Mijëra qytetarë elbasanas, por edhe miq të ardhur nga rrethet e tjera
të vendit kanë mbushur, që në orët e para të mëngjesit, bulevardin
“Aqif Pasha”, të qytetit të Elbasanit, për të ndjekur ceremonitë
tradicionale të Ditës së Verës.
Pjesëmarrës në këto ceremoni kanë qene
edhe turistë të huaj, ndërsa qytetarët kanë uruar që kjo ditë të sjellë
mbarësi për të gjithë.
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit kanë çelur siparin e
festimeve ndërsa me pantonimat e tyre, bënë thirrje për një kujdesje më
të veçantë për fëmijët dhe të drejtat e tyre. Më pas, njerëzit kanë
vizituar Panairin e Ditës së Verës, si dhe kanë provuar ballokumet,
gatimin tradicional të kësaj feste. Në mesditë, ata janë drejtuar për të
drekuar në pikat turistike të rrethit, si dhe lokalet e zonës, të cilat
si zakonisht janë që të gjitha plot në këtë ditë.
Si çdo vit, edhe sot në Elbasan mbërrijnë drejtues të lartë të
politikës, që kalojnë me qytetarët disa orë të kësaj feste. Në fakt,
festa ka filluar që mbrëmë me një koncert të sheshin kryesor të qytetit,
Në mbrëmje vonë, festa ka kulmuar më hedhjen e fishekzjarrëve.
Dita e Verës është një festë pagane, ndërsa 10 vjet më parë 14 marsi,
me vendim qeverie u kthye në një ditë pushimi zyrtar. Kryeqyteti i
festës është qyteti i Elbasanit, por kjo ditë festohet tashmë në çdo
qytet të vendit, ku njerëzit mblidhen së bashku me familjen miqtë apo të
afërmit për të kaluar disa orë.