Thursday, November 20, 2014

Çamëria me 865 mijë banorë, në Shqipëri, në Diasporë dhe në Greqi

Sipas të dhënave të “Calendario Atlante De Agostini” të vitit 2006 dhe shifrave të publikuara nga Enti Statistikor Grek, deri në vitin 2006
Në proceset e zhvillimeve të sotme , miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i “Rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame”, për njohjen dhe mbështetjen e të gjitha të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin e spastrimin etnik, rikthimi i pronave, njohja e të drejtës së riatdhesimit etj. është një imperativë që do të nxisë fillimin e një procesi integrues ndërkufitar , subrajonal e më gjerë.

Shpërngulja me dhunë dhe çrregullimet demografike
Krahina shqiptare e Çamërisë , deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, ishte një rajon me përbërje etnike homogjene, ku mbi 82% të popullsisë e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave greke të vitit 1937 Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë, nga të cilët 92.415 ishin shqiptarë , ndërsa 20.200 banore ishin grekofonë.

Procesi i shpërnguljes me dhunë të popullsisë shqiptare nga trojet e veta në Çamëri, që ka nisur gjatë Luftrave Ballkanike 1912-1913, u fut në një fazë të re gjatë Luftes Italo-greke 1940-1941 dhe arriti pikën kulmore me ngjarjet e viteve 1945-1945.

Gjatë fushatës greke të spastrimit etnik nga 27 qershori 1944, deri në mars 1945 u vranë mbi 2.770 civilë, u plaçkitën dhe më pas u dogjën 68 fshatra dhe 5.800 shtëpi. Si pasojë e këtij genocidi mbi 35 mijë shqiptarë të fesë muslimane u shpërngulën nga vatrat e tyre dhe u vendosën në shtetin amë, në Shqipëri.

Gjatë emigracionit mbi 2600 persona gjetën vdekjen, si rezultat i mungesës së ushqimit dhe sëmundjeve të ndryshme. Në nderim të këtyre viktimave të genocidit grek, me mbështetjen e PDIU-së është projektuar dhe është çelur fondi për ndërtimin e një memoriali përkujtimor në fshatin Kllogjer të Sarandës.

Shpërngulja me dhunë e popullsisë shqiptare muslimane nga krahina e Çamërisë solli me vete rriskun e ngushtimit etnik të trojeve shqiptare. Trojet e trungut etnik të rretheve: Filat, Gumenicë, Paramithi , Prevezë etj, të populluar me shumicë prej shqiptarëve, u populluan nga kolonë greke e vllehë.

Në gjysmën e dytë të shek XX e deri në ditët tona ka vijuar politika për helenizimin e krahinës e orjentuar në dy rrugë :
-intensifikimin e procesit të helenizimit të shqiptarëve të krishterë nëpërmjet shkollës, kishës dhe administrates.
-kolonizimi i kahinës me emigrantë grekë dhe vllehë, të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë, kryesisht nga Rajoni i Pindeve dhe Atika.

Migrimet e dhunshme sollën çrregullime demografike, pasi u shoqëruan me vrasjen dhe shfarosjen e mbi 5 mijë personave dhe shpërnguljen e gjithë popullsisë shqiptare muslimane që përbente pjesën më vitale të krahinës.

Sot rreth 300 mijë banorë me origjinë nga Çamëria jetojnë në Shqipëri dhe përllogaritet se rreth 400 mijë të tjerë jetojnë në diasporë, më së shumti në Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke u mbështetur në regjistrimin grek të vitit 1951, i fundit ku jepen të dhëna për përkatësinë fetare dhe gjuhën amtare të popullsisë që jeton në Greqi , del se numri i popullsisë shqiptare etnike , kryesisht të krishterë në kahinën e Çamërisë ishte 22.736 banorë (R.Clogg-“Historia e përmbledhur e Greqisë”-Tiranë 2004, fq 233).

Sipas të dhënave të “Calendario Atlante De Agostini” të vitit 2006 rezulton se numri i popullsisë shqiptare etnike në Greqi arrin në 165 mijë banorë. Ky tregues statistikor është në logjikën e shtimit natyror normal të popullsisë për periudhën nga viti 1951, që kemi të dhëna nga Enti Statistikor grek, deri në vitin 2006, sipas të dhënave të enciklopedisë italiane “De Agostini”. Nga të dhënat e mësipërme rezulton se numri i popullsisë çame në Shqipëri , diasporë dhe në Greqi (krahinën e Çamërisë) arrin në rreth 865 mijë banorë.

Në dhjetëvjeçarët e fundit shtimi natyror i popullsisë në Epir ka qenë mjaft i ulët, me një shtim mesatar vjetor prej 1400 banorësh. Në vitin 2007 , në krahasim me vitin 2001, ka pasur një saldo negative të shtimit vjetor të popullsisë, me një vlerë prej minus 5300 banorë. Ndërsa në vitin 2011, në krahasim me vitin 2007, kjo saldo negative arriti në minus 13.770 banorë (“Calendario Atlante De Agostini” -2013).

Këta tregues të shtimit të popullsisë janë pasojë e ritmeve të ulta të shtimt natyror dhe janë të lidhur veçanërisht me dukuritë e eksodit rural dhe të emigracionit të jashtëm.
Në dhjetëvjeçarët e fundit në Epir janë shpopulluar rreth 347 fshatra, të cilët aktualisht janë krejtësisht të braktisur. Për rrjedhojë dendësia mesatare e popullsisë është mjaft e ulët, 37 banorë për km².
Ky tregues është 2.5 herë më i ulët se dendësia mesatare e Greqisë dhe rreth 3 herë më e ulët se dendësia mesatare e Shqipërisë. Në këto rrethana, sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore të cilat kanë qenë të kultivuara apo kullota për bagëtinë , janë degraduar dhe dezertifikuar.
Epiri , rajoni më i prapambetur dhe më i izoluar në Greqi.

Pas shkputjes së Çamërisë nga trungu etnik dhe pushtimit të saj nga Greqia, proceset natyrore të zhvillimit ekonomik u ndërprenë. Ndryshimi i strukturës demografike të popullsisë, shpërnguljet masive dhe prishja e ekuilibrave në variablet, toka-puna-kapitali, ndikuan negativisht në zhvillimin ekonomik të krahinës, veçanërisht në gjysmën e dytë të shek XX.

Në bazë të ligjit absurd të luftës mbahen në “sekuestro konservative” dhe u është dhënë në pronësi toka, fabrikat, punishtet, dyqanet, shtëpitë dhe gjithë pasuria e paluajtshme e popullsisë çame , kolonëve grekë, të cilët janë të pamotivuar për zhvillimin e ekonomisë.

Sot Epiri është rajoni më i prapambetur dhe më i izoluar në Greqi, me lidhje të pakta ekonomike me rajonet e tjerë. Rajoni Qendror i Athinës dhe Rajoni Verior i Selanikut , që përbëjnë dy polet më të zhvilluara ekonomike në Greqi dhe qendrat gravituese të saj, i kanë kthyer shpinën Epirit.

Epiri (Çamëria) ka pasuri të rëndësishme natyroro-klimatiko-tokësore ku mund të veçojmë sipërfaqet e konsiderueshme të tokës bujqësore, ujrat, pyjet, kullotat, resurset turistike, bimë mjekësore etj. Këto pasuri natyrore historikisht kanë favorizuar zhvillimin e bujqësisë , blegtorisë, peshkimit, artizanatit, tregtisë, veçanërisht fruit-kulturës, vitikulturës, ovikulturës etj.

Për të nxitur këto procese ekonomike tradicionale dhe për të siguruar një Zhvillim të Qëndrueshem në të ardhmen është e domosdoshme që të vendosen ekuilibrat e nevojshëm në trinomin lokacional toka-puna-kapitali. Në këto rrethana një nga rrugët e zhvillimit të rajonit është riatdhesimi i popullsisë came, prej 300 mijë banorësh, që jetojnë në Shqipëri, si dhe kthimi i pronave të tyre.

Ky proces do të përmirësonte në mënyrë të ndjeshme situatën demografike dhe ekonomike të kësaj krahine. Shqiptarët e riatdhesuar do të ishin shumë të motivuar për zhvillimin e prosperitetin e krahinës dhe do të kishin vullnetin e duhur për të arritur këto qëllime. Ata do të integroheshin shumë shpejt në proceset e ndarjes shoqërore gjeografike të punës dhe do të kontribuonin në vendosjen e ekuilibrave të zhvillimit hapësinor-lokacional në raportet qendër-periferi.

Sfida për zhvillimin dhe integrimin subrajonal të krahinës së Çamërisë.
Në proceset e zhvillimeve të sotme , miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i “Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame, për njohjen dhe mbështetjen e të gjitha të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin e spastrimin etnik, rikthimi i pronave, njohja e të drejtës së riatdhesimit etj” është një imperativë që do të nxisë fillimin e një procesi integrues ndërkufitar , subrajonal e më gjerë.

Sfida e zhvillimit rajonal dhe subrajonal, funksionimi i ekonomisë së tregut dhe integrimi europian e bëjnë të domosdoshëm bashkpunimin ndërkufitar, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor. Forma më e njohur dhe më e mirë e institucionalizimit të bashkëpunimit ndërkufitar është EURORAJONI.

Bashkëpunimi ndërkufitar përfshin ndërveprime të gjera, sektoriale dhe hapsinore në fushën ekonomike, sociale, politike etj, me qëllim mobilitetin e punësimit në rajonet kufitare, zhvillimin e turizmit dhe aktiviteteve të përbashkëta strukturore dhe infrastrukturore, ekonomike etj.

Eurorajonet janë një model zhvillimi që hasën vecanërisht në vendet e Europës Perëndimore. Pas vitit 1990 , me mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e barrierave politike proceset integruese që shoqëruan ato krijuan kushte të favorshme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

Në kuadër të këtij procesi janë institucionalizuar dhe konkretizuar eurorajonet ndërkufitare Gjermani-Poloni (Pomerani), Gjermani-Ceki (Sudetet), Austri –Slloveni – Hungari (Shtiri-Kishalfeld), Hungari-Kroaci-Bosnje (Danub-Drava-Sava), Maqedoni-Serbi-Bullgari (Morava-Pcinjë-Strumë) etj.
Bashkëpunimi ndërkufitar në një mjedis me kufij të hapur , midis Rajonit të Epirit në Greqi (Çamërisë), Rajonit Vlorë-Sarandë-Gjirokastër në Shqipëri dhe Rajonit të Puljas në Italinë jugore,që mund të quhet “Eurorajoni i Detit Jon” do të mbështeste fuqimisht zhvillimin ndërkufitar në këto hapësira periferike, kryesisht rurale të Shqipërisë dhe Greqisë.

Në këtë proces integrues të zhvillimit ndërrajonal do të ridimensionohej procesi i ndarjes shoqërore të punës , specializimit dhe shkëmbimit subrajonal. Në kushtet e fragmentizimit të periferive tona territoriale, të faktorizimit politik, ekonomik dhe kulturor,institucionalizimi dhe konkretizimi i eurorajoneve kufitare do t’i paraprinte procesit të globalizimit dhe integrimit europian.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *