pasi nëse ata do të gdhendnin në drejtim të kundërt me këtë aks, atëherë kristali do të thyhej, madje edhe nëse do të përdornin lazer apo teknika të tjera të avancuara për gdhendje.

Hipoteza më e mirë që dha Frenk Dorland, ishte se kjo kafkë mund të ishte prerë fillimisht me diamant e më pas ishte trajtuar me ndonjë rërë silici dhe ujë derisa kishte marrë formën e dëshiruar.

Duke imagjinuar se kjo mund të ishte e vërtetë, atëherë ndërtuesit të saj do i duheshin së paku 300 vjet për t’i dhënë formën. E megjithatë, kjo është vetëm një hipotezë. Në lidhje me gjetjen e saj, është debatuar shumë, pasi thuhet se Albert Mitchell-Hedges e ka blerë atë në Londër dhe ka gënjyer kur ka thënë se e ka gjetur në Jukatan.

Por sidoqoftë, pavarësisht vendit ku është gjetur (duke i marrë të vërteta ato që thuhen për blerjen e saj), ngelet i pandryshueshëm fakti që, kafka e Albert Mitchell-Hedges, është një prej objekteve më misterioze ekzistuese. Kjo ishte me pak fjalë historia e një kafke të rrallë, e një kafke kristali. Ndoshta e asaj më të përfolurës. Por ajo nuk është unikale.

Ka edhe kafka të tjera të kristalta dhe misteri që i rrethon ato shoqërohet me histori të ndryshme. Në botë ka njerëz të ndryshëm që janë në kërkim të tyre dhe në kërkim të një shpjegimi sa më të drejtë në lidhje me funksionin e tyre.

Pikërisht, një prej këtyre njerëzve është edhe personazhi i këtij shkrimi. Një njeri i cili ka në koleksionin personal një prej këtyre kafkave të kristalta, e cila është ruajtur shekull pas shekulli me fanatizëm prej shqiptarëve.

Por para se të ndalemi në historinë tonë, le të bëjmë një shikim të shkurtër, me qëllim ndërtimin e një pamje pak më të gjerë në lidhje me shpërndarjen, gjetjen dhe klasifikimin e kafkave të kristalta.

Një histori e shkurtër e kafkave të kristalta

Publiku filloi të njihej së pari me kafkat e kristalta, aty nga fundi i shek. 19. Në këtë kohë, shumë muzeume të botës filluan të shfaqnin interes për paraqitjen e objekteve antike nga civilizimet e shkuara.

Në këtë mënyrë në vitin 1878, “Musèe de l’homme” në Paris dhe “British Museum” në Londër, kishin secili në pronësi nga një kafkë të kristaltë, të cilën e shfaqnin para vizitorëve.

Besohet se që të dyja këto kafka e kanë origjinën nga Meksika (ka mundësi që të jenë të lidhura me rrënojat antike dhe varret e lashta) dhe lidhen me pushtimin francez, që u bë në vitin 1860 atje. Fillimisht i pati në dorë një shitës antikuariatesh e më pas ato përfunduan në muzetë e lartpërmendur.

Nuk ka asnjë proces, i cili mund të ndihmojë në datimin e kafkave të kristalta. Karbon 14 mund të datojë vetëm substancat organike dhe kristali i kuarcit nuk është. Një prej mënyrave me të cilat kërkuesit dhe koleksionuesit e tyre përpiqen të njohin vjetërsinë e një kafke të tillë, është nëpërmjet sensitivëve (persona me aftësi psikike të zhvilluara në drejtimin e shikimit të së shkuarës dhe të së ardhmes).

Një mënyrë tjetër është edhe vëzhgimi i sipërfaqes së tyre nëpërmjet mikroskopëve shumë të fuqishëm. Për datimin e tyre shfrytëzohen edhe legjendat dhe informacioni që kanë indigjenët apo që kanë pasur në lidhje me këto kafka.

Po çfarë duhet pasur parasysh kur thuhet kafkë e kristaltë? Një kafkë kristali është një copë kristali kuarci e gdhendur në formë (ose përafërsisht) të një kafke njerëzore. Ka dy tipa kafkash që ekzistojnë.

Ato që janë gdhendur nëpërmjet një procesi të njohur nga gdhendësit modernë të kristalit, të cilat quhen kafka të tanishme dhe të tjera që janë gjetur në rrënoja të lashta apo që kanë kaluar dorë më dorë që nga kohëra të shkuara e që quhen kafka të lashta kristali.

Më interesantet ndër këto kafka janë pa dyshim të lashtat. Këto kafka janë gjetur kryesisht në rrënojat e civilizimeve të vjetra të Amerikës (Maja, Astekë etj.), por edhe në vende të tjera të botës janë gjetur po ashtu kafka të tilla. Njihen katër tipa kafkash të tilla: prej kuarci të pastër, ametist (e purpurt), kuarc rozë dhe kuarc i mjegulluar (nga gri deri në të zi).

Kafkat e lashta të kristalta kanë habitur gjithmonë shkencëtarët. Disa prej tyre janë çuar për t’u vëzhguar e kontrolluar në laboratorët e veçantë që ka HeWlett-Packard, në San Francisko, pasi kjo kompani është e zhvilluar në drejtimin e kërkimit në fushën e kristaleve dhe ka laboratorë nga më të mirët në botë.

Asnjë prej shkencëtarëve nuk arrin dot të japë një përgjigje se si civilizime primitive kanë arritur të bëjnë një gjë të tillë pa pasur asnjë aparaturë të sofistikuar e ç’është më e habitshme, në kundërshtim edhe me ligjet e fizikës.

Teori të ndryshme në lidhje me kafkat e kristalta

Nga shumë prej kërkuesve mendohet se numri 13 është i lidhur me ritualet që dikur mund të kryheshin me këto kafka të kristalta, duke vendosur një në mes dhe 12 të tjerat në mënyrë rrethore. Mund të ketë pasur disa lloje të ndryshme kafkash të shpërndara në grupe me nga 13 copë, por akoma nuk është provuar kjo gjë.

Në lidhje me këto kafka tregohen histori të ndryshme se si ato kanë ndikuar në shërimin e njerëzve të ndryshëm apo se si kanë rritur aftësitë psikike të tyre. Ka pasur njerëz që kanë rënë në gjendje transi vetëm nga kontakti me këto kafka dhe kur janë përmendur, çuditërisht kishin informacione në lidhje me ngjarje të ndryshme.

Por fenomeni më i diskutuar në lidhje me to janë imazhet holografike të cilat shfaqen në brendësi të kafkave, nëse atyre u bie drita nga kënde të veçanta apo edhe nëse bien në kontakt me energji njerëzore ose nëse goditen nga valë sonore. Figurat e shfaqura që njerëz të ndryshëm kanë parë janë të shumëllojshme, kafshë, njerëz objekte etj.

Askush nuk di me saktësi se si mund të prodhohen ato dhe përse njerëzit shohin ato figura. Ka teori të ndryshme në lidhje me këto kafka. Mendohet se mund të jenë një formë e ngjashme kompjuteri, e cila vihet në punë nga drita apo prekja dhe që mund të kenë informacion të regjistruar në brendësi të tyre. Ato mund të lidhen në të gjithë botën me njëra-tjetrën (një tip interneti) dhe të shkëmbejnë edhe informacion.

Ashtu si në legjendat e lashta që tregojnë indigjenët që shpeshherë i kanë pasur në zotërim këto kafka të kristalta, ato janë në gjendje të shërojnë njerëzit. Kjo gjë është deri diku e pranueshme, sepse ka raporte njerëzisht të ndryshëm që kanë pësuar shërime të mrekullueshme nga përdorimi i kafkave të kristalta. Natyrisht, që duhen bërë kërkime shkencore të thelluara në lidhje me këtë gjë, për të arritur në përfundime më konkrete.

Sipas kulturave të ndryshme indigjene, këto kafka kanë luajtur një rol kyç në jetët e atyre njerëzve dhe janë parë si lidhje me Zotin, në mënyra të ndryshme e të variueshme sipas fiseve. Mënyra e pashpjegueshme me të cilën ato janë ndërtuar, i ka shtyrë disa kërkues të hedhin edhe hipotezën se mund të jenë të krijuara nga qenie jashtëtokësore. Por nuk janë këto të vetmet teori. Ka të tjerë akoma që e lidhin ekzistencën e tyre me qytetërimet e zhdukura të Atlantidës apo të Lemurias.

Një tjetër teori është edhe ajo e Tokës bosh në brendësi. Ata që e besojnë këtë teori, mbështesin idenë se Toka në brendësi është e zbrazët dhe në qendër të saj ka një diell të vogël. Polet janë hyrje-dalje për në këtë pjesë të izoluar në brendësi të tokës, e cila banohet nga një civilizim shumë i zhvilluar.

Graviteti, i cili gjendet në koren e tokës me trashësi prej 800 miljesh, mban të tërhequr objektet dhe njerëzit në brendësi të tokës në të njëjtën mënyrë si edhe në jetën në sipërfaqe të saj. Ata që mbështesin këtë teori, besojnë se 13 kafkat e kristalta përmbajnë kodet gjenetike të 12 fiseve që jetojnë në brendësi të tokës dhe e 13-ta përfaqëson familjen kryesore të tyre.

Këto janë teori dhe mund të lihen mënjanë, por edhe po të duash të lësh mënjanë betejën që zhvillojnë njerëzit që janë shëruar dhe ata që kryejnë rituale të tilla shërimi me mjekët profesionistë, nuk mundesh sepse asnjëra prej palëve nuk heq dorë nga ideja e vet.

E mbi të gjitha, nuk mund të lihet mënjanë përfundimi i shkencëtarëve që kanë vëzhguar kafkat e lashta të kristalta – ngritja e supeve të tyre është shumë kuptimplotë. Mund të flitet pa fund e të hidhen lumenj me teori. Një gjë nuk ka nevojë për teori. Ato janë të vërteta dhe nuk dihet sesi janë prodhuar. Janë një gjurmë, që ndoshta tregon lavdinë e dikurshme dhe shkëlqimin e epokave të arta të njeriut.

Një kafkë e kristaltë shqiptare

Le të kthehemi përsëri te lidhja që kanë shqiptarët me një prej këtyre kafkave të kristalta. Momentalisht, në botë ekzistojnë shumë njerëz që janë në kërkim të këtyre kafkave. Disa prej tyre madje kanë arritur që të ndërtojnë edhe koleksione me kafka të tilla.

Një prej tyre është Joky Van Dieten. Koleksioni i saj përmban disa prej kafkave më të njohura në botë dhe përbëhet prej 11 kafkash kristali të tipave të ndryshëm. Është 73 vjeçe. Ka lindur në Holandë dhe ka jetuar atje për rreth 40 vjet derisa emigroi në Kanada. Në të shkuarën është marrë kryesisht me biznese e më saktësisht, importim makinash Ferrari dhe Maserati.

Gjithashtu ka qenë edhe një përfaqësuese për shitjen e “Alfa Romeo”-ve sportive. Kur ishte e re Joky ka qenë një pilote makinash gare dhe Ferrari, Jaguar, Alfa Romeo etj, nuk ishin makina të cilat i tregtonte, por ishin makina që i ngiste në atë kohë. Ajo ka hyrë në histori si femra e parë që ka pilotuar makinat e garave në Evropë.

Gjithashtu ajo ka praktikuar edhe sporte të tilla si: gara me anije (fituese gjithmonë), ski, patinazh artistik, sporte ekstreme etj. Por Joky nuk ka qenë vetëm një sportiste e talentuar, sepse të njëjtin talent e ka pasur edhe për muzikë. Ajo vazhdon edhe sot që të mos e ndajë nga vetja harpën e saj, këtë vegël muzikore që shoqëron në çdo udhëtim.

Ka një djalë në Kanada dhe një vajzë në Amerikë dhe këta janë fëmijët e saj të vetëm. Ajo zotëron edhe shtëpinë më të vjetër në botë të ankandeve. Tashmë, udhëton nëpër botë me koleksionin e saj duke kryer ceremoni e rituale për t’u ardhur në ndihmë njerëzve dhe për të ndarë me ta eksperiencën shpirtërore që përfitohet nga kontakti me këto kafka të kristalta.

Një prej kafkave të kristalta, të cilat Joky ka në koleksionin e saj është pa dyshim edhe nga më të njohurat. Bëhet fjalë për atë që mban emrin “ET” (ExtraTerrestrial-jashtëtokësore).

“U bëra pronare e kësaj kafke në vitin 1991. Kisha hequr një tumor nga koka, të cilin e kisha në madhësinë e një kokrre portokalli. Mjekët jo vetëm nuk besonin që mund të ecja me këmbët e mia, por ata nuk besonin as se do të jetoja.

Në udhëtimet e mia, pa e ditur edhe vetë se përse e mbaja këtë kafkë të kristaltë, “ET”-në, gjithmonë në çantën time të shpinës. As vetë nuk e di se përse e kam bërë këtë zgjidhje ose se përse kisha zgjedhur që të mbaja pikërisht atë kafkë e jo një tjetër. Përgjigja erdhi në formën e një shërimi shumë të shpejtë nga tumori, pas dy ndërhyrjeve kirurgjike për heqjen e tij.

Në ndërhyrjen e dytë unë kam përjetuar një NDE (shënim: Near Death Experience-Eksperiencat pranë vdekjes që vijnë si pasojë e atyre rasteve kur persona të ndryshëm vdesin për pak çaste dhe kthehen sërish në jetë. Këta njerëz ka raste që përjetojnë vizione. Ky fenomen është studiuar gjerësisht nga mjekësia).

Ishte pikërisht kjo eksperiencë e cila më dha edhe përgjigjen se përse e kisha mbajtur për aq kohë ET-në në çantën time të shpinës. Dola nga spitali 7 ditë pas ndërhyrjes së dytë kirurgjikale dhe nuk u ktheva më kurrë aty. Jam mrekulluar gjithmonë nga fuqitë natyrore të shërimit që secili prej nesh ka në vetvete”, – shkruan Joky në lidhje me një eksperiencën e saj pranë kufijve të së pabesueshmes.

Joky ka në koleksionin e saj 11 kafka të kristalta që kanë ardhur nga anë të ndryshme të globit.

Secila prej tyre mban një emër. Secila prej tyre ka një histori shekullore. Secila ka legjendën e vet.

“ET”, kafka e kristaltë për të cilën Joky thotë se i ka shpëtuar jetën falë vetive kuruese që ajo ka, i përket civilizimit të Majave. Në vitin 1906 një familje maja, e cila banonte në Guatemalë, duke gërmuar në tokën e tyre gjetën “ET”. Joky e mori këtë kafkë në vitin 1991.

Disa priftërinj maja, të cilët janë sensitivë dhe kryejnë ritualet antike të popullit nga vijnë, thonë se ajo kafkë e ka origjinën nga kostelacioni i Plejadave dhe se Joky është ruajtësja e duhur në rrugëtimin që ajo kafkë duhet të bëjë. Ashtu si kjo edhe kafkat e tjera të koleksionit të Joky-t, kanë historinë e tyre.

“Oceana”, është një kafkë prej berili, e cila ka kaluar nga një tribu në tjetrën, duke udhëtuar nëpër Peru, Ekuador, Kolumbi, Brazil etj., derisa ra në dorë të një fshati të thjeshtë në Pyllin e Shiut në Amazona, Brazil. Ata ia ofruan Joky-t këtë kafkë në vitin 1997.

“Shui Ting Er”, është një kafkë prej amazoniti, që origjinën e ka nga jugperëndimi i Mongolisë, pranë kufirit kinez. Ajo u zbulua 140 vjet më parë nga një arkeolog kinez i quajtur Yeng Fo Huu. Në vitin 1930 një misionar danez, Pastor Utkielen, e bleu atë nga familja e arkeologut dhe në vitin 1992 ai ia dha Jokyt këtë kafkë.

“Mannsur”, quhet kafka prej gurit lapis lazuli dhe ajo është zbuluar në vitin 1995 në një zonë të Pyllit të Shiut në Amazona, nga një fis inkas i Perusë veriore. Tuki, udhëheqësi shpirtëror i fisit, tregoi se si ata e vunë kafkën në një shpellë për ta pastruar para se ta përdornin. Ata ishin të bindur se duke ia dhënë këtë kafkë Joky-t, do të kishin të mira më shumë.

“Baby Luv” është një tjetër kafkë e koleksionit. Një kafkë kuarci me një ngjyrë rozë të këndshme. Ju dha Joky-t në vitin 1993 nga një përfaqësues ligjor rus, që po merrej me ndarjen e një trashëgimie. Kjo kafkë është gjetur nga fillimet e shek. 19 në një varrezë në Ukrainë, nga një murg rus. Daton aty rreth vitit 700 p.e.s dhe mendohet të jetë skithiane. Murgjit e mbajtën këtë kafkë për 200 vjet derisa ra në duart e një familje ruse. Vetë murgjit mendonin se kjo kafkë edhe pse ishte përdorur nga skithët, i përkiste realisht një periudhe më të vjetër, asaj të Kimerëve.

“Jeziuti” është një kafkë prej kristali të pastër, që ka rënë në dorë të Joky-t në vitin 1993. Mendohet që ajo të ketë lidhje me Shën Frensisin e Asizit, shenjtori mbrojtës i kafshëve. Kjo kafkë mendohet të jetë gjetur në vitin 1534 dhe Joky e mori nga një manastir amerikan, i cili kishte nevojë urgjente për para. “Zjarri Madhështor”, është një kafkë kristali jasper, e cila ka një ngjyrë të kuqe të ndezur. Është gjetur në Kolumbi në një shpellë pranë kufirit të Ekuadorit, pranë qytetit Safadana pranë Rio d’Oro.

Fisi që e kishte, flet gjuhën aramaike (fakt tejet i çuditshëm!!!). Joky e mori këtë kafkë në vitin 2002. “Darth Vader”, është emri i kafkës që është gjetur në Idar Oberstein, Germany, në vitin 1926. Fëmijët janë ata që e pëlqejnë më shumë sepse ajo ka një ngjashmëri me atë të filmit “Star wars”. “Retë”, është emri i një kafke tjetër të koleksionit.

Këtë emër ia ka vënë Robert Rhodes kur e bleu në dyqan kristalesh. Kafka është gjetur në Nepal dhe ka një pamje të mjegullt qumështore. Roberti ia dha këtë kafkë Joky-t për t’ia shtuar koleksionit. “Jut dhe Jul” ose kafkat e meteoritit. Këto dy kafka janë gjetur aty nga shekulli i 19 dhe thuhet se janë bërë me materialin e një meteoriti, i cili ka rënë në Meksikë në kohët e lashta.

Këto ishin kafkat e koleksionit të Joky-t. Këto përveç njërës, kafkës së kristaltë ilire, e cila ka një legjendë më të çuditshme se të tjerat. Kjo është, në mos e fundit e koleksionit nga më të fundit që ajo ka shtuar. Joky tregohet e gatshme të tregojë historinë e kësaj kafke, por edhe ajo vetë nuk di shumë në lidhje me të.

Emri i personit që e kishte nën ruajtje në fillim fare këtë kafkë të kristaltë, nuk dihet me saktësi, por ajo bën pjesë në kategorinë ku hyjnë kafkat më të vjetra ose kafkat e lashta, vjetërsia e të cilave fillon nga 1000-1500 vjet të vjetra e më tutje.

Edhe pse zotëruesit fillestarë të këtij artefakti ilir nuk dihen me saktësi apo më saktë janë të mbuluar nga mjegulla e mistershme që ende mbulon, universin ilir, nga kjo mjegull del si reflektim legjenda që shoqëron këtë kafkë.

Historia e saj bëhet akoma më e mistershme nëse mendon se breza të tërë e kanë pasur nën ruajtje, në zotërim dhe e kalonin si trashëgimi dorë pas dore. Nga familja që e kishte së fundmi në zotërim, nuk ka ngelur më njeri.

Personi i fundit ishte një grua e moshuar shqiptare 86-vjeçare, e cila kishte shkuar nga Mali i Zi në SHBA e duke mos pasur më trashëgimtarë, u bë edhe personi i fundit me origjinë shqiptare që e ruajti kafkën. Fisi i saj e kishte këtë kafkë nën ruajtje për shekuj të tërë.

Ashtu si kafkat e tjera të koleksionit të Joky-t, të cilat mbanë emra të lidhur me historinë e tyre, edhe kjo kafkë ka emrin e saj. Kafka quhet Janus. Por se përse ajo quhet në këtë mënyrë këtë nuk e dimë.

“Nuk kam shumë informacion në lidhje me Janusin. Kam marrë informacion në lidhje me këtë kafkë nga një tregtar kristalesh në SHBA. Atij iu ofrua fillimisht kjo kafkë e kristaltë. Personi në fjalë quhet Eric Vintzi dhe atij i ishte drejtuar një grua e moshuar me origjinë shqiptare, e cila kishte emigruar para shumë vitesh bashkë me familjen e saj në SHBA.

Duke qenë se e moshuara nuk kishte më persona të familjes gjallë, kishte vendosur ta shiste kafkën e kristaltë, të cilën familja e saj e kishte mbajtur në zotërim për 400 vjet. Kështu, në këtë mënyrë erdhi Janus tek unë. Do të doja të kisha një informacion më të zgjeruar për Janusin, por fatkeqësisht për Shqipërinë ka pak informacion”, – thotë Joky, pas një kontakti në të cilin i kam kërkuar disa të dhëna me tepër për këtë kafkë kristali ilire.

E si të gjitha kafkat që ajo ka në zotërim, të cilat kanë lidhje me kostelacione yjore, fise që flasin gjuhë të çuditshme, indigjenë të Amazonës etj., edhe kjo kafkë ka historinë e saj që ka lidhje me mrekullinë. Kafka e kristaltë ilire, Janus, sipas legjendës që i është thënë edhe Joky-t, është kafka e mbretit të parë të ilirëve. Kjo është kafka e mbretit Hyll.

Ilirët, pas vdekjes së mbretit të tyre, e morën kafkën e tij dhe e futën në një enë mbajtëse, e cila ishte e mbushur me ujë të magnetizuar (ujë që ka ngarkesë pozitive apo negative të ndryshme nga ai normali në varësi të raportit oksigjen/hidrogjen).

Në këtë mënyrë ilirët e merrnin me vete në çdo betejë enën që mbante kafkën e mbretit të tyre Hyll. Ata fituan çdo betejë. Por kjo enë mbajtëse e kafkës së Hyllit, në ato kohë do të goditej nga një vetëtimë, e cila pasi e thyen enën, e kthen ujin, kafkën madje dhe bimët e sipërfaqen e tokës ku ra ena, në kristal. Në këtë mënyrë kafka e mbretit Hyll u përjetësua. Ajo u bë e kristaltë dhe erdhi shekull pas shekulli deri në ditët tona.

Kjo është legjenda që shoqëron këtë kafkë ilire, e cila mban emrin e një perëndie etruske, Janus. Natyrisht që çdo legjendë apo mit e ka një të vërtetë në brendësi. Mund të hedhim hipotezën se kafka e mbretit Hyll ruhej vërtet në një enë të tillë, e cila falë ngarkesës së ujit apo metalit që mund të ketë pasur, të ketë tërhequr ndonjë rrufe. E duke qenë se rrufetë janë parë si “armë” e Zotit apo zotave, natyrisht që kjo mund të jetë marrë si shenjë e hyjnive.

Megjithatë, kjo është thjesht një hipotezë, e bazuar në historinë që shoqëron këtë kafkë misterioze. Kjo kafkë kristali ka lidhje mitike me ilirët dhe është ruajtur nga shqiptarët për shekuj me radhë. Emri Hyll, Yll, Ill (në variante dialektike të ndryshme), është një emër akoma shumë i përdorur nga ne shqiptarët. Po ashtu, është fakt se ky emër shoqërohet ngushtë më një prej emrave më të njohur të antikitetit, me emrin e pellazgut Herkul dhe me vizitën e tij në Epidamn apo Durrësin e sotëm.

Mbi pellazgët, paraardhësit e fisit ilir – Mbi origjinën e emrit e të popullit ilir

Për të krijuar një ide në lidhje me faktin nëse është Hylli, mbreti i parë i ilirëve, apo nëse ka të tjerë mbretër ilirë para tij; nëse ia dha ai emrin kësaj race apo nëse kjo racë e kishte trashëgim këtë emër nga një periudhë arkaike akoma e padokumentuar saktë, e keqinterpretuar apo e pathënë ose e shformësuar e keqshqiptuar në literaturën e lashtë, kjo ngelet për t’u shtjelluar me kujdes dhe për t’u trajtuar më gjerësisht.

Këtë gjë nuk e bën dot një shkrim. Ndoshta tokat (shqiptare/hylline) ruajnë në brendësi, të heshtura e besnike, sekrete të tilla si tripodin e Apolonit, varrin e Kadmit e të Harmonisë, atë të Medeas e të Jasonit, e ndoshta-ndoshta edhe vetë Bashkën e Artë.

Nisur nga pamundësia për të shfaqur një panoramë të plotë zanafillës së emrit Hyll brenda këtij shkrimi dhe duke menduar se pjesa e mëposhtme jep një informacion të dobishëm në lidhje me këtë emër, duket e arsyeshme që interpretimi i Farlatit të jetë pjesë e këtij diskutimi. Pjesa e mëposhtme është marrë nga vëllimi i parë i veprës “Illyricum Sacrum”.

Nga Daniele Farlati-“Illyricum Sacrum, v. I”

Hyrje mbi Ilirikun

Përpara se të nis e të shkruaj për Dalmacinë e për kishën e Salonës, është e nevojshme të them disa gjëra në mënyrë të përmbledhur për universin ilirik, pjesë e rëndësishme dhe shumë e dëgjuar e të cilit ka qenë gjithmonë Dalmacia.

Shpjegime të mëtejshme e më të hollësishme për këtë çështje do t’i japim në shënimet që do të shoqërojnë historinë kishtare të Ilirikut. Kjo trevë ka qenë e quajtur Ilirik si nga latinët, ashtu edhe nga grekët; por grekët jo rrallë e quajnë atë edhe Iliridë.

Këtë formë ndonjëherë e huazuan edhe latinët, si p.sh. Pomponius Mela në librin I, kreu 3: Anën e Adriatikut e zë Ilirida. Këtë vend e ndeshim të quhet Iliri tek autori grek Stefan apo te autori latin Proprec, libri I, Elg. VIII: A thua se për ty vlej më pak se Iliria e akullt?

Banorët e atij vendi i quajnë ilirë, si grekët, ashtu edhe latinët. Ndër autorët grekë që i quajnë ata ilirë është edhe Eustathi, në shënimet e tij mbi Periegetin. Por tani është bërë zakon, madje edhe normë të foluri, që këta të quhen edhe ilirikë.

Gjithçka që lidhet me ilirët apo emërtimet që lindin nga emri i këtij fisi, quhen ilirike, si p.sh. grykat ilirike, apo ushtritë ilirike tek Taciti. Mbishkrimet dhe monedhat e vjetra na mësojnë se ata quhen edhe ilirikanë, si p.sh. pretorë ilirikanë e ushtri ilirikane. Një gjë të tillë e konfirmon edhe Valeriani në letrën e tij për Zosimonin, të cilën e përshkruan:

Pollioni në kreun XIV të Klaumt: Në krye të legjionit të pestë, më të zgjedhurit, vumë si tribun Klaudin, një burrë me origjinë ilirikane. Tek Mediobarba, faqe 353, flitet për një monedhë të Decit, ku është gdhendur mbishkrimi: hyu mbrojtës i ushtrisë ilirikane.

Ndërkohë, fjala ilirik, ku gërma latine zëvendëson atë greke, përdoret rrallë, por gjithsesi nuk zhduket krejt. Autorë të ndryshëm e paraqesin në mënyrë të ndryshme gjendjen e fisit ilir, gjë që zakonisht ndodh kur ekzistojnë mendime të ndryshme mbi origjinën e gjuhëve e të popujve.

Pothuaj nuk ka popull, që të mos jetë objekt debati për sa i përket origjinës së emrit e të fisit të vet. Autorët që shkruajnë për origjinën e popujve të ndryshëm japin mendime aq të ndryshme e kontradiktore mes tyre, fusin aq shumë elemente imagjinare në rrëfimet e tyre, saqë lexuesi e ka më të lehtë të dallojë të pavërtetat, sesa të gjejë të vërtetat në veprat e tyre.

Kështu ndodh edhe me çështjen e origjinës së popullit ilir, për të cilën nuk ka një mendim të vetëm, por shumë të tillë. Appian Aleksandrini në Illyr, mbi bazë të rrëfimeve popullore, pohon se Ciklopi Polifem pati nga gruaja e tij Galatea tre fëmijë, të cilët pasi u larguan nga Sicilia, sunduan në vise të pafundme, në Kelt, në Galë dhe së fundi në Ilir, prej nga kanë ardhur emrat e keltëve, galëve dhe ilirëve.

Por, megjithëse vetë Appiani e pranon se këto tregime janë më shumë fantazi sesa histori e vërtetë, përsëri ai është i prirë t’u besojë më shumë atyre, sesa rrëfimeve të pabesueshme të autorëve të tjerë, që gjithashtu shkruajnë mbi origjinën e ilirëve. Mes gjithë rrëfimeve që bëjnë fjalë për këtë çështje, shkruan ai, këto më duken më të besueshme.

Autori Stefan Bizantini mendon se, emrat ilirik e ilirë vijnë nga emri i djalit të Kadmit, Ilirit. Të njëjtën gjë pohon edhe Eustathi në konsideratat e tij mbi Dionisin: në të djathtë ndodhen vendet e ilirëve, që quhen kështu prej emrit të djalit të Kadmit, Ilirit.

Këtë mendim me këta dy autorë e ndan edhe Apollodori, i cili, në librin 3 shkruan se Iliri ishte djalë i Kadmit, mbretit të Ilirëve: mbi ilirët sundon Kadmi dhe këtij i ka lindur një djalë me emrin Ilir. Gjithsesi, një shpjegim i tillë kundërshtohet nga Samuel Bochard, sipas të cilit fjala Ilir s’ka të bëjë fare me gjuhën e Fenikasve apo të Amoritëve që përdorej nga Kadmejtë.

As në zakonet e në institucionet e ilirëve dhe as në gjuhën e tyre të hershme dhe te sotme apo vulgare, nuk ndeshet ndonjë gjurmë e origjinës nga Fenikia, vendi ku u lind Kadmi. Gjë që na shtyn të mendojmë se, emri dhe origjina e tyre duhen kërkuar në një vend, që ka emër e zakone të tjera.

Në mbrojtje të kësaj teze nuk mund të përdoret as emri i Apollodorit, i cili i atribuon emrin Ilir djalit të Kadmit. Në fakt, autorë të ndryshëm e kanë zakon të përdorin për kohët e reja fjalë të marra nga kohë më të hershme.

Kështu, të vjetrit e quajtën të birin e Kadmit me emrin Ilir sipas emrit të vendit ku ai sundoi; por ky vend në atë kohe nuk quhej Iliri, u quajt kështu në kohën kur ata shkruanin.

Për këtë na jep një provë mjaft bindëse fragmenti i përmendur i Apollodorit, ku thuhet se Kadmi sundonte mbi Ilirët përpara se t’i lindte djali Ilir, d.m.th, përpara se ata njerëz të quheshin Ilirë, përderisa (në qoftë i vërtetë pohimi i Stefanit dhe i Eustathit) Ilirët e morën për herë të parë këtë emër sipas emrit ilir që mbante djali i Kadmit.

Kujtoj gjithashtu se, djali i Kadmit u bë sundimtar i një vendi fqinj tek Enkelejtë, që më vonë u quajtën edhe ata Ilirë. Por, meqenëse shkrimtarët e mëvonshëm nuk e dinin emrin e tij, menduan ta quajnë sipas emrit të vendit ku kishte lindur ose ku sundoi, i cili në kohën kur ata shkruanin quhej Iliri.

Këtu duhet shtuar se, qysh prej kohëve shumë të vjetra, e gjithë ajo treve ku lindi emri Ilirik, ishte konsideruar si pjesë e Greqisë, madje edhe tani quhet më së shumti Greqi. Prej këndej mendohet si më e mundur që të parët e Ilirëve ta kenë origjinën nga Pellazgët, ose Grekët, dhe jo nga Fenikasit apo ndonjë emër e popull tjetër.

Prej nga rezulton se nuk është i pranueshëm as mendimi i atyre, që besojnë se origjina e popullit Ilir duhet kërkuar tek Asianët, tek Galët apo tek Sarmatët.

Të parët e ilirëve e kanë prejardhjen dhe emrin nga pellazgu Hyll

Meqenëse mendimet e autorëve të tjerë nuk sjellin ndonjë gjë të re për çështjen tonë, po mundohem të paraqes sa më shkurt tezën time. Por as unë vetë nuk pretendoj se do të sjell gjëra të sigurta, për të cilat nuk mund të dyshohet.

Për çështje që i përkasin kohëve të vjetra e të errëta, është më e thjeshtë të dallosh të pavërtetat, sesa të gjesh të vërtetat e të sigurtat. Gjykoj se do ta kem kryer detyrën time, nëse do të arrij të ndjek rrugën, që më duket më e drejtë. Në fakt unë gjykoj se i përgjigjet më shumë së vërtetës teza sipas së cilës, të parët e Ilirëve e kanë prejardhjen dhe emrin nga pellazgu Hyll, djalë i pellazgut Herkul.

Nuk do të dëshiroja që lexuesi t’i konsideronte si legjenda e krijime fantastike të gjitha rrëfimet që na kanë lënë historianët e lashtë mbi Herkulin dhe bëmat e njohura të tij.

Askush, përveç atyre që nuk i besojnë fare historianëve antikë, s’mund të mohojë, që ka ekzistuar dikur një burrë, që quhej Herkul, me forcë e virtyte të jashtëzakonshme, i cili brodhi botën, duke përballuar rreziqe të shumta e të rënda, duke kryer vepra të shquara e të guximshme, duke i bërë shërbime të shumta racës njerëzore.

Sigurisht, lashtësia i ka atribuuar Herkulit shumë gjëra, të cilat janë të pavërteta dhe krejt të pabesueshme. Por këto i detyrohen frymës dhe zakoneve të asaj epoke, për të cilat flet gjatë e gjerë Varroni. Në fakt, shkrimtarët ia lejonin vetes që t’i zbukuronin dhe t’i frynin bëmat e heronjve të lashtësisë me rrëfime mahnitëse e të trilluara.

Në ndonjë rast, nën koren e këtyre legjendave fshihet ndonjë e vërtetë, siç shpjegon bindshëm Palaephatus lib. I, si dhe mjaft dijetarë të tjerë të shquar. Ndër djemtë e shumtë që Herkuli zuri me gra të ndryshme, thuhet se dy prej tyre u quajtën me emrin Hylli; i pari u lind nga Dejanira, kurse i dyti nga Melita, bijë e Nausithës, mbret i Feakasve.

Grenovius na informon i pari se, për arsye të panjohura, Herkuli ishte joshur aq shumë nga fjala Hylli, saqë vendosi t’u verë dy ose më shumë se dy djemve të tij emrin Hylli. I pëlqeu aq shumë ky emër Herkulit, shkruan ai, saqë thuhet se quajti me të jo vetëm njërin prej bijve të tij.

Prej kohësh është cituar e komentuar pasazhi i Apollon. Rodit, lib. 4, që rimerret edhe nga Stefan Bizantini, ku ai përmend Hyllin e lindur nga Melita; por njëherësh nuk lë pa përmendur një tjetër Hyll të lindur nga Dejanira, ndërkohë që autorë të tjerë nuk mjaftohen me këta dy Hylla, por prodhojnë akoma të tjerë me këtë emër. Por nuk duam të përsërisim këtu thëniet e tyre.

Tezën sipas së cilës Hylli, djali i Herkulit dhe i Melitës mori në dorëzim një principatë në trevën ku u shfaq emri llirik, dhe se prej tij u quajtën Hyllinë edhe popujt e atij vendi, e kanë mbrojtur autorë të vjetër e plot autoritet, si: Apolloni, Skylaksi, Skymni, Festus Avieni si dhe të tjerë.

Me ta bien dakord edhe thuaj të gjithë autorët më të rinj, që kanë shkruar mbi ngjarje të atyre kohëve dhe të atyre vendeve. Për sa i përket çështjes se në ç’mënyrë ajo principatë kaloi në duart e Hyllit, për këtë ka vetëm hamendësime nga autoret antikë.

Herkuli erdhi në Itali pas ekspeditës hispanike e gale, dhe u prit aty nga Evandri në vitin 1238 para Krishtit sipas kronologjisë petaviane, afro pesëdhjetë e pesë vjet përpara se Enea të zbriste në Itali.

Pasi u largua nga Evandri, përshkoi me këmbë, siç ishte zakon, të dy brigjet e Adriatikut, deri sa mbërriti në një vend që për shumë shekuj kishte qenë pjesë e Maqedonisë, më vonë u quajt Epiri i Ri, kurse tani thërritet Shqipëri (Albania). Kështu thonë Diodor Sikuli dhe Appian Aleksandrini.

Herkuli, shkruan Diodori, pasi përshkoi gjirin Adriatik, kaloi drejt e në Epir, prej nga u zhvendos në krahinën e dominuar nga malet Akrokeraune. Por Appiani në librin e dytë mbi Luftën Civile, pasi shmang udhëtimin në Gali e Itali, e vendos mbërritjen e Herkulit në këto vende menjëherë pas ekspeditës Hispanike.

Hylli, i biri i Herkulit dhe i perëndeshës Melita, dhe mbretëria e tij

Pra, kur Herkuli mbërriti në Epirin e Ri rrotull vitit 1237 para erës së re, aty sundonte Dyraku (Dyrrhachus) nga fisi i Kadmit, nip i Epidamnit, i cili e kishte selinë mbretërore në një qytet të themeluar nga gjyshi i tij dhe që quhej Epidamn.

Ky kishte dy vëllezër, të cilët të shtyrë nga etja për pushtet, nxitën një kryengritje popullore për të dëbuar vëllain e për të shtënë në dorë pushtetin. Ardhja e Herkulit i shkoi mjaft për shtat Dyrakit, i cili në atë kohë rrezikonte jetën dhe mbretërinë e tij.

Ndaj e priti mikun sikur të kishte rënë nga qielli dhe iu lut atij ta ndihmonte kundër vëllezërve, duke i premtuar një pjesë të mbretërisë, në rast do t’ia dilnin mbanë. Nuk refuzoi Herkuli, që kishte lindur për të shtypur tiranë e për të ndihmuar njerëzit e varfër e fatkëqij.

Nxori në fushën e betejës luftëtarët dhe miqtë që e kishin shoqëruar në udhëtimet e në vuajtjet e tij, u ndesh me armiqtë dhe pasi i shpartalloi dhe i dëboi vëllezërit, i siguroi Dyrakit sundimin në mbretërinë e trashëguar nga të parët. Ky nuk e harroi premtimin për të shpërblyer nderin e bërë, ndaj shkëputi një pjesë të mirë nga zotërimet e tij dhe ia dhuroi Herkulit.

Këto ngjarje Appiani i përmbledh me pak fjalë: “Në kohën kur Dyrakit i kishin shpallur luftë vëllezërit e tij, mbërriti nga Erythria Herkuli, i cili i ofroi ndihmë, me kusht që t’i jepte një pjese të zotërimeve; duke u bërë bashkëpjestar i Mbretërisë.

Dyrakinët e shpallën atë si kreun e tyre, por jo sepse donin të mohonin Dyrakun, por më shumë sepse Herkuli u jepte rastin ta çonin origjinën e tyre tek Zoti”. Megjithëse Appiani nuk sqaron se cila ishte ajo krahinë, të cilën Herkuli e pranoi nga Dyraki si shkëmbim për aleancën e tij nuk ka arsye të dyshohet nëse ajo ishte apo jo pjesë e Mbretërisë Dyrakine, që në anën e perëndimit përfshinte viset midis Drilonit e Naronës.

Në fakt, sipas pohimeve të të gjithë autorëve të vjetër, Kadmi, që më pas ja la në trashëgim pushtetin Dyrakit, kishte sunduar në vendet e Enkelejve dhe pikërisht aty dëshmohej dikur ekzistenca e monumenteve të Kadmit.

Por meqenëse shkrimtarët e sipërpërmendur na kumtojnë se në ato vende sundonte mbi popullin e Hyllinëve Hylli, djali i Herkulit dhe i Melitës, është e drejtë të konkludojmë se, ky e mori dhuratë nga i ati këtë vend të fituar falë trimërisë atërore.

Më tej, siç rrëfen Apolloni, Hylli u edukua tek gjyshi, Nausithus, në Feaki, d.m.th. në ishullin e Korkyrës (Korfuzit-shënim jashtë tekstit origjinal të Farlatit), ku iu nënshtrua një disipline të rëndë e të ashpër.

Kështu që, kur ky i kërkoi gjyshit leje që të kthehej në atdhe për të marrë në dorëzim mbretërinë e lënë në trashëgim nga i ati, gjyshi i dha nipit të gjitha udhëzimet e nevojshme bashkë me të drejtën që të merrte me vete nga Korkyra sa njerëz të dëshironte.

Siç thotë Apoloni, Hylli bashkë me një grup të madh njerëzish të mbledhur në tokën e Feakasve u zhvendos në bregun e detit Saturn (d.m.th. Adriatik), dhe pasi mbreti Nausithus i tregoi drejtimin e lundrimit, u nis. Hylli u nda nga gjyshi plot dashuri, dhe rreth vitit 1236 para Krishtit solli me vete një koloni të tërë Feakasish, që i vendosi në ato toka që Herkuli i kishte marrë nga Dyraki, kurse ai vetë i mori si trashëgimi nga i ati Herkul, dhe aty hodhi bazat sa të mbretërisë së tij aq edhe të Ilirikut historik.

Pra, me të mbërritur në këto anë, Hylli u ndau toka e shtëpi Feakasve, që kishte sjellë me vete. Njëherësh, me qëllim që ky vend dhe banorët e tij, qofshin autoktonët apo të ardhurit, të mos ishin thjesht shtetas të tij, por edhe të mbanin emrin e tij, e quajti vendin Hyllë ose Hyllidë, kurse banorët Hyllinë. Ne gjykojmë se, prej këndej zë fill emri dhe fara e Ilirëve.

Sepse, nëse vërtet i duhet besuar argumenteve të etimologjisë, që merret me hetimin e origjinës së fjalëve, nuk duhet ta kenë gabim ata që e bëjnë fjalën Illyrik të prejardhur nga Hyllinët. Vështirë të gjesh tek shkrimtarët një popull tjetër, si fisi dhe vendi i Hyllinëve, që të ketë pësuar aq shumë variacione të emrit.

Në fakt, populli është quajtur Hyllë, Hyllinë, Hylleidë, Hyellë, Hylleicë, Hyllicë, ku çdo formë e mësipërme ka dhënë të tjera forma të shtrembëruara. Por, a do të ishte i mundur shndërrimi i fjalës Hyllinë në Ilirë? Midis dy fjalëve ka njëfarë ngjashmërie e familjariteti, ç’ka tregon se ato e marrin origjinën e përbashkët tek emri i lashtë Hyll.

Nuk më duket se fjalët Hyllinë e Hyll qëndrojnë afër me njëra-tjetrën, sa ç’qëndrojnë larg fjalët Illyrë e Hyllinë. Mua më duket se forma e sotme e mjaft emrave të tjerë të lashtë e më të rinj, përmban shtrembërime akoma më të dukshme, e megjithatë ata emra janë pranuar dhe përdoren nga njerëzit.

Sikur të kisha kohë, do të mund të përmendja gjashtëqind shembuj autorësh të njohur, të cilët origjinën e emrave e nxjerrin nga prototipe shumë të largëta, aq sa midis formës së parë dhe asaj të derivuar me vështirësi gjen ndonjë afërsi apo ngjashmëri.

Kështu, kur ata flasin për krijuesit e parë të popujve pas përmbytjes së madhe, pretendojnë se nga Thira vjen emri i Thrakëve, nga Madai rrjedh emri i Medëve, nga Javan ai i Jonëve dhe nga Thogorma vjen emri i fisit të Thygramanëve.

Këtu duhet shtuar se, meqenëse në emrin e përgjithshëm Ilirik përfshihen disa provinca, mund të përcaktohet deri diku koha, kur secila nga ato mori emrin Ilirik, që nuk e kishte më parë. Në fakt, nuk mund të gjendet koha e saktë dhe e sigurt, kur filloi të përmendej emri Ilirik, kur treva midis rrjedhës së lumenjve Naronë e Drilon filloi të quhej ilirike dhe kur ajo hyri nën juridiksionin e Ilirikut, që duhej të ekzistonte më parë.

Nga ku mund të nxirret konkluzioni se, Hyllinët nuk ishin të emërtuar sërishmi kështu, për sa kohë kishin si paraardhës Ilirët, Hyll dhe Hyllinët i përkisnin fisit Pellasgjik ose grek, sepse i ati i Hyllit, Herkuli, kishte lindur në Tebë, në Greqinë e mesme, dhe nga baba e nga nëna e kishte origjinën nga fisi i stërlashtë i mbretërve të Argosit e të Mikenës.

Ndërkohë, ata feakas, që Nausithus ia dha Hyllit për shoqërues, e kishin prejardhjen nga një fis i vjetër pellazgjik nga Arkadia, i cili në një epoke të caktuar emigroi nga trojet atërore duke u derdhur në Evropë e në Azi, ku pushtoi disa, ishuj, brigje dhe hapësira të pafundme toke. Këto të dhëna i japin Herodoti, Straboni, Halikarnasi, Pausania e shumë të tjerë.

Por duhet t’i zëmë besë edhe Rafael Levakoviçit, arqipeshkv i Ohrit dhe hulumtues i zellshëm i çështjeve ilire, i cili në parathënien gjeografike mbi historinë Ilire, na josh të pranojmë tezën e mëposhtme, i së cilës ai është autor: fillimisht thuhej se, populli Ilir vinte nga Hyllejtë, që e merrnin emrin nga Hylli, djali i Herkul Alkeut dhe i Melitës, vajzë e lumit Egje.

Por më vonë ndryshuan të dhënat e shkruara dhe gojore, dhe u shfaq një rend i ri i emrave: në fillim u vu Hylleni, pastaj Illiniku dhe në fund Illyriku. Po ashtu, Hylli, që u dha emrin e tij Ilirikëve, shfaqet nën emrin Illynik e Illyrik.

Nga ana tjetër, ai quhet Hylli i Melitës ose Hylli i vogël, për ta dalluar nga Hylli tjetër, bir i vëllait të tij të madh dhe i Dejanirës.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *