Monday, October 13, 2014

Zbulohen thesare të anijes romake (VIDEO)

Interes të jashtëzakonshëm në Greqi dhe jashtë saj kanë shkaktuar eksplorimet mbresëlënëse në veriperëndim të Kretës, pranë ishullit të Antikitheres në Egje, te një anije e mbytur rreth vitit 60 para Krishtit.

E ngarkuar me vepra arti për shtëpitë e të pasurve, anija e lashtë romake që vinte nga ishulli grek i Dilos për në Romë është mbytur duke marrë në thellësinë prej 55 metrash, statuja, stoli ari, vazo, monedha dhe objekte të tjera të çmueshme të antikitetit.

Një shtizë lufte prej bronzi dy metra e gjatë, që besohet të jetë pjesë e një statuje të madhe, një vazo gati e paprekur, një unazë edhe ajo prej bronzi, një spirancë dhe disa pjesë të anijes janë zbulimet e reja të një ekipi ndërkombëtar arkeologësh që ka kryer një mision nënujor prej 15 shtatorit në kushte shumë të vështira të motit.

Për herë të parë anija e mbytur është zbuluar nga zhytësit grekë që kërkonin sfungjerë në vitin 1900. Por përveç statujave të bronzit dhe mermerit ata kanë gjetur në një kuti druri të izoluar mjaft mirë të ashtuquajturin mekanizmi i Antikitheres, një  përllogaritës astronomik i prodhuar nga grekët që përdorej përveç se për llogaritje matematikore edhe për të përcaktuar pozicionet e yjeve dhe planetëve, ndaj dhe është quajtur si kompjuteri më i vjetër në botë. Pjesa qendrore e tij është një sistem kompleks mekanik i përbërë nga mbi 30 ingranazhe bronzi.

Oqeanografi i shquar, Jacques Cousteau udhëhoqi një ekspeditë të dytë në vitin 1976, por thellësia e madhe e vendndodhjes së anijes ka penguar kërkimet. 38 vjet më vonë, ekipi ndërkombëtar i arkeologëve ka ndërmarre këtë ekspeditë të tretë të mbështetur financiarisht nga Instituti Oqeanografik, Woods Hole dhe Departamenti grek i Antikave nënujorë , i pajisur me një teknologji të lartë ,me një robot të quajtur Exosuit, që përdoret nga zhytësit për thellësi të mëdha.

Misioni ka përfunduar përkohësisht , por do të vazhdojë përsëri në të ardhmen,  për të hedhur më shumë drite rreth sekretit që fsheh mekanizmi enigmatik i 20 shekujve më parë, ndërsa ka informacione se në këtë zonë ndodhet edhe një anije tjetër e mbytur që daton në të njëjtën periudhe të lashtësisë.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *