Sunday, June 21, 2015

“Spastrimi etnik në Çamëri" Nexhat Merxhushi

“Spastrimi etnik në Çamëri: Unë, 9-vjeçari, që “bashkëpunova” me nazifashistët”, me autor Nexhat Mergjyshin, i lindur dhe i rritur në Paramithi të Çamërisë.
Autori Nexhat Mergjyshi u dekorua me titullin “Nderi i Çamërisë“ nga Shoqata “Çamëria”. Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohje për nderimin që iu bë dhe premtoi se do të vijonte të punonte pa u lodhur edhe në të ardhmen.


 Në këtë aktivitet ishte i pranishëme dhe Nënkryetari i Kuvendit, z. Shpëtim Idrizi. Në fjalën e tij ai bëri thirrje që të punohet më shumë për dokumentimin e të vërtetës historike. Z. Idrizi theksoi se Greqia, duke pasur hapësirën e lirë gjatë regjimit komunist, e shtrëmbëroi të vërtetën, me alibinë e “bashkëpunimit nazifashist”, ndërkohë që historia e ka faktuar që shqiptarët e Çamërisë iu bashkuan Batalionit “Çamëria” dhe Batalionit “Ali Demi” e nga ana tjetër, Napoleon Zerva ishte bashkëpunëtor i nazistëve.

 Gjatë prezantimit të librit folën drejtuesi i Shoqatës “Çamëria”, z. Ardian Tana, studiues, drejtues të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë ndër vite, etj. Biografia: Nexhat Merxhushi u lind në Paramithi, në vitin 1935. Në moshën 9-vjeçare njohu genocidin grek dhe si pasojë familja e tij u vendos në Tiranë. Ai ka kryer studimet e larta në degën gjuhë-letërsi dhe për shumë vite ka shërbyer në arsim. Pas krijimit të Shoqatës “Çamëria”,në vitin 1991, iu përkushtua tërësisht çështjes çame. Në vitin 2011 ka botuar librin “Paramithia, qytetërimi mes tragjedive”. 

“Spastrimi etnik në Çamëri” është botimi i dytë i autorit. “Spastrimi etnik në Çamëri” Autori paraqet para lexuesit librin “Spastrimi etnik në Çamëri” si një dëshmitar okular që ka përjetuar tmerret e masakrave të vitit 1944 në Paramithi e gjetkë gjithshtu edhe pas një pune 4-vjeçare për të mbledhur lëndë burimore dhe autentike historike.

 Në këtë libër prej 279 faqesh dhe XIII krerësh shpalosen fakte e të dhëna nga drama e një populli, të cilat kanë mbetur gjatë në kujtesën e tij. Autori është përpjekur të evidentojë me fakte të pamohueshme dhe të dhëna të patjetërsueshme pabesinë shoviniste greke në miqësinë shqiptaro-greke gjatë dy shekujve të fundit, rolin antishqiptar të klerit grek në dëm të interesave të popullsisë çame, strategjië greke për spastrimin etnik dhe genocidin ndaj Çamërisë.

 Po ashtu, në faqet e kësaj vepre autori është përpjekur të hedh dritë mbi të vërtetën e masakrave dhe qëndrimin e popullsisë came ndaj fashistëve dhe nazistëve, rolin e kishës greke gjatë masakrave dhe skenarin ogurzi për mbjelljen e armiqësisë ndaj çamëve. Dokumentet arkivore të zbuluara deri tan vonë dhe botimet bashkëkohore , tregojnë për prapaskenat e kurdisura për shfarosjen e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë.

 Sipas autorit, referuar dokumenteve arkivore të AQSH, të shteteve të ndryshme europiane, përfshirë dhe atyre greke, pohimet që u përhapën në atë kohë nga qarqe të caktuara greke, e që kanë ardhur deri në ditët tona, deformojnë të vërtetat historike. “Spastrimi etnik në Çamëri” është një libër që mbart një mesazh tronditës, një mesazh më të vërtetë se e vërteta, më tragjik se tragjikja.

PDIU.AL

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *