Friday, August 21, 2015

ARBËRIA E LIRË MESJETARE DHE EPIRI YNË

Nga: BAJRAM PEÇI
Në përshkrimin e shkurtër historik të Arbërisë venedike, binin në sy edhe dy emërime të tjera gjeopolitikës mesjetare: Arbëria turke dhe Arbëria e Lirë. Ndërsa për të parën

kuptimi është dukshëm i qartë, pra një Shqipëri nën sundimin turk, për Arbërinë e Lirë nuk është e njëjta gjë. Çfarë ka qenë Arbëria e Lirë? Pse e ka marrë këtë emërtim dhe në ç’rrethana ka ekzistuar?

Ndryshe nga Arbëria venedike, që ishte një nocion politik, me kufij zotërimi të qartë, me status politik, organizim e rend ekonomiko-shoqëror, “Arbëria e Lirë” shpreh një gjendje shoqërore të një komuniteti relativisht të madh shqiptarësh përmes nocionit gjeografik. Është Denis Possot, një udhëtar francez, ai që nga historianët pranohet se e ka përmendur për herë të parë emërtimin Arbënia e Lirë. E ka bërë këtë në vitin 1532, përmes veprës së tij të përshkrimeve të udhëtimit, ku pasi shkeli, pa e vrojtoi, e ndau Shqipërinë në tri pjesë: në Shqipërinë e sunduar nga turqit; në Shqipërinë e zotëruar nga venedikasit; në Shqipërinë e sunduar nga shqiptarët.


[callout]“Arbëria e Lirë” shpreh një gjendje shoqërore të një komuniteti relativisht të madh shqiptarësh përmes nocionit gjeografik. U quajt e tillë ajo pjesë e Shqipërisë që sundohej nga shqiptarët.[/callout]

[callout]Kjo Arbëri përfshin katër pjesë: krahinën e Vlorës; Himarën në jug të Vlorës dhe gjithë “Bregun” (bregdetin jonian); Rrethin e Delvinës; krahinën e Kurveleshit, hinterlandin lab, i cili ngrihet në perëndim të derdhjes së Drinosit e në jug të Tepelenës dhe tek i cili të tria pjesët e tjera duan që të jetë i kufizuar emri Labëri.[/callout]

[callout]Krahina e Labërisë luhatej mes kryengritjeve të vazhdueshme. Brendësia e vendit të Arbërisë së Lirë, lugina e Shushicës, malet e Kurveleshit dhe ato të Himarës, ishin të padepërtueshme nga pushtuesi dhe për rrjedhojë të lira.[/callout]

[callout]Me cilësimin Epirot, kuptoheshin dhe thirreshin arbrit-shqiptarët. Gjërat u ngatërruan nga helenët kur Bizanti, trojet arbre i emërtoi me emrat që u kishte vënë perandori Dioklecian provincave romake në shekullin II. Nga kjo ndarje, trojet shqiptare nga gjiri i Prevezës e deri te lumi Vjosë, ata i quajtën Epir[/callout]
Cila quhej Arbëni e Lirë?

U quajt ajo pjesë e Shqipërisë që sundohej nga shqiptarët. “Banorët e Labërisë – shkroi Johann Georg von Hahn – e quanin veten e tyre që prej kohësh të moçme, arbër dhe vendit të tyre i thoshin Arbëri”. Ishte koha kur Europa po fillonte të “zbulonte” popullin shqiptar, gjuhën e tyre të veçantë, doket e zakonet, veshjen kombëtare, prozën dhe poezinë e Bajronit, kur dijetari i mirënjohur shkroi për shqiptarët në shekullin XIX, se “…kjo Arbëri përfshin katër pjesë: krahinën e Vlorës; Himarën në jug të Vlorës dhe gjithë “Bregun” (bregdetin jonian); Rrethin e Delvinës (Delvina ka qenë në atë kohë qendër administrative që përfshinte Sarandën, Butrintin, Konispolin); krahinën e Kurveleshit, hinterlandin lab, i cili ngrihet në perëndim të derdhjes së Drinosit e në jug të Tepelenës dhe tek i cili të tria pjesët e tjera duan që të jetë i kufizuar emri Labëri (Burimi nga Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”). Nga koha kur Hahn ka vënë në dukje këtë ndarje, ajo, me pak përjashtime është e gjallë dhe sot si formacion gjeografik, etnografik, dialektor. Labëria në jug fillon nga Lazarati-Mali i Gjerë-Mali Picarit-Tepelenë-perëndim i Vjosës—Mesaplik, Kudhës, Himara dhe Bregu. Në një farë mënyre, zemra e ish-trevës së vjetër të kaonëve.

Për një kohë relativisht të gjatë u quajt “e lirë”, sepse në këtë Arbëri popullata vendase nuk rreshti së luftuari kundër pushtuesit turk. E mbrojtur nga një terren i ashpër, ku inkursionet ndëshkuese nuk ishin edhe aq të efektshme e që për më tepër nuk kalonin pa humbje, ajo u bë bastion i luftërave të Aranitit. Kohë më pas, më 1480/’81, kjo trevë u shndërrua në strehë dhe bazë për ekspeditën e Gjon Kastriotit dhe Kostandin Muzakës për të dëbuar ushtritë turke nga Shqipëria. Sipas kronikave, ai udhëtoi nëpër det drejt maleve të Himarës, “…që janë më shumë se 50 fshatra, qenë ftuar t’i zbonin turqit dhe të rifitonin lirinë”. Kronisti venedikas St. Magno shkruan për kryengritjen e Himarës të tre vjetëve më pas, ajo e vitit 1484, ku i cilëson himarjotët si shqiptarë. Pasojnë më 1484-n dhe 1486-n dy ekspedita ushtarake kundër Labërisë e Himarës; vazhduan rebelimin derisa turqit u detyruan të hynin në marrëveshje. Në vitin 1492, marrëveshja kushtëzonte rrënimin e kështjellave të Himarës e të Sopotit, kurse himarjotët, sipas kronistit venecian Magno, pranuan t’i paguanin haraç sulltanit. Marrëveshjes i erdhi fundi më 1500-n, kohë kur himarjotët nuk e duruan dot detyrimin si status robërie. Më 1501-shin Labëria dhe Himara mori pjesë në anën e palës venedikase në luftën që u zhvillua me turqit në afërsi të derdhjes së Vjosës. Kur udhëtari Denis Possot e pa këtë vend në vitet 1530, brendësia e vendit të “Arbërisë së Lirë”, lugina e Shushicës, malet e Kurveleshit dhe ato të Himarës, ishin të padepërtueshme nga pushtuesi dhe për rrjedhojë të lira. Krahina e Labërisë luhatej mes kryengritjeve të vazhdueshme. Herë një sanxhakbej-pasha i Vlorës, për ta zbutur i falte krahinës taksa dhe herë ndërmerrte ekspedita ushtarake e plaçkitje për të nënshtruar krahinën rebele të Labërisë. Më 1538-n, mbërriti në krahinë, për të parë gjendjen në vend, vetë sulltani, Sulejmani i Madh (i Madhërishmi). Eqrem bej Vlora jep në “Kujtimet” e tij kronikën zyrtare të marrë nga arkiva e Stambollit, “…kur erdhi Mbreti në Shqipëri (Arnavutluk) më 1538, Kara Sinan pasha i dolli përpara në kufi të sanxhakut të tij (në Gur të Prerë) dhe e kënaqi, duke i paraqitur 100 valltorë arnautë dhe 100 kupa plot me flori. Në Vlorë sulltan Sulejmani vizitoi kalanë e Kaninës, fjeti një natë në shtëpinë e sheh Jakupit, urdhëroi të ngrihet një xhami, një teqe, të meremetiset rrënjësisht kalaja e Kaninës dhe të gatitet në hyrjen e Bogazit një kala e re (kalaja e Skelës).”

Një shembull tjetër që ka tërhequr prej një kohe të gjatë vëmendjen e studiuesve është emri Labëri.





“Banorët e Labërisë, shkroi Johann Georg von Hahn, e quanin veten e tyre që prej kohësh së moçme, arbër dhe vendit të tyre i thoshin Arbëri”

“Quhet Arbëri, thotë Martin Urban, ai copë vend malesh të ulëta në lindje të Vlorës e përtej Shushicës, që duhet ta marrim që andej ku vargjet e Gribës ngrihen nga toka kodrinore”. Që emërtimi i krahinës lidhet me emrin e hershëm Arbëri, është vënë në dukje fillimisht nga filologu Hahn dhe më pas nga historiano-filologu J. Ph. Fallmerayer, i cili në veprën e tij të njohur “Elementi shqiptar në Greqi”, i sjell si shembull përpjekjet e Fon Hanhn për shpjegimin e fjalëve Albania e Arbëria dhe që ka nxjerrë përfundimin se te fjala Arbëria ”…ai sheh Albaninë e vjetër që, sipas tij, është pjesa më e egër, më e ashpër dhe më e padepërtueshme e Shqipërisë së mirëfilltë, që shtrihet ndërmjet Aulonës, Himarës dhe Delvinës”, krahinë që në lashtësi quhej Kaoni. Sipas Hahn dhe Fallmerayer, emri Labëria te vendasit, si dhe te fqinjët, ka afërsisht të njëjtën shtrirje si fjalët Arbëria dhe Kaonia.

Himara arbre dhe himarjotët e pak shekujve më parë

Himara arbre është njësi etnografike e krahinës së Labërisë. Ngado që të vërtiten grekët, ashtu si deri tani, ata e kanë të pamundur që t’i mohojnë Himarës trashëgiminë Labe (arbre), pavarësisht ndryshimeve që kanë sjellë shekujt. Pasioni që e bën Greqinë për t’i marrë për helenë himarjotët dhe që i pengoi pareshtur t’i shohë shqiptarët deri në Prevezë, kish marrë formë të qartë, kur u pa hapur se Perandoria Otomane, nën të cilën sundoheshim tokat shqiptare, po dobësohej. Kjo është koha kur helenët hidhen egërsisht në sulm, në rrethanat kur shqiptarët ishin përpos se të robëruar, pa shkolla, pa shkrim e këndim dhe arriti kulmin agresiv e delirant në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919-n. Lexuesi shqiptar ka në duar prej kohësh një vepër më se të plotë të prof. Kristo Frashërit, përmes së cilës ai shtjellon e argumenton brenda kritereve shkencore origjinën shqiptare të himarjotëve dhe përkatësinë e tyre etnike, por për natyrën e një të përditshmeje informative, po rendisim sa më shkurt disa të dhëna:

Udhëtari francez Denis Possot, në veprën e përmendur më sipër, përshkruan dhe flet në vitin 1532 për një Arbëni ku sheh zonat “e lira” të Arbërisë dhe bën me dije shifrën prej “… 20 000 kalorës për të shkuar kundër armiqve në Turqi dhe ata – thotë Possot – banojnë në një vend e në një pjesë të Arbërisë që tani quhet Himarë”. Këtu duhet shpjeguar si nevojë për lexuesin se emri Himarë në vitin 1530 nuk kish kuptimin e tashëm. Me këtë emër nuk emërtonin këta shtatë fshatra që janë sot, por nën këtë emër përfshihej pothuaj gjithë Labëria. Në fillimshekullin XVI, me emrin Himarë njiheshin 53 fshatra, nga të cilat 43 fshatra janë të krahinës së fisit të lashtë, Kurvesej (Kurvelesh). Eqrem bej Vlora në kujtimet “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, shkruan se në shek. XVIII, pas ndryshimesh në krahinën e lumit të Vlorës, Himara përfshinte vetëm 37 katunde të Labërisë.

Historianët shqiptarë sjellin dëshminë e hershme se himarjotët u bënë anëtarë të kuvendit më të rëndësishëm shqiptar, Kuvendit të Shqiptarëve, atij të Lezhës, mbledhur më 2 mars 1444. Dihet mirë se ky kuvend mblidhte e bashkonte përpos se fiset arbre. Himarjoti Anton Linerosa, sipas Barletit, mori pjesë si përfaqësues në Kuvendin e Lezhës. Dëshmitë historike që sjellin historianët grekë, për të provuar praninë gjatë mesjetës paraturke të banorëve grekë në Himarë, mungojnë. Ato mbështeten përveç se mbi hamendje dhe folklorin e Manit. Ato burime historike mesjetare që zotërojnë historianët shqiptarë, provojnë se para dhe pas vitit 1481 banorët e Himarës thirren “shqiptarë-arbër” ose thjesht “himarjotë”. Madje, ka qenë një periudhë kur në Himarë u krijua dioqeza e kishës katolike nën vartësinë e Papatit të Romës e kryepeshkopatës së Durrësit, gjë kjo e papërfytyrueshme se mund të ndodhte në një popullatë me origjinë helene.

Si u shtrembërua nga grekët emërtimi gjeografik Epir në emërtim etnik?

Nga sa shihet përmes hartës, Arbëria e Lirë shtrihet mbi një pjesë të trojeve gjeografike që janë quajtur Epir. Hahn-i theksonte se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe epirotëve të lashtë. Me cilësimin epirot, kuptoheshin dhe thirreshin arbrit-shqiptarët. Gjërat u ngatërruan nga helenët kur Bizanti, viset arbre i emërtoi me emrat që u kishte vënë perandori Dioklecian provincave romake në shekullin II. Nga kjo ndarje, trojet shqiptare nga gjiri i Prevezës e deri te lumi Vjosë, ata i quajtën Epir; krahinat lindore shqiptare nga liqenet e Ohër-Prespës e deri në malet Rodope i quajtën Maqedoni; trojet verilindore prej krahut të djathtë të Drinit të Zi e deri në afërsi të Nishit i quajtën Dardani. Kjo ndarje politiko-administrative nuk kish përputhje e ngjashmëri me formacionet etnografike dhe demografike. Krahina e Epirit në të cilën shqiptarët ishin shumicë, u quajt në vazhdimësi shqiptare nga studiuesit objektivë dhe herë greke, kur studiuesit janë grekë, por herë-herë dhe sllavë. Për më tepër, me krijimin nga Bizanti të provincës tjetër të emërtuar Epiri i Ri, që shtrihej nga lumi Vjosë në lumin Drin, lidhja e emrit epirot për të kuptuar shqiptarët, u bë edhe më e qartë. Filologu i shquar botëror, Johann Thunman, albanologu i parë që studioi shkencërisht origjinën e gjuhës shqipe, na ka lënë të shkruar përcaktimin se “…në Epir banonin vetëm popuj jo grekë, të cilët flisnin maqedonisht, e njëjtë me gjuhën ilire”.

Grekët, me këtë ndarje të hershme province, nisur nga kuptimi helen që ata i japin termit Epir, kanë pretenduar e ngulur këmbë se Greqia ndahet me Shqipërinë në lumin Vjosa. Por historinë varet si e sheh? Mund ta shohësh si moment dramash e konfliktesh, por dhe si moment harmonie, si takim mes popujsh. Helenët kanë pëlqyer atë të parën. Ata mundën të bëjnë me trillime gjëra që në mënyrë tipike dhanë efektet e një sjelljeje të keqe ndaj fqinjit. Me shkrim e këndim të zhvilluar, ndërkohë që fqinjit të saj i mungonte dhe bënte gjithçka që t’ia mohonte, ata, grekët, u bënë gjithnjë e më të paparashikueshëm e të pakontrollueshëm. Me pak burime dhe duke iu shmangur pyetjeve të mëdha e bezdisëse të Fallmerayer, Hahn, Tunman, akademikët grekë, së bashku, me synimin për të drejtuar kërcënime ndaj fqinjëve të vjetër shqiptarë, kanë më se 150 vjet që shpërndajnë teorira të shtrembëruara mbi termin e Epirit dhe banorët e saj. Në një botë të përbashkët greko-shqiptare, herë të ndarë përmes grindjeve dhe herë të bashkuar përpara rrezikut të përbashkët, ndërlidhur 500 vjet përmes romakëve dhe një mijë vjet përmes bizantinëve, ata krijuan një hendek mes shkencës historike dhe të vërtetës, pleksur fort kjo me doktrinat fetare të krishterimit ortodoks. Nga ndarja administrative e provincave romake të lindjes, arbrit-shqiptarët, u thirrën për shekuj e shekuj me emrat arbër, epirotë dhe maqedonas. Te “Historia e Skënderbeut” të Barletit kjo del shumë e qartë. Këto emërtime vetëm helenëve nuk u kanë ardhur për shtat.

Grekë të nervozuar përballë historianëve tanë e të huaj në çështjen e Epirit

Thuhet se identiteti krijohet në periudhën e adoleshencës. Kështu dhe arbrit, në botën e mbyllur rurale e baritore të mesjetës së hershme, kultivuan norma, sjellje e vlera që i mbajtën të ngurta e pikërisht për këtë dallonin nga fqinjët. Mes pasurisë gjenetiko-kulturore, ne shqiptarët jemi në nivelin e të sapolindurve në kuptimin e përgjegjësisë morale, por kemi kapacitetin gjenetik të të rriturve. Si të tillë, rrezikun e kërcënimit grek për Epirin, besoj se e kemi kapërcyer e nuk ka arsye për t’i marrë kërcënimet seriozisht. Njohjet reciproke kanë kaluar përmes shumë ndeshjesh e shkëmbimesh. Në të shkuarën, për territore (të cilat ne i humbëm e ata i fituan), ndërsa sot për teza, pikëpamje e terma; në të shkuarën për shkëmbime e kultura komunikuese e sot për identitet.

Rum-ili-t (emërtimi turk për helenët) mbetën skllevër të kulturës së vjetër. Historia është hidhërimi i njeriut kanë thënë të mençurit dhe brenda kësaj thënieje kuptohet edhe sjellja e rumelijve që në shekullin XIX bota kish filluar t’i quante grekë. Ata e fetishizuan të vjetrën, pa qenë në gjendje asnjëherë të kuptojnë se ajo binte në konflikt me kulturën e re të përbotshme e që shpinte në moskuptime si të pranisë së kulturës helene që u përhap më vonë në Epir, si dhe nga përdorimi i shkrimit grek e pranisë së monumenteve epigrafike të Epirit.

Mosmarrja në konsideratë e detyrimit për zhvillimin e një kulture të re kombëtare në marrëdhënie me fqinjët, i ngeci grekët e rinj në pezhishkën e miteve të helenëve të lashtë, ku dhe u mbështetën, raca e të cilëve, sipas Fallmerayer, ishte zhdukur. Në këto mite nuk mungonin përrallat për Epirin, i cili lindte konflikte e keqkuptime nacionaliste të kota, siç edhe i lindi. Një historian i paanshëm shprehet se, argumenti i tyre i vetëm është negativiteti.

Nga kultura materiale, fqinjët tanë jugorë, tashmë me gjak arvanitas dhe ndërgjegje greku, morën prej arbërve veshjen e fustanellës; nga kultura jomateriale morën epikën legjendare, valle, muzikë e rite në lindje e vdekje, me gëzimet e hidhërimet. Arbanasit përçuan atje elemente të shumta të modeleve të kulturës Arbënore, të cilat grekët, pa droje e turp, i paraqesin si pasuri kombëtare të kombit të tyre.

Venizellosi, në Konferencën e Paqes në Paris i shfrytëzoi të gjitha – thotë Margaret Macmillan – historinë, gjuhën, fenë, kërkoi Shqipërinë e Jugut (Epirin, siç kish qejf ta quante) dhe bregun e Azisë së Vogël, nga Marmaraja në Smirnë, kërkesa këto të rrezikshme për paqen. Me këtë pamaturi ai shkatërroi në mënyrë përfundimtare dhe katastrofike komunitetin e vjetër grek në Azinë e Vogël. Në pretendimet e tij për Shqipërinë e Jugut – shkruan M.Macmillan – ai tregoi që “…njerëzit që ngjanin si shqiptarë dhe flisnin shqip ishin grekë të vërtetë, nëse ata ishin ortodoksë”. Sipas Venizellosit, “shqiptarët, në të vërtetë ishin me fat që Greqia po i përfshinte ata mbi vete”, por nuk tha pse ushtria greke ishte plot me shqiptarë që ishin me origjinë shqiptare?

Ky pikëvështrim i famëkeqes Megali Idea-s së vitit 1844, sado absurd që u duk në atë kohë, pavarësisht përçmimit që i bëri dr. Turtulli, vazhdon t’i ndjekë si e keqe nga pas këta fqinj të prapambetur, i vetmi ende në Europë ku shteti dhe kisha janë bashkë, çka u duk edhe në ngjarjen e shëmtuar të kishës së Përmetit, ku u pa se si qeveria greke futi me arrogancë hundët në punët e brendshme të vendit tonë, sjellje e cila u tregoi edhe njëherë shqiptarëve se sa mbrapa ata kanë ngelur.

Historianët dhe kisha greke nuk janë në gjendje të përtypin përcaktimin se historia moderne nuk lejon më që ta lexosh historinë e Epirit shqiptar si letërsi romantike. Historiografia helene është sot një shëmbëlltyrë hermetike, e cila s’lejon ta drejtojnë arsyet, por e ka lënë në mëshirë të miteve, të dogmave fetare e fërgëllimave ortodokse.

Himara në regjistrin e Sanxhakut të Delvinës, viti 991 i Hexhirës (1583)

(Përkthyer nga Petrika Thëngjilli)

Todor Kudhesi, Gjoka Boga, Andrea Musica, Balsh Dhima, Komin Voja, Gjoka Dhamo, Petri Gjoni, Todor Brati, Perlin? Mitri…, Mark Gjoni, Gjika Gjoni, Todor Lumadhi, Dhimo Papa, Kondi Petri, Andon Ajas, Todor Kondavik, Meksi Palloshi, Gjon Palloshi, Dede Kola, Dhuman Gjipali, …Gjikalli, Nikola Gjin Miri, Gjek Leka, Gjoka Nika, Mark Suvari, Gjon Palloshi, Kondi Camije, Petri Gjini, Petri Petri, Todor Gjino, Peteri Gjoni, Gjik Llanka, Gjin Gjon Aleksi, …Levendari, Kond Martini, Nikë Martini, Gjok Alemdari, Gjok Dhim Gjini, Dole Mandashi, Martin Zylkader, Kondaramo Muka, Aleks Peçi, Gjini Gjorzaj, Gjika Llazari, Dhimo Tanushi, Pali Dhjako, Martin Tanushi, …Janushi, Gjika Mehilli, Gjon Pavllari Mëhilli, Dhimo Gjon Vllasi, Petri Dhima, Dhima Emelkuri, Thanas Jorgonllu, Nika Kallandori, Aleks Menko, Dhimo Dermali, Leka Dermali, Kuka Leondari, Selka Ulmi, Todor Gjini, Gjok Gjini, Simon Nika, Dhimo Mamija, Meks Mamija, Gjon Leondari, Kond Andredo, Gjin Todori, Pal Melani, Meks Mitrije, Andrea Gjomija, Pali Panajoti, Kont Lela, Della? Gjurka Kondi, Gjika Dhima, Dhima Gjon Meshi, Nika Dhima, Kont Gjoni, Dhima Mihallo? Limarho? Andrea Zota, Dhima Nika, Papa Thanasi, Todor Nika, Kond Todori, Gjoka Jorgo, Papa Aleksi, Andrea Petri, Leondar Meksi, Todor Meksi, Nika Plaku, Gjon Mënika, Gjin Meksi, Meks Mnika, Gjok Pali, Kond Papa, Dhimo Papa, Muji… , Gjin Pali, Todor Gjin Gjoni, Dhimo Gjin Dhima, Nika Leka, Dhimo Andrea, Andrea Menkuli, Gjok Menkuli,…Bardho? Ali Kopalli?, Gjin Jorga, Gjok Gjin Pjetri, Nikolla Gjoni, Kont Premti, Papa Nikolla, Kont Gjoni, Nika Gjin, … Zoto, Gjok Jorgo, Dhimo Pelikani, Menkul Gjoni, Kont Panomllu, Andrea Jorgo, Kond Andrea, Petri … , Todor Mirdemko, Dhimo Andrea, Todor …, Aleksi Papa, Zot Gjoni, Niko Mirini?, Dhimo Kondi, … Bardhi, Dhimo Leka, Gjoka Dhimo, Lika Kondi, Petri Todori, Jorgo Andrea, Martin Gjini

*********************************************************************

Është fare e thjeshtë për këdo, shqiptarë apo grekë, që përmes emrave të shohë banorët arbër në etninë shqiptare të Himarës. Të dhënat e emrave dëshmojnë qartë se himarjotët ishin shqiptarë dhe se arbrit ishin të pranishëm në të gjithë bregun jonian. Mes regjistrit dalloj mbiemrin e familjes sime dhe të dhjetëra familjeve të tjera, origjina e të cilëve ka qenë në Labëri, rreth 10-15 km larg Himarës, e islamizuar forcërisht në shek. XVIII, por që mbiemrat i mbetën të origjinës.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *