Thursday, April 02, 2015

Më 2 dhe 3 prill 1981 kundërvënia e armatosur kundër RSFJ-së në Besi të Prishtinës

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, shënojnë fillimin e ndarjes definitive të forcave liridashëse shqiptare nga procesi i jugosllavizimit, i cili po manifestohej me politikën e ashtuquajtur të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Për më tepër, qysh nga ajo kohë filloi edhe procesi i gjatë, historik, për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht si republikë e barabartë në federatën jugosllave, me synim që në këtë republikë të përfaqësoheshin shqiptarët e të gjitha viseve tona etnike, të cilat i mbante nën okupim RSFJ.
Kosova ka shpallur pavarësinë, e cila tashmë është pranuar dhe është njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe shumë se 100 shtete të tjera. Serbia, ashtu sikur në vitin 1981, që nuk pranoi barazimin e Kosovës me republikat e tjera të Federatës jugosllave, edhe sot po bën përpjekje që ta shantazhojë dhe ta pengojë procesin e pavarësisë, duke pasur përkrahjen edhe të një segmenti të BE-së.
Në përkujtim të ngjarjeve madhore të së kaluarës, në 34-vjetorin e Pranverës së vitit 1981 do të shkoqisim një segment të kundërvënies së rinisë sonë atdhetare kundër formave brutale të regjimit titist jugosllav. Më 2 prill të vitit 1981, protestat e ligjshme të rinisë shqiptare, e cila nuk kërkonte asgjë më shumë se liri e barazi, kishin marrë përmasa të një revolte të përgjithshme popullore, jo vetëm në Prishtinë, ku ishte bërthama e qëndresës dhe e të gjitha zhvillimeve, por edhe në mbarë qytetet e Kosovës. Atë ditë janë shënuar edhe disa elemente të kryengritjes së përgjithshme popullore, sikur ishte rasti i rrëmbimit të armëve nga një grup i të rinjve shqiptarë, të cilët u barrikaduan në fshatin Besi, në hyrje të Prishtinës, duke mos lejuar forcat policore serbe që bfa Serbia të futeshin në Kosovë.
Krahas grushteve të ngritur nga studentët në protesta, të cilët ishin përgjakur nga forcat pushtuese dhe ato mercenare, një grup i të rinjve militantë shkoi edhe më larg. Ata, duke parë se policia po përdorte armë kundër protestuesve duarthatë, rrëmbyen armët dhe vendosën një barrikadë të kundërvënies, në dalje të Prishtinë në fshatin Besi dhe në rrugën për në Besianë, (ish-Pudujevë). Grupi ishte i organizuar dhe kishte synim të përshkallëzonte revoltën në formë të kundërvënies, meqë atë ditë, forcat intervencioniste serbe kishin martirizuar dhjetëra protestues shqiptarë dhe kishin plagosur me armë zjarri qindra të tjerë. Në këtë grup bënin pjesë kryesisht nxënës, punëtorë dhe arsimtarë, të cilët gjatë tërë muajit mars kishin marrë pjesë në demonstrata. Në mesin e tyre kishte protestues të rritur, por edhe të mitur.
Brochure 1
Grupin e parë të të rriturve që ishin barrikaduar në fshatin Besi të Prishtinës e përbënin:
Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc,
Sami Leci nga fshati Barilevë,
Zijadin Hoxha nga Prishtina,
Vehbi Leci nga Barileva,
Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme,
Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc,
Agim Selmani nga Barileva,
Agim Leci, po ashtu nga Barileva,
dhe Hajrullah Dragusha nga Prugoci.
Grupin e dytë të të rriturve që ishin barrikaduar në fshatin Besi të Prishtinës e përbënin:
Zymer Krasniqi nga fshati Besi,
Bajram Syla nga Rimanishta,
Qerim Arifi nga Rimanishta,
Nagip Bllaca, nga Besia,
Naim Statocvi, nga fshati Prugovc,
Sadik Dragusha, nga fshati Prugovc,
Shaban Dragusha, po ashtu nga Prugovci,
Ramadan Rexha nga Rimanishta,
Enver Koliqi nga fshati Lupç i Poshtëm,
Nexhmedin Pireva nga fshati Lupç,
Sadri Berisha nga fshati Drenovc.
Grupin e tretë të të rriturve që ishin barrikaduar në fshatin Besi të Prishtinës e përbënin:
Afrim Bllacaku,
Agim Selim Leci,
Naser Rexha,
Shemsi M. Leci,
Fadil Shala,
Ekrem Dragusha,
Avni Llumnica,
Veton Osmani,
Xhemshir Leci,
Pajazit Ndreca,
Nexhat Dragusha,
Osman H. Abdullahu,
Sami Abdullahu,
Osman S. Abdullahu,
Ismajl Koliqi,
Zenel Krasniqi,
Lutfi Leci, dhe
Xhafer Fetahu, në gjithë nën moshën 18 vjeçare.
Në aktakuzën e ngritur nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës kundër grupit të parë të të rriturve K. 147/ 81, më 13. 8. 1981, ndër të tjera thuhet: “Më 2 prill 1981, në rrugën e asfaltuar Prishtinë-Podujevë, prej rrugës “Jabllanica” të Prishtinës e deri në fshatin Besi, KK Prishtinë, në kushte veçanërisht të rënda: Ruzhdi Hajdini, Sami Leci, Zijadin Hoxha, Vehbi Leci, Osman Krasniqi, Ibush Kelmendi, Agim Selmani dhe Agim Leci kryen vepra penale të drejtuara në: rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullimit shoqëror ekonomik, minimin e sistemit shoqëror politik, thyerjen e bashkim vëllazërimit, prishjen e barazisë së kombeve e kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të Jugosllavisë. Ky grup demonstruesish me forcë ia morën pushkën me 5 fishekë rojtarit të OPB-së “Bisernica”, pastaj këtë pushkë ia drejtuan vozitësit Ilija Xhelatoviq, të cilit ia morën veturën dhe u drejtuan në OPB “Higjeno-Teknika”, ku po ashtu rojtarit me forcë ia marrin pushkën e gjuetisë me 3 fishekë…. Pastaj në rrugë për në Besi, me gurë dhe mjete të tjera i dëmtuan automjetet e punëtorëve të sigurimit… iu kundërvunë me forcë punëtorëve të sigurimit dhe forcave të tjera, që vepronin në shpërndarjen e demonstratave. Ata e vendosin flamurin kombëtar (shqiptar) në një shtyllë elektrike, këpusin lidhjet telefonike dhe brohorasin:
“REPUBLIKË KUSHTETUTË, JA ME HATËR JA ME LUFTË”!
“LIRONI SHOKËT NGA BURGU”
“TREPÇA PUNON PËR TË TJERËT”.
Gjithnjë duke përdorur forcën, ky grup ndaloi kamionin FAP me targë: Pr. 262 – 83 dhe me të shkojnë në fshatin Lebane. Aty i japin zjarrin automjetit të markës mercedes, pronë e një ndërmarrje të Nishit me targë: NI 111 382. Këtij kamioni të ngarkuar me mall ia dhanë zjarrin. Po atë ditë ata kryen edhe shumë vepra të tilla penale në fshatin Besi…. Më 3 prill 1981, të armatosur me dy pushkë automatike dhe një pushkë të gjuetisë u tubuan në vendin e quajtur “Te Qukat” te Mulliri i Pashës, ku më vonë u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Këtij grupi militant ndërkohë i bashkohet edhe Hajrullah Dragusha e të tjerë…”
Aktakuza përshkruan veprat e këtyre militantëve të parë të Republikës së Kosovës. Ata veprojnë në mënyrë të organizuar, demonstrojnë kërkesën tashmë plebishitare për Republikën e Kosovës, shkrepin plumba mbi veturat e policisë, por nuk vrasin njerëz, madje as policë as bashkëpunëtorë të tyre. Pastaj në aktakuzë përshkruhen edhe veprime të tjera, “të inkriminuara”, sikur ishte rasti i marrjes së bukës nga një kamion, me qëllim për t’ua shpërndarë qindra protestuesve, të cilët nuk largoheshin nga barrikada. Ata zënë rrugën, ndalojnë automjetet dhe legjitimojnë udhëtarët. Të ardhurve të paftuar nga Serbia ua marrin automjetet, të cilat i vendosin në barrikada. Të ndaluarit as i rrahin, as i maltretojnë, por ju bëjnë me dije se herën tjetër duhet të marrin me vete “pasaportat” e Republikës së Kosovës…
Këto janë shkurtimisht “veprat penale” që kishte kryer ky grup militant më 2 dhe 3 prill të vitit 1981, në kohën kur zemërimi popullor kishte shpërthyer fuqishëm dhe tërë mllef kundër padrejtësisë, në ditët kur shpirti kryengritës i rinisë shqiptare kishte marrë hapin historik për krijimin “me hatër ose me luftë” të Republikës së Kosovës. Pjesëtarët e këtij grupi nuk i kanë mohuar veprimet e tilla, të cilat i kanë ushtruar në shenjë revolte kundër forcave policore dhe ushtarake të RSFJ-së, që kishin vrarë demonstruesit paqësorë mu në qendër të Prishtinës. Ata kishin synuar të krijonin bërthamën e parë të armatosur çlirimtare, por gjatë një afati të shkurtër kohor ishin arrestuar nga policia. Për këto ngjarje të cilësuara si vepra të rënda penale, të drejtuara kundër RSFJ-së, në shqyrtimin kryesor verbal, publik, në prani të prokurorit Publik të Qarkut të Prishtinës, Pjetër Kola, në prani të akuzuarve dhe mbrojtëseve të tyre, më 31 gusht 1981, Gjykata mori këtë aktgjykim dhe dënoi me burg:
Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc, 25 vjeçar, i cili u dënua me 15 vjet burg.
Sami Leci nga fshati Barilevë, 20 vjeçar, u dënua 14 vjet burg.
Zijadin Hoxha nga Prishtina, 20 vjeçar, u dënua 15 vjet burg.
Vehbi Leci nga Barileva, 18 vjeçar u dënua 12 vjet burg.
Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme, 10 vjet burg.
Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc, u dënua 10 vjet burg.
Agim Selmani nga Barileva, 13 vjet burg.
Agim Leci, po ashtu nga Barileva, u dënua 12 vjet burg.
Hajrullah Dragusha nga Prugoci dënohet dy vjet burg, pasi paraprakisht ishte modifikuar aktakuza kundër tij.
Në arsyetim të shqiptimit të dënimeve të tilla drakonike, Gjykata e Qarkut në Prishtinë në kolegjin e përbërë nga: Ismet Emra, kryetar, Slobodan Zhivkoviq, anëtar, Azem Emini porot, Lubisha Miçiq dhe Qazim Goxhufi anëtarë… shkruan se nga të dhënat rezulton se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, të cilat janë të përshkruara në dy petitume të kësaj aktakuze, veprime këto që janë të inkriminuara dhe ekzekutorët janë penalisht përgjegjës, andaj në veprimet e tyre plotësohen të gjitha tiparet e figurave të veprave penale nga neni 114 të LPJ-së dhe që përkrah ashpërsisë së manifestuar gjatë veprimit armiqësor duhet të ndëshkohen sipas nenit 139 të Ligjit Penal të Jugosllavisë….
Me këtë rast ishte dënuar 12 vjet burg, i riu Agim Leci, i cili sapo kishte mbushur 18 vjet. Vetëm për disa ditë kishte kaluar kufirin ligjor dhe ishte dënuar si i rritur dhe jo si i mitur, sikur ishin dënuar edhe disa nxënës, që ua kishin rrëmbyer pushkët disa rezervistëve serbë. Ky ishte grupi që asokohe u dënua me shkallën maksimale të dënimit, që parashihnin ligjet e RSFJ-së në atë kohë. Ndërsa të dënuarit ishin keqtrajtuar mizorisht, si gjatë periudhës së hetimeve, ashtu edhe gjatë kohës së mbajtjes në burg. Dhuna e ushtruar kundër këtyre militantëve të Republikës, i kaliti edhe më tej ata. Inspektori kryesor i SPB-së në lëndën e këtij grupi ka qenë Gjergj Berisha.
Aktgjykimi i grupit të dytë të të rriturve, i datës 2 gusht të vitit 1981. P. Nr. 110/81
flamurtaret besi2
Gjykata e Qarkut në Prishtinë në Kolegjin e përbërë nga Mentor Çoku kryetar dhe anëtarët gjyqtarë të kësaj gjykate: Veroslava Dimiq, si dhe gjyqtarëve porotë: Azem Emini, Dojçin Maksimoviq, dhe Ilaz Aliu, me pjesëmarrjen e punëtorës së kësaj Gjykate, Melihate Zeqiri, në çështjen penale kundër: Zymer Krasniqit nga fshati Besi, Bajram Sylës nga fshati Rimanishtë, Qerim Arfit nga fshati Rimanishë, Nagip Bllacës nga fshati Besi, Naim Statovcit nga fshati Prugovc, Enver Koliqit nga fshati Lupç i Poshtëm Nexhmedin Pireva nga fshati Vranidoll, Shaban Dragusha nga fshati Prugovc, Ramadan Rexha nga fshati Rimanishtë, Sadri Berisha nga fshati Prugovc, të gjithë sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut të Prishtinës, PP.nr. 84/81 të datës 15 korrik 1981, të cilën e përfaqësoi Mustafa Shala, Gjykata shpalli fajtor dhe dënoi:
Zymer Krasniqi nga fshati Breznicë u dënua 13 vjet burg,
Bajram Syla nga Rimanishta, 12 vjet burg,
Qerim Arifi u dënua 8 vjet burg,
Nagip Bllaca, u dënua 12 vjet burg,
Naim Statocvi u dënua 10 vjet burg,
Sadik Dragusha, nga fshati Prugovc, 10 vjet burg,
Shaban Dragusha, po ashtu nga Prugovci u dënua 7 vjet burg,
Ramadan Rexha nga Rimanishta u dënua 7 vjet burg,
Enver Koliqi nga fshati Lupç i Poshtëm u dënua 8 vjet burg,
Nexhmedin Pireva dhe Sadri Berisha u dënuan me kusht.
Sipas aktgjykimit, këta protestues u shpallën fajtor, sepse “ më 2 prill 1981 në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë, në fshatin Besi, para shkollës fillore,
kanë kryer vepra penale të drejtuara në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullit shoqëror dhe ekomomik, të përcaktuar me kushtetutë, minimin e bazës ekonomike të vendit, thyerjen e bashkim vëllazërimit dhe barazisë së kombeve e të kombësive, si dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit. Kështu që më 2 prill pre orës 11.00 deri në orën 16.00 kanë marrë pjesë aktive në grupin armiqësor të udhëhequr nga Zymer Krasniqi dhe Bajram Syla. Ky grup ka gjuajtur automobilat me gurë dhe ka brohoritur parullat me përmbajtje armiqësore:
“KOSOVA REPUBLIKË”
“REPUBLIKË KUSHTETUTË, JA ME HATËR JA ME LUFTË”,
“DUAM KUSHTE”,
“UNITET”,
“NA I LIRONI SHOKËT”.
Të akuzuarit Zymer Krasniqi dhe Bajram Syla me stupca në dorë e me disa të mitur kanë ndaluar automjetin bartës të tipit “RABA” me targë PE-148-07, me të cilin e kanë nxënë rrugën horizontalisht. Më vonë ka ardhur kolona e automobilave të policisë nga Beogradi. Ndërkohë këta i kanë dhënë zjarrin kamionit ku ishin të ngarkuar 20 shatorë dhe shumë pajisje të tjera. Ndërkohë nga automjeti “TAM” M-900-251, kanë marrë armë automatike dhe municion. Pastaj në aktakuzë përshkruhet veç e veç veprimi i secilit të akuzuar, mënyra si janë marrë armët, sasia dhe tipi i armës, sharzherët, plumbat etj. Të gjitha amët e rrëmbyera nga demonstruesit kanë qenë pushkë automatike të kalibrit 7.62. Po kështu, në këtë aktakuzë janë përshkruar edhe rrethanat e tjera, që kishin të bënin me veprimet konkrete që kanë ndërmarrë demonstruesit, të cilët gjatë asaj dite kishin mbyllur njërën prej artereive kryesore nga ku vinin në Kosovë policët serbë, të ngarkuar me municion dhe pajisje të tjera me qëllim për ta shtypur kryengritjen shqiptare të asaj kohe.
Dëshmitarë të përfaqësuar gjatë gjykimit kanë qenë policët nga Beogradi:
Vidoje Simiq,
Dragomir Jelisavqiq,
Branislav Dimiq,
Lubomir Nejiq,
Radule Skokoviq, si dhe vozitësi i kamionit,
Gojko Stanishiq nga Vitomirica e Pejës.
Me pushkët e rrëmbyera në ditët e prillit të vitit 1981, Sami Leci, Nexhmi Llumnica (tani dëshmor) dhe disa të tjerë 17 vjet më vonë do të inkuadrohen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku do të luftojnë ballë për ballë kundër forcave pushtuese serbe. Në radhët e UÇK-së që në ditët e para ishin angazhuar edhe Ibush Kelmendi, në Zonën Operative të Llapit, Zijadin Hoxha ishte i organizuar edhe në ilegalen e kohës, e më vënë edhe në radhët e UÇK-së.
Ndërkohë, pas ushtrimit të ankesave të avokatëve lidhur me shkallën e lartë të dënimit, Gjykata Supreme e Kosovës, në përbërje: kryetari i Gjykatës, Riza Fazliu, dhe gjyqtarëve: mr. Halil Kelmendi, Branislav Kijaqiq, Qazim Tolaj e Durmish Koçinaj, me vendimin Ap-nr.453/81, të datës me 4 janar 1982, iu uli dënimin disa të dënuarve.
GRUPI I TË MITURVE
Në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kundër grupit të të miturve (Pm-nr.37/81) pas seancave të mbyllura të mbajtura më 20, 21, 22 korrik të vitit 1981, Kolegji i gjykatësve, i përbërë nga gjyqtarja Verosllava Dimiq kryetare e kolegjit dhe gjyqtarëve: gjyqtarë porotë: Skënder Lamaxhema dhe Hasan Prebreza anëtarë të kolegjit në çështjen penale kundër të miturve:
Afrim Bllacaku, nga Besia,
Agim Selim Leci, nga fshati Barilevë,
Naser Rexha, nga fshati Rimanishtë,
Shemsi M. Leci, nga Barileva,
Fadil Shala, nga Prugovci,
Ekrem Dragusha, nga Prugovci,
Avni Llumnica, nga Barileva,
Veton Osmani, nga fshati Besi,
Xhemshir Leci, nga Barileva,
Pajazit Ndreca, nga Barileva,
Nexhat Dragusha, nga Prugovci,
Osman H. Abdullahu, nga Vranidolli,
Sami Abdullahu, nga Vranidolli,
Osman S. Abdullahu nga Sharbani,
Ismajl Koliqi, nga fshati Lupç i ulët,
Zenel Krasniqi, nga fshati Lupç i Ulët,
Lutfi Leci, nga Barileva, dhe
Xhafer Fetahu, në gjithë nën moshën 18 vjeçare.
Gjykata, pasi i shpalli fajtor, mori vendim dhe dënoi me burg për të mitur, prej 1 deri në 5 vjet: Afrim Bllacakun, Agim M. Lecin, Naser Rexhën, Shemsi Lecin, Fadil Shalën, Ekrem Dragushën, Avni Llumnicën dhe Veton Osmanin.
“U shpallën fajtor meqë më datë 2.4.1981, në rrugën magjistrale Prishtinë Podujevë, në fshatin Besi, para shkollës fillore, prej orës 13,00 deri në orën 16.00, kanë kryer veprën e drejtuar në minimin e rregullimit shoqëror ekonomik, sistemin shoqëror politik, sistemin e vetëqeverisjes, minimin e bazës ekonomike të vendit, shkatërrimit të bashkimit dhe të vëllazërimit, shkatërrimit të barazisë së kombeve dhe kombësive dhe ndryshimit kundër kushtetues të rregullimit federativ të shtetit.
Këta nxënës të Qendrës shkollore në Besi dhe qytetarët, në një grup prej rreth 500 vetash, kanë brohoritur parulla me përmbajtje kundërrevolucionare:
“DUAM KUSHTET”,
“LËSHONI SHOKËT”,
“UNITET”,
KOSOVA REPUBLIKË” DHE
“REPUBLIKË KUSHTETUTË, JA ME HATËR JA ME LUFTË”.
Ata kanë lëvizur prej fshati Besi deri në Lebane dhe anasjelltas. Gjatë rrugës kanë gjuajtur me gurë automjetet, të cilat kanë kaluar rrugës, me qëllim që të pengojnë kalimin e tyre në drejtim të Prishtinës, ku janë mbajtur demonstratat armiqësore. Të miturit: Afrim Bllacaku, Agim Leci dhe të tjerët me hunj në duar kanë ndaluar automjetin bartës të markës “Raba” me targa PE. 148-07, të ng
arkuar me rërë, të cilin e ka drejtuar: Gojko Stanishiqi nga Vitomirica, dhe e kanë detyruar që automjetin ta kthejë tërthorazi në rrugë. Kur ka ardhur kolona e automjeteve të milicisë të SPB-së nga Beogradi, të cilat kanë lëvizur kah Prishtina, një pjesë e automjeteve nga kolona kanë bërë përpjekje që të kalojnë përskaj automjetit “Raba” të qitur në rrugë, kurse pjesa tjetër e kolonës është ndaluar para këtij kamioni.
Grupi ka sulmuar kolonën e automobilave të ndaluar të milicisë, duke i gjuajtur me gurë. Kanë ndezur automjetin “Tam” me targë M. 900 242, i cili ka pasur të ngarkuar 20 tenda dhe i cili është djegur tërësisht. Kurse nga kamioni “Tam” M. 900 251 në të cilin ka pasur pushkë automatike, gjysmë automatike dhe municion të kalibrit 7.62 mm. ata kanë marrë armë dhe municion.
Më tej në këtë aktgjykim, përshkruhen në detaje rrethana sesi janë marrë pushkët, duke precizuar personin që ka marrë pushkën, numrin e pushkës, tipin dhe sasinë e municionit. Për marrje të pushkëve dhe municionit janë akuzuar: Afrim Bllacaku, Agim M. Leci, Naser Rexha, Shemsi Leci, Fadil Shala, Ekrem Dragusha, Avni Llumnica, Veton Osmani e të tjerë.
Për shkak të këtyre veprave penale, gjykata mori vendim dhe dënoi me burg për të mitur: Agim Bllacakun dhe Agim M. Lecin nga pesë vjet burg, Naser Rexhën dhe Shemsi Lecin me nga katër vjet burg, Fadil Shalën dhe Ekrem Dragushën me nga tre vjet burg, Avni Llumnicën me dy vjet burg, Veton Osmanin një vit burg.
Të miturve të tjerë: Xhemshit Lecit, Pajazit Ndrecit, Nexhat Dragushës, Osman Hamdi Abdullahut, Sami Avdullahut, Osman Sahit Avdullahut, Smajl Koliqit dhe Zenel Krasniqit iu shqiptua masa “edukative” e dërgimit në shtëpinë Edukuese Korrektuese në Lipjan, në bazë të nenit 19 të Ligjit penal të Kosovës. Në këtë Shtëpi Ndëshkuese Korrektuese të miturit do të qëndrojnë më së paku një vit e më së shumti pesë vjet. Lidhur me këtë gjykata do të vendos më vonë. Kundër Lutfi Lecit shqiptohet masa e përforcuar e mbikëqyrjes, ndërsa Xhefer Fetahu lirohet nga aktakuza.
Dënimet janë shqiptuar me kërkesë të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë PPM. Nr. 42/81 të datës 2.7.1981. Prokuror Nanda Vllahoviq”. Për të dëshmuar veprat penale që iu ngarkoheshin, gjykata u mbështet në të dhënat e dëshmitarëve. Si palë e dëmtuar konsiderohen punëtorët e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Beogradit, si: Radullo Uskokoviq nga Beogradi, pastaj Vidoje Simiq, Dragomir Jelisaviq dhe Branisllav Dimiq, të gjithë nga Beogradi. Në cilësi të dëshmitarëve u morën edhe: Rrustem Morina profesor nga Prishtina, Ismajl Qosaj, po ashtu profesor nga Prishtina, Gjergj Nikëprelaj, udhëheqës i paraleles së ndarë të QSHAM në Besi, Rrahman Reçica nga Besija, Lubomir Neiq nga Beogradi, Rexhep Rexhepi drejtor i shkollës fillore “Nexhmedin Mustafa” në fshatin Besi, Gojko Stanishiq nga Vitomirica, Salih Pllana nga Prugovci, Xhafer Osmani nga Besia, Bajram Syla nga Rimanishta, Zymer Krasniqi nga Besia si dhe përfaqësuesit ligjor të të miturve, kryesisht prindërit e tyre, disa prej të cilëve ishin mbajtur në paraburgim së bashku me bijtë e tyre të mitur. Ky gjykim është mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë dhe ka qenë i mbyllur për opinionin.
Gjatë bisedimeve me këta flamurtarë të parë të Republikës së Kosovës, fitohet përshtypja se të gjithë kanë synuar organizimin e rezistencës së armatosur. Sami Leci dhe Zijadin Hoxha, Agim Leci, Ibush Kelmendi, Vehbi Leci dhe të tjerët rrëfejnë në imtësi të gjitha zhvillimet e atyre ditëve heroike, kur ata si të rinj ishin përleshur me milicinë serbe, e cila nga Beogradi po vinte në Kosovë për të shtypur demonstruesit.
Atmosfera e krijuar me 2 dhe 3 prill të vitit 1981, kur pothuajse tërë Kosova ishte ngritur në këmbë dhe po protestonte, kishte marrë përmasa të një kryengritjeje të përgjithshme popullore. Pikërisht për shkak të përmasave që kishte marrë revolta, Komiteti Krahinor me urdhër të Beogradit, më 3 prill përmes zëdhënësit besnik, Xhavit Nimani kishte marrë vendim për shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme dhe vënien e Kosovës nën administrim ushtarak, prej 3 deri më 18 prill të vitit 1981.
Këta flamurtarë të parë të Republikës së Kosovës, shkuan më larg se protestuesit paqësorë në Prishtinë dhe në qytete të tjera të vendit. Këtyre iu takon merita që kishin ndërmarrë një hap historik, hapin e parë në atë kohë, meqë kishin rrëmbyer armët me qëllim për të krijuar grupe të armatosura dhe për të ngritur barrikada të kundërvënies. Barrikadat i kishin ngritur. Ata kishin ndërprerë qarkullimin në rrugën Prishtinë-Besianë, kishin çarmatosur disa rezervistë serbë, që vinin nga Serbia dhe ua kishin rrëmbyer armët, por nuk i kishin vrarë, meqë ishin përcaktuar për t’ u vetëmbrojtur nga kriminelët. Ata kishin filluar patrullimin e rrugëve dhe kishin ndaluar çdo njeri te i cili dyshonin.
Merita e tyre është e jashtëzakonshme pikërisht me faktin se arritën të përshkallëzojnë protestat dhe me veprat e tyre të drejtpërdrejta kundër milicisë serbe dhe kundër tërë aparaturës shtypëse, ata hapën një kapitull të ri në historinë tonë të re. Kjo, dhe revolta të tjera të ngjashme bënë që kryengritja të shpallet si kundërrevolucion, me çka edhe fillon rruga përfundimtare e shkëputjes së Kosovës nga kthetrat e robërisë serbe. Këta prijatarë të Republikës së Kosovës me heroizmin e tyre të treguar më 2 dhe 3 prill të vitit 1981 shënuan një faqe të ndritur të historisë sonë të rezistencës aktive, e cila, falë përkushtimit të gjeneratës revolucionare të vitit 1981, nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare dhe mori pjesë në tërë procesin e çlirimit nga robëria okupatore serbe.
flamurtaret besi3
Këta flamurtarë të lirisë nuk i përkisnin asnjë grupi ideologjik
Ata, mbështeten fuqishëm aspiratat për liri, drejtësi dhe barazi, duke bërë një hap më tej.
Edhe gjatë kohës së mbajtjes në burg, kundër këtyre flakadanëve të parë të Republikës së Kosovës, regjimi serb ushtroi dhunë sistematike. Të gjithë, madje edhe disa nga të miturit u dërguan në vuajtje të dënimit nëpër kazamatet jugosllave si në Novi Sad, Zrenjanin, Suboticë e deri në Goli Otokun famëkeq në Kroaci. Asnjëri prej këtyre të rinjve nuk arriti të shkollohet pas daljes nga burgu, qoftë për shkak të kohëzgjatjes së burgut deri në 10 vjet, qoftë sepse ishin të etiketuar si armiq të Jugosllavisë, sepse shoqëria e ideologjizuar e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me sllavë, që e përfaqësonin fuqishëm Azem Vllasi, Ali Shukriu, Rrahman Morina dhe tërë politika pro serbe, ua mbylli të gjitha rrugët për dije përparim, por edhe për ekzistencë. Ata mbeten luftëtarë të përhershëm dhe të përjetshëm të Republikës së Kosovës, mbetën nën mëshirën e kohës edhe pas luftës fitimtare dhe çlirimtare të UÇK-së e deri në ditët tona, deri në 27-vjetorin e fillimit të veprimtarisë së tyre çlirimtare.
Disa nga këta kryengritës u dënuan për të njëjtat vepra penale edhe gjatë kohës sa ishin duke vuajtur dënimin
Duhet veçuar me këtë rast një ndëshkim tjetër djallëzor, i cili iu shqiptua prijësit të këtij grupi, Zymer Krasniqit, i cili së bashku me dy të dënuar të tjerë, Abedin Bala nga Korratica e Drenicës dhe Bajrush Murati nga Prekazi, të cilët ndodheshin në vuajtje të dënimit në Novo Mesto të Sllovenisë, u ridënuan për shkak se nuk i kishin ndërruar bindjet dhe kishin vazhduar ta afishonin kërkesën “Kosova Republikë”, nëpër lokalet e burgut.
Gjykata themelore në Novo Mesto, Njësia në Trebinje, Nr. K 55/85-34, në bazë të nenit 45/II pika 3 e Ligjit Penal të vendit dhe në bazë të nenit 22 të LKP u ngrit aktakuza kundër Zymer Krasniqit nga fshati Besi, Bajrush Muratit nga fshati Prekaz dhe Abedin Balës nga fshati Karraticë e Epërme. Në këtë aktakuzë shkruan se Zymer Krasniqi, Bajrush Murati dhe Abedin Bala me anë vizatimesh kanë ftuar dhe nxitur për ndryshimin kundërkushtetues të sistemit shoqëror socialist, gjatë kohës sa ishin duke vuajtur dënimin në KPD (Shtëpia Ndëshkuese Korrektuese) pranë Mirnës në Novo Mesto të Sllovenisë, Zymer Krasniqi dhe Bajrush Murati kanë shkruar në një fletë të bardhë tekstin “Kosova Republikë” dhe e kanë varur në murin e korridorit, përpara dhomave të të burgosurve. Abedin Bala ka vizatuar në një fletë letre stemën, e cila përfaqëson stemën e Republikës së Kosovës, kurse në letër ka shkruar “Kosova Republikë” dhe të dy letrat i ka varur në korridor, përpara dhomave të të burgosurve. Prokurori publik themelor, slloveni, Niko Bricelj, si rrethanë rënduese kishte marrë faktin se këto afishime ishin bërë më 29 nëntor 1983, pikërisht në Ditën e Republikës së Jugosllavisë, andaj këto veprime i kishte trajtuar si provokim të llojit të vet. Si rrethanë tjetër rënduese për Abedin Balën kishte marrë edhe faktin se vazhdonte edhe më tej ta përkrahte qëndrimin për shpalljen e Republikës së Kosovës.
Më 30.1.1986, Gjykata Themelore e Trebinjes, me kryetar të trupit gjykues: Anton Zhitka dhe gjyqtarët: Andreja Hrovat e Anton Remsa, shpallin fajtor dhe dënojnë tre të akuzuarit: Zymer Krasniqin, Bajrush Muratin dhe Abedin Balën. Në gjithëve iu kishte ngritur shkalla e dënimit edhe për një vit, ndërkohë që Abedin Bala mbytet mizorisht në tortura në Burgun Qendror të Beogradit.
Ahmet Qeriqi

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *