Thursday, December 12, 2019

Histori shqiptare - Rabia vajza “greke” nga Radomira


Marre nga Gazeta "Rrenjet" shkruar nga Kolec Traboni

Rasti më solli që në Amerikë të njihem me një

vajzë nga New Jersy që fliste greqisht. Ajo e dinte


veten greke dhe vetëm kur rastësisht mësoi se isha

shqiptar, më shkroi jo pa droje “Më quajnë Rabie,

por emrin e pagëzimit e kam Kristovalanda”.




Tregimi i saj ishte sa emocional aq dhe tronditës.

“A ke dëgjuar ndonjë herë për Radomirën” më

pyeste në një letër. Si të mos kisha dëgjuar për

Radomirën. I shkrova se nuk bëhet vend më i bukur

e nuk bëhen njerëz më të mirë se radomirasit.

Theksova se në Shqipëri këndohet një këngë për

vajzat e Radomirës që kishin nam për bukurinë

e tyre dhe kënga është një ndër më të bukurat e

muzikës popullore shqiptare. Ajo u gëzua, por edhe

u trishtua njëkohësisht. Në tregimin e saj thoshte

se babai e xhaxhai i ishin arratisur nga Radomira e

Shqipërisë në vitet ‘50.

Vëllezërit Shavelli kishin shkuar në Jugosllavi

e më pas në Amerikë. Babai, që kishte lënë të

fejuarën në Shqipëri, ishte njohur me një greke

dhe vendosën të martohen, por që të bëhej kjo, ai

qe i detyruar ta ndërronte fenë nga myslimane në

orthodokse. Mbas pak vitesh, kur vajza Rabia ishte

4 vjeç, babai i saj për fat të keq vdiq. Kjo vdekje

solli ndarjen përfundimtare të Rabijes nga njerëzit

e babait dhe miqëve të tij shqiptarë. E shoqja e

varrosi Rifat Shavellin me prift orthodoks grek

ndërsa i vellai e kushërinjtë e tjerë kishin kërkuar

ta varrosnin me ritet e një varrimi mysliman. Që

atëherë xhaxhai i vet Adem Shavelli, ashtu si dhe

shokët e babait, nuk u pa më në shtëpinë e vëllait

dhe mbesën nuk e takoi më kurrë. Këtë ngjarje

Rabije Shavelli e kishte plagë shpirtërore, ndaj

më shkruante se : “Ëndrra ime është të shkoj në

Shqipëri dhe të shoh Radomirën fshatin e babait

tim dhe njerëzit e familjes sime, gjysmën tjetër të

indentitetit tim”. Megjithë përpjekjet e mia dhe

të Lefter Dakut nga Radomira me studime në

Virginia, nuk qe e mundur të krijohej ndonjë lidhje

e vajzës së Rifat Shavellit me njerëzit e vet të cilët

ishin shpërndarë nga Radomira sa në Maqedoni,

Francë dhe Amerikë. Shumë shpejt u këputën dhe

lidhjet tona për shkakun se djali me të cilin ajo

njihej dhe që thoshte se ishte fejuar, ishte një grek

fanatik që i urrente shqiptarët dhe bëri çfarë ishte

e mundur për të këputur të gjitha lidhjet e Rabijes

me gjakun e vet. Madje u shkua deri atje sa

nëpërmjet internetit nisën të dërgonin kërcënime

fizike ndaj kujtdo që do të përpiqej të krijonte

lidhjet e Rabijes me Shqipërinë dhe shqiptarët.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *