Gazetari që komentoi për “Sky”, Francë-Shqipëri, Dario Masara shprehet i mahnitur nga paraqitjet e fundit të kuqezinjve, “sponsorizon” Lenjanin, ndërsa vlerëson De Biazin e Canën
Andi TANKURezultate e fundit të Kombëtares sonë, paraqitja pozitive kundër disa kundërshtarëve “big” kanë çuditur jo pak ambientin sportiv në Evropë, ndërsa djemtë e De Biazit kanë marrë lavde nga disa medie të huaja. “Tuttocalcio”, njëra prej prestigjiozeve në mediet përtej Adriatikut ka publikuar një intervistë të gazetarit dhe reporterit të mirënjohur të “Sky”, Dario Masara, i cili ishte edhe komentatori i ndeshjes Francë-Shqipëri. Ai ka vlerësuar me nota pozitive dhe tregohet i mahnitur nga progresi i Kombëtares sonë në muajt e fundit.
- Si e komentoni barazimin e Shqipërisë së De Biazit në miqësoren kundër Francës?
– Më surprizuan shumë. Kjo jo vetëm për rezultatin e arritur në Renë, pasi Shqipëria grumbulloi 4 pikë ndaj dy kundërshtarëve si Portugalia dhe Danimarka. U treguan një grup solid dhe më habitën për mënyrën e prezantimit me shumë personalitet në fushën e lojës. Besoj se në këtë moment, kombëtarja kuqezi e drejtuar nga De Biazi zotëron potencialin për të vënë në vështirësi këdo kundërshtar me të cilin do të përballet, madje edhe me përfaqësueset më me emër të Evropës.
- Cilin lojtar të Shqipërisë do t’i këshillonit ekipeve italiane, duke u bazuar edhe te miqësorja e fundit?
– Kundër Francës, Ermir Lenjani më pëlqeu shumë. Luan në një pozicion që në Itali pak futbollistë e interpretojnë si ai, në atë nivel aq të lartë. Mund të shndërrohet në një investim të suksesshëm.
- Pse sipas jush, trajnerët italianë vlerësohen shumë në vendet e tjera?
– Sepse taktikisht janë shumë të përgatitur dhe sepse e kanë në gjak pasionin për këtë sport, i cili në Itali shihet si fe.
- Ç’mendim keni për kapitenin e Shqipërisë, Lorik Canën?
– Kundër Francës ai luajti ndeshjen e tij të 80-të me përfaqësuesen e tij të futbollit. Jam i kënaqur që munda të komentoja një ndeshje kaq të rëndësishme për Lorik Canën, si ajo kundër Francës. Në kampionatin italian ka treguar po të njëjtin nivel që ka shfaqur edhe në kampionatin francez. Me fanellën e Lacios, ai jo vetëm që ka treguar se është një lojtar i shkëlqyer, por edhe një lider që meriton vlerësime të mëdha, kjo edhe falë arritjes së fundit, e cila ishte historike për të.
No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *