Mozaiku, gjini e pikturës monumentale dekorative, është njohur në
Shqipëri që në lashtësi, si dhe në kohën e vonë antike. Lulëzimin më të
madh ky art e ka patur në shekujt e parë të erës së re, kur nga gurët e
zallit u kalua në kubikë të prerë prej guri, balte të pjekur, mermeri
dhe qelqi.
Mozaikët e shekullit të parë janë thjesht ornamentalë me figura me kubikë të zinj, të vendosur mes sfondit të bardhë. Mozaikë të kësaj periudhe janë zbuluar edhe në Apoloni dhe Butrint. Vlen të përmendet një mozaik i zbuluar në qytetin e Durrësit me figura të ndryshme gjeometrike dhe skena nga mitologjia detare.
Sipas studimeve, mozaikët më të shpeshtë datojnë në shekujt II-IV dhe dallohen për larminë e ngjyrave dhe nivelin e lartë artistik. Shquhen për mjeshtërinë e punimit mozaikët e Apolonisë, të cilët gjenden në njërën prej tarracave në anën perëndimore të këtij vendbanimi. Motivet zbukuruese të mozaikëve të dyshemeve janë gjeometrike dhe floreale, ndërsa në disa prej tyre karakteristike janë emblemat qendrore me motivet mitologjike. Të tilla karakteristika dallohen edhe tek mozaikët e kohës së vonë antike, të cilat lidhen me monumentet paleokristiane.
Në periudhën paleobizantine motivet e mozaikëve dallohen nga ato të dyshemeve të periudhës së mëparshme pasi nuk janë të lidhur midis tyre, por shpërndahen në sipërfaqe lirshëm dhe kanë figura simetrike, kafshë në qetësi, pemë frutore, bisqe hardhie me gjethe rrushi, shpendë, lule, peshq dhe motive të ndryshme ujore.
Vendi ynë është i pasur me mozaikë, ku numërohen 40 të tillë të shpallur "monumente kulture" të kategorisë së parë. Ndërkohë mendohet se gjenden edhe të tjerë mozaikë të pazbuluar ende nga arkeologët. Sipas specialistëve të Institutit të Arkeologjisë, jugu i Shqipërisë është nga zonat më të pasura me mozaikë, kurse në veri, në qytetin e Shkodrës, ndodhet një mozaik, i cili daton në shekullin e VI të e.s.
Pjesa më e madhe e mozaikëve shqiptarë, që dëshmojnë për vlerat e lashta të kulturës sonë, ndodhen ende në gjendjen fillestare të zbulimit, ndërsa një pjesë e tyre ndodhet ende në formën e gjurmëve.
Ndër 40 objektet, monumente të kulturës kombëtare, qyteti i lashtë i Apolonisë zë vendin e parë. Ai numëron brenda mureve të tij nëntë mjedise me mozaikë, si dhe një sërë gjurmësh të tyre, që nuk kanë parë ende dritën e zbulimit dhe aq më pak ekspozimit të tyre.
Sipas specialistëve të Institutit Arkeologjik, gjurmët e identifikuara nuk janë zbuluar për shkak të mungesës së fondeve. Qyteti antik i Butrintit numëron shtatë mozaikë në sipërfaqen e tij, ku vlen të përmendet zbulimi i një dyshemeje me mozaik të shekullit IV pas Krishtit, gjatë ekspeditës së përbashkët arkeologjike shqiptaro-angleze.
Një pasuri të tillë zotëron dhe qyteti tipik ilir i Bylisit. Kompleksi prej pesë bazilikash paleokristiane me motive të shumëllojshme gjeometrike, floreale, zoomorfe, të cilat i takojnë shekullit të 5 dhe 6 të e.s. në këtë qytet, është ndër më të bukurit. Po kështu, mozaiku "Bukuroshja e Durrësit" është një ndër mozaikët më të njohur ne Shqipëri. Një mozaik mural, i vetmi në Shqipëri, ndodhet në Amfiteatrin e Durrësit. Një rëndësi të veçantë kanë edhe pagëzimorja e Butrintit, trikonkat e Linit dhe të Antigonesë.
Tradita e mozaikut vazhdon të aplikohet edhe sot në vendin tonë si në hollet e hotel “Tirana”, ndërsa vepra më e dukshme e shekullit XX njihet mozaiku i periudhës së realizmit socialist, në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, mozaiku i vendosur tek ish-Pallati i Pionierëve, sot i prishur pas kthimit të Familjes Mbretërore.
Mozaiku po gjen zhvillim edhe në ndërtesat private, ku pëlqehet jo vetem teknika për zbukurimin e sipërfaqeve murale dhe dyshemeve, por edhe ajo e pikturave murale.
Përveç mozaikut me gurë origjinalë përdoren sot edhe teknika të reja më pak të kushtueshme, më të shpejta që krijojnë ekspresivitet artistik të ngjashëm me teknikat e vjetra. Materialet e përdorura në ditët e sotme janë çimento, pluhur granili dhe allçi, që aplikohen në sipërfaqe murale dhe në dritare, pasi për dyshemetë materiali duhet më i fortë.
Gjatë 15 viteve të fundit mungesa e fondeve për restaurimin e mozaikëve ka bërë që ata të mos kenë atë pamje me të cilën duhej të ekspozoheshin për turistët e interesuar për këtë vlerë të pakrahasueshme të artit të antikitetit. Tashmë mozaikët e gjetur mbrohen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në vendin ku ai ndodhet.
Para disa vitesh janë restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës mozaiket e Kishës së Linit, të njohura për vlerat rralla që datojnë në shekullin VI të erës sonë, si dhe Mozaikun muror të periudhës bizantine në Shqipëri, i cili ndodhet ne Amfiteatrin e Durrësit, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë.
No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *