Thursday, March 13, 2014

Shërbimi sekret turk zbuloi bazën e xhihadit në Tiranë, SHISH jashtë loje.

Zbardhen prapaskenat e operacionit të bujshëm policor, i cili kulmoi me arrestimin e dy imamëve të vetëshpallur dhe gjashtë personave të tjerë, në akuzën e terrorizmit si dhe të rekrutimit të
luftëtarëve për të luftuar në konfliktin e armatosur në Siri. Shërbimet sekrete turke kanë zbardhur bazën e xhihadit në Tiranë, e cila vepronte dhe operonte nën hundën e shërbimeve sekrete shqiptare. Shërbimet sekrete turke kanë luajtur një rol vendimtar për zbulimin dhe zbërthimin e të ashtuquajturës celulë terroriste, e organizuar njëkohësisht në disa qytete të Shqipërisë, konkretisht në Tiranë, Elbasan, Librazhd dhe Pogradec. Sipas burimeve, Shërbimi Informativ Shtetëror i Shqipërisë, i komanduar sot nga Sali Berisha me anë të beniaminit të tij, Visho Lika, nuk ka luajtur asnjë rol në finalizimin e këtij operacioni, pasi ka qenë tërësisht jashtë loje si institucion jo i besueshëm dhe i kompromentuar në çdo qelizë. Madje, SHISH është mbajtur larg çdo informacioni, si segment i dyshimtë që mund të dekonspironte aksionin. Aktiviteti i të arrestuarve është zhvilluar normalisht nën hundën e agjentëve të kryespiunit, Visho Lika, por është dashur ndërhyrja dhe bashkëpunimi i Ministrisë së Brendshme me shërbimin sekret turk, MIT, që të goditej organizata që rekrutonte luftëtarë në një konflikt me natyrë dhe diksion fetar. Strukturat e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë rënë në gjurmët e veprimtarisë së imamëve të vetëshpallur të xhamive të Unazës së Re dhe Mëzezit falë informacioneve të detajuara të shërbimit sekret turk, MIT. Ky shërbim, i cili në rastin konkret ka zëvendësuar Shërbimin Informativ Shtetëror, ka sinjalizuar autoritetet shqiptare se të dyshuarit rekrutonin besimtarë myslimanë, mes të cilëve gra e fëmijë, dhe i dërgonin për të luftuar në Siri. Po sipas burimeve, shërbimet informative turke kanë informuar autoritetet shqiptare në vijimësi, edhe pas nisjes së hetimeve intensive, të cilat kanë zgjatur rreth 10 muaj. Gjithçka duket se lidhet me superaksionin e  autoriteteve turke, të cilat arrestuan me dhjetëra  persona nën akuzën për bashkëpunim me rrjetin terrorist 'Al Kaida'. Filli i organizatave në Turqi është zgjatur me shpejtësi drejt Shqipërisë, duke përfunduar tek baza e zbuluar në Tiranë.    Informacionet    Shërbimet sekrete turke kanë dhënë informacione për disa xhami shkolla dhe fondacione islamike në Tiranë, Durrës dhe Kavajë, të cilat kanë strehuar misionarët e Al QAEDA dhe po vijojnë rekrutimet e të rinjve shqiptarë drejt Sirisë. Forca të Antiterrorit të Policë së Shtetit, pasi kanë marrë këtë informacion nga autoritetet turke, janë hedhur menjëherë në aksion duke kontrolluar të gjithë personelin e fondacioneve dhe shkollave islamike në vend, si dhe duke mbajtur në survejim të vazhdueshëm disa prej xhamive në qytetet e mësipërme. Gjithashtu, masa të tjera u morën për mbajtjen nën mbikqyrje të disa rrjeteve sociale me karakter fetar, si dhe janë kaluar në sitë nëpërmjet sistemit të kalimit kufitar TIMS, të gjithë shtetasit e huaj të ardhur në Shqipëri pas Shtatorit 2013.    Dosja e organizatës    Sipas dosjes hetimore, rreth 50 shqiptarë janë dërguar të luftojnë në Shqipëri, 5 prej të cilëve rezultojnë të vrarë. Sipas drejtuesit të prokurorisë për Krimet e Rënda, Eugen Beçi, në kërkim janë shpallur dhe shtatë të dyshuar të tjerë, ndaj të cilëve është firmosur fletë-arresti. Në dosjen e prokurorisë, Genci (Abdurrahim) Balla konsiderohet si një ndër organizatorët kryesorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri. “Genci Balla është i njohur në qarqet radikale të vendit si një ndër teologët më të spikatur të rrymës ‘Tekfiriste’. Balla është një ndër teologët më radikalë, që propagandon Islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda Komunitetit Mysliman, si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin e besimtarëve myslimanë dhe dërgimin e tyre për xhihad luftarak në Siri”, thuhet në dosje.   Rekrutimet nga Turqia   Pjesëtarët e Fondacionit Humanitar “IHH”, të cilët u ndaluan në provincën jugore të Kilis disa javë më parë, si pjesë e një operacioni kundër organizatës terroriste Al QAEDA, kanë rekrutuar shqiptarë në Tiranë për të luftuar në Siri. Burime diplomatike të shtetit turk bënë me dije se 90 shqiptarë në Tiranë janë rekrutuar nga Turqia. “Grupi i fundit që ishte rekrutuar përbëhej nga 90 shqiptarë të cilët kishin fluturuar nga Tirana në Stamboll me një avion turk nr 1078 në qershor të 2013. Pavarësisht përpjekjeve të IHH për të rekrutuar ushtarë për Ushtrinë Çlirimtare të Sirisë, rreth 450 shqiptarë myslimanë dezertuan pas disa javësh luftime dhe bashkimit me al Nusra Front, një grup i Al QAEDA që drejtonte luftën e kryengritjes”, kanë cituar mediat turke.   Shqiptarët e vrarë në Siri   Numri i shqiptarëve të rënë në luftën e Sirisë po merr përmasa të frikshme. Rreth dy muaj më parë, një tjetër shqiptar do të binte në betejë në luftën që zhvillohet në Siri mes grupeve rebele ekstremiste apo për liri dhe forcave të Bashar Al Assad. Bledar Hamza, 27 vjeç, ishte nisur për të punuar në Arabinë Saudite si kamerier e kuzhinier bashkë me familjen, gruan dhe vajzën, por më 28 janar ka ardhur lajmi i kobshëm i vdekjes së tij në luftë. Vetëm disa javë më parë, në këtë luftë u mësua se kishte rënë edhe kosovari nga Prishtina, 40-vjeçar me incialet F. S., që banonte në rrugën “Rasim Kiqina” (Ish-Avallia Vjetër) në Prishtinë. Edhe familjarë të tij kanë konfirmuar për Express se djali i tyre, F. S. është vrarë në luftën e Sirisë. Ndërkaq, Muhamet Koprova, 22 vjeç, është viktima e fundit në Siri. Javën e kaluar është vrarë duke luftuar në krah të forcave rebele. Tetë shqiptarë të vrarë janë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria, ndërsa dy të tjerë janë shtetas sirianë me prejardhje nga Kosova. Katër shqiptarë të tjerë nga Shqipëria janë vrarë, por ende nuk ka konfirmime zyrtare për identitetin e tyre. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të përfshirë në luftën siriane besohet se është 140. Janë të ndara në dy grupe, në Alepo.   Organizimi   Po si janë organizuar militantë dhe raporti i tyre me Al QAEDA? Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, ISIS, u themeluar në vitet e para të luftës në Irak. Ata u angazhuan për besnikëri ndaj Al QAEDA në vitin 2004, duke u njohur edhe si Al QAEDA në Irak. Grupi, i përbërë nga një numër grupesh rebele, fillimisht tentuan që të ngrenë një kalifat suni në Irak, por që prej atëherë i kanë shtrirë synimet e tyre, duke përfshirë edhe Sirinë. Faqja në Facebook, Krenaria Islame, përfshin video të xhihadistëve, të përkthyera në shqip, vlerësim për muxhahedinët me prejardhje shqiptare, që kanë vdekur duke luftuar në Siri dhe video ku sulmohet demokracia si e papërputhshme me Islamin. E njëjta faqe fton myslimanët shqiptarë të bashkohen me organizatën, duke lëshuar lëvdata për ish- liderin e Al Kaedës dhe terroristin Osama Bin Laden. Adriatik Doçi