Sunday, July 26, 2015

Kodikët e Beratit, Përmendore Të Kulturës Njerëzore

Kodikët janë dorëshkrimet më të vjetra që janë ruajtur në hapësirën shqiptare. Tradita e shkrimeve të shenjta në Shqipëri ka vazhduar për 15 shekuj me radhë, prej paleokrishtërimit deri në kohët moderne
. Shkrimet ungjillore dhe biblike në Shqipëri janë pjesë e historisë botërore të shkrimit; pjesë e
historisë së zhvillimit progresiv të mendimit dhe të kulturës njerëzore. “Kodiku i Purpurt i Beratit”, një prej varianteve më të hershme të Besëlidhjes së Re, përbën një dorëshkrim të rrallë të letërsisë biblike në shkallë botërore. Sipas dijetarëve vendës dhe të huaj, ai numërohet i treti ose i katërti për nga kronologjia, por çmohet edhe më shumë për nga rëndësia. Të njohësh këtë dorëshkrim është njësoj si të takohesh me kohërat e mjegullta, me atë fazë të mugët të historisë, kur krishtërimi sapo kishte dalë nga fshehtësia. Në shkallë botërore ruhen gjithsej shtatë kodikë të purpurt, të periudhës së fillimeve të krishtërimit. Nuk është e rastit që dy prej tyre gjenden në Shqipëri. Vendi ynë ishte në përbërje të hapësirës burimore biblike. Tradita e dorëshkrimeve të shenjta është provë se hapësira shqiptare ka pasur në vijimësi një elitë kulturore, që ka ditur jo vetëm të krijojë, por edhe të ruajë kryevepra. Vepra të tilla, që
janë përmendore të historisë së mendimit të njerëzimit, na bëjnë optimistë për një imazh tjetër për Shqipërinë tonë. Ato promovojnë vlerën e kulturës së këtij vendi dhe të këtij populli edhe sot, kur kanë kaluar shekuj e mijëvjeçarë nga koha e krijimit. Ato janë kontribut i njohur në historinë botërore.







Historianët le të bëjnë të tyren dhe të na shpjegojnë se si është e mundur që në hapësirën shqiptare u ruajtën shkrime të tilla, të cilat i takojnë kohës kur krishtërimi po kalonte nga stadi i predikimit gojor në atë të predikimit kult. Por ka disa fakte të njohura, që na bëjnë të ditur se “Kodiku i Purpurt i Beratit” dhe dorëshkrime të tjera të krishtërimit të hershëm nuk janë dukuri rastësore në mjedisin shqiptar. Vetëm pak kohë para se të shkruhej kjo vepër, ishte Shën Jeronimi i Ilirisë, Shën Gjëri, siç e njohin shqiptarët, që i dhuroi Perëndimit “La Vulgata-n”, të parin tekst të Biblës të përkthyer në latinisht, rilindjen e parë shpirtërore europiane. Po në atë shekull, Shën Niketa i Remesianës ose i Dardanisë kompozoi kryelutjen e krishtërimit, “Te Deum laudamus” (“ty Zot të lavdërojmë”), që këndohet edhe sot në katedralet e Perëndimit. Perandorët ilirë të Bizantit, me fuqinë që u jepte detyra, e bënë për herë të parë krishtërimin një fe zyrtare. Ruajtja e kodikëve të Shqipërisë në këtë mjedis ku kanë kaluar rrebeshe të kohës dhe ku janë kryqëzuar ndikime mospajtuese, shpreh edhe një herë një prej vlerave etnodalluese të popullit shqiptar, tolerancën ndërfetare të tij, një model tolerance edhe për Shqipërinë e sotme. Të tilla dorëshkrime janë pjesë e identitetit kulturor të popullit, që i ka ruajtur dhe i japin emër Shqipërisë në botë. Prandaj ne përulemi me emocion dhe nderim para tyre. Shqipëria ka një të ardhme të sigurt europiane, sepse ka një të shkuar të lavdishme europiane. Në Shqipëri ka ekzistuar një frymë e fortë ekumenizmi, pavarësisht se si ka ndryshuar gjeopolitika. Fryma ekumenike, fryma e përbashkimit, që gjendet edhe në një prej vargjeve të himnit tonë kombëtar, le të gjejë një inkurajim prej kësaj tradite, që promovohet në librin “Kodikët e Shqipërisë”.

Shkruar posaçërisht për botimin “Kodikët e Shqipërisë”. ALFRED MOISIU

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *