Nga Spartak Ngjela
I gjithë abuzimi shekullor që kanë bërë pushtetarët e korruptuar në 
Shqipëri,  ka qenë i ndihmuar nga kjo harresë tragjike: "Shqipëria një 
tokë e harruar e Europës".
Kështu ka qenë quajtur Shqipëria 
në analet ndërkombëtare që nga fillimi i shekullit të kaluar. Por sot ka
 ndryshuar gjithçka. 
Në fakt, pati një përpjekje nga Ahmet Zogu që ta nxirrte Shqipërinë nga harresa shekullore europiane,
 por, për shumë arsye, me gjithë paratë që mori nga Musolini,  nuk e 
nxori dot Shqipërinë në hapësirën e dukshme ndërkombëtare si një shtet 
me personalitet të Europes.
          Lufta e Dytë Botërore, si 
pasojë e Aleancës antifashiste që bënë komunistet për operacione 
konkrete gueriliesh kundër italianëve pushtues në Shqipëri, dhe ardhja 
në pushtet e tyre, pas Luftës,  si pasojë e kësaj aleancë, e kishte 
mundësinë reale për ta nxjerrë Shqipërinë nga harresa europiane. Por 
Enver Hoxha prishi aleancën me anglosaksonët,  dhe e rreshtoi Shqipërinë
 në botën komuniste, ku kjo mbeti sërish një vend i papërfillshëm 
europian.
 Shkëputja që Hoxha bëri nga Moska në vitin 1961, sërish 
mund ta kishte sjellë me personalitet Shqipërinë në Europën 
mospërfillëse, por Enver Hoxha shkoi edhe më  thelle: ai e izoloi 
Shqipërinë nga krejt Perëndimi.
 Ky izolim, e thellon edhe më tepër mendimin se "Shqipëria është një tokë e harruar e Europës".
        Rënia e komunizmit në rrafshin botëror,  nxori në pah 
domosdoshmërinë e rreshtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por 
këtu filloi në fakt lufta e pushteteve politikë shqiptarë që ta 
bllokonin identifikimin europian të Shqipërisë mes Bashkimit Europian.  
Dhe, të gjitha qeveritë  në 25 vjet, që nga viti 1991, e bllokuan 
realisht këtë proces.  Cilat janë arsyet, dhe pse, tani janë të 
dokumentuara. Por ne na duhet të theksojmë se të gjithë fqinjët tanë 
përreth nesh, kanë punuar me ngulm që Shqipëria të mbetej gjithmonë një 
"tokë e harruar e Europës".
        Sot ka ndryshuar gjithçka. 
Politika amerikane i mundi të gjithë  kundërshtarët e daljes së 
Shqipërisë nga harresa europiane. Reforma aktuale do të zgjidhë 
gjithçka, dhe është risi historike që qeveria aktuale është tërësisht me
 Reformën që amerikanët dhe europiano-perëndimorët po ndërmarrin në 
Shqipëri. 
        Udhëheqësit politikë shqiptarë, ne rreth 20 vjet, u
 pasuruan me korrupsion dhe nëpërmjet krimit të organizuar shqiptar, 
sepse siguroheshin gjithmonë me anë të "harresës europiane" ndaj 
Shqipërisë. Tani që harresa mbaroi, dhe vendi do të hyjë realisht në 
Reformën e tij Perëndimore,  fundi i tyre është i pashmangshëm, prandaj 
po "përpëliten" duke shprehur lloj - lloj "arsyesh" banale kundër 
Reformës që do të nxjerrë Shqipërinë përfundimisht nga ajo harresë 
makabër,  që i ka shkaktuar vuajtje të mëdha shqiptarëve në keta 100 
vjetët e fundit. Por janë përpjekje të dështuara. Harresa tani është 
grisur.

No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *