Thursday, September 25, 2014

"Shpëtimtari i Ilirisë"Aureliani-Perandor Romak 270 - 275

"Shpëtimtari i Ilirisë"
Aureliani- Lucius Domitius Aurelianus- Perandor Romak 270 - 275
Lindi në Sirmium 9 shtator 214 - vdekja, Bizant 25 shtator 275

Lindur në Sirmium, që ishte kryeqendra e Panonisë, provincë me shtrirje mjaft të gjerë dhe e banuar nga ilirë. Aureliani në fillim kishte qenë ushtar i thjeshtë dhe më pas u bë kryekomandant i kavalerisë. Gjatë betejave të përgjakshme me armiqtë kishte dalë gjithmonë fitimtar dhe për këtë i kishin dhënë shumë tituj, por titulli më i lartë për të do të ishte "Shpëtimtari i Ilirisë".

Aureliani, i cili komandonte ushtrinë në Iliri duke mos përfillur Galienin (perandorin) mori pushtetin që i dhanë ushtarët”. Aurel Viktori thotë se “Aureliani rridhte nga një baba i thjeshtë i cili, siç na tregojnë, ka qenë kolon i shumë të ndriturit senatorit Aurel diku mes Dakisë dhe Maqedonisë. Autropi thotë se “mbas tij (Klaudit) e mori sundimin Aureliani i lindur në Dakinë Ripense”. Pra ishte nga Iliria. Ai arriti të thyejë alemanët që kishin hyrë deri në Itali dhe kërcënonin Romën. Për të mbrojtur Romën nga dyndjet gjermanike në vitin 272, ai ngriti murin 18 km të gjatë dhe 9 m të lartë që është edhe sot në Romë. Këto mure janë pagëzuar me emrin e tij si “mure Aureliane” dhe janë të punuara me një tullë të kuqe të pjekur mirë. Pasi zhduku gotët, ai kapërceu Danubin dhe vrau princin e gotëve, Kanabën, së bashku me 5 mijë ushtarë. Nga dyndjet gote provincat romake të perëndimit ishin shkëputur nga Roma, ndaj ai ndërmori një fushatë ushtarake dhe rimori sërish Galinë (Francën), Britaninë dhe Spanjën, që ishte një fitore e shkëlqyer historike, të cilën dhe vetë Cezari do ta kishte pasur zili.


Pas kësaj iu drejtua lindjes, pasi disa zotërime romake ishin shkëputur nga perandoria. Për këtë iu desh të luftonte me mbretërinë e Palmirës, që kishte zgjeruar kufijtë, duke marrë zotërimet romake gjatë kohës që perandorët ishin të zënë në luftërat me gotët. Bëri përpjekje që t’i merrte me diplomaci, por ishte e pamundur, sepse në krye të kësaj mbretërie ishte një grua tepër dinake e quajtur Zenaria, ndaj u detyrua të përdorte forcën ndaj saj duke shkatërruar mbretërinë dhe duke zënë rob lufte mbretëreshën. Gjatë qeverisjes së shkurtër, ai i ktheu lavdinë Romës, sepse vendosi nën sundimin e saj përsëri Britaninë, Francën, Spanjën, Egjiptin, Azinë e vogël, Sirinë territore që Romës i ishin dashur shekuj t’i bënte të sajat ndërsa Aureliani i bëri për 5 vjet; këtu qëndron dhe madhështia e këtij perandori ilir.

Aureliani në vitet e fundit të mbretërisë së tij nxori një dekret në 274 kundër të krishterëve. Shkaku i ediktit u bë një nga këshilltarët e tij Porfiri, i cili ishte themelues i neoplatonizmit. Ai shkruan një vepër me 15 volume “Kundër të Krishterëve”. Aureliani besonte në kultin e Mitrës dhe të hyjnisë së Diellit. Të gjithë shtetasit e Perandorisë Romake kanë qenë të detyruar t`i nënshtrohen këtij kulti. Meqënëse të krishterët nuk pranuan, u shpallën armiq të shtetit. Gjatë kësaj përndjekje u martirizua Papa Feliksi (269-274) kurse në Gali u martirizua Peshkopi Reverian e presbiteri Pal. Mirëpo edhe Aureliani vritet pas një komploti në vitin 175. Përndjekja e Aurelianit ka qenë e shkurtër dhe më pak e përgjakshme. Aureliani mbretëroi rreth pesë vjet dhe u vra gjatë marshimit të ushtrisë së tij nga Bizanti drejt Persisë.
Autorët romakë të kohës e kanë vlerësuar këtë figurë kështu : “Shteti ynë, pas fatkeqësive të Valerianit dhe të këqijave të Galienit, pati filluar të marrë veten gjatë sundimit të Klaudit, por ai u rimëkëmb kur Aureliani filloi të korë fitore në të gjithë botën. Ai na dha Galinë, çliroi Italinë, shpëtoi Vendolikët nga zgjedha e robërisë barbare. Në saj të fitoreve të tij u rivendos pushteti në Iliri dhe Thraki”. Në këtë vlerësim del qartë në pah që Roma kishte humbur të gjitha territoret e saj dhe ishte Aureliani që ia riktheu dhe e bëri sërish perandori. Aureliani nuk kishte marrëdhënie të mira me senatin, për këtë arsye senati i bëri disa komplote, të cilat u zbuluan dhe komplotistët u ekzekutuan. Megjithatë ai pati shumë armiq të brendshëm, të cilët e vranë në 275 gjatë fushatës në lindje, edhe pse ai ishte një perandor i madh dhe i dha shumë perandorisë. Për veprën e tij si perandor ai cilësohet si i Madh, duke u futur në rangun e perandorëve më të suksesshëm të Romës për 5 shekuj.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *