Thursday, February 19, 2015

Shqipëri dhe Kosovë, Tare ëndërron “Një Kombëtare”!

Drejtori sportiv i Lacios “pa doreza”, mbi profesionin, objektivat dhe zhvillimet kuqezi: “Ka 7 vjet që e bëj këtë punë dhe e them pa problem që kam 7 vjet që nuk bëj asnjë ditë pushim me familjen. Kjo është një nga anët negative”
Në një intervistë për KTV, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, flet për jetën e tij dhe jep detaje të karrierës së tij që nga koha kur luante futboll e derinë ditët e sotme, ku momentalisht mban detyrën e drejtorit sportit të klubit të Lacios. Sot, Tare është një nga drejtuesit sportivë më të rëndësishëm në Itali, pas një sërë operacionesh të rëndësishmë në merkato. Ja rrëfimi i tij “lumë”
– Tare, ju keni patur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si futbollist. A ju kujtohet goli i parë që keni shënuar?
– Po më kujtohet. Në një moshë shumë të re, 15-vjeçare, kam patur rastin të aktivizohem në kampionat me Partizanin dhe në atë sezon kam shënuar një gol.
– Keni luajtur në një periudhë tranzicion në Shqipëri. Si ka qenë ajo kohë?
– Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, sidomos për brezin tonë. Kemi qenë një vend tërësisht i mbyllur nga Europa apo nga bota dhe çdo gjë duhet ta fillonim nga zero. Brezi im ka qenë ai që i hapi dyert gjithë botës për të njohur futbollin dhe futbollistët shqiptarë.
– Si ishte kalimi në Gjermani, si ndodhi?
– Ishte një avneturë, pasi vajtja ime në Gjermani ka qenë në mënyrë ilegale. Tri vitet e para kanë qenë shumë të ëvshtira, sepse nuk gjeja dot mënyrën për t’u ambientuar me futbollin dhe me jetën sociale gjermane. Pas 3 vjetësh pata mundësinë që të bëj hapin tim të rëndësishëm, ku firmosa kontratën e parë profesioniste me Karlsruhen në Bungesligë dhe nga ai moment filloi historia ime si lojtar.
– Vazhduat karrierën te Breshia, si ndikoi për ju transferimi në Itali?
– Janë dy gjëra që janë të lidhura bashkë. Së pari eksperienca e fituar në Gjermani si profesionist më ndihmoi shumë për eksperiencën që pata më vonë në Itali. Kalimi im nga Gjermania në Itali ishte i detyrueshëm nga ana ime, sepse në atë periudhë nuk po gjeja hapësirat e duhura te Kaizerslautern. M’u dha mundësia e huazimit te Breshia për 6 muaj, me opsion blerjeje. Ato 6 muaj ishin vërtet të rëndësishëm për mua, pasi kuptova që futbolli italian është elita e futbollit botëror.
– Ju dhe Erion Bogdani ishit lojtarët e parë shqiptarë që luajtët në Itali. Sa e vështirë ishte?
– Natyrisht që ishte e ëvshtirë të lush në Itali. Ka një ndryshim midis meje dhe Bogdanit, pasi në karrierën e tij ai luajti me skuadra të vogla, ndërsa unë pata një rritje, duke kaluar nga Breshia, Bolonja e më pas te Lacio. Vështirësia dhe konkurrenca që kisha unë ishte më e madhe se e tij. Megjithatë e rëndëisshime ishte që ai edhe unë ndikuam në ndryshimin e imazhit që kishte opinioni italian për shqiptarët. Më kujtohen muajt e parë të kalimit tim nga Gjermania në Itali dhe kudo që shkoja, ku takonim shqiptarë, më përqafonin dhe shprehnin kënaqësinë e tyre që më në fund Italia njihte dhe anën e mirë të shqiptarëve, jo vetëm anën e errët.
– Cili ka qenë trajneri me të cilin keni punuar më shumë?
– Me Karlo Maconen. Eshtë trajneri që e kam patur te Breshia dhe te Bolonja për rreth 5 vjet. Ka qenë një eksperiencë shumë pozitive për mua bashkëpunimi me të, sidomos pas karrierës sime si lojtar.
– Mendoni se Lacio është kulmi i karrierës suaj?
– Përsa i përket Italisë po, ndërsa në Gjermani ka qenë Kaizerslautern, sepse në periudhën që unë aktivizohesha atje, ishte skuadër që vinte nga fitimi i titullit kampion dhe ishte çerekfinalist i Ligës së Kampioneve. Kishte lojtarë me famë botërore si Juri Zhorkaef, Mario Basler, Sforca, Miroslav Klose e disa të tjerë. Ka qenë një skuadër e madhe dhe mbi të gjitha me një trajner të madh si Oto Rehagel. Ajo eksperiencë ëpr mua ka qenë shumë domethënëse. Afrimi im nga një skuadër e Bundesliga 2 që ishte Fortuna Dyseldorf te Kaizerslauter, që në atë kohë së bashku me Bajernin e Mynihut ishin dy ekipet më të mira në Gjermani, ka qenë periudha më e rëndësishme e karrierës sime. Ndërsa në Itali pa asnjë dyshim që Lacio ka qenë “qershia mbi tortë”.
– Përmendët disa lojtarë të mëdhenj me të cilët keni luajtur, ndërsa në Itali keni qenë në një skuadër me Roberto Baxhon apo Guardiolën. Sa ju ka ndihmuar kjo në pjekurinë tuaj si futbollist?
– Përveç këtyre emrave kam patur mundësinë të luaj me shumë lojtarë të tjerë si Pirlo, Toni e shumë e shumë, por ajo që më ka bërë përshtypje nga të gjithë këta është fakti që Baxho dhe Guardiola ishin njerëz shumë të thjeshtë. Ata ishin shumë lart përsa i përket imazhit të tyre, por tepër të thjeshtë me njerëzit. Këtë e kam marrë si shembull personal, për të qenë i thjeshtë në sjelljen me njerëzit. Të qëndrosh me këmbë në tokë do të thotë shumë, sidomos për njerëz që kanë ambicie të mëdha dhe nuk duhet ta humbasësh realitetin.
– Cili ka qenë goli më i rëndësishëm që keni shënuar në karrierën tuaj?
Çdo gol ka rëndësinë e vet. Do të kujtoja golin me Gjermaninë në humbjen 4-3 në Hanover. Ishte një nga golat më të bukur dhe më të vështirë që kam realizuar.
– Pasi përfunduat karrierën si futbollist, shumë shpejt morët detyrën e drejtuesit të klubit të Lacios. Ishit gati për sfidën e re?
– Ishte një zgjidhje që nuk e prisja as vetë. Nuk e prisja që do të më jepej besimi dhe mundësia nga presidenti për të drejtuar një klub kaq të madh si Lacio. Dëshira dhe ambiciet e mia ishte që ta pranoja këtë sfidë. Pas 7 vitesh eksperiencë kam fituar dhe krenarinë që duhet ta ndaj me të gjithë shqiptarët, sepse është një arritje shumë e madhe, që do mjaft sakrificë dhe punë.
– Kur u bëtë drejtor, kishit mundësinë të luanit sërish si futbollist, pra, a mund t’i bënit të dyja?
– Unë e lashë futbollin në moshën 35-vjeçare dhe mund të luaja dhe 2-3 vite të tjerë. Për fat nuk ka patur dëmtime në karrierën time dhe kjo më ka ndihmuar. U futa në zyrën e presidentit për të firmosur kontratën re si lojtar dhe dola me kontratën si drejtor i klubit. Kjo ishte pak qesharake për momentin. U desh disa muaj që edhe vetë ta besoja një gjë të tillë. Tani them që ishte gjëja më e mirë që më ndodhi, edhe pse ishte e papritur për mua.
– Cili është transferimi i parë që keni realizuar si drejtor i Lacios?
– Kristian Broki. Ka qenë një lojtar që unë jam i lidhur dhe nga ana shpirtërore. Ishte jo vetëm një lojtar që vinte nga Milani, me eksperiencë të madhe, por ishte dhe një lider brenda skuadrës.
– Po “operacioni” më i vështirë i merkatos?
– Ka qenë Hernanes. Ishin tratativa të shumta për ta marrë. Zgjati një javë të tërë, me disa bisedime nga 2-3 orë në ditë.
– Cili është projekti i Lacios në të ardhmen e afërt?
– Të futemi në Ligën e Kampioneve. Lacio është një klub me tradita në futbollin italian, por që kaloi një periudhë tranzitore 10-vjeçare, ku vështirësitë financiare ishin të mëdha. U desh një punë mjaft e madhe që ta ngremë këtë klub në nivelet e ditëve të sotme. Dëshira dhe objektivi ynë është që brenda 2-3 viteve të përmirësohemi dhe të synojmë të fitojmë titullin kampion të Serisë A.
– Puna që bëni ka shumë sakrificë, përsa i përket familjes?
– Po. Ka shumë sakrificë dhe familja është ajo që e vuan mungesën time. Ka 7 vjet që e bëj këtë punë dhe e them pa problem që kam 7 vjet që nuk bëj asnjë ditë pushim me familjen. Kjo është një nga anët negative të punës sonë.
– Ka qenë më e vështirë për ju kur ishit futbollist apo tani që jeni drejtor sportiv?
– Kur je futbollist je në kontakte me shokë dhe mund të them që je në një botë tjetër. Bota e të qënit futbollist është shumë e bukur dhe ëktë e kupton pasi ke kaluar në një plan tjetër. Nuk krahasohet fare me punën si drejtues klubi. Duke qenë në krahun tjetër, pra si drejtues, ke shumë vështirësi dhe shumë përgjegjësi.
– Gjatë vitit 2014 Kosova zhvilloi miqësoret e para si përfaqësuese. Keni ndjekur ndonjë ndeshje?
– Kam ndjekur ndeshjen me Omanin të cilën e fitoi 1-0. Unë jam i një mendimi tjetër. Ne jemi një Komb dhe duhet të kemi vetëm një Kombëtare. E respektoj faktin që në këtë moment është dhe Kombëtarja e Kosovës, por e kam shumë të vështirë të shikoj një komb shqiptar, një kombëtare shqiptare, me një fanellë ndryshe. E kam të vështirë ta perceptoj këtë gjë dhe më bën pak përshtypje në këto momente. Natyrisht futbolli kosovar ka tradita dhe fakti që brezat e ri kanë shumë të ardhme është gjë pozitive për të gjithë ne, por dëshira ime mbetet një dhe do të mbetet gjithmonë që të kemi një Komb dhe një Kombëtare.
– Mendoni se Shqipëria mund të arrijë të realizojë ëndrrën e kualifikimit?
– Këtë do ta tregojë koha dhe puna që do të bëjë stafi drejtues. Natyrisht që çfarë është arritur deri tani është shumë pozitive. Në këto eliminatore është një grup mjaft i vështirë. Por, mendoj se nëse Apeli i Lozanës do t’i japë tri pikët dhe për këtë jam i bindur, plus që kemi ndeshje në shtëpi me Armeninë, ndaj të cilët them se do të fitojmë, atëherë shanset në mos për kualifikim direkt, për të luajtur në plejof janë shumë të mëdha. Pse jo, kemi mjaft shanse për të shkuar në finalet e Euro 2016 në Francë.
Euro 2016
“Nëse Apeli i Lozanës do t’i japë tri pikët dhe për këtë jam i bindur, plus që kemi ndeshje në shtëpi me Armeninë, ndaj të cilët them se do të fitojmë, atëherë shanset në mos për kualifikim direkt, për të luajtur në plejof janë shumë të mëdha. Pse jo, kemi mjaft shanse për të shkuar në finalet e Euro 2016 në Francë”
Drejtor sportiv
“Unë e lashë futbollin në moshën 35-vjeçare dhe mund të luaja dhe 2-3 vite të tjerë. Për fat nuk ka patur dëmtime në karrierën time dhe kjo më ka ndihmuar. U futa në zyrën e presidentit për të firmosur kontratën re si lojtar dhe dola me kontratën si drejtor i klubit”
Macone
“Eshtë trajneri që e kam patur te Breshia dhe te Bolonja për rreth 5 vjet. Ka qenë një eksperiencë shumë pozitive për mua bashkëpunimi me të, sidomos pas karrierës sime si lojtar. Eshtë më i miri që kam patur”

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *