Saturday, May 23, 2015

FOTOT e skandalit/ Ç’po gatuan Greqia në jugun e Shqipërisë?

Jero Lohos 2012 – Kompania Paraushtarake e Shenjtë 2012, është një nga organizatat e shumta paraushtarake greke e cila që nga themelimi i saj punon për aneksimin e jugut të Shqipërisë.
Lëvizjet e para për të njohur terrenin e Shqipërisë kjo organizatë i ka bërë në jug, shoqëruar nga Vangjel Papakristo, cili është publicist dhe shkrimtar i njohur i minoritetit grek.
Jero Lohos 2012, është organizatë e njohur ligjërisht nga shteti grek dhe në të bëjnë pjesë ushtarë dhe oficerë të trupave speciale paraushtarake greke.
Kjo organizatë ka lidhje të ngushta me shumë organizata të minoritetit grek dhe ndihmojnë materialisht në çdo aspekt shoqatat ekstremiste që propagandojnë aneksimin e jugut të Shqipërisë.
Partneri kryesor i Jero Lohos 2012, është organizata SFEVA, e themeluar nga Mitropoliti i Konicës, Sebastiano, anëtar i së cilës është edhe kryetari i OMONIA-s, Leonidha Papas.
Në zonën kufitare të Devollit dhe Korçës paraushtarakët e Jero Logos 2012, janë shoqëruar në Korrik 2013 nga Naum Disho, Lefter Prifti dhe Stavros Gjinos (këta dy të fundit janë me dy shtetësi).
Gjeneral, Frangulis, Aliko, Dhjetor - 1
Ish- shefi i Shtabit të ushtrisë greke Frangulis në Aliko, Sarandë, dhjetorin e kaluar
Gjatë ndeshjes të ekipit të Skënderbeut që u zhvillua më 20 Korrik 2013, me ekipin e Apoel Limassol të Qipros, paraushtarakët e Jero Lohos 2012 ishin të pranishëm dhe provokuan rëndë duke hedhur parrulla për aneksimin e jugut të Shqipërisë.
Atë ditë nuk u vërejt se këta “tifozë” nuk ishin qipriotë të ardhur për të përkrahur ekipin e tyre të futbollit, por ishin trupa paraushtarake që kishin ardhur nga Greqia.
Nga mungesa e njohurive rreth kësaj organizate nga mediat shqiptare, nuk u vërejt se të gjithë “tifozët” ishin veshur me bluza paraushtarake ku pasqyrohej edhe flamuri i Autonomisë së Vorio Epirit.
Por çfarë bëjmë ne?
Kjo pyetje më ka shqetësuar gjithnjë, sepse institucionet shtetërore të Shqipërisë në bazë të ligjeve Kushtetuese kanë të drejtë të ngrenë akuza zyrtare të paktën për shtetasit shqiptarë me kombësi greke që ushqejnë dhe shpërndajnë ide raciste dhe separatiste.
Këtë ende s’e kemi bërë, ndaj avazi vazhdon.
Oficeri, Vasileos, Bularat, Tetor, 20135555
Ish- ushtaraku i lartë grek Andonis Vasileos në Bularat, tetor 2014
Nëse nuk merren masat e duhura gjatë zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit organizata paraushtarake si Agimi i Artë, Jeros Lohos 2012, Lidhja Nacionaliste Greke, etj, do të provokojnë në bashkinë e Himarës dhe të Konispolit.
Kandidatët e atyshëm të PBDNJ-OMONIA, Anastas Gudas dhe Fredi Beleris para se të niste fushata kanë patur takime me gjeneralë të ushtrisë greke.
Gjeneralë grekë që kanë lëvizur në Shqipëri?
Po. Prej disa vitesh trupat paraushtarake greke të grupuar në organizata të ndryshme kanë hyrë disa herë në Shqipëri si në Polenë, Korçë, Pogradec dhe në tërë jugun.
Vetëm në 10 muajt e fundit ish-ministri i mbrojtjes dhe ish-Shef Shtabi i Ushtrisë greke për disa vite, Frangos Frangulis ka hyrë me rroba civile dy herë në Shqipëri. Dy herë brenda 10 muajve ka hyrë edhe ushtaraku i lartë i pensionuar Andonios L. Vasileos.
Frangos Frangulis ka lindur në Komotini, në një vend të Greqisë ku banojnë myslimanë me origjinë turke, shqiptare dhe pomake. Për shumë vite ai ka qenë Atashe Ushtarak në Turqi.
Ushtaraku, Vasileos, Kercyre, Tetor, 2014 4
Ish- ushtaraku i lartë grek Vasileos në Këlcyrë, tetor 2014
Z.Frangulis nga viti 2009 deri më 2011, ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Greke. Në Dhjetor 2011, ai u paraqit në Gjykatë për të dhënë dëshminë si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Greqisë për 39 ushtarët grekë të cilët gjatë paradës ushtarake më 25 Mars 2010 kënduan këngë raciste ndaj shqiptarëve, turqve dhe emigrantëve të huaj që punojnë dhe jetojnë në Greqi.
Ka qenë vetëm një muaj Ministër i Mbrojtjes së Greqisë, 12 Maj-12 Qershor 2012.
Pasi u lirua nga rroba ushtarake, gjenerali në pension Frangos Frangulis filloi të marrë pjesë në aktivitetet që organizonin shoqatat ekstremiste greke dhe të minoritetit grek me temë aneksimin e jugut të Shqipërisë.
Nuk dihet se në çfarë cilësie një ushtarak i lartë i Greqisë dhe që mban ende Ligjin e Luftës, lëviz në zona ku jeton minoriteti grek me shqiptarët në paqe?
Gjatë vizitave në Shqipëri ai është takuar me drejtuesit e shoqatave të sipërcituara.
Gjeneral,Frangos Frangulis- 2
Frangos Frangulis në uniformën e gjeneralit
Më 17 Maj 2015, në përvjetorin e 101-të të “aneksimit të Jugut të Shqipërisë”, kryetari i OMONIA-s, Leonidha Papa në Delvinaq, afër kufirit greko-shqiptar bëri një takim me Andonios L. Vasileos, i cili ka patur detyra të larta në Ministrinë e Mbrojtjes së Greqisë si shef i zyrës së klasit parë në Shtabin e Përgjithshëm.
Z.Vasileos është ekspert i lartë i programeve kompjuterike dhe i hartimit të kufirit detar. Për katër vite ai ka udhëhequr prezantimet për çështjet kufitare detare. Ka qenë edhe koordinator për siguri dhe menaxhim të krizave në Institutin për studime gjeopolitike. Jeton dhe vepron në Janinë.
Ekzistojnë të dhëna se Andonios Vasileos ka vizituar jugun e Shqipërisë të paktën dy herë brenda vitit 2014-2015.
Greqia synon të ketë dorën e lirë për të grabitur rreth rezervat e naftës dhe gazit natyror që gjenden në detin Jon, pjesë që i takojnë Shqipërisë.
Lufta për detin Jon
Ushtaraku Vasileos me Leonidha Papas, Denlivaq, 17.5555
Vasileos me kreun e ri të Omonia-s, Leonidha Papa, Delvinaq më 17 maj 2015
Revista greke “Bilanci ushtarak dhe gjeopolitika”, shkruan me shkronja të mëdha: “Luftë në Jon, operacioni ‘Skenderbeis’”.
Autor i këtij shkrimi është Joani S. Teodoratu, i cili shkruan për interesat strategjike në detin Jon dhe Adriatik, ku ka rezerva të mëdha gazi, nafte dhe kalimi i tubacioneve që do të furnizojë Europën për shumë vite.
Revista i kushton 10 faqe marrëveshjes së kufirit ujor midis Shqipërisë dhe Greqisë. Autori thotë se interesat e Greqisë për këtë zonë po pengohen nga ana e turqve, që sipas tij tashmë kanë një aleancë ushtarake afatgjatë me Shqipërinë.
Revista thotë madje që në rast të mosfunksionimit në detin Jon, të marrëveshjes së Greqisë me EEZ për nxjerrjen e gazit dhe naftës, mund të kalohet në një konflikt ushtarak midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe pse Greqia ka potencial ushtarak të fuqishëm ndaj Shqipërisë, grekët janë të bindur se Turqia do ta sulmonte Greqinë për interesat e saj në këtë rast.
Autori ndër të tjera shkruan për “stërvitje të përbashkëta ushtarake midis Shqipërisë dhe Turqisë”, duke shfaqur shqetësimet e Athinës, e cila prej 20 vitesh strehon mijëra shqiptarë emigrantë ekonomikë dhe është një nga investitorët kryesorë në Shqipëri.
Rezervat e naftës dhe gazit
Në studimin e tij, gjeologu dhe ekonomisti i energjetikës greke dr. Kostandinos A. Nikolas, ka shkruar se në detin Jon, Qipro dhe Kretë gjenden rezerva nafte dhe gazi natyror.
Gazeta “Avriani” shkruante se Greqia mund të përfitojë afro 700 miliardë euro me nënshkrimin e marrëveshjes me EEZ. Nikolas kërkon të bëhen hetime në këto zona detare për burimet e hidrokarbureve.
Shkencëtari në fjalë bën një pasqyrë historike të problemeve të Greqisë me kufirin detar që ka ndër vite të pazgjidhur me Shqipërinë, Turqinë, Libinë, Egjiptin, ndërsa me Italinë e ka zgjidhur në vitin 1978.
Sipas tij, më 1994-n Shqipëria dhe Greqia ishin shumë afër për ta zgjidhur çështjen e kufirit detar, por autoritetet shqiptare nuk lëshuan pe, ishin më të ashpra dhe Greqia nënshkroi që blloku i zonës 5 Hamilton në detin Jon t’i takojë Shqipërisë.
“Pas 15 vitesh Greqia mundi të nënshkruante një marrëveshje të re me qeverinë shqiptare për zonën 5 afër ishullit të Korfuzit, por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi këtë marrëveshje”, shkruan dr. Kostandinos sa i përket kufirit detar me Shqipërinë.

Burimi: GAZETADITA.AL

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *