Friday, May 08, 2015

MAQEDONIA E KRISTALTË

 Zoti, Iljaz Kadriu na ka sjellë thelbin e librave: “Shqiptarët ortodoks të Maqedonisë” dhe “Rilindasit” me autorë Branisllav dhe Gordiana Sinadinovski. U bënë dy promovime të këtyre librave, në Çikago dhe New York. Babai i tij, profesori i ndjerë universitar, Joakim Sinadinovski, kishte lënë si amanet, që kurrë të mos harrohej e vërteta e origjinës së shqiptarëve të Rekës, Gostivarit dhe të Dibrës. Sepse shqiptarët ortodoks në Maqedoni, janë një realitet historik dhe pjesë e natyrshme e popullit shqiptar. Prandaj shqiptarët e feve të tjera, duhet t’i ndihmojnë dhe t’i pranojnë mes tyre, për rikthimin e identitetit kombëtar të tyre.
B. Sinadinovski, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe përfaqësues diplomatik, ka pohuar origjinën shqiptare dhe traditën patriotike të familjes së tij, e cila ishte përçuar nga babai Joakim. Ndërkohë ai bën të njohur reagimet negative të kishës Maqedonase, duke i cilësuar si nacionaliste dhe shoviniste, që kishin arritur deri në sulme fizike ndaj tij. A i mendonte rikthimin në identitet, nëpërmjet tre rrugëve: Hapja e një kishe shqiptare, mesha në gjuhën shqipe, futja e gjuhës shqipe në shkollat dhe programet mësimore.
Gordana Sinadinovski, është sllave, por origjina shqiptare e burrit, të cilin e adhuron dhe e vjehrrit të saj, trim e patriot, e kanë nxitur të botojë këtë libër të titulluar “Rilindje”, pasi, siç thotë ajo, “përpara së vërtetës edhe perëndija hesht.”
Po të lexojmë historinë mbi 3000 vjeçare të Maqedonisë, duke filluar nga mbreti i parë Perdika dhe më herët, prej vitit 815 p.e.s, dhe të vijmë në vitin 1930, kur vdes patrioti dhe rilindësi i shquar Josif Bagëri, dalin dy figura të shquara, që i kanë dhënë botës zhvillim dhe përparim, siç është Aleksandri i Madh dhe Justiniani i Madh. Maqedonia, pasqyrohet me emra, data dhe referenca të pa kundërshtuara, ashtu si dhe Çamëria.
Është e vërtetë se Plutarku cilëson si themelues Karanon e Argosit, i cili u shpall mbret në vitin 815 p.e.s. Ndërsa Herodoti quajti si themelues Perdikën. Ky u arratis nga Argosi për në ILIRI, pastaj u hodh në Maqedoninë e sipërme, ku filloi të vinte në zotërim krejt Maqedoninë. Perdika u shpall mbret në vitin 700. Kjo mbretëri përfshinte Selanikun dhe shtrihej në jug të Mollosisë, ose Epir, kurse në veri, deri në IIyri. Kryeqyteti i saj, ishte Edesa, më vonë Vodena. Dihet vetëm që fronin e Perdikës e zuri i biri i tij, Argausi, të cilin e pasoi i biri, Filipi II, që u pasua nga i biri Eropi, i cili u pasua nga i biri i tij Alketi, djali i të cilit, Aminta I, u bë një nga mbretërit më të famshëm të Maqedonisë. ( “Shqiptarët”, f. 97).
Aminta I- (540 – 500) e zgjeroi mbretërinë në lindje. Pranoi “refugjatë të qytetëruar”, si despotin e syrgjynosur të Athinës Pisistratin në vitin 510 p.e.s. dhe më vonë të birin e tij, tiranin Hipia edhe ky i dëbuar nga Athina. Dari kaloi Hellospontin dhe pushtoi një pjesë të Trakës maqedone, në vitin 507 p.e.s. Mbreti Pers dërgoi një delegacion prej 7 personash të lartë dhe i kërkuan dhuratë nga toka dhe uji, si shenjë nënshtrimi. Aminta këta i vrau, duke u zhdukur çdo gjurmë dhe me krushqi e ryshfete, u vuri kapakun.
Aleksandri I- (500 – 454) Emri “grek” në këtë kohë është i manipuluar. Ky emër u vendos më 1830 (R. dA). Aleksandri I- i Maqedonisë nuk ishte grek. Në vitin 493 Maqedonasit filluan përpjekjet, me forcat e Darit, dheu tërhoqën në vitin 491. Në vitin 481 forcat e Darit duke lënë Maqedoninë, donin të pushtonin Athinën. Në saje të flotës pellazgo- spartane, Dari humbi luftën në vitin 480.
Perdika II - (454 – 413 p.e.s.) Hipi në fron, si mbret i Maqedonisë, pas të atit të vet, Aleksandrit. Maqedonia nuk u përzje në luftën midis Athinës dhe Korintit, që zgjati nga viti 431 deri në vitin 404. Athina nxiti trakasit kundër Maqedonisë. Pukëvili lëvdon ushtrinë Maqedonase, duke thënë: “Kur hidheshin në sulm, askush nuk mund t’u dilte në ballë, pasi ishin kalorës të zot dhe të armatosur me parzmore”. Athina herë i bënte maqedonasit si aleat e herë i sulmonte si armiq. Perdika II, si i ati , Aleksandri I, i ftonte grekët e shquar në pallatin e tij në Edesa. Ai mirëpriti Melanipidin, një autor i shquar lirikash të asaj kohe. Hipokrati (460 – 325 p.e.s.) “Babai i mjekësisë”, lindur në Kosin Pellazg, shërbeu te Perdika si mjek i pallatit të tij.
Arkelau (413 – 399 p.e.s.) Hipi në fronin e të atit, pas vdekjes së tij. Tuqididi (460 – 400? p.e.s.) thotë se i thurrnin lavde mbretit për ndërtimet e kështjellave dhe fortifikimin e qyteteve. Arkelau si i ati, mirëpriti poetin tragjik, Euripidin. Sipas Plinit, “Dhënia e udhëzimeve në bujqësi, ishte një zanat me dinjitet të lartë, që faktikisht ushtrohej nga Arkelau”.
Dyzet vjetët e sundimit paqësor në Maqedoni, vijuan me sundime të shkurtra nga viti 399 në 359: Oresti dhe mbrojtësi i tij Eropi II (399-394), Aminta II (393-369), Aleksandri II (369-364) dhe Perdika III 364-360 p.e.s.).
Filipi II (359 – 336 p.e.s.). Filipi ishte djali i Amintës II, në vitin 359 p.e.s. ai hipi në fronin mbretëror dhe ktheu qytetin Pela, afër Selanikut, si kryeqytet. Martohet me Olimbinë në vitin 358, motrën e Aleksandër të Mollosisë së Epirit. Straboni, thotë se tre shtetet pellazge, ngjanin nga gjuha, veshja dhe zakonet. Për herë të parë në histori, të tri mbretëritë pellazge: Maqedoni, Epir dhe Iliri d.mth. shqiptarët e hershëm, u vunë nën një prijës, nën mbretin Filip II. Në viti 336 p.e.s. ai u vra nga një i ri aristokrat. (f.102).
Aleksandri i Madh (336 – 323 p.e.s.) Hyri në histori kaluar me kalë, më 327, kur kaloi qafën e njohur Kyber dhe doli në Penxhabin e Indisë. Pritësit Indianë i thanë: “ para teje kanë ardhur të tjerë nga vendi i juaj këtu.” Disa filozofëve indianë ai u bëri disa pyetje enigmatike: “Sa duhet të rrojë njeriu” , një filozof iu përgjigj: “Kur t’i duket vdekja më e mirë se jeta”. … Aleksandri u kthye në vitin 326 p.e.s. Vdiq në moshën 33 vjeç.
Ja cila është Maqedonia në vitet, kur dominojnë tri figura perandorësh të Perandorisë Bizantine: Justini (518- -527), Justiniani (527 – 565), dhe Justini II (565 – 578) nga Beredina, afër Shkupit. Ata përmenden: për 158 kështjella të ndërtuara në Iliri, Epir dhe Maqedoni. Për “KODIN E JUSTINIANIT”. Ai ndërtoi qytetin e Ohrit dhe e riemëroi “Justiniana Prima”. Ndërtoi “Katedralen e Shën Sofisë”, një kryevepër që ka tërhequr admirimin e botës gjatë 14 shekujve. Gjatë historisë së saj shumëvjeçare, Maqedonia qëndon më kryelartë nga të gjitha vendet e botës, por mbas pushtimit të sllavëve barbarë, që dolën nga luginat e Vollgës, ku jetonin me peshk dhe kafshë të egra, si të egër që ishin; vërshuan në shek. VI - VIIIi, (Kjo periudhë është kapitull më vete).
Njihet në histori 21 korriku 1843, patrioti Dervish Cara, Iljas Pashë Qoku, Sheh Mustafa Tetova, Jashar Bej Shkupi, maqedonasit (shqiptarët) që u shquan në kryengritjen e madhe çlirimtare anti- osmane të Shkupit 11 gusht 1912.
Nga viset e Maqedonisë, morën pjesë 8 delegat në Kuvendin e Vlorës: Myfit Vehbi Agolli, Sherif Lengu, Mehmet Pashë Deralla, Hamdi Ohri, Dr. Myrteza Zyhdi Beu, Nuri Sojli, Mustafa Baruti.
Josif Bagëri, ishte një patriot i shquar i Rilindjes Kombëtare. Jo rastësisht në librin e tij “Josif Bagëri”, fillon me këto vargje: “S’due ktu uni me vdek, / Po n’shqipni! / Atje në Rek! / Ah dhe njëherë unë të ngrihem! / Pa n’vorr t’nanës un të shtrihem! / Atje në Rek para kishës; / Atje në Nistrovë, në hijet e pishës”. Ja si filloi asimilimi i shqiptarëve ortodoks në Maqedoni. Branisllav Sinadinovski, vijon: “Mbiemri ynë ishte Tanashi, Serbia na e bëri “Tanasheviq në vitet 1970. Pas mbarimit të Luftës së II Botërore, që ditën e parë të fillimit të shkollës fillore, unë dhe motra, nuk dinim asnjë fjalë sllavisht, po vetëm shqip, mësuesi na çoi te oficeri i gjendjes civile dhe ky na lëshojë në dorë çertifikatën me mbiemrin e ndryshuar “Manojlovski”. Kur ne u kthyem në shtëpi, prindërit nuk e bënë problem ndryshimin e emrit dhe prej këndej fillon rrëshqitja e shqiptarëve ortodoks, si të padijshëm dhe të pavetëdijshëm. Fill pas luftës I- Botërore, sllavet pushtuan kishën Maqedonase (shqiptare), ashtu siç e ka pushtuar sot Janullatosi kishën e Nolit. Ortodoksit shqiptar dhe ortodoksit sllavë mblidheshin te kisha shqiptare e pushtuar nga sllavët, ku puna e priftit dhe mësuesit sllav, bënë që lehtësisht të konvertohen në sllavo - maqedonë, duke ruajtur këtë ortodoksi sllave në dëm të kombit shqiptar. Kush e ruan identitetin në Maqedoni? Janë shqiptarët myslimanë dhe katolikë, ata që nuk e kanë pranuar ndërrimin e emrit të fëmijëve të tyre që ditën e parë të shkollës fillore. Prej këtej filluan konfliktet midis maqedonasve shqiptarë dhe sllavo-maqedonasve. Prof. Iljaz Kadriu shkruan: “Konvertimet nga një besim në një besim tjetër, nga një komb në një komb tjetër, nuk janë të lehta dhe pa pasoja. Sa është i rëndë dhe i dhimbshëm konvertimi i parë, po aq edhe më shumë është përmirësimi i tij, për kthimin në gjendje të parë”. Si ka mundësi, në këtë histori brilante të popullit Maqedon, tejet të shkëlqyer dhe të kristaltë, që fillon nga Perdika ose edhe më parë të shek IX p.e.s. dhe të arrimë te patrioti Josif Bagëri në shek. XX, me emër dhe mbiemër të plotë shqiptar. Kurse sot kërkojnë të VËRTETËN PARA SË CILËS HESHT EDHE ZOTI. Kur vetë këta, mbajnë emra sllav, si Branko Malinovski, Branislav Sinadinoski dhe kërkojnë të pastrojnë vetveten përfundimisht dhe të gjejnë veten e të kthehen në rrënjët e para të tyre, përndryshe rehat nuk do të kenë as në botën tjetër.”
F. Kordinjano pohon: “Prej popullit shqiptar, 1/3 është bërë muhamedane nga fundi i shek. XVI. Në gjysmën e dytë të shek XVII kemi kthime masive të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë”. (Kordinjano 1934). Shqiptarët, thonë mjaftë autorë bashkëkohorë, u kthyen në myslimanë që të mos thitheshin prej popujve kufitare sllavë dhe grekë. Kështu mendojne respektivisht: I. Irvin, R. Falasçi, W.S. Daw, Roberto Morozzo etj. Ndërsa Konica thotë: “Po të mos ishim bërë myslimanë, harta e Shqipërisë do të ishte e madhe, por ne nuk do të ishim shiptarë”.
Asimilimi u përballua gjatë 520 vjeteve të sundimit otoman, por ky asimilim ndodhi edhe nga viti 1913 e këtej, kur e pushtoi Serbia dhe vazhdoi gjatë regjimit komunist. Emri “Maqedoni” u rrëmbye nga sllavo-serbo-bullgare, me paturpësi të madhe. Veten e tyre e quajnë maqedonë dhe ne autoktonët maqedonë shqiptarë, na quajne “ardhacakë” dhe akademitë e shkencave të tre shteteve tona heshtin.
Maqedonia është në prag të shpërbërjes. Shqiptarët janë të anashkaluar, janë të përbuzur, janë të fyer. Sot në Bruksel, bisedimet bëhen ndërmjet LSDM-së të Zoran Zaevit dhe VMRO-DPMNE-së të Nikolla Gruevskit. Po mbi 40% shqiptarët, ku janë? (numri i shqiptareve është më i madh, por qeveria e fsheh) Ku janë si komb dhe territor? Nuk i përfill askush. Ku është BDI e Ali Ahmetit? Pse nuk e thërrasin në Bruksel. Pse shqiptarët i përdorin si qytetarë të dorës së dytë. Ymer Prizreni dhe të tjerë kishin mentalitet të vjetër në vitin 1908, kur mendonin, më mirë 4 vilajete neo-otomane se sa një shtet londinez. (Danaj).
Nga biseda e përgjimeve të incizuara tregojnë: “…se dy partitë me të mëdha të shqiptarëve, siç është partneri i koalicionit të Gruevskit dhe ajo e ashtuquajtura parti opozitare PDSH e Menduh Thaçit, janë shërbëtore të pushtetit. Qeveria i kontrollon tërësisht. Do të publikohen ngjarje “mostra” dhe lidhjet e ministrave maqedonë me ministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës. (Gazeta “ILLYRIA” “Të dyja partitë shqiptare…” 19 mars 2015). Në vlugun e skandalit të përgjimeve, Gruevski ka lançuar dy ligje të propozuar, që të fshijnë zyrtarisht nga regjistri i popullsisë 250.000 shqiptarë të Maqedonisë, të cilët jetojnë dhe punojnë anembanë botës. Nëse këto ligje marrin aprovim legjislativ, do t’u privojnë të drejtën e të qenit banorë, do t’u mohojnë letër njoftimet, po të qëndrojnë tre muaj jashtë shtetit. Kryetari i partisë BDI, Ali Ahmeti, po luan rol të dyfishtë që duket qartë… në njërën anë dëshiron të rezistojë, ndërsa në anën tjetër, është pushtuar nga frika, se mos Gruevski e përjashton nga qeveria. (Uk Lushi, “Loja me letër njoftime…”, 26-3-2015).
Agjencia INA, njofton se protestuesit me flamuj boshnjakë, turq dhe shqiptarë kanë dalë për të kundërshtuar pretendimet e armenëve ndaj genocidit të Turqisë. “Pyetja është, ç’duan shqiptarët në këto protesta. Fatkeqësisht, gjëja e vetme që simbolizon kjo demonstratë, është zhdukja dalëngadalë e identitetit kombëtar në Shkup dhe në krahina të tjera shqiptare... Ka zyrtarë të lartë të këtyre vendeve, që bëjnë thirrje, për ndryshimin e historisë së shqiptarëve në trojet e veta shekullore, për t’ua përshtatur historinë të tjerëve, për interesa të tyre afatgjata. (F. Shkreli, “Në Shkupin shqiptar…”, 26-4-15) “Ohri, sipas statistikave të fundit, ka pasur rreth 50.000 banorë, mbi 80% shqiptarë myslimane, sot ka 7%, nga 38.000 në 3.000 shqiptare. Edit Durham, në vitin 1904 shkruan se Ohri ishte një qytet mysliman gjerësisht shqiptarë, pas vitit 1913 mbeti nën pushtimin sllav , që ushtruan asimilimin ndaj shqiptareve. (B. Sinaj, “Dikur na ishin shqiptarët …”, 29-9-2013).
“Nga qytetarët shqiptarë të Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, 3439 persona kanë ndërruar emrat shqip, për shkak të bindjeve fetare, ku ndikim më të madh kanë hoxhallarët”. Rinia myslimane sllavo-boshnjake është përgatitur për hoxhë, në Beograd dhe janë dërguar në trojet shqiptare për diversion, të luftojnë dhe vriten në Siri. Këta fondamentalistë gjejnë mbështetje te injoranca e hoxhallarëve tanë. “ Armiqë trdicional të Shqipërisë (kolonizatorët e trojeve tona arbërore) janë agresivë, sepse ishin agresivë dhe mbetën agresivë edhe pas Enverit: “ Ne nuk kemi humbur, por dështuar për të fituar”. Fatkeqësia është se në parlamentin tonë nuk kemi një krah nacionalist. Kemi një parlament tradhtarësh dhe Janullatosi ka ngritur në Tiranë shtetin e vet shumë më të fuqishëm se sa shteti zyrtar shqiptar. (A. Desareti, 22-1-2015).
Kjo është fatkeqësi më e madhe, kur qeveritë dhe Akademitë e Shkencave, nuk punojnë për kombin. Faik Konica, ka thënë: “Armiku më i madh i shqiptarëve, kanë qënë dhe janë vetë shqiptarët.” Megjithatë Shqipëria për mijëra vjet ka rrojtur, rron dhe do të rrojë, se është kockë që nuk bluhet.
Rasim Bebo Addison, Çikago, maj 2015

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *