Shqipëria ka bërë hapin e madh. Fitorja magjike
ndaj Armenisë i hap rrugën Kombëtares Kuq e Zi drejt realizimit të
ëndrrës së madhe, që ka marrë konturet e realitetit, kualifikimit në
kampionatin europian Francë 2016.
Një përmbysje e mrekullueshme me të gjithë përbërësit e një skuadre
të madhe, karakter, zemër, forcë dhe besim për të mos u dorëzuar kurrë, e
gjitha e arritur në një atmosferë të mrekullueshme me tifozerinë Kuq e
Zi që u bë mushkëria e Kombëtares në Elbasan Arena.Tashmë situata në grup ka ndryshuar dhe llogaritë e pikëve janë shpresëdhënëse. Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë në grup, me 7 pikë, po aq sa Danimarka e vendit të dytë, ndërsa Portugalia pas fitores ndaj Serbisë qëndron në krye me 9 pikë. Për Serbinë dhe Armeninë praktikisht gjithçka ka përfunduar pasi renditen të fundit me vetëm një pikë. Shqipëria vijon rrugën e saj në krahët e ëndrrës me 4 ndeshjet e rradhës, transmeton gazetaolle.
Tashmë të paktën vendi i tretë që siguron play-offin është mëse i mundshëm e madje ekzistojnë dhe shanset reale që Shqipëria të sigurojë një biletë për në Francë edhe duke u kualifikuar se skuadra e tretë më e mirë e të gjitha grupeve, ndërkohë që mund të synojë me këmbë në tokë vendin e dytë. Kuqezinjtë e De Biasit do të zbresin sërish në fushë në 4 shtator, kur do të përballen në Kopenhagen me Danimarkën në një sfidë që në situatën aktuale ngjason pikërisht si një play-off për vendin e dytë, por përpara atij takimi do të luhet një ndeshje tjetër e rëndësisë maksimale.
Një betejë që ndryshe nga të tjerat nuk do të luhet me zemër e grintë, por me mendje te kthjellët e fakte. Në datën 17 prill, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të japë verdiktin e saj përfundimtar në lidhje me ndeshjen e ndërprerë në Beograd me Serbinë. Në Lozanë, Shqipëria kërkon 3 pikët dhe drejtësinë që mungoi nga organet e Uefa-s, dhe duke u bazuar te faktet edhe në këtë aspekt fitorja është shumë më tepër se një hipotezë.
Në Podgoricë pak ditë më parë, ndeshja mes Malit të Zi dhe Rusisë u ndërpre për shumë më pak se ajo që ndodhi në mbrëmjen e 14 tetorit në Beograd dhe mbetet për t’u parë nëse komisionet e Uefa-s do të përdorin të njëjtin metër si me Shqipërinë edhe me Rusinë. Beteja e Shqipërisë në KAS ka të bëjë në fakt me shumë më tepër se 3 pikët, pasi në thelbin e saj qëndron e drejta, por produkti i një fitoreje eventuale do t’i jepte Kuqezinjve kryesimin e Grupit I, duke rezultuar një tjetër hap gjigant drejt arritjes më të madhe në historinë e futbollit shqiptar.
No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *