Thursday, December 11, 2014

Kisha Ortodokse Shqiptare paguan mësuesit grekë në Shqipëri

vangjel duleMinistri i Arsimit i Greqisë, Andrea Loverdho deklaron në Parlamentin grek se një pjesë e shkollave greke janë organizuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos dhe mitropoliti lokal i Gjirokastrës. Kisha ofron shpërblim për mësuesit e gjuhës greke  


Kisha Ortodokse e Shqipërisë paguan mësuesit “vullnetarë” që japin mësim në gjuhën greke në zonat minoritare në jug të vendit tonë. Pagesën për këta misionarë e ka bërë kreu i kësaj kishe në vendin tonë, Anastas Janullatos. Hirësia, përveçse ka marrë “uratat” e dhjetëra mësuesve që japin mësim të gjuhës greke në Jug të Shqipërisë, ka marrë edhe vlerësimet e shumta nga zyrtarët e lartë të shtetit grek.
Kur në vendin tonë festohej 102-vjetori i Pavarësisë dhe njëkohësisht me të kujtohej mes debatesh edhe çlirimi i vendit, në Parlamentin grek Janullatos merrte lëvdata për ndihmën që ka dhënë për mësimin e gjuhës greke. Sipas ministrit të Arsimit të Greqisë, Andrea Loverdhos, në Gjirokastër punojnë me dhjetëra vullnetarë nga Greqia me “ndërgjegje kombëtare, ndërgjegje misioni”, të cilët paguhen nga Kisha Shqiptare. Konkretisht ai tha:
“Duhet të veprojmë me kujdes, znj. kryetare (e Parlamentit), me arsimtarët vullnetarë që kanë shkuar dhe japin mësim aty, – i takova në Gjirokastër – në shkollën që ka organizuar Kryepeshkopi Anastas dhe Mitropoliti lokal”. Kjo ishte një ndër frazat e përmendura nga ministri i Arsimit i Greqisë në seancën parlamentare të datës 28 nëntor.
I pyetur nga një prej deputetëve të “Agimit të Artë”, për çështjen e ushtarëve të vrarë në tokën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përse në fjalën e tij ministri nuk përmend “Vorio Epir”, por “Shqipëria e Jugut”, Loverdhos i është dashur të tregojë edhe detaje të tjera.
Numri një i Arsimit grek i është devijuar një pjese të pyetjeve të deputetit të “Agimit të Artë”, por gjithsesi ka këmbëngulur se shqipja nuk do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Greqi.
Ndonëse kjo është kërkuar shpesh nga përfaqësues të shoqatave të emigrantëve shqiptarë, përsëri duket se vendi fqinj nuk do të jetë gati për të futur shqipen si gjuhë të dytë.
Kjo nuk i ka penguar aspak fqinjët tanë që të interesohen për shkollat greke në disa zona në jug të Shqipërisë.
Duke iu referuar mësimdhënies në gjuhën greke, Liverdhos u shpreh se “këta djem e vajza shkojnë aty, marrin nga kisha një si shpërblim dhe asgjë më shumë. Duhet t’i shohim me më shumë kujdes dhe të shohim çështjen e pikëzimit të shërbimit që ofrojnë. Janë kryesisht djem e vajza nga Greqia e Veriut që shkojnë aty. Si ta them? Janë njerëz me ndërgjegje kombëtare, me ndërgjegje misioni. Dhe është e vështirë puna e tyre. Nuk është e lehtë”. Me këtë frazë ministri e mbyll çështjen për shkollat greke në zonat minoritare në jug të vendit tonë.
Sikurse pranohet prej tij, ndonëse në formë “simbolike”, shkollat greke në vendin tonë kanë mbështetje financiare nga Kisha greke dhe veçanërisht nga kryepeshkopi Janullatos dhe mitropoliti lokal i Gjirokastrës. Loverdhos në fjalën e tij në parlament nuk është ndalur në detaje rreth mënyrës së pagesës dhe mbështetjes financiare, por duket se gjithçka ka qenë e qartë se Kisha Ortodokse në Shqipëri ka financuar për shkollat greke dhe pagesat e mësuesve.
Përgjatë diskutimeve të ndodhura në parlamentin grek, të ashpër kanë qenë deputetët e Agimit të Artë, që përmendin si zona me popullsi shumicë greke, fshatrat e Gjirokastrës, Himarës dhe Korçës. Me këtë “argument” kanë kërkuar që qeveria e tyre dhe vetë ministri të jenë më kërkues ndaj palës shqiptare, pasi sipas tyre po shkelen të drejtat e popullsisë greke në vendin tonë.
Për të treguar se po bëhet shumë për gjuhën dhe përhapjen e shkollave greke, është përmendur pikërisht kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos dhe Mitropoliti i Gjirokastrës, si dy nga figurat e larta klerike që kanë “sakrifikuar” edhe vlera monetare për shkollat greke në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *