Wednesday, December 09, 2020

Intervista / Murat Hashani: Si u krijua komuniteti shqiptar në Kanada

 

Në kuadër të 30- vjetorit të themelimit të Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze të Torontos, për gazetën “Diaspora

Shqiptare”zhvilluam një intervistë  me kryetarin e saj të parë z. Murat Hashani, i cili ka qenë aktiv plot tridhjetë vjet. Ai, gjatë gjithë kësaj kohe ka shërbyer edhe si nënkryetar, anëtar kryesie, ndërsa prej vitesh është anëtar i Këshillit të Nderit të shoqatës…

 

Kur keni ardhur në Kanada më 1979 komuniteti shqiptar ka qenë i vogël në numër. A ju kujtohet, si i gjetët shqiptarët e Torontos dhe Kanadasë?

Shumica e shqiptarëve që unë kam takuar në Toronto kanë qenë me prejardhje nga Maqedonia, por ka pasur disa familje nga Kosova e më pak nga Shqipëria. Në atë kohë shqiptarët që i gjeta këtu kryesisht kanë qenë të preokupuar me situatën në Shqipëri dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, dhe në të gjitha takimet më shumë flisnim për mundësinë e angazhimit atdhetar se sa për të ardhmen tonë në Kanada. Kishte shumë veprimtarë të Ballit Kombëtar, Lëvizjes së Legalitetit, Lidhjes së Dytë të Prizrenit, shumica e të cilëve luftonin me çdo kusht për ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri apo edhe për bashkimin kombëtar. Zakonisht mblidheshim në Xhaminë Shqiptare të Torontos ose nëpër kafenetë me pronarë shqiptarë, që në atë kohë ishin të pakta. Ende më kujtohet fakti se disa familje kanë qenë familje patriotike, dhe mund të bënin çdo gjë për mbrojtjen e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi, dhe shqetësoheshin me situatën në Shqipëri e në Kosovë. Në fillim kisha pak problem me gjuhën angleze, sepse në Kosovë kam mësuar pak frëngjisht në shkollë, shoqërohesha më shumë me shqiptarë, e me kanadezët rrija nëpër vendet e punës. Pas protestave të vitit 1981, kur situata në Kosovë nisi të keqësohej u shtua numri i të rinjve nga Kosova në Kanada të cilët vinin përmes kanaleve të ndryshme të Evropës. Duke kaluar vitet, u rrit numri i shqiptarëve në Kanada, sidomos në Toronto, dhe u shtua edhe numri i familjeve shqiptare të cilat kishin nevojën e një organizimi këtu.

 

Pas dhjetë vitesh, pra më 1989, jeni bërë pjesë e Këshillit Nismëtar për të vënë bazat e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze me qendër në Toronto, që u finalizua pas një viti. Nga kush përbëhej grupi i punës fillestare?

Ne, ndonëse jetonim larg, dhe me shumë pak informata që vinin nga atdheu, ndjenim dhimbje për ato që po ndodhnin atje, dhe gjithmonë në forma të ndryshme jemi solidarizuar me popullin tonë qoftë duke organizuar protesta para konsullatave dhe ambasadave të shteteve faktorë, qoftë duke mbledhur fonde të ndryshme. Organizimi për themelimin e një shoqate ka filluar në vitet ‘87- ’88, në fillim si shenjë proteste me situatën në Kosovë, duke organizuar protesta para konsullatës ish-jugosllave në Toronto, ku shprehnim brengën tonë për shtypjen që ai shtet ua bënte shqiptarëve. I kemi sinkronizuar protestat tona me shqiptarët e Diasporës në SHBA dhe Evropë secili duke shfrytëzuar lidhjet tona që i kishim atje dhe që i kishim krijuar këtu me politikën kanadeze. Meqenëse komuniteti ynë ishte i lidhur me lëvizjen tonë kombëtare në fund erdhëm tek përfundimi për formimin e asaj që më vonë do të njihej si Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze e Torontos, e cila në fillim mblidhte shqiptarët jo vetëm të Ontarios, por edhe më gjerë. Mund edhe të kem harruar, por kujtesa ime e thotë se Këshilli Nismëtar përbëhej nga miq e dashamirë si: Gani Mezani, Sadik dhe Hysni Malushaj, Naim Hashani, Afrim dhe Nesim Gashi, Behxhet Xhemajli, Sherif dhe Sinan Xhaferi, Sahit Thaçi, Lulzim Kallaba, Isa Mehmeti, Shani Mula, Agim Hadri, Iljaz Loku, Sami Shabani, Flamur, Shkëlqim dhe Ramadan Capa, Naser Berisha, Skënder Gerbaq, Ymeri dhe Ragipi nga Ferizaj, Ahmet Krasniqi, unë, etj. Më vjen keq për emrat që mund t i kem harruar…

 

Ju jeni zgjedhur kryetar i parë i saj. Si ndiheni ju që shoqata ka vazhduar për tridhjetë vite aktivitetin? A keni qenë gjithmonë anëtar i saj?

Kur e kemi formuar Grupin Nismëtar më kanë zgjedhur kryetar. Këtë pozitë e kam mbajtur gjatë procedurës së regjistrimit, mbledhjes së anëtarësimeve të para, komunikimit tonë me autoritetet kanadeze rreth kësaj çështjeje, dhe deri në Kuvendin e Parë Zgjedhor. Në atë kuvend, kryetar u zgjodh Halit Hoxha, ndërsa unë u zgjodha nënkryetar, e me të cilin kam bashkëpunuar me vite të tëra. Deri në vitin 2000 kam qenë në të gjitha kryesitë, mirëpo disa vite jam tërhequr për shkak të shëndetit, e me kalimin e kohës jam rikthyer për të qenë anëtar i Këshillit të Nderit të shoqatës. Për t’ju përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, më duhet të them se nga fillimi e deri më tani kam qenë gjithmonë anëtar i shoqatës, natyrisht me të drejtat e plota për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, siç e parasheh statuti i saj.

Si e pritën shqiptarët e Ontarios formimin e shoqatës?

Shqiptarët e pritën me entuziazëm formimin e shoqatës. Kemi pasur përkrahje të madhe prej gjithë komunitetit, sepse ishte hera e parë që shqiptarët organizoheshin pa marrë parasysh bindjeve politike, besimit fetar, dhe ajo çka ishte më e rëndësishmja kishte shume shqiptarë nga të gjitha trevat tona që u bashkuan dhe na dhanë përkrahje të madhe. Edhe Xhamia Shqiptare e Torontos, na ka ofruar përkrahje prej fillimit, duke na ofruar për shërbim objektin e saj, ku për një kohë mbanim mbledhjet dhe aktivitetet tona të fillimit.

 

Ku rrinin shqiptarët në vitet e 80-të? Nëse keni njohuri, sa ka qenë numri i tyre në Toronto?

Kryesisht shiheshin në kafenetë e shqiptarëve, që ishin të pakëta, nëpër shtëpitë e njëri-tjetrit, e kudo që kishim mundësi. Jemi mbledhur edhe në xhami. Bile, me formimin dhe organizimin më të mirë të SHBSHK, shumica e anëtarëve të xhamisë na u bashkuan dhe na përkrahën. Krijuam shoqëri edhe jashtë Torontos, dhe shkonim tek njëri-tjetri. Nuk mund ta them numrin, sepse asnjëherë nuk e kemi ditur, por nga ardhja ime këtu, çdo vit janë shtuar qindra shqiptarë të rinj. Nuk më kujtohet kur, por si grup e patëm hapur një klub shqiptarësh, të cilin e quajtëm “Ismail Qemali” me adresë në Keele dhe Dundas në Toronto, që përdornim për mbledhje, për rregullimin e pankartave për protesta, e shumë punë tjera…

 

Cili ka qenë roli i shoqatës dhe i shqiptarëve të Kanadasë në epokën e ardhjes së demokracisë në Shqipëri, prishjen e ish-Jugosllavisë, dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës?

Siç e thashë edhe në fillim shoqata jonë u formua tek mblidheshim për të dhënë kontributin tonë për çështjen kombëtare. Pos anës politike, mbaj mend se kemi dërguar ndihma materiale në Shqipëri në kohën e tranzicionit. Gjithashtu vite më vonë kemi përkrahë 3 përqindshin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, Fondin “Vendlindja Thërret”, dhe së fundi kemi dhënë ndihma financiare edhe për situatën e krijuar në Maqedoni në fillim të këtij shekulli dhe në Luginë të Preshevës.

Me çka jeni marrë në fillim kur keni ardhur në Kanada dhe me çka merreni tani?

Para se të vija në Kanada, e kam përfunduar Shkollën e Mesme Teknike në Prishtinë, dhe kam studiuar në Fakultetin Teknik- dega Elektronikë në Universitetin e Prishtinës, studime që i kam ndërprerë për të punuar në Radio Televizionin e Prishtinës si teknik në sallën e sinkronizimit. Gati prej fillimit të ardhjes në Kanada kam punuar në industrinë elektronike, ndërsa tani jam pensionuar.

Ju shohim aktiv në jetën komunitare shqiptare edhe sot. Sa ka ndryshuar forma e organizimit të shqiptarëve në Toronto?

Po, gjithmonë kam qenë aktiv. Tani jam anëtar i rregullt i Këshillit të Nderit të Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze, me të cilët punoj me kënaqësi. Nga brezi në brez, shoqata ka kaluar nëpër shumë sfida të ngritjeve e rënieve, por sot mendoj se ka kuadër të cilët mund ta udheheqnin një shtet e lëre më një shoqatë si kjo e jona. Mund të them se me kalimin e viteve gjërat kanë ndryshuar për të mirë, pos këtij viti ku pandemia ka krijuar kushte të jashtëzakonshme, për të cilën lutemi ta kalojmë sa më mirë.

Në shumë qendra të mëdha të Kanadasë, sidomos në dekadën e fundit janë formuar edhe shoqata të tjera që organizojnë në forma të ndryshme shqiptarët. Sa i përcillni këto?

Ndonëse qytetet janë larg njëri-tjetrit, unë ndihem anëtar i të gjitha shoqatave që janë formuar pas shoqatës sonë. Dihet se duke u rritur numri i shqiptarëve është rritur nevoja dhe dëshira e organizimit komunitar nëpër qytete të ndryshme. Shfrytëzoj rastin të theksoj se shumë nga ata që e kishin themeluar shoqatën tonë, kur janë larguar nga Toronto për të jetuar nëpër qytetet tjera kanë dhënë kontribut edhe aty ku kanë shkuar. Rasti më i freskët është edhe formimi para dhjetë vitesh i Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit, ku disa nga anëtarët e Grupit Themelues të shoqatës në Toronto ia kanë dhënë hapat e parë edhe formimit të shoqatës në qytetin e Hamiltonit. Në këtë kontekst jam i lumtur kur shoh që shoqatat e qyteteve të ndryshme bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, dhe kështu dukemi dhe jemi më të bashkuar.

Cili është mesazhi juaj në tridhjetëvjetorin e SHBSHK?

Jam krenar që komuniteti shqiptar në Kanada është shumë aktiv, falë punës dhe angazhimit të udhëheqësve të shoqatës sonë, e cila ka bashkëpunuar gati me të gjitha shoqatat që janë krijuar më vonë, me institucionet përgjegjëse kanadeze dhe të Ontarios, si dhe me ambasadat e Shqipërisë, Kosovës dhe me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Toronto. Jemi bërë zë i arsyes edhe me shoqatat e etniteteve të tjera në Toronto, duke qenë aktiv edhe në jetën multikulturore kanadeze. U bëj thirrje shqiptarëve të Torontos ta përkrahin shoqatën dhe organizimin sa më të mirë shqiptarëve të këtushëm, sepse duke qenë larg atdheut ne duhet të ofrohemi edhe më shume me njëri-tjetrin!

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *