Saturday, September 27, 2014

Qeveria Gruevski anashkalon gjuhën shqipe në Strugë

STRUGE- Injorohet dhe anashkalohet nga Qeveria Gruevski gjuha shqipe në zonat e banuara me shqiptar në Maqedoni. Gjatë përurimit të punimeve në Zonën për Zhvillim Teknologjik Industrial ku prezent ishte Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ministra e funksionarë shqiptarë të BDI-së, Komuna e Strugës reagoi për shkak të anashkalimit të gjuhës shqipe që u bë në tabelat informative të këtij aktiviteti.

Të njëjtën ditë, për të vëzhguar kanë dalë inspektorët komunalë të Strugës, të cilët kanë bërë vërejtje për mospërdorim të Gjuhës Shqipe në këto tabela. ‘Inspektorët kanë plotësuar procesverbale dhe kanë urdhëruar firmën që merret me punimet në fjalë që të reagojë në kohë, përndryshe do të merreshin masat e nevojshme në bazë të ligjit.

Kështu, dje në Komunën e Strugës ka ardhur një letër lajmërimi nga kompania e kontraktuar për kryerjen e punimeve, në të cilën thuhet se është bërë gabim nga ana e udhëheqësve të punimeve dhe se në afat sa më të shkurtër kohor do të veprohet në bazë të Nenit 7 të Ligjit për përcaktimin e emrave, rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore dhe se do te vendoset tabelë informative edhe në Gjuhën Shqipe’-shkruan agjencia INA.

Komuna e Strugës thotë se do të vazhdojë me zbardhjen dhe zgjidhjen e rasteve të ngjashme të shkeljes së ligjit për përdorimin e gjuhëve që bëhet nga institucione që nuk janë në varësi të saj. “Ne jemi të prirur që rastet e tilla ti zbulojmë dhe për të njëjtat të marrim masat e nevojshme, gjithmonë në pajtim me ligjet në fuqi dhe këtë e kemi dëshmuar në shumë raste të bëra publike, përmes mediave në vend.

Apelojmë edhe tek qytetarët e Komunës së Strugës, që në rast se vërejnë shkelje të tilla të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të njëjtat ti paraqesin në organet komunale, gjegjësisht Inspektoratin e Komunës së Strugës”, thuhet në deklaratën e komunës së Strugës.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *