Sunday, March 16, 2014

Greqia njeh pasaportat e Kosovës

Greqia ka hedhur një tjetër hap për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndonëse ende nuk e ka ndërmend të njohë pavarësisnë e saj. Vendi që mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian ka vendosur të njohë pasaportat kosovare. Ministria e Jashtme greke thotë se kjo bëhet në kuadër të synimit konstant grek për integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në strukturat europiane.

Greqia ka bërë një tjetër hap drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Që nga data 20 mars, pasaportat kosovare do të trajtohen nga autoritetet greke si gjithë pasaportat e vendeve të tjera. Ministria e jashtme greke ka informuar gjithë shërbimet përkatëse që tash e tutje, në pasaportat kosovare të të gjitha llojeve do të ngjitet pulla e vizës. Deri më tani, autoritetet greke nuk bënin asnjë veprim në këto pasaporta, madje edhe vulat e hyrjes e të daljes, vendoseshin në letrat e veçanta që shërbenin si vizë hyrëse për shtetasit kosovarë.
Ministria e jashtme greke ke theksuar se progresi në trajtimin e pasaportave kosovare nuk përbëjnë njohje të Kosovës nga ana e Greqisë, por bëhet në kuadër të synimit konstant grek për integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në strukturat europiane.
Megjithatë media me profil nacionalist dhe patriotik e kanë cilësuar këtë lëvizje të Athinës zyrtare si njohje të Republikës së Kosovës, duke akuzuar drejtpërdrejtë ministrin e jashtëm, Evangelos Venizelos. Të njëjtat akuza ishin bërë ndaj Venizelos edhe kur ky ishte takuar me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, në shtator të vitit të kaluar, në Nju Jork.
Ndaj akuzave të reja reagoi të shtunën ministria e jashtme greke, nëpërmjet zëdhënësit Konstantinos Koutras. “Greqia është në të njëjtën linjë me shtete të tjera anëtare të BE që mbajnë qëndrim të ngjashëm në çështjen e njohjes së Kosovës. Kushdo që ka njohje elementare të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikës diplomatike, duhet ta dijë se si përcaktohet me saktësi njohje të një shteti”, theksoi zëdhënësi.