Monday, January 21, 2019

Kombi – origjina e organizimit të bashkesive fisnore dhe i ligjeve të Kanuneve të Arbërve




Në sferën shpirtërore, në zotërimin apo krijimin e vlerave , shqipetarët s´kanë arsye t´i kenë lakmi apo smirë të tjerët, aq më pak kanë arsye sot për një gjë të tillë (...) Shqipëria ka qenë rrjedhimisht truall fillestar i qytetrimit europian.

Ismail Kadare (Kombi Shqipetar në prag të mijëvjeçarit të tretë)

Për origjinën shqipetaro-arbërore të emrit KOMB dhe natyrën simbolike besimtare të kësaj fjale është folur hollësisht në materialin bashkangjitur (Emri Komb – “pasaporta” parahistorike e Arbërve). Duke shfrytëzuar këtë takim me rëndësi të veçantë mbi thesarin historik dhe të kulturës së traditës sonë, mendoj ta zgjeroj këtë studim me të dhëna të reja.


Ҫdo njeri, në dejet e të cilit rrjedh gjaku i prindërve me emrin Shqipetar apo Arbër, e di se këto emërtime shprehin KOMBËSINË e tij. Prandaj themi edhe sot e kësaj dite, kudo që ndodhemi : Jam me “kombësi shqipetare”.








Po a tregojmë në këtë mënyrë përkatsinë ndaj një shteti të caktuar?


Sigurisht që jo, sepse kështu shprehemi në çdo cep të botës, pavarsisht pashaportës shtetërore që mbajmë në xhep dhe kështu janë shprehur edhe mërgimtarët tanë para formimit të shtetit shqipetar të 1912-ës. Fjala ”kombësi”, shpreh botkuptimin dhe karakterin historik të popullit tonë, në dallim nga popujt e tjerë, origjina e së cilës rrjedh pikërisht nga emri Komb.


Edhe në shekullin 21, emri Komb, krahas emërtimeve të tjera, vijon të përcaktojë popullin tonë (psh themi se: Kombi ynë, ose Shqipetari, ose Arbëreshi, ka patur si tipar dallues besën, dhe nuk themi se shteti ynë…). Por, ndërsa emrat e tjerë shprehin vetëm mitin besimtar (të origjinës hyjnore të paraardhësve tanë), fjala Komb, gjithashtu me origjinë besimtare, përfshin edhe veçoritë fizike, shpirtërore, të traditës etj., siç do ta vërejmë më posht. Asnjë popull tjetër, i lashtë apo i ditëve të sotme, nuk e ka një emërtim që ta luaj këtë rol, për rrjedhojë, kjo fjalë është shumë e lashtë dhe e papërkthyeshme nga gjuha shqipe.


Për ta kuptuar këtë fakt, duhet të njohim fillimisht “mjetin” gjuhësor që kanë përdorur paraardhësit tanë, kur ja vunë vetes këtë emërtim dhe më vonë, fillozofinë besimtare dhe ligjore, me të cilën e kanë pasuruar si simbol.


Në dialektin e Çamërisë, kur duam të lidhim dy a më shumë fije, i themi “bëje kom”. Edhe në Fjalorin e gjuhës shqipe (2006) tek fjala Kom, lexojmë:


Komb – Lidhje e shtrënguar e dy pjesëve a e dy anëve të një filli, të një litari etj., ose e dy cepave të një shamie, pëlhure etj.; nyje. E lidhi komb.


Kur lidhim dy pjesë të litarit apo copave, pa e bërë nyjen, lidhja nuk mund të arihet. Pra, LIDHJA kryhet vetëm kur bëhej NYJA, (veprimi i lidhjes përfundon me nyjen) e cila në shqip emërtohet KOMB. Për rrjedhojë, fjala kom/b =lidhje = nyje, dhe janë emërtime që nënkuptojnë njëra tjetrën.


Arritja e lidhjes së nyjes, solli një ndryshim rrënjësor në jetën e njeriut primitiv, duke e çvendosur banesën e tij, nga guvat e malit në kasollet me gardhe, i lehtësoi punën me veglat me bisht, e armatosi me shtizën dhe harkun, përdorimin e lakut në gjueti, shaloi kalin dhe krijoi varkat me vela, dhe mbi të gjitha, njohu thurrjen për veshje, etj. Të gjitha këto arritje përmirsuan ndjeshëm jetën e fiseve, të cilët “e veshën” krijimin e tyre me petkun hyjnor, dhe gjatë gjithë periudhës së lashtësisë është vlersuar si një ndër simbolet më të rëndësishme filozofike të besimit. «Nyja – pohon Petro Zheji – është një simbol kompleks që përfshin shumë kuptime të rëndësishme, të cilat referojnë që të gjitha tek ideja e një lidhje të ngushtë, të shtrënguar …» (1) të cilën do ta sqarojmë më poshtë. Kuptimi i idesë së Kombit ka kaluar nëpër tre faza historike.


Faza e parë: Paraardhësit tanë, me Nyjen hyjnore kanë lidhur veten me Krijuesin për të gëzuar mbrojtjen e tij. Emri Komb, i cili gjendet në Fjalorin e gjuhës sonë, e ka origjinën pikërisht nga botkuptimi parahistorik i Pellazgo-Arbërve se ishin “popull hyjnor” (të lidhur me Zotin), i cili u përdor më vonë në mitet e popujve të tjerë të lashtësisë dhe e rizbulojmë ne Bibël, kur Mojsiu u kërkon fiseve levite, të pranonin ligjet që i kishte shkruar Zoti me gishtin e tij, sepse ishin të vetmit: “të zgjedhurit e Tij”. Duke folur për Perandoritë bizantine, Romilly Jenkins (Bizanti dhe Bizantismi) shkruan: “Ne kemi vërejtur tashmë kryesoren nga lidhjet që mbanin së bashku popullin, masën poliglote dhe heterogjene, lidhjen e imperializmit të krishterë, ndjenjën se i «përkisje të zgjedhurit të Zotit ». (2)


Nyja (kom-bi), vijon të jetë e rëndësishme në simbolikën e veshjes dhe zbukurimeve të shqipetaro-arbërve, të izraelitëve besimtar, etj., por edhe të Papës në Vatikan. (fig.4)





1. Nyja hyjnore e faraonit 2. Skulptura shpreh Neronin në rolin e ndërmjetësit me Krijuesin 3. Simboli i besimit pellazg (nyja hyjnore) në nje ikonë të besimit ortodoks 4. Dy nyjet të formuara në varësen e kryqit tek Papa në Vatikan.


Bindja se ishin “popull hyjnor”, sikurse e kanë emërtuar veten paraardhësit e tyre pellazgë, ka mbizotruar tek shqipetarët deri në shk 19, pamvarsisht praktikimit të besimeve të reja. Edhe në ditët e sotme, emri Komb mbetet i shënjtë për çdo “shqipetar të vërtetë”, siç shprehej Sami Frashëri.


Faza e dytë: Me arritjet që patën bashkësitë fisnore në zotërimin e natyrës, sidomos në punimin e tokës për mbjellje, që u krijoi kushtet për t´u ngulitur në një vënd të caktuar, krahas lidhjes “qiellore” (me Krijuesin), Kombi u përfaqësua me dy lidhje të reja, ajo e “gjakut”, që përcaktonte familjen dhe fisin në lashtësi, dhe të “vëndit”, e shprehur me mitin besimtar se ishin “bij të Tokës” ku jetonin. Nga ky mit, burojnë edhe emrat që i ruajmë edhe sot : Tosk/tok, Geg/Ge=Dhe, Arbër/të bërë/lindur nga Ara=toka), që gjithashtu u veshën me petkun e shënjtërisë, duke i dhënë kuptimit të emrit Komb, një natyrë « tokësore ». Kjo fazë shpreh periudhën e matriarkatit, e cila nuk e humbi rëndësinë e vet edhe në periudhat e mëvonshme, siç vihet re nga rëndësia e perëndive femra në mitet e lashtësisë. Mendoj se kësaj periudhe i përket emërtimi Kom (b). Studimi i Petro Zhejit (Shqipja dhe Sanskritishtja) mbi simbolin e « nyjes », do të ndihmojë, në studimet e mëtejshme, për një trajtim më të zgjeruar të këtij problemi.


Dy shtyllat parahistorike të Komb-it, siç e përmendëm më sipër, ishin ajo e “vëndit” dhe e “gjakut”, ku me kohë (kur filluan pushtimet pellazge të trevave të fiseve të huaja dhe anasjelltas), u bë e domosdoshme theksimi i veçorive apo të ngjashmërive, të bashkësive fisnore dhe mbretërive të tyre. Për rrjedhojë, në kuptimin e « gjakut » dhe « vëndit », u përfshi edhe gjuha – gjuha e nënës, siç shprehemi edhe sot, për gjuhën e kombësisë -, si dhe doket (ritet e besimit që gjatë historisë njerëzore u kthyen në zakone të traditës popullore), deri edhe mënyra e qethjes, veshjes, valleve, luftimit etj., siç lexojmë në përshkrimet e Herodotit apo poemat e Homerit kur duan të tregojnë përkatësinë e njëjtë të fiseve.


Shtimi i « lidhjeve » të Kombit, dëshmon periudhën e ndërgjegjësimit të njeriut se, krahas mbrojtjes nga Zoti, duhesh edhe forcimi moral e ligjor, brënda familjes dhe midis anëtarëve të bashkësive, pa të cilat nuk do të mund të përballonin konkurencën me fiset e tjera për “hapësirat jetësore”(tokësore) dhe për të kryer veprime që kërkonin shumë mund dhe njerëz. Siç e vëren edhe Kolë Kamsi se, tek shqipetarët « dashunia për familje âsht mandej ndër ta edhe tash krejt ashtu si ish ndër kohët kreshnike t’etënvet të tyne : nji kult ». (3)


Modeli dhe baza morale e « lidhjeve » të Kombit, ishte besimtare dhe mbështetej tek ndëshkimi i perëndive, prandaj : gjaku, vëndi, gjuha, doket – trajtoheshin si gjëra HYJNORE. Po të vërejmë mitet e popujve të lashtë, të gjitha janë histori “familjare” dhe fisnore të Perëndive, për rrjedhojë, në shoqëritë e lashta, morali ka qënë totalisht fetar.


Faza e tretë: Gjatë zhvillimit historik të bashkësive fisnore, u harrua kuptimi besimtar i emrit (i lidhjes me Krijuesin, i panjohur edhe sot nga studiuesit), por jo ay « tokësor » (i gjakut, vendit, gjuhës etj), i ruajtur mrekullisht në Kanunin e Lek Dukagjinit:


• « Familjen e përmbajn gjindja e shpis, si shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashku permblidhen në nji Familje ma të hapët, e cila quhet Kom, e kan nji atme (atdhe), nji gjak, nji gjuhë e doke ». (Krye i dytë, Nye i nandët. Pjestarët e Familjes, Kanuni i Lek Dukagjinit)


Mendoj se jo rastësisht mbledhësi i tij Shtjefën Gjeçovi, i paisi pjesët përbërëse të tekstit, me fjalën shqipe : NYJE (lidhja hyjnore).


Njohja e origjinës së emrit KOMB, ka një rëndësi të madhe për shkencën e Historisë botërore. Të tre fazat e siperpërmëndura, që janë fosilizuar në gjuhën shqipe tek fjala Komb, shprehin përpjekjet e njerëzimit për të mbijetuar, nëpërmjet vendosjes (shumë të zgjatur në kohë), të moralit dhe rregullit familjar dhe shoqëror (ligjeve), ku vënd kryesor, siç e theksuam, ka patur besimi. Për të patur një parafytyrim më të qartë në këtë drejtim, do të shkëpusim një fragment, nga libri i Indro Montanelit mbi Historinë e Romës, që pasqyron një periudhë shumë më të vonët.


• Qyteti (Roma-shën im) shënoi një arritje të madhe, miratimin e Ligjit të Dymbëdhjetë Tabelave. Ishte fitore e plebejve (artizaneve-shën im), të cilët, që kur ishin kthyer nga Mali i Shenjtë kishin kërkuar me forcë që interpretimi i ligjit nuk duhej të ishte monopol i kishës, e cila ishte monopol i patricëve (elitës romake-shën im), por ligjet duhej të publikoheshin, pasi kështu çdokush duhej të dinte se cilat ishin detyrat dhe masat e dënimit që do të vuante në rast se do t´i shkelte ato. Para miratimit të Ligjit të Dymbëdhjetë Tabelave, normat me te cilat gjyqtarët përcaktonin masën e dënimit ishin sekrete, këto ruheshin me xhelozi nga priftërinjtë dhe ishin një përzierje ritesh fetare. Gjithashtu pretendohesh se masa e dënimit ishte fryt e dëshirës së perëndive (…) Edukimi fetar me te cilin rritej djaloshi roman, kishte qëllim që të aftësohej, siç themi sot, të disiplinohej, kështu ai nuk edukohej me idealet e bujarisë e të mirësisë, por duhej të pranonte ritet liturgjike pasi gjithë jeta e tij i ngjasonte një riti. (4)


Për këtë rëndësi që mbart emri Komb për historinë e njerëzimit, sigurisht kërkohet një trajtim më i thelluar. Vërtet sot, kur flitet për lashtësinë e pellazgo-shqipetarëve, dëgjohet shpesh shprehja se “mungojnë dokumentet e shkruara”, por, siç përdoret në proçeset gjyqësore, do të themi se: Fjala Komb, “nuk është pa dëshimtarë”.


Dëshimtarë të shumtë gjënden në mitet pellazge, dhe në formë të dokumentuar, në Kanunet që kanë drejtuar jetën familjare dhe shoqërore të Shqipetaro-Arbërve. Edith Durham e shikonte “bindjen fetare” me të cilën e zbatonin shqipetarët Kanunin, tek rëndësia e fjalës dhe figurës së Lek Dukagjinit, megjithatë vëren se: “ …ka më tepër forcë se sa të Dhjetë Porositë e Biblës, mësimet e Islamit e të Krishtërimit, Ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjitha duhet t´i nënshtroheshin Kanunit të Lekës”. (5)


Shtjefën Gjeçovi kishte mendimin se : « Kanuni u ngjiz gjatë periudhës (1454-1481), kur Lek Dukagjini udhëhiqte të gjitha kuvëndet dhe pleqësitë e malësorëve» (6). Një qasje më e thelluar ndaj neneve të Kanunit dhe njohja e botkuptimit të pellazgo-shqipetarëve, (tezë akoma e papranuar) nxjerr në pah se, Kanuni nuk mund të “lindte” në një çast të caktuar historik, por është pasqyrë e një zhvillimi jashtzakonisht të gjatë kohor të njeriut. Kanuni e mbart brënda vetes këtë zanafillë (sikurse njeriu ADN-në e tij), kur sqaron kuptimin e emrit – Komb (Krye i dytë, Nye i nandët. Kanuni i Lek Dukagjinit).









Brënda Kanunit ndodhen gjurmë të shumta të tre fazave historike të “lidhjeve” të Kombit. Në §. 10. lexojmë: “Prifti asht ndorja e Famullis.” “Prifti s’bjen më gjak.” “Prifti s’çohet në be.” (7) Dhe më poshtë: “Njimend se mbas kanunit t’onë „gjaku shkon per gisht“, porse kjo kanu s’e pershin gruen, per arsye, qi „Grueja s’bjen në gjak“ edhe me qillue se vret kend. (8) Në këto nyje, vërejmë se vetëm prifti (ndermjetësi në parahistori me Zotin) dhe gruaja (njëriu i parë që u hyjnizua në besim) në Kanun janë të paprekshëm.


Pra mund të pohojmë se, zanafilla e Kanunit që njohim sot, është tek idea e Kom(b)it e “lidhjes me Zotin”, bindja ndaj të cilit ishte “ligji” i parë i bashkësive fisnore. Të gjitha Besimet, themelin e kanë tek idea e « shënjtërisë» dhe « hyjnores », edhe koncepti – Komb dhe trashëgimtari i tij « ligjor » – Kanuni, e kanë bazuar po aty. Ja përse Rilindasit pohonin se « Feja e shqipetarit është shqipetaria », me të cilin nënkuptonin Kombin, ideollogji dhe besim, thënje që fatkeqsisht është injoruar nga studiuesit albanologë.


Jetëgjatësia e ligjeve të Kanunit e ka burimin nga botkuptim besimtar i lashtësisë, i« kultit të të parëve », që në gojën e popullit e gjejmë në formën: «kështu na i kanë lënë të parët tanë » (mjafton të lexojmë : Nye i tridhetepesët, Djelmt, §.62.- Detyra e perlimi i dielmvet. Kanuni i Lek Dukagjinit).


Hyjnizimi besimtar i Kombit dhe « ligjeve » të tij – Kanunit – është faktori kryesor historik i mbijetesës së popullit tonë. Për këtë pohim, po sjell një shëmbull të moralit dhe « lidhjes së shënjtë » të shqipetarëve me trevat e tyre. William Eton, në librin e tij (A Survey of the Turkish Empire) riprodhon tregimin e të dërguarit të konsullit francez, pranë Ali Pashës (1792). Në qëndër të ngjarjes janë dy figura shqipetare: Ali Pash Tepelena dhe robi i tij, Llambro Xhavella. Pashai më i fuqishëm i Ballkanit i afroi kapedanit suliot, që në këmbim të lirimit të tij dhe postit të “buluk-bashit”, t´i bindte banorët ta braktisnin Marko Boçarin dhe njerëzit e tij dhe t´ia dorëzonin paqësisht krahinën e Sulit. Xhavella i kërkon dy ditë afat për të kryer këtë detyre, duke i lënë peng Aliut djalin e tij dymbëdhjet vjeçar. Si përfundim, Llambro Xhavella nuk pranoi ta nxinte fytyrën e tij me një vepër tradhëtie dhe i dërgon lajm pashait se, ay si baba, e pranon sakrifikimin e djalit :


• “Nëse fitojmë, mund të kem fëmijë të tjerë : gruaja ime është ende e re ; por nëse djali im, që është i ri, nuk di të vdesë i lumtur për të mirën e vendit të tij, atëherë ai nuk meriton që të jetojë, dhe as që ta pranoi atë për djalin tim.”(9)


Siç dihet, mirqënia e një popullsie dhe qelizës së saj – familjes, varet nga ligjet me të cilat udhëhiqet realisht veprimtaria e tij. Por, idea e Kombit si dhe e ligjeve të Kanunit është shumë më e gjerë se sa ajo e « ligjeve » moderne, sepse ato shprehin botkuptimin dhe karakterin moral të shqipetaro-arbërve dhe luajn rol edukues të të rinjve, me traditën e trashëguar. Ja sepse në kuvëndet ku zbatoheshin « ligjet » e Kanunit, merrnin pjesë si dëgjues të rinjtë dhe fëmijët meshkuj duke i edukuar me ndjenjën e “përkatësisë” KOMBETARE , që shpreh tiparet e karakterit të shqipetarëve, në dallim nga popujt e tjerë ballkanik dhe ata europian.


Si përfundim: Për, të gjitha faktet e sipërpërmëndura, fjala shqipe Komb, e cila vijon të na emërtoj edhe sot, shpreh botkuptimin dhe zhvillimin e panderprere te QYTETRIMIT të popullit tonë, në trevat e veta. Origjina e Kanuneve (ligjeve të pashkruara) burojnë nga idea e Kombit, i cili me « lidhjet » e shumta që historikisht kanë pasuruar kuptimin e tij, përbën sot nje dukuri vetëm të shqipetaro-arbërve.


Të gjitha “lidhjet” e Kombit, janë në fakt lidhje shpirtërore “të njerëzve të Kombit”. Ay nuk varet nga marrëveshjet, dëshirat apo shijet (e çdo lloji) të një njeriu apo të një grupi, nisur nga kultura, nevoja ekonomike apo përkushtimi i tyre fetar (dhe çdo arsye tjetër), të cilat kanë karakter të përkohshëm apo janë të zëvendësueshëm, siç e dëshmojnë studiuesit e shoqërisë moderne. Kombi ka natyrë të përjetshme, sepse nga “lidhjet” më të rëndësishme të tij është ajo e “gjakut”. Në Kanun, “lidhja e gjakut” emërtohet me emrin e pemës hyjnore të besimit pellazg të Dodonës – LISIN : Rrjedhja e brêzavet prej ânet të babës thirret “Lisi i gjakut”. Rrjedhja e brêzavet prej ânet të nânës thirret “Lisi i tamblit”. (10)


Fotot poshtë tregojnë një objekt të traditës shqipetare, ku megjithë 21 shekujt e kalendarit kristian, vijojnë të përdoren simbolet e besimit të parë të njeriut europian-Pellazgëve hyjnor.













1. Simboli i degës së lisit, dhe të Krijuesit (rrathet boshe, disa rrathë me pikën në qëndër, dhe vargu i pikave lart). Mbështetësja e një kolltuku nga Malësia Veriore. Objekt i traditës shqipetare në Arkivin e Institutit Historik, Tiranë. 2. Kryqi brënda rrethit të formuara me pika, në krahun e po këtij kolltuku, është simboli i Krijuesit i shprehur në shumë objekte arkeologjike të parahistorisë.


Po e mbyll shkrimin me një thënie të Gustav Le Bon (1841 – 1931) , që tregon drejtimin më të rëndësishëm për studimet mbi karakterin dhe historinë e popujve: “Udhëheqësit e vërtetë të popujve janë traditat e tyre. Tiparet morale dhe intelektuale, shoqërizimi i të cilave formon shpirtin e një populli, përfaqësojnë sintezën e së kaluarës së tij, trashëgiminë e stërgjyshërve të tij, motivet e sjelljes së tij…” (11)


Fatbardha Demi (fatbardha_demi@yahoo.com )


25.05.2018


__________________


Referencat:


1. f52 P.Zheji


2. Romilly Jenkins, Bizanti dhe BIizantizmi, Plejad, 2001, f20


3.Kole Kamsi Shqipetarët e Italisë, Shkodër,2006 , f101


4.Indro Montanelli , Historia e Romës, Besa1997, f57, 69-70.


5. Parathënja, Kanuni i Lek Dukagjinit shkruar nga Shtjefën Gjeçovi 1933 http://www.zemrashqiptare.net/news/id_29308/Lutfi-Alia:-Kanuni-Kodi-i-s%C3%AB-drejt%C3%ABs-zakonore-shqiptare-(2).html


6. po aty


7. NYE I KATERT. Meshtari i Famullis, ase Famulltari. §. 10. Vehtja e Famulltarit asht e paprekshme. Kanuni i Lek Dukagjinit


8. NYE I NJIZETETETETËT. „Gruja s’bjen në gjak“ – „Grueja lshon më gjak prinden “, po aty


9. Në librin “Voyage en Grèce, fait dans les années 1803 et 1804, par J. L. S. Bartholdy”, mbështetur në veprën “A Survey of the Turkish Empire” të anglezit William Eton, me titull “Guerre d’Ali-Pacha contre les Souliotes”. të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”.


10. Nye i njiqidedytë. Lisi i gjakut, lisi i tamblit, nip trungut e nip bijet. §.700, §.701.Kanuni i Lek Dukagjinit.





11.Gustav Le Bon, “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, Shtëpia Botuese “Fan Noli”,Tiranë fq. 9-10) Psychologie der Massen – von Gustave Le Bon [Kaiser’s Klassiker] http://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=7288

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *