Saturday, January 03, 2015

Dita e Verës, festa jonë pagane

"Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët e vjetër, perënditë e lulevet, të shelgjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës. Në pakë ditë në
Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.      Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë “. Kështu shkruante me atë stilin e vet elegant, gati 100 vjet më parë, Faik Konica.
At Berdardin Palaj për kremtimin e "Ditës së Verës" nga malësorët katolikë të veriut, shkruante dy dekada pas Faik Konicës:
"Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditet e para të Marsit. Mbas darkë, të gjithë pjestarët e shtëpis bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpis merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue nji nyje e thotë këto fjalë: Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shum! Po lidhim shtrigat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krymba e kundra qi don me lidhë.
Kur Dielli ulet dal nga dal nga orizonti duke u zëvendësuar nga hëna, të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me bahe ( hobè, apo sabè, që është mjet i trashëguar brez pas brezi dhe që bëhet në mënyrë artizanale, e cila hedh prej një distance relativisht të largët gurë që kanë përmasa mesatare Shënimi im S. Ç. ).Gjuajnë për të larguar dhe vrarë të keqen, në mënyrë që pranvera të jetë më reshje të bollshme, për siguruar të korra të mira me shumë " bereqet ", nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për të kaluar periudhën e gjatë të dimrit. Kurse, vajzat këndojnë rapsodi të trazhguara dhe të transmetuara brez pas brezi që i kushtohen " Ditës së Verës" Ky ritual vazhdon deri me datë "14 Mars". Më "14 Mars " në mëngjez vendoset një garë e pashpallur kush zgjohet më shpejt në mëngjes. Sipas traditës ai që zgjohet më vonë do ti shkojë i gjithë viti në të shumtën e kohës në gjumë, familjet që zgjohen më vonë zakonisht kanë edhe një ndëshkim simbolik, ju mbyllet nga jashtë dera e shtëpisë.
Pasi zgjohen, të rinjtë dalin për të mbledhur lule si kukreka, lulethane, shelgje etj, të cilat i vënë mbi portën hyrëse si dhe brenda shtëpisë. Kurse vajzat ziejnë vezët, dhe i ngjyrosin me mozaikun e ngjyrave. Të rinjt përplasin me njëri tjetrin vezët e tyre, kush do e ketë më të fortë dhe ai që fiton ia merr vezën e thyer shokut të tijdhe loja vazhdon...”
Vitet e fundit "Dita e Verës" është bërë me të vërtetë një festë mbarëkombëtare, ajo festohet masivisht nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor. Kjo tregon se shqiptarët në festa janë të bashkuar, si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm identitet shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë "Dita e Verës" është shumë e lashtë për nga koha e kremtimit dhe mënyra se si kremtohet. Është festë pagane, jo fetare, që rrjedh nga lashtësia, atëherë kur njerëzit besonin tek Dielli, Hana, tek Planetët etj. dhe atyre i faleshin e i luteshin, që të sillnin shiun për të mbjellat, diellin që të piqeshin gruri, misri frutat e tj.
Sot në çdo qytet bëhen manifestime të përgatitura nga shkollat, komunat, bashkitë, organizohen grupe – grupe dhe festojnë në qendrat e qyteteve. Mblidhen në lokale dhe vënde piktoreske jasht qytetit e festojnë së bashku. Parakalojnë nxënësit e shkollave, me maska e pa maska, grupe valltarësh që kërcejnë, këndojnë e brohorasin etj. Organizohen panaire, ku prodhuesit ekspozojnë prodhimet e tyre dhe njohin njëri –  tjetrin e lidhin marrveshje për shitje e blerje mallrash të ndryshme.
Në qytetin e Shkodrës që në orët e para të mëngjesit atmosfera e ditës së verës ka nisur të ndjehet nga daljet e qytetarëve të cilët kanë zgjedhur mjediset e hapura për të kaluar pak orë në rrezet e ngrohta të diellit, pas një stinë të ftohtë, të stërzgjatur e me reshje. Kjo festë mbetet e veçantë për vetë formën e saj të festimit.
Veshjet popullore, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale dhe asaj kombëtare. Zadrima e Lezhës është një zonë ku kjo pasuri etnografike përcillet nga brezi ne brez, për ruajtjen e traditës.


14 mars 2014 Durres (Foto ATSh)
Edhe në Durrës qytetarët mbushin shëtitoren “Taulantia” dhe lokalet e restorantet e plazhit deri në Golem. Rruga e plazhit, ka një trafik më të rënduar se në ditë të zakonshme. Xhirot fillojnë që në orët e para të mëngjesit, pasi koha e ngrohtë dhe dielli pranveror duket sikur i fton njerëzit të bënin më së pari një shëtitje buzë detit. Dimri i gjatë i mbylli për shumë kohë mbrenda njerëzit, prandaj ditët me kohë të mirë shfrytëzohen tashmë në maksimum. Në të njëjtën kohë, mimozat, lulet e para që lajmërojnë ardhjen e stinës së pranverës, i sheh kudo, pasi shumë shitës ambulantë e shohin si mënyrë fitimi tregtimin e tyre.  Ballakumet e famshme të Elbasanit tregtohen si nga shitësit ambulantë, ashtu dhe në mjaft dyqane ëmbëlsirash të qytetit. Prania e tyre, është ndoshta e vetmja shenjë që të kujton se dhe në Durrës po festohe dita e verës. Festimet e kësaj ditë në Dibër fillojnë disa ditë përpara, kur djemtë e rinj shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i sjellin në fshat, për të formuar disa grumbuj me dëllinja vendosen në pika më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë, më i dukshëm, duke u bërë që t’ia kalojnë fshatrave të tjerë për rreth. Kur Dielli ulet dal nga dalë në horizont, në buzëmbrëmje,të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me hobè, ose sabè për të larguar dhe vrarë të keqen, gjë që do të sjellë pranverën me shira të bollshëm, dhe kështu të korrat do të jenë të mbara e plot "bereqet", nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për periudhën që pason. Këto zakonisht  zhvillohen në një livadh, ose në qëndër të fshatit, ku veç këtyre riteve bëhen edhe plot lodra si: "Kala Dibrane", mundje mes djemve të rinj e etj, ndërsa nënat përgatisin drekën, ku një vend të veçantë zë flija ( gatim kryesisht i zonës së Dibrës dhe atyre më në veri të vendit ). Në këte ditë njerëzit dalin dhe festojnë fushave të bukura me lule dhe gjelbërim.Pas drekës ata dalin për vizita tek të afërmit. Festimi i Ditës së Verës përfundon si një festë që sjell vetëm gëzim, harmoni dhe lumturi në familjet tona.
Në fshatin Nartë, rrethi Vlorë, çdo vit, si një shenjë mirëseardhjeje të ditëve verore, organizohen karnavalet, që zgjasin pa pushim dhe nën veshjet e tyre tradicionale, një festë kjo që bashkon banorët e kësaj zone. Këndojnë dhe kërcejnë në të gjithë fshatin. Tipike janë maskat e shumta të përdorura, të cilat përfshijnë  figura të njohura popullore e deri tek kafshët apo personazhe të njohur. Nën maskat e kostumeve të ritualit, ku dallohet veshja popullore, veshja tradicionale e Nartës, kostumet e grave, apo dhe figurave të kafshëve, të rinjtë kërcejnë të shoqëruar nga sazet. Protagonistë kryesisht janë me shumicë të rinjtë e fshatit. Përveç veshjeve në këto karnavale janë karakteristike vezët e kuqe, të cilat shpërndahen nëpër familje të ndryshme duke i shkëmbyer mes tyre. Traditë gjithashtu është edhe bërja kurban e mishit të qingjit.


14 mars 2014 Elbasan (Foto ATSh)
Zgjimi i një fëmije në fshatrat e Tropojës në Ditën e Verës bëhet në një mënyrë shumë të vaçantë: Nënat që si zakonisht zgjohen herët për të kryer punët e shtëpisë mbledhin lule, gjethe dhe fije bari. Këto pastaj i hedhin me kujdes mbi fytyrat e fëmijëve dhe mbi jastëk kur ata ende flenë. Dhe zgjimi bëhet duke i spërkatur me ca pikla uji mbi fytyrë. Në skajin verior të Shqipërisë, fëmijët gjatë gjithë ditës këpusin dëllinja dhe i bashkojnë ato në një vend e i mbledhin në formën e mullarit. Atje 22 marsi simbolizon ditën e verës. Dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje dhe fëmijët bërtasin, këndojnë dhe hedhin valle rreth flakëve të larta. Në fshatin Luzhë në Tropojë grumbullohen turma njerëzish, disa dhe supersticiozë, që  kërkojnë ndihmë dhe mbarësi nga varre dhe gurë të kthyer tashmë në idhuj, të cilëve i falen e i luten. Të mëdhenj dhe të vegjël udhëtojnë me kilometra të tëra në terrene malore për tu sjellur përqark rreth një guri varri.
Fëmijët në Skrapar në ditën e verës shkojnë derë më derë duke kënduar këngën e ditës së verës, ndërsa ju jepen si dhurata vezë të ngjyrosura te cilat i thyejnë në kokë, duke u mburrur se kush e ka kokën më të fortë. Gatimi tipik i Skraparit për këtë festë, përvec një tipi ballakumesh është edhe lakrorë me hithra, që e quajnë anak. Ashtu si edhe në Tropojë dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje, për të bërë sa më shumë tym dhe me tymin t'i jepet lamtumira të vjetrës dhe të këqijave, ndërsa fëmijët e të rinjtë këndojnë dhe hedhin valle rreth zjarrit bubulak.
Në Lushnje bashkë me vezët zihet edhe misri e gruri, se sa misër zihet e dinë gratë lushnjare që duhet tu japin fëmijëve që vijnë duke kënduar dhe duke përplasur dy gurë me njëri - tjetrin. Ata kërkojnë misër ose vezë të ziera. Megjithate në Lushnje dita e verës nuk festohet gjithmonë në 14 mars, por festohet  dhe më 1 mars.
Qyteti piktoresk i Pogradecit e feston këtë ditë më vezë të ziera të lyera në të kuqe. Fëmijët ndezin zjarre dhe vejnë në duar " veroret ". Elementët e përbashkët nga veriu në jug i japin kësaj dite një unitet që tregon për karakterin pagan shqiptar. Ilirët, të cilët mendohet të jenë paraardhësit e shqiptarëve kanë qenë popull pagan që kanë adhuruar dhe besuar shumë " hyjni ".
Banorët e qytetit të Peqinit kanë festuar në mbrëmje Natën e Verës, kanë organizuar veprimtari të shumta për këtë festë e cila në këtë zonë dhe në gjithë rajonin e Shkumbinit ka një traditë mjaft të hershme. Me këtë rast në sheshin qendror të qytetit të Peqinit mbrëmjen e 13 marsit festojnë së bashku.
Festa e Ditës së Verës, e cila simbolizon ndryshimin mes stinëve, asaj të dimrit të acartë dhe pranverës së luleve,  nis që në mëngjes herët edhe në Berat.
Në këtë festë pagane dhe tradicionale për qytetin e Beratit, mijëra banorë të qytetit kanë festuar në sheshin qendror edhe karnavalet e organizuara në këtë ditë. Karnavalet në këtë qytet tashmë janë bërë të zakonshme. Festa fillon që herët në mëngjes me grupet e fëmijëve të lagjeve dhe të shkollave të këtij qyteti. Grupe të fëmijëve, të veshur si në ditën e karnavaleve, duke improvizuar djallin shfaqen me maska të ndryshme në simbol të festës të Ditës së Verës.
Grupe të ndryshme fëmijësh të kopshteve, shkollave me maskat e tyre përshkojnë të gjitha rrugët që të çojnë në sheshin qendror të qytetit, duke kryer xhestet e humorit. Një makinë shfaqet me portretin e djallit në karrocerinë e saj dhe para saj udhëton një pajton me një nuse që simbolizon ditën e festës.
Festën e luleve, banorët e festojnë edhe në lokalet dhe në kodrat e qytetit si dhe në pikat turistike të tij. Ndërsa në këtë ditë bëhen edhe vizita në familje të njëri - tjetrit.
Festa pagane e pranverës, e quajtur Dita e Verës, troket më 14 mars edhe nëShkup. Kalimi nga një stinë në tjetrën mbetet një prej festave që shqiptarët vazhdojnë ta kremtojnë në formë dhe përmasa të ndryshme. Diku më pak e diku më shumë tradita vazhdon.
Kosovë Dita e Verës është festuar, në krahinën e Opojës me 19 fshatra shqiptare, mbi 1000 metra lartësi mbi nivelin e detit, në komunën eSharrit, po ashtu edhe në lokalitete të tjera të Prizrenit, në jug të Kosovës, sipas një tradite të lashtë, e ngjashme si Dita e Verës në Elbasan. Pjesë e festimeve janë daljet e të rinjve e të rejave në sheshe fshatrash, në bjeshkë, mbledhja e luleve të para, vallëzimi e kënga, ndezja e zjarreve dhe gatimet speciale  të ndryshmeme miell misri e gruri.
Në këto anë me blegtori të zhvilluar, ndër shumë ushqimet që shtrohen në sofër janë mishi i qengjit dhe flija. Kjo festë bëhet me besimin se Dita e Verës sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore dhe ritet ndërlidhen me zgjimin e bimësisë, gjallimin dhe kalimin nga dimri në pranverë.
Më shumë në fshatra dhe disa qytete. Gostivari, Kërçova, Karshiaka e të tjera janë disa prej zonave në të cilat më së shumti kremtohet kjo ditë. Piknikët familjare nëpër parqe dhe pika të tjera turistike janë një prej aktiviteteve më popullorë. Në Shkup vend shumë i preferuar është Kalaja.
Menyja e shumëllojshme e festës ka gatesën tradicionale për këto zona, specialitete prej brumi i pjekur në saç, që i thonë dhe flia, si edhe disa lloje të ndryshme ëmbëlsirash.
Tipike për këtë ditë janë edhe frekuentimet e "vendeve të mira", sidomos i shpellave të njohura për efektet shëruese dhe fatsjellëse. Etnologët tregojnë se për këtë festë vizitohen shpella të ndryshme si Shpella e Vërtekicës, apo edhe ajo e Ujit të kuq. Besohet se larja me ujin e saj, sidomos në Ditën e Verës, sjell pjellorinë dhe fatin e mirë për gratë dhe shëndet për fëmijët. Ritet e saj lidhen me ringjalljen pranverore të natyrës.
Arbëreshët janë shqiptarët, që pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Skënderbeut, shkuan në Itali, tek miku i Gjergjit tonë Alfonsi e Ferdinandi i Napolit dhe u vendosën përgjithmonë atje. Ata ishin kryesisht princat me familjet e tyre dhe njerëzit e zgjedhur prej tyre bashkë me ata që mund të paguanin udhëtimin për në Itali. Shumica e tyre, si njerëzit më të ditur, i ruajtën gjuhën, veshjet,  fenë, ritet e zakonet dhe pa harruar kurrë i praktikonin ata atje ku ishin, pa i shqetësuar kurrkush. Dita e Verës festohet më 14 Mars bimësia zgjohet nga gjumi dimëror. Në këte ditë bimësia nga ngrohja e motit fillon të thithë lëngjet nga toka dhe kështu të rritet. Ndonëse kjo datë vazhdon të festohet madhërishëm në qytetin e bukur të Elbasanit, ajo i perket dhe të gjithë arbëreshëve dhe shqiptarëve që banojnë jasht kufijve shtetërorë.
Më 13 Mars edhe arbreshët marrin një plis dheje të vogël me bar të njomë që në mëngjezin e datës 14 Mars të jetë në shtëpinë e secilit. Ballakumet e Revanitë gatuhen një ose dy ditë para datës 14 Mars, me qëllim që në mëngjezin e ditës së verës të jenë gati në shtëpi.
14 marsi shënon ditën e verës një feste popullore e cila në vendin tonë çdo vit po merr formësimin e saj. Kjo ditë simbolizon largimin e ftohtit të madh dhe  i hap rrugën një stine të re, më e pëlqyeshmja për të gjithë, stinës së pranverës.
Është një festë pagane e kremtuar nga shqiptarët qysh në antikitet, pra para lindjes së krishtërimit. Nga pikëpamja gjeografike, ajo festohej nga mbarë shqiptarët, në qytet e në fshat, në fushë e në malësi, në atdhe apo edhe në mërgim. Fakti që kremtimi i Ditës së Verës është bërë edhe nga arbëreshët është dëshmi e përhapjes së saj të hershme ndër shqiptarët. Sot në të gjitha vendet e botës, ku ka shumë emigrantë, larguar kohët e fundit nga Shqiperia, festohet kjo ditë e bekuar dhe shijohen dhe atje Revanitë e Ballakumet e Elbasanit.
Ditën e Verës synonin për të festuar në majat më të larta të maleve, në majën e Tomorrit, të Çikës, të Gramozit, të Korabit, të Dejës, Krujës, Dajtit, Gjallicës, të Majës së Hekurave etj.
Verojka, ose verore, është një gjalm i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës. Por, siç shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve të nderura.
Korça së bashku me Kolonjën janë zona që përdorin të dy kalendarët per festimin e ditës së Verës. Në këto zona festohet më 1 mars, por edhe më 14 mars. Veçanërisht në datën 14 mars në këto zona zakonisht hapet vërtet moti dhe mbrëmjen para se të bjerë dielli i ditës së 14 marsit të vegjlit dhe të rinjtë dalin nëpër lagjet e qytetit dhe ndezin zjarre. Tradicionalisht fëmijët nëpër lagje bëjnë gara kush e kush të mbledhë e të sjellë më shumë shkarpa e të bëjë zjarrin më të madh. Kështu bëjnë dhe djemtë e fshatraveKolanec etj. mbi qytetin e Maliqit. Mësuesja Natasha ngaKolaneci tregon se atë ditë nënat, apo dhe gjyshet na vinin tek duart veroret, që pastaj dhe ne duhej ti hidhnim tek ndonjë gëmushë. Ato ditë të bukura pranvere në një koritë prej druri me ujë të ngrohtë hidhnin lule të mbledhura nëpër lëndina dhe aty na fusnin të laheshim. Bëhej garë se kush nga vajzat do vinte në kokë kurorën më të bukur, të bërë prej luleve të mbledhura me kujdes nëpë fusha. Pastaj për mbarësi të gjithë përpiqen të kapërcejnë zjarrin e madh që ishte ndezur në një vend të zgjedhur, si simbol i kapërcimit me sukses të të ftohtit të dimrit dhe rigjallërimit dhe ndezjes së gjakut që sjell Vera. Nënat dhe gjyshet nëpër shtëpira bëjnë kuleçë me kripë ose të ëmbël duke nënkuptuar jetën, gjallimin dhe bollëkun. Në datën 14 fëmijët, dhe jo vetem ata, dalin me vezë të ngjyera nëpër duar dhe me verore. Më 1 mars, në fshatrat dhe qytetet krahinës së Korçës, fëmijëve dhe beqarëve djem e vajza u jepej një si rreth dore a varëse, e bërë me fill të tjerrur të kuq e të bardhë ( verore ), term që ndoshta ka lidhje me emrin e stinës “ verë “. Në fund të ditës, vajzat i linin ato në degë të pemëve ose në shkurre. Në qoftë se zogjtë i merrnin ato verore për të bërë fole, atëherë mendohej se vajza do të martohej mbrënda vitit.
Amvisat korçare, por edhe ato të ardhura nga fshatrat Polenë, Dardhë dhe Boboshticë, mes zjarreve, shkarpave dhe tavolinave të improvizuara, gatuajnë në park mes gjelbërimit dhe freskisë lakrorë me dy petë, duke i pjekur më pas në saç. Ndërkaq qindra qytetarë dhe turistë kanë shijuar këtë festë deri në detaj, jo vetëm duke shijuar lakrorin e famshëm korçar. “Ne e kemi traditë gatimin e lakrorit me dy petë, njihet gjithandej lakrori ynë i pjekur në saç, – tregojnë amvisat korçare, – është traditë e jona që e përcjellim brez pas brezi. Lakrori me dy petë, i pjekur në saç, ekspozon traditën e hershme të qytetit të Korçës dhe rrethinave të tij si Boboshtica, Dardha etj. Festa më e veçantë e organizuar në këtë qytet vazhdon deri në orët e vona të natës nën shoqërinë e lakrorëve të pjekur në saç, freskisë së pyllit, serenatave korçare dhe shijes së ushqimeve e pijeve të ndryshme.
Por Dita e Verës thonë se ka lindur në Elbasan. Edhe pse sot 14 marsi është festë zyrtare për të gjithë vendin, në këtë qytet ajo merr përmasa të mëdha si askund tjetër. Njerëz të shumtë, me këngë e valle që mbushin qytetin, me vezë të bardha, të ziera e të palyera, ëmbëlsirat e famshme Ballakume e Revani që mbushin tregjet.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *