Çamët, një popull trim e fisnik, që ka
provuar dhunën e pushtuesve turq e genocidin fashist grek deri në ikjen e
dhunshme nga trojet e tyre shqiptare, ende vuajnë padrejtësitë që janë
bërë në kurrizin e tyre. Ndonëse përballë një fati tragjik, ata kurrë
nuk e kanë harruar dhe nuk reshtën së punuari e luftuari që dita e
rikthimit në tokën e tyre të jetë sa më e afërt. Kjo dëshirë që nuk
shuhet kurrë por shtohet çdo ditë, është dhe një apel për të ndrequr
padrejtësitë ndaj shqiptarëve, një apel për ndërkombëtarët që heshtën
përballë fatit tragjik të një populli dje, e nuk po bëjnë atë që duhet
bërë sot, që minimalisht, atyre shqiptarëve fisnikë, tu jepen të drejtat
elementare të mohuara. Historia e Çamërisë dhe çamëve, është një
histori e pasur trimërie e qëndrese, është një histori dhimbje e
shprese… Historiani i njohur Hajredin Isufi, nuk ka reshtur ndër dekada
për të zbuluar të vërtetën e historisë çame që është e ‘gjallë’ dhe e
pasur në arkivat vendase e të huaja, por dhe në kujtimet e pashlyera të
atyre të moshuarve që provuan mbi shpinë genocidin e pa shembullt të
shovinistëve grekë… Në një cikël shkrimesh, historiani Isufi do të
sjellë për lexuesit e ‘Dita’-s dokumente të arkivave e dëshmi të
protagonistëve të historisë së Çamërisë e banorëve të saj…
ETNICITETI I POPULLSISË ÇAME
Për të përcaktuar etninë e shqiptarëve
të Epirit, në radhë të parë duhen marrë në konsideratë përshkrimet për
etnografinë e Epirit. Ato janë publikuar bollshëm, sidomos në fund të
shek. XVIII, në shek. XIX e gjatë shek.XX. Kjo gjë mund t’i atribuohet
më shumë famës së Ali Pashë Tepelenës si qeveritar i Epirit, vali i
Janinës që në vitin 1778. Për të argumentuar këtë, po sjell disa
dokumente zyrtare. “Çamëria është një krahinë që shtrihet në anën
perëndimore të Epirit. Rrethet kryesore të saj janë Filati, Gumenica,
Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri kufijtë e saj shkojnë
deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me gjirin e Artës (Prevezës),
në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të
Janinës nga malet e Olliçikës e të Llakës. Është një krahinë mjaft e
begatë me fusha, si fusha e Frarit apo me kodra të buta e të
përshtatshme për kultivimin e ullirit e të agrumeve”. (Burimi: Chr.
Soulis, Tzamouria, “Megale Ellenike Enkyklopedia “Pyrsos”, vëll.23,
Athinë, 1933, f.405; Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f.
149-150; A. Gobincau, Deux estudes sur la Grece moderne, Paris, 1905,
f.113; V.Z. Mollossos, Dhromologion tes Hellenikes, Chresonesou, Tom.I,
Athinë 1878 e pasim, f.4; A.Philippson, Thesalien und Epirus Reisen und
Forschungen in ndrdlichem Griecheland, Berlin, 1878, f222-228; P. Xhufi –
H. Isufi, Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e
shqiptarëve për mbrojtjen e saj, në “Studime Historike”, Tiranë, 1996,
nr.l-4,f.7; H. Holland, Thessaly, Macedonia, London, 1819. Vargun e
dëshmive, që shkruajnë për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme, do ta
mbyllim me dëshmitë e dijetarit anglez Ë.M. Leake, i cili ishte si
konsull i Britanisë së madhe në Janinë në dhjetëvjetëshin e parë të
shek.X!X, (1807- 1810), shkruante se “Kufijtë e Shqipërisë në bregdetin e
Epirit arrijnë deri në Prevezë”. Ë.M. Leake, Researches in Greece,
London, 1814, f. 156.’Sp. Mouselimi, Istorikoiperipatai ana ti
Thesprotia, 1976, f.41).
TË HUAJT PËR ÇAMËRINË
Të huajt i tërhiqte një kureshtje e
fortë drejt Epirit, për shkak të ngjarjeve që zhvilloheshin aty, nën
frymëzimin e një qeveritari të ri dhe të një populli të vogël e të
panjohur shumë deri atëherë. Të gjithë autorët që u morën me çështjen e
çamëve, pohojnë prerazi se ata janë shqiptarë dhe i njësojnë me
suliotët. Për të ilustruar këto pohime, do të përmendim një varg veprash
të autorëve të huaj, disa prej të cilëve janë përkthyer pjesërisht e
pasqyruar në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Në atë revistë njihemi
me një material të bollshëm si dhe shënime të nxjerra nga veprat e
autorëve të huaj, ku pasqyrohet etnia shqiptare e banorëve të Çamërisë.
Trajtimin e problemit etnik për popullsinë e Epirit në mesjetën e
hershme për mungesë të dhënash burimore e vështirëson problemin. Midis
burimeve historike që hedhin dritë për problemin që trajtojmë është me
interes të përmendim një dokument venedikas të vitit 1210 i cili bën të
njohur se kontinenti përballë Korfuzit banohej nga shqiptarë
(arbanense). Autorët e kësaj periudhe qofshin ato grekë apo të huaj
shënojnë edhe për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme. Kur bëhet fjalë për
Çamërinë, Thesprotinë e lashtë, në shek.XIII, burimet e kohës e
evidentojnë me emrin “Vajenetia”. Çamëria më 1204 njihej si njësi e
vogël administrative e Themës së Durrësit dhe e Arbërit dhe herë si
Themë më vete.(Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e
shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 70). Në fillim
të shek.XIII, mitropoliti Naupaktet, Apokauki shënonte kufirin ndarës ku
flitej gjuha greke, në veri deri në Grebene, sipas Apakaukut jetonin
“bashorefenët”. Historianët e lashtë si Tuqidi, Efori, Straboni, Skimni e
gjeografët e tjerë të lashtësisë kishin treguar, që kundrejt grekëve,
epirotët ishin “barbarë” (jo helenë). Turqididi thotë dhe e përsërit pa
pushim se epirotët janë “barbarë”, pra të huaj, se ata flasin një gjuhë
të pakuptueshme për grekët. Anuk ishte Herodoti që i konsideronte
epirotët dhe maqedonasit të huaj? Të njëjtën gjë ‘thonë dhe Straboni dhe
Plutarku. Madje Demosteni lëshonte shigjeta therëse kundër ushtarëve të
Filipit të Maqedonisë.(Burimi: Mithat Frashëri, Çështja e Epirit,
Tiranë, 1998, f.30.). Gjeografi francez Malte Brum për Epirin thotë:
“Epirin, të gjithë autorët grekë e përjashtojnë nga Greqia. Kantonet e
tij kryesore, thotë Siraboni, kanë qenë në Kaoni, Thesproti dhe në
Mollosi. Straboni dhe Plutarku na kujtojnë se epirotët flisnin një gjuhë
të veçantë…”(Burimi: Rechus, Gjeografia Universale, Paris, 1875,
vëll.l, f.185). Shqipëria identifikohej pikërisht me Epirin dhe gjuha
shqipe vetë thirrej gjuha epirote (lingua epirotika).
Më tej:”Është me rëndësi të theksohet se
në gjysmën e parë të shek.XIV shqiptarët gjendeshin brenda Epirit të
vjetër, krejt afër “Vajenetisë”, në Çamëri e Pargë dhe ata, popullonin
hapësirën mes dy lumenjve Kalama-Aheron.(Po aty).
KRONIKAT GREKE: ÇAMËRIA ËSHTË SHQIPTARE!
“Kronika e Janinës” dhe “Kronika e
Tokove”, dy burime të çmuara për historinë e Epirit në shek.XIV-XV, i
përmendin shqiptarët si element i vetëm masiv që popullojnë Epirin.
Autori anonim i “Kronikës së lokove”, kur flet për zonat e banuara në të
gjithë drejtimin e Pargës-Paramithi-Janinë apo Artë-Janinë shpreh qartë
karakterin etnik shqiptar të popullsisë. Kujtojmë se si përfaqësues të
etnisë shqiptare, familjet e mëdha shqiptare Shpatajt dhe Zenebishët në
vitin 1304 pronat e tyre i shtrinin në brezin bregdetar midis Himarës,
Gjirokastrës dhe Prevezës. Ndërsa si përfaqësues i etnisë shqiptare në
fund të shek.XIV dhe në çerekun e parë të shek.XV përmenden dhe
Mazarekët të vendosur në një vend në rrethinat e Margëlliçit. Një
dokument nga arkivat e Perandorisë Osmane mbi regjistrimet e popullsisë
në vitin 1431, përmendet edhe fshati Mazërrek, në afërsi të Margëlliçit
në Çamëri me 25 shtëpi.(Burimi: Imalçik Halil Suret Defter-i Samak
Arvanid, Lib.I, Ankara, 1954).
DËSHMI TË AUTOKTONISË
Mazarekët rreth vitit 1380 pasqyrohen në
burimet historike si fis i fuqishëm politik dhe ushtarak. Pronat e tyre
kishin një shtrirje të gjerë në hapësirën çame dhe juridiksioni i tyre
që ishin nën kontrollin e Mazarekëve ishte ndërmjet Pargës dhe Ajdonatit
(Paramithisë) Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e
shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 79). Panajot
Aravantinoi shkruan për Mazarekët se shquheshin si luftëtarë trima dhe
kundërshtarë të vendosur kundër despotatit të Janinës, Izeu
Boudelmontit, afer Dhivrit në Çamëri. (Burimi:Pan. Aravantinou,
Hronographia…, Vëll.Il, f.44, 105). Siç shihet që në fillimet e shek.
XIV formacionet e feudalëve shqiptare në Shqipërinë e Poshtme dhe prania
e shqiptarëve në Epir ishte absolute. Karakterin etnik shqiptar të
popullsisë së Epirit do ta pohojë edhe një dokument i fillimit të shek.
XV në të cilin bëhej fjalë për gjendjen etnike të Epirit kur sundimtari i
tij u bë konti italian Karl Toko. Aty ndër të tjera thuhet: “…sundoi ai
në të gjitha anët e vendit (Epir), i cili në kohëra të vjetra ka qenë i
ndarë në fise:Etolët, Akarnananët, Thesprotët, Mollosët, Kaonët… etj.
Këta fise të vjetër e të shumtë që në të kaluarën kishin burra shumë
trima, tani i ka pushtuar një varfëri… Por edhe tani ai (Epiri) banohet
nga shqiptarët, popull i lirë, që jetojnë të shpërndarë në grupe të
vogla ose në fshatra, por që të gjithë ndryshojnë prej grekëve, qoftë
nga gjaku qoftë nga gjuha.(Burimi:P. Xhufi, artikull i përmendur). Viset
në jug të maleve Akrokeraune e deri në gjirin e Artës, mbi bazën e
përbërjes etnike shqiptare përfshiheshin nën emërtimin “Shqipëri”
(Albania). Kështu, “Albania” e quajnë dokumentet e shek.XIV krejt pjesën
kontinentale përballë ishujve të Korfuzit deri poshtë gjirit të
Ambrakisë në derdhje të lumit Akeloos.(Burimi i mëparshëm).
DOKUMENTE TË VENEDIKUT
Emigrimi i shqiptarëve nga Epiri drejt
tokave greke që nisi në gjysmën e parë të shek. XIV sado e madhe që të
ketë qenë, shkruan Pëllumb Xhufi, Epiri prapëseprapë mbeti edhe pas
kësaj treve shqiptare. Në vitin 1444 dokumentet venedikase flasin për
një rimëkëmbje ekonomike shqiptare në Epir. Nga portet Epirote të
Frarit, Pargës e Gumenicës niseshin drejt Venedikut e Raguzës sasi të
mëdha gruri. Në këto dokumente popullsia e rretheve të Pargës,
Margëlliçit dhe Janinës quhej shqiptare. (Burimi: Versuch einer
Guschichte von Parga, Heinrich Mercy Sohn Verlang, Pragë, 1908, f.18,19,
21, 30: P.Xhufi, artikull i përmendur).
Në vitin 1555 Belon du Mans vizitoi
vendet e Epirit dhe konstatoi popullsinë shqiptare të atij vendi. Së
fundi, gjeografi i njohur turk Piri Reisi, i fundit të shek. XV –
fillimi i shek. XVI duke përshkruar bregdetin Jonian, pohon qartë se
popullsia e viseve të Pargës ku ai u ndal posaçërisht, ishte
shqiptare.(Burimi:Dokumente dhe materiale sipas librit të udhëtimit të
admiralit osman Piri Reis në: “Studime historike”, nr.3, 1981, f.224).
DEFTERI TURK
Përkatësia etnike e shqiptarëve në
Çamëri e gjen pasqyrimin e vet në Defterin e hollësishëm osman të
sanxhakut të Delvinës, të vitit 991 (1583), ku janë regjistruar emrat e
kryefamiljarëve të qendrave të banuara, qyteteve e fshatrave. Duke
shfletuar fletët e këtij defteri vihet re se shumë kryefamiljarë mbajnë
emra të krishterë të fushës onomastike shqiptare, si: Lekë, Gjin, Zhupë,
Gjon, Nik, Dedë, Gjeta, ose emra të krishterë të trajtës së
shqiptarizuar si Pavël, Vasil, Kol, Pal, Jorgo, Kosta, Andrea, Dhimo
etj..(Burimi: F. Duka, Realiteti etnik i Dropullit, në “Studime
historike “, Tiranë, 1991, nr.3-4). Nga ky defter po publikojmë për herë
të parë antroponiminë e disa fshatrave të qytetit të Filatit dhe
Paramithisë. Në fshatin e Keskës 100% të kryefamiljarëve mbajmë
antroponiminë shqiptare. Fshati Koskë(në Filat), në vitin 1583, kishte
182 kryefamiljarë, fshati Guyrrëz 34 kryefamiljrë, fshati Imlahor (varej
nga Parithimia-Ajdonati), në vitin 1583 kishte 42 kryefamiljarë, etj…
Mund ta shtrinim edhe më shumë listën
emërore të kryefamiljarëve në fshatrat e qytetet e Çamërisë nga defteri
osman, por nuk e pamë të arsyeshme, sepse listat do të ishin të njëjta
me emra të krishterësh katolikë në trajtën e shqiptarizuar. Sidoqoftë,
prania në regjistrat osmane e emrave karakteristikë dhe ekskluzivisht
shqiptarë, vërteton konkluzionin e përgjithshëm se popullsia e Çamërisë i
përkiste etnisë shqiptare.
TOPONIME SHQIPTARE
Sipas këtyre regjistrimeve kadastrale të
shek. XVI (Regjistrimi i Delvinës dhe Regjistrimi i Janinës i vitit
1583) del se shtrirja e vendbanimeve shqiptare ishte e dendur dhe me
antroponimi të pastër shqiptare. Popullsia shqiptare në hapësirën e
Çamërisë, krahas antroponimisë thjesht shqiptare, kishte krijuar dhe
toponimi shqiptare dhe këtë e hasim në krahinën e Paramithisë, të Sulit,
të Margëlliçit, të Gumenicës e të Pargës si në emërtimin e fshatrave
ashtu dhe të vendeve si psh fshati Ledhës në Gumenicë, fshati Rrapëz e
Zeri në Pargë, ose emrat e fshatrave: Gardhiq, Vreshta, Grikohor, Grika,
Morfat, Spatharat, Sharat, Nëneshat, Lopës, Mazërrek, Kuç, Currile,
Luarat, Ninat, Markat. Historiani grek, Jani Llambridis, kur shkruan për
Sulin, shtrirjen dhe kufijtë e tij, përmend një varg toponimesh që janë
thjeshtë shqiptare si fshati Vilë, Balla, Dora, Çifliku, Kukuli,
Lugati, Birbili, Gorrica, Kodër, Qafaetj.(Burimi:(Jani Llambridis,
Epirotika Meletimata, Athinë, 1904, f.7,8,9, 12 e në vazhdim).
Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues ‘at’
lidhet me prapashtesën ‘ates’, e cila takohet në emra fisesh ilire si
Labeates, Dokleates etj. Në disa fshatra të Çamërisë brez pas brezi në
shekuj janë ruajtur toponime malesh, prenjsh, fushash, luginash e arash
si toponime të pastra shqipe si p.sh. “Mali i Glatë” (në fshatin
Dramës), “Lisi i Lorit”, “proi i Thellë”, “Palo Vreshtat”, “Gropa e
Madhe”, “Bira e Vllahut”, “Nënshkëme”, “Hora”, “Guri i Bardhë”, “Bota e
Bardhë”, “Burimet”, “Bregu i Angjelit”, “Klishëza”, “Mulliri i Fikut”,
“Shegëza”, “Kodrëza e Vidhit” etj.
GENOCIDI FASHIST GREK
Nië vitet që pasuan, Qeveria Greke, nisi
t’i intensifikojë veprimet e saj antishqiptare në fillim pushtimin e
Çamërisë me forcaushtarake dhe më pas me përpjekje për spastrimin etnik
të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria. Ndërkohë Athina pas shpërnguljes
me dhunë të çamëve nga bandat e Napolon Zervës dhe të forcave qeveritare
greke për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri,
ka ndryshuar toponiminë e fshatrave duke i zëvendësuar ato me emra grek.
Kështu p.sh. fshatin Gurrëz e kanë emërtuar me emrin “Palokastro e
Sipërme”, fshatin Picar në “Aetos”, Koriqanin në “Ahllavia”, Skupicën në
“Kestrin”, Lopsin në “Asproklisi”, Spatarin në “Trikofor”, Galbaqin në
“Elia”, Dolanin në “Jeroplatanos”, Peshtanin në “Kriovrisi”, Smokovinën
në “Sikohor”, Salicën në “Llaka”, fshatin Vreshta në “Andelia”, Kuçin në
“Poliner”, Arvenicën në “Argjirotopos”, Nistën në “Foskamilia”, Arpicën
në “Perdhika”, Volën në “Sivota”, Rrëzanjin në “Shën Ajia”, Rrapëzën në
“Ajthusa”, Vrastovën në “Palokastro”, Kurtesin në “Mesovun”, Mininën në
“Nerajdha”, Curilën në “Kalithea”, Ledhëzën në “Lladohor”, Varfanjin në
“Parapotam”, Koshovicën në “Shën Maria”, Luaratin në “Katovother” etj.
Sado që të përpiqet administrata greke për të zëvendësuar onomastikën e
emrave të fshatrave në Çamëri, që është aq e lashtë sa vetë autoktonia e
shqiptarëve në ato troje, çami në breza do ta gjejë pa vështirësi
tokën, fshatin e të parëve të tij, pavarësisht nga emërtimet që ka.
Regjistri i Janinës (1583) e shtrin zonën e përhapjes së vëndbanimeve
shqiptare dhe popullsinë e tyre autentike shqiptare edhe në zonat
periferike të Epirit. Kështu p.sh. nga Defteri i Janinës mësojmë se në
nahijen e Prevezës, që përfshinte dhe Prevezën, Kravarin me fshatrat e
saj, antroponimia e vendeve si Zallonga, Shapata, Likursi, Karula,
Zermeni, Nikolic, Zerni, Flambur, Poliofor, është një antroponimi e
pastër dhe pa asnjë mëdyshje shqiptare. Të dhënat që përmendëm provojnë
se Çamëria daton nga Mesjeta dhe hyri në kohën e re si një trevë
thellësisht shqiptare.
Historiani Hajredin Isufi
Hajredin Isufi ka lindur në Çamëri (në
fshatin Rrezanj – Gumenicë) më 25 dhjetor 1935. Më 1962 u diplomua në
Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori – Filologji. Ka punuar si
arsimtar. Që nga viti 1964, është marrë në vijimësi me studime për
historinë e Çamërisë. Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin
e historisë, Tiranë. Ka botuar librat: “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom
Nikollë Kaçorri”, “Studime Historike”, 1986, “Politika e shtetit grek
për dëbimin e popullsisë çame në vitet 1914-1928”, “Studime Historike,
1993 (1-4), Tiranë 1997”, “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe
lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj” (bashkautor me prof. Dr.
Pëllumb Xhufin), etj…
Që nga viti 1965 e deri në vitin 1990 ka
bashkëpunuar me të gjitha organet e shtypit shqiptar dhe ka shkruar
qindra artikuj për ngjarje historike dhe figurat e shquara të Rilindjes
Kombëtare Shqiptare, Ndër ‘to mund të përmendim: “Një këngë të kohës së
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, Tiranë, 15 mars 1981; “Çamëria,
fakte të vërteta dhe të stisura”, Koha Jonë’, 13 tetor 2002 (replikë me
historianin grek, Llambros Baliciotis); “Përgjigje greko-amerikanit
(Geixh). Koha Jonë, 16 dhjetor 2002; “Musa Demi dhe qëndresa çame
1800-1947″, Tiranë 2002, është monografia e tij e parë; “Çamëria,
studime historike-sociologjike”, Tiranë 2006; “Roli i Nikollë Kaçorrit
dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (në “Çështja Çame
dhe integrimi evropian”, Tiranë 2005 (bashkautor), etj….
No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *