Dervish Cara-Tetova kërkoi autonominë e Shqipërisë para 170 vjetësh
Me rastin e 170 vjetorin e kryengritjes së Derish Cares- Ky Kolos nga
Tetova me tërë forcat e veta iu kundërvu një perandorie të madhe siç
ishte Turqia në atë kohë. Ky komandant u hodh në kryengritje për
përmirsimin e jetës ekonomile dhe sociale të popullësisë të këtyre anëve
pa dallim feje dhe race, duke bërë luftë deri në vdekje për çlirimin e
trevave lindore shqiptare. Prof.dr. Vebi XHEMAILI
Prof.dr.Vebi Xhemaili
Lufta zgjati më më shumë se 5 pesë muaj, nga janari 1844 deri më 21
maj të vitit 1844, kur u kap i gjallë Derish Care me shokë. Ky kolos e
humbi luftën ballë për ballë me ushtrinë e Hajredin Pashës në betejën e
Katllanovës më 21 maj 1844. Gjatë kësaj lufte Komandanti shqiptar nga
Pollogu i Tetovës pati disa takime edhe me diplomat të huaj; anglez,
francez, po ashtu ka qenë i përcjellur edhe nga politika serbe serbe dhe
ajo ruse.
Edhe pse gjatë kësaj kryengritje ishte figura më këmëngulse që
kërkonte publikisht para diplomatëve të huaj se shqiptarëve të
Shqipërisë duhet tu njihet autonomia as më pak as më shumë se ajo e
serbisë dhe Greqisë.
Ky komandant këto kërkesa i parashtroi edhe para Hajredin Pashës, por
të tëra këto kërkesa kombëtare sikur sot e kësaj dite nuk nuk janë
bindëse për historiografinë sllave, pasi disa historian maqedonas në
krye me Matkovskin kanë shkruar vepra vuliminoze, ku kanë tentuar këto
kërkesa dhe trimërinë e pashoq dhe bujarinë e tij ta paraqesin si sllav
apo maqedonas me origjinë torbeshe nga fshati Urviç, që fare nuk kanë të
bëjnë me të vërtetën shkencore, pasi këto shrime të ngjyrosura me
politikë ditore dhe fare nuk i kontribojnë Shkencës së Historisë, pasi
nuk paraqesin realitetin dhe zhvillimet e ngjarjeve historike dhe luftës
së tyre për liri në këtë pjesë të Shqipërisë Lindore gjatë vitetve
1843-1844.
Dervish Cara me luftëtarët e tij
Sipas raportit të konsullit britanik nga Selaniku, gjendja në
Shqipëri pas shpalljes së Gjylhanes u tensionua mjaft. Fillimi i vitit
1943 filloi me trazira lokale në gjithë Shqipërinë. Në mars të vitit
1843, në Selanik erdhi valiu i Rumelisë, Mustafa Nuri Pasha, i cili pati
një konsultim me konsullin anglez. Nuri Pasha haptazi i deklaroi: «Në
Shqipëri i kanë të përzier gishtat agjentët rus dhe francezë për nxitjen
e kryengritjes së popullatës, bile se ka të dhëna që agjentët rus
ndajnë edhe para popullatës për blerjen e armatimit, për t’u çuar në
kryengritje».
Kryengritja shqiptare për herë të parë përmendet në dokumentet serbe,
më 5 korrik 1843, nga prefekti i qarkut të Aleksincit, i cili
lajmëronte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, se Mehmed Pasha i
Shkupit ka kërkuar nga çdo shtëpi shqiptare të japë nga një ushtar
(nizam). Meqë shqiptarët kishin refuzuar kërkesën të rekrutonin ushtarë,
u krijuan përleshje të mëdha në mes kryengritësve dhe njerëzve të
pashës që bënin rekrutimin.
Tetova si qendër e pashallëkut gjatë viteve 1830-1842
Shqiptarët me të shpejtë u grumbulluan në Shkup me mbi 6.000
kryengritës dhe rrethuan qytetin, ku kërkonin nga pashai i Shkupit të
ndërpritet rekrutimi. Mehmet Pasha kërkoi nga kryengritësit që t’i
lejohet të shkojë për në Stamboll dhe të parashtrojë kërkesat e
shqiptarëve, por ata nuk u pajtuan dhe kërkonin që në vend të tij të
shkojë lajmëtari i tij. Në pritje të lajmëtarit, pashai përhapi lajmin
se 40 taborë janë nisur nga Selaniku në drejtim të Shkupit, ndërsa në
ndihmë do të vijë edhe pashai i Vrajës dhe do të bashkohet me ushtrinë e
sulltanit.
Udhëpërshkruesi i njohur për Ballkanin, A. Grizebahu, në vitet e
40-ta të shek. XIX, deklaron: «Havzi Pasha u emërua si udhëheqës në
Shkup, si përfaqësues i vjetër i fisit tetovar. Ky ndan mendimin se fisi
i tij ka sunduar me Sanxhakun e Shkupit «qysh para 200 vjetësh».
Ky, sipas kontaktit që ka pasur kokë më kokë me pashallarët, gjatë
qëndrimit të tij në Shkup dhe Tetovë, u interesua edhe për pakicën
sllave në Shkup dhe jetën e tyre, si dhe ka biseduar për rrethanat
ekonomike dhe politike që përfshinte Pashallëkun e Tetovës dhe atë
Shkupit. Ky territor ishte i ndarë në 14 kaza ose rrethe. Këto ishin:
kazatë e Shkupit, Kaçanikut, Tetovës, Kërçovës, Dibrës, Qustendilit,
Radovishit, Kriva Pallankës, Kratovës e të Koçanës.
Por, sa u përhap lajmi në Shkup për burgosjen e pashallarëve nga
Sulltani, shqiptarët nga hidhërimi me të shpejtë rrokën armët dhe u çuan
në këmbë, gati të gjithë «si me qenë një». Ky rebelim i shqiptarëve, në
korrik të vitit 1843, shtyri vezirin e madh, Mehmet Jusuf Pashën, së
bashku me Hajredin Pashën, të tërheqin fermanin për të mbledhur rekrutë
për sulltanin, kështu që situata pak a shumë u qetësua. Por, në vjeshtë
të vitit 1843, Pashai i Shkupit, Mehmet pashë Jusufi, përsëri dha urdhër
të mblidhen ushtarë të rregullt për Perandorinë Turke.
Shqiptarët nuk pritnin këtë urdhër nga sulltani, që Këto reforma dhe
aplikimi i tyre në Shqipërinë Verilindore, në vitin 1843 , preku në
palcë klasën feudale shqiptare, të pasurit, bejlerët e posaçërisht
pashallarët shqiptarë, të cilët rreth vetes në emër të perandorisë
mbanin ushtarë dhe rroje personale. Me këtë ushtri, ata komandonin sipas
dëshirës dhe nevojës së vet, duke mos i përfillur shpeshherë kërkesat e
sulltanit. Në këto rrethana revolte u paraqit Dervish Aga, një i afërm i
Havzi Pashës, i cili arriti së shpejti ta sundojë tërë Gegërinë. Në
shtator të vitit 1843, Dervish Aga shpalli veten për udhëheqës të
Gegërisë (Shqipërisë Verilindore). Kryengrtija e Dervish Carës falsifikohet nga Tirana dhe Prishtina
Kryengritja e Dervish Cares falsifikohet nga Tirana dhe Prishtina Siç
është e njohur në bazë të dokumenteve Kryengritja e Dervish Cares
filloi në shtator të vitit 1843. Kjo kryengritje filloi si rezistencë
gjithë popullore, por e theksuar ishte në pjesën e Shqipërisë Lindore.
Kjo rezistencë rritej dita-ditës kundra reformave të Tanzimatit, e në
veçanti kundra sulltanit, që këto reforma të mos zbatohen në pashallëqet
shqiptare, ose thënë ndryshe në tërë krahinat shqiptare të Shqipërisë
Etnike, ku prekej interesi i tyre, pasi në këtë territor dominonte
populli shqiptar dhe gjuha shqipe.
Sipas dokumenteve serbe: «Epiqendra e kësaj ngjarje me rëndësi të
madhe ishte në Gegalik (Gegëri). Shtetet sllave të Ballkanit, Shqipërinë
Lindore e kishin pagëzuar sipas popullsisë gege që jeton në këtë pjesë
të Shqipërisë etnike, ata në gjuhën sllave e quanin «Gegalik», toka e
gegëve, territori i gegëve, që nënkupton territorin e Shqipërisë
Verilindore. Po ashtu edhe diplomacia gjermane Shqipërinë e ndanë në
Toskë, që kanë jetuar në Shqipërinë e Jugut, dhe Gegë që përfshinin
territorin e Shqipërisë Verilindore.
Pra historiografia sllave me emrin «Gegalik», quanin territorin e
Shqipërisë Verilindore, të banuar me shqiptarë siç i quanin ata «Gegë»,
kështu thirrej Shqipëria nga të gjithë bashkëkohësit dhe studiuesit e
ndryshëm të kohës. Kryengritja, sipas udhëheqësit të saj u pagëzua;
«Kryengritja e Dervish Cares», e cila filloi në Gostivar, e jo në Shkup,
sipas botimit më të ri të Historisë së popullit shqiptar, të botuar në
Tiranë në vitin 2002.
Poashtu ka edhe një gabim tjetër nga historiografia e Prishtinës, se
kjo kryengritje ka filluar në Prishtinë, ku thuhet gabimisht se: «
kryengritje e madhe shqiptare plasi në vitin 1844 në Prishtinë, duke u
përhap kah Prizreni, Gjakova, Shkupi, Tetova, e cila në fund u shua në
gjak thuhet në librin e Branko Horvatit të botuar në Lubjanë në vitin
1989, f, 37.» Por e vërteta është, se kjo Kryengritje ka filluar në
vjeshtën e vitit 1843 në Gostivar dhe me të shpejtë u përhap në tërë
fushën e Pollogut të Epërm, deri në Tetovë me rrethinë .
Pra epiqendra e kësaj lëvizje ishte në Gostivar, ku në krye të
qytetit qëndronte nëpunësi i Xheladin Beut, që udhëhiqte me Gostivarin, i
cili shumë shpjet u dallua si organizator tejet i aftë. Ky mbante në
atë kohë gradën «Aga», që do të thotë udhëheqës, (Çarshi Agasi-Kryeshef i
policisë), me fjalë të tjera, komandant i qytetit.
Ky në fillim ishte nënoficer te Havzi Pasha pasi ishte edhe dhëndri i
tij, kurse më vonë e fitoi besimin dhe u emërua për udhëheqës te
Xheladin Beu dhe udhëhiqte me Gostivarin. Në nëntor 1843 u shpall i
pavarur nga eprorët e tij; Xheladin Beu i Tetovës dhe Sulltani. Vendlindja e Dervish Carës
Dervish Care është i lindur në fshatin Pallçisht të Tetovës. Ky u bë i
njohur në historiografinë shqiptare mbiemrin e familjes së tij «Care», e
jo si thotë Toskovi e shpalli veten «Car». Toskovi si duket në bazë të
dokumenteve ekzistuese, e ka ngatërruar mbiemrin e familjes të Dervish
Cares me fshatin Caren, nga ka ardhur familja e tij në vitin 1795, nga
fshati Kalis. Ky fshat ndodhet në rajonin e Kalisit përgjatë rrjedhës së
lumit Drin. Ndërsa JOVAN Trifunovski, Albansko stanovnishtvo u
Makedoniji, Beograd 1988, f. 41; ky albanofob pranon se shumë familje
shqiptare mbajnë mbiemrat e fshatrave si është rasti me Dervish Caren
nga fshati Caren përgjatë lumit Drin, krahinë e Kalisit.
Po ashtu emrin dhe etnogjenezën shqiptare të këtij heroi kombëtar
tenton ta ndryshojë edhe vetë Matkovski, në librin e tij në faqen. 787.
me titull «Otporot vo Makedonija» Tom. IV, Shkup 1983, f. 787. i cili në
sqarimin e tij deklaron se: Dervish Care ka qenë me prejardhje
«torbesh». Ky këtë falsifikim bënë për hirë të politikës ditore dhe e
dyta për ta plotësuar në boshllëk të historisë maqedonase që ka dhe do
të ketë në këto hapësira që sot quhen Maqedonia Perëndimore e njohur në
historiografinë shqiptare si trevat e Shqipërisë lindorte.V.Xh.
Ky autor nuk donë të pranojë se familja e tij sot jeton e shpërndarë
në disa fshatra me popullsi shqiptare në fushën e Pollogut dhe më gjerë.
Ndërsa «torbeshët» jetojnë nëpër enklava dhe për nga profesioni
dallojnë dhe shumë vështirë përzihen me të tjerët. Matkovski në fund
pranon «se ishte prijës i shqiptarëve të Veriut». Familja e ngushtë e Dervish Carës
Familja e tij, sipas dëshmive më të reja, në fillim vendoset në
fshatin Urviç. Baba i Drevish Cares quhej Sulejman dhe kishte tre
vëllezër, ndërsa Dervish Cara kishte një vëlla që quhej Isen dhe një
djalë dhe quhej Asllan. Sot trungu i kësaj familje është e shpërndarë në
disa fshatra të Pollogut, deri në Tetovë.
Pas largimit të tre vëllezërve për në Turqi, Dervish Aga-Poda u bë
tejet i njohur, pasi kishte afërsi familjare me nënën dhe të shoqen e
Havzi Pashës, që jetonin në Shkup. Ky kishte përkrahjen e tyre
financiare edhe gjatë kryengritjes. Prandaj, pas luftës, familja e Havzi
Pashës me nënën dhe të shoqen dënohen nga guvernatori i Shkupit,
Hajredin Pasha, me internim në Anadoll.
Ky gjatë sundimit të Xheladin Beut në Pashallëkun e Tetovës, ishte
emëruar për nëpunës në Gostivar dhe u tregua organizator shumë i mirë
dhe tejet i aftë. Ky shfrytëzoi dobësitë e Xheladin Beut si udhëheqës
dhe u bë tejet i njohur në mbrojte të qytetarëve të Gostivarit me
rrethinë, duke apeluar te njerëzit e vet, që mos të japin nizamë. Sipas
dokumenteve serbe; «Dervish Cara ishte nga Tetova dhe ishte një ndër
bashkëpunëtorët më të afërt të Havzi Pashës. Ky për meritat që kishte në
mirëmbajtjen e rregullit dhe qetësisë, paguhej me rrogë mujore prej 500
groshëve-lekëve.
Dervish Care urdhëroi shtabin e vet që me një pjesë të ushtrisë së
tij të kontrollohen pikat strategjike në drejtim të malit Sharr, që
lidhë rrugën e vjetër ilire-romake (Tetovë-Prizren), e cila kalon nëpër
fshatrat Shipkovicë, Brodec, Sellcë dhe Vejcë, për të vëzhguar rrugët e
anës së Prizrenit, për ndonjë sulm eventual të ushtrisë turke prapa
shpine, si ndihmë Xheladin Beut dhe administratës turke në qytet. Tetova
tanimë ishte ndarë në dy pjesë. Njëra ishte me kryengritësit dhe pjesa
tjetër me Haxhi Hasanin, zëvendës i Xheladin Beut.
Ky, në fillim, së bashku me familjen e tij dhe nëpunësit turq, ishte
mbyllur në Kalanë e Tetovës. Më vonë, Xheladin Beu iku në Shkup te
Mehmet Beu, ndërsa një pjesë e mercenarëve të tij operonin në pjesën
veriore të qytetit të vjetër, në drejtim të fshatit Poroj. Këta bënin
rezistencë të fuqishme, duke pritur ndihmën e ushtrisë osmane, për ta
ripushtuar përsëri Tetovën dhe Gostivarin.
Në raportet e të dy konsujve shihet qartë se kryengritësit e pushtuan
Tetovën më 31 janar të vitit 1844. Në raportin e njëjtë që e jep
konsulli anglez, Blanti, thuhet: «Dy udhëheqësit shqiptarë, Dervish Care
dhe Sulejman Toli, me disa mijëra kryengritës janë ngritur në
kryengritje dhe kanë rrethuar Shkupin, i cili në atë kohë kishte 36 mijë
banorë. Pashës iu dha një ultimatum prej 11 ditësh që të lëshojë
qytetin, por nëse këtë nuk do e bënte brenda afatit të caktuar, do të
digjej i tërë qyteti.
Por, Hasan Pasha i cili ishte një shqiptar i ngritur, nuk pranoi
urdhrat e kryengritësve dhe nuk e lëshoi qytetin. Nëna e Havzi Pashës me
të madhe ka ndihmuar kryengritësit. Numri i tyre ishte gjithnjë në
rritje dhe ata ishin deri 1000 vullnetarë. Në këto rrethana lufte, Hasan
Pasha me 1600 ushtarë të rregullt u përqendrua në Kalanë e Shkupit.
Kryengritësit, pas një rrethimi të gjatë, nga fundi i shkurtit hynë në
Shkup.
Tani më qendra kryengritëse nga Tetova u bart në Shkup. Këtu formohet
Këshilli i Përkohshëm i Kryengritësve, në të cilin hynë njerëz sipas
meritave që kishin treguar deri atëherë. Ky këshill e emëron njëzëri
Dervish Caren për Komandat të Përgjithshëm të Kryengritjes. Shtabi
kryengritës, në fillim u vendos në hanin më të bukur që ekzistonte në
atë kohë, pranë Urës së Gurit. Tanimë qytete të tëra mbaheshin në duar
të kryengritësve shqiptarë dhe ata kishin dëbuar nëpunësit turq dhe vetë
e mbanin pushtetin në duart e tyre.
Me hyrjen e shqiptarëve në Shkup, qytet me 36 mijë banorë, dominonte
elementi shqiptar si në kohën e Skënderbeut gjatë viteve 1467-1468. Për
peshën e kësaj kryengritje më të madhe shqiptare flasin edhe raportet e
huaja diplomatike, ku raportohet se qeveria turke po bën përgatitje të
mëdha ushtarake për ta shuar sa më parë kryengritjen shqiptare. Kjo
shihet më së miri në një raport dërguar nga konsulli francez në Selanik,
të datës 12 prill 1843 , «se ka parë një ushtri të madhe prej 32.000
ushtarësh, të cilët janë nisur prej në Edrene për në Manastir, për të
luftuar kundër kryengritësve shqiptarë që kishin çua krye në Tetovë e
Gostivar».
Këtë numër të madh të ushtarëve që e paraqet konsulli francez e
verifikon edhe udhëpërshkruesi rus Viktor Grigorieviç, i cili viziton
Manastirin në vitin 1843, deklaron: «Në Manastir kam parë shumë ushtarë
që ishin të gatshëm për të sulmuar kryengritësit shqiptarë». Ky sllavist
rus ka ushqyer një urrejtje të paparë kundër shqiptarëve.
Nga raportet e konsujve shihet qartë se popullsia myslimane dhe ajo e
krishtere shqiptare me simpati e mbajtën anën e kryengritësve, bile ajo
e ndihmoi me ushqim, në ato kushte të vështira klimatike të dimrit. Ajo
i doli në ndihmë duke i strehuar në shtëpitë e tyre në të gjitha
fshatrat për rreth Shkupit. Por, kështu nuk ndodhi me popullsinë sllave,
e cila haptazi ishte kundër kryengritjes dhe fare nuk mori pjesë, «bile
edhe akuzoi kryengritësit shqiptarë, për abuzime dhe veprime negative
ndaj tyre». V. Xh). Çlirimi i qyteteve tjera të Shqipërisë Lindore
Dervish Care, me udhëheqësit e tjerë, vazhdoi çlirimin e qyteteve
tjera të Shqipërisë Lindore, sipas marrëveshjes së janarit 1844. Kah
fundi i shkurtit, një ushtri tjetër që ishte mbledhur në Vaksincë, nën
komandën e Bajram Vaksincës, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Dervish
Cares, kishte çliruar territore të tëra në Kumanovë me rrethinë. Këta më
vonë çlirojnë Preshevën, Bujanocin dhe bënin përgatitje për të pushtuar
Vrajën, që ishte qendër e pashallëkut.
Në atë kohë, drejtues i Pashallëkut ishte Hysen Pasha. Kryengritësit
shqiptarë nga Presheva, Dobrovojsaka, Bujanoci, Vraja, Leskovci,
Kumanova, Gjilani, Shkupi, Tetova e Gostivari, me eprorët e tyre;
Sulejman Toli-zëvendës, Selman Rogaçicën, Fejzi Tolin nga fshati Tërnoc,
me Ymer Preshevën në krye, nisen së bashku nga fshati Tërnoc afër
Bujanocit dhe sulmojnë rrogëtarët e Hysein Pashës, që i kishte sjellë
nga rrethi i Janinës, Jugu i Shqipërisë.
Ky kur sheh një ushtri aq të madhe shqiptare, fare nuk bëri
rezistencë dhe lëshoi qytetin e Vrajës, duke kërkuar shpëtim te veziri i
Manastirit. Pashallëku i tij shtrihej deri në Grykën e Gërdelicës, ku
bënin pjesë nahija e Bujanocit, Preshevës dhe Kumanovës. Popullsia e
këtyre trevave kishin një urrejtje të madhe ndaj sundimit absolutist të
Hysein Pashës.
Sipas marrëveshjes me Dervish Caren, komandantët e tij, Sulejman Toli
dhe Selim Marku e sulmuan Vrajën, me 15 mijë kryengritës, të cilët në
fillim të prillit arritën ta pushtojnë dhe ta largojnë Hysein Pashën.
Komandanti Sulejman Toli ka qenë i pa lëvizshëm me këmbët, për këtë
arsye gjithmonë udhëtonte në kalë. Ky i ka mbajtur lidhjet për
përgatitjen e kryengritjes me parinë e Prishtinës dhe të Prizrenit.
Kryengritja në këtë kohë kishte përfshirë edhe shqiptarët e rrethit
të Leskovcit, të udhëhequr nga Baba Feka dhe Sejdi Menxha. Këta pasi e
çlirojnë rrethinën e Leskovcit, i drejtohen qytetit, por nuk arrijnë ta
marrin. Në këto luftëra vritet Baba Feka, i cili ishte tmerr për
sunduesit e Perandorisë Osmane. Gjatë pranverës të vitit 1844,
kryengritja u përhap edhe në viset e tjera, duke përfshirë Kërçovën,
Ohrin dhe rrethin e Manastirit. Në këto anë, në organizimin e
kryengritjes u dallua Emin Xhambaz-Kërçova, krahu i djathtë i Dervish
Cares. Hajredin Pasha në bisedë me shtabin kryengritës të Dervish Carës
Komanda turke ishte për marrëveshje me shqiptarët, prandaj e dërgoi
edhe njëherë në biseda Hajredin Pashën, i cili ishte takuar me
kryengritësit edhe më parë.
Ky në këtë kohë ndodhej në Manastir me 4000 luftëtarë. Hajredin Pasha
ishte i njohur për shqiptarët, pasi më 1 gusht 1843 kishte ardhur në
Shkup dhe trojet e tjera shqiptare për të mbledhur rekrutë për
Sulltanin, por hasi në rezistencë të fuqishme nga popullata shqiptare
dhe u burgos në Kalanë e Shkupit nga vetë pasha, për të qetësuar
situatën. Pastaj shqiptarët e dërguan atë në fshatin Konjare, ku gjeti
lidhje dhe iku në drejtim të Selanikut.
Hajredin Pasha, i njohur në këto anë, përsëri mori urdhër nga qeveria
turke që të vijë në Shkup, për biseda. Ky aty nga 8 maji erdhi në
Shkup, me besën që i premtuan kryengritësit dhe i filloi negociatat. Ky i
luti edhe njëherë kryengritësit që t’u nënshtrohen urdhrave të
Sulltanit, të premtojnë se do të sigurojnë redifë për sulltanin dhe do
të paguajnë tatimet e mbetura. Kryengritësit u përgjigjën njëzëri se
kurrë nuk do t’i pranojnë këto kërkesa, për të dhënë ushtarë në anën e
Sulltanit, po ashtu kanë qenë edhe kundër tatimeve.
Hajredin Pasha u largua i zemëruar, ngase edhe kësaj radhe nuk arriti
t’i bindë shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Në largim u
tha: «Atëherë duhet të përgatiteni për luftë». Pa humbur kohë u kthye në
Manastir dhe e paralajmëroi Reshid Pashën se bisedat me shqiptarët nuk
dhanë rezultatet e pritura. Hajredin Pasha e sulmoi Kërçovën dhe i mundi
shqiptarët te Sofa, duke hyrë në Kërçovë pa luftë. Pasi i rregulloi
punët brenda në qytet, me të shpejtë u kthye për Prilep dhe u vendos në
afërsi të Velesit, në pritje të sulmit kundër Dervish Cares.
Pararoja e ushtrisë turke, e komanduar nga Omer Pashë Latasi, u takua
me kryengritësit menjëherë para Grykës së Katllanovës, në ngushticën
kur hyhet nga Velesi për në Katllanovë në drejtim Shkupit, ku shqiptarët
për shkaqe sigurie qysh më parë kishin shkatërruar urën mbi lumin
Vardar dhe kishin zënë pozicione strategjike nëpër shkëmbinj, përgjatë
kësaj ngushtice të ashtuquajtur Taor. Për të qenë më të sigurt në
mbrojte, shqiptarët e kishin prishur edhe urën tjetër mbi lumin Pçinja,
te fshati Katllanovë. Bisedimet e diplomatit anglez Lejard me Dervish Carën
Omer pashë Latasi, në oborrin e vet ushtarak, kishte thirr edhe
diplomatin anglez nga Stambolli, Henri Lejardin. Ky diplomat anglez ka
mbajtur shënime të hollësishme për kryengritjen e Dervish Cares, që i ka
botuar në Londër, në vitin 1903. Ai në mënyrë shumë të përsosur dhe të
përpiktë e përshkruan ushtrinë kryengritëse të shqiptarëve në krye me
Dervish Caren në Shkup.
Ky përshkruan kontaktet tij me krerët e kryengritjes, sjelljen e
mrekullueshme të pararojës shqiptare afër Banjës së Katllanovës, para se
të fillonte lufta ballë për ballë në mes ushtrisë së rregullt turke dhe
kryengritësve shqiptarë, të komanduar nga Dervish Care. Ky diplomat e
përshkruan në mënyrë shumë precize vendosjen e Omer pashë Latasit, me
forcat e veta ushtarake të vendosura midis Velesit dhe Shkupit. Po
ashtu, ky ishte i vendosur me çadrën e tij pranë Omer pashë Latasit,
duke përcjellë çdo hap të ushtrisë turke.
Sipas njoftimit të Lejradit, komanda e kryengritësve shqiptarë për
disa pika u pajtua me kërkesën e komandantit turk, por pika ku
përfshihej kërkesa e shqiptarëve që të hiqej rekrutimi dhe mos marrja
rekrutë nga trojet shqiptare, për të luftuar për interesat e Perandorisë
Osmane.
Kjo pikë ishte e papranueshme për qeverinë turke dhe interesat e saj
afatgjate në strategjinë e luftës. Komandanti turk assesi nuk donte të
dëgjojë këtë kërkesë unanime të kryengritësve shqiptarë, për t’u liruar
nga rekrutimi. Kjo në të vërtetë ishte një ndër shkaqet kryesore pse
shqiptarët kishin çuar krye kundër Sulltanit, që të mos japin nizamë.
Sipas dëshmive dhe përshkrimit të ngjarjeve në prag të betejës, që na
ofron diplomati anglez Lejardi, thuhet: Omer Pasha mbante në vete
njëfarë rezerve, pasi që ishte i bindur se ushtarët e tij duke i njohur
mirë shqiptarët si trima në luftëra individuale dhe kolektive,
ekzistonte mundësia që ushtarët turq të dezertojnë para se të fillonte
beteja kundër shqiptarëve.
Prandaj komandanti i përgjithshëm i forcave osmane, që ishte vendosur
përballë Katllanovës, në malet mbi Veles, e luti edhe njëherë
diplomatin anglez Lejardin, që të bisedonte me komandantin e
përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Devish Caren, pasi që vetë Omer
pashë Llatasi ishte i bindur se në ato rrethana, shqiptarët kryengritës
më së shumti kishin besim te diplomati anglez se sa te pushtetmbajtësit
turq.
Kampi i kryengritësve ishte i vendosur pas Grykës së Katllanovës,
midis lumit Pçinjë dhe lumit Vardar. Diplomati anglez, prej kampit të
ushtrisë turke, pas dy orë udhëtimi, u takua me pararojën shqiptare dhe
kërkoi nga ata që ta çojnë deri në shtab, ku ishte i vendosur komandanti
i tyre. «Pas një bisede të shkurtër me ta, u bindën se jam diplomat i
huaj dhe duhet patjetër të takohem me komandantin shqiptar».
Diplomati anglez vazhdon: «Pasi arrita te vendi i caktuar, kërkova që
të shihem në katër sy, për të biseduar me Dervish Caren. Njerëzit e tij
me përcjellje më dërguan deri te çadra, ku ndodhej komandanti i tyre.
Aty diku pasdite arrita në çadrën e tij, e cila ndodhej në mes të malit
pa kurrfarë roje». Leardi, në shënimet e veta, shkruan: «Udhëheqësi i
kryengritjes shqiptare nuk dallonte fare nga kryengritësit e tjerë
shqiptarë».
Veshja e tij shumë pak dallonte nga të tjerët, vetëm se kishte një
qëndisje të bukur, pushka e tij kishte qëndisje prej argjendi, ndërsa
vetë Dervish Care ishte një udhëheqës pa arsimim të lartë, sikurse edhe
shokët e tij. Gradat që shiheshin në supet e tyre ishin të emëruara
sipas trimërive që kishin treguar, kurse vetë Dervish Care ishte emëruar
komandant nga vetë shokët, në bazë të meritave që kishte.
Të gjithë njerëzit, në çadrën e tij kishin mikpritje të nivelit të
lartë, qëndrimi i tyre ishte krenarë dhe me një gjakftohtësi të
çuditshme». Në përshëndetjen tonë të ngrohët, pasi hëngrëm darkë u ulëm
në bar, u mundova ta bindi komandantin shqiptar të heq dorë nga lufta e
mëtejme, që të mos vijë deri te gjakderdhja.
Dervish Care në mënyrë shumë të butë, para të gjithë bashkëpunëtorëve
të tij, u përgjigj: «Ne kemi vendosur të luftojmë deri në fund dhe mos
ta njohim pushtetin Suprem Osman në trevat shqiptare, të mos u
nënshtrohemi ligjeve të Tanzimatit dhe se do të luftojmë kundër
rekrutimit të shqiptarëve për nizam dhe kurrë nuk do të pranojmë që
shqiptarët nga trevat e tyre të dërgohen në vendet aziatike, për të
mbrojtur kufijtë e Turqisë. Nëse kjo kërkesë nuk pranohet, ne jemi të
gatshëm të luftojmë deri në vdekje».
Nga kjo që u tha më lart del se kryengritësit kanë kërkuar autonomi
në kuadër të Perandorisë Osmane. Këtë e vërteton edhe shtypi rus, i cili
në atë kohë ishte shumë i interesuar për gjendjen në Shqipëri dhe
Ballkan. Sipas asaj që shkruan gazeta e Sant Peterburgskie «Vjedomosti»;
Udhëheqësit e kryengritjes shqiptare i kanë propozuar komandantit turk,
se ata mund t’i dorëzojnë armët, por me kusht që Porta t’u jep atyre të
drejta si të Serbisë dhe Greqisë. Nga kjo shihet qartë se kryengritësit
kërkuan autonominë e Shqipërisë, siç u kishte njohur grekëve dhe
serbëve. (V.Xh).
Qyteti i Nishit
Lejardi, pos të tjerash, në memoaret e veta shënon: «Bisedova me
kryengritësit edhe për qëndrimin e tyre ndaj popullsisë së krishterë,
duke ua kujtuar se në Stamboll kanë arritur lajme negative kundrejt
shqiptarëve. Ata kanë dërguar mbi 4 mijë ankesa në Stamboll, duke i
akuzuar për krime që i kanë bërë mbi popullsinë e krishterë».
Lidhur me këtë, ai shënon: «Krerët kryengritës duke qenë se ishin
fyer, me një protestë të ashpër, u përgjigjën: «Asgjë nuk është e
vërtetë në ato lajme dhe propaganda që përhapë pala tjetër, të gjitha
ato janë shpifje të armiqve sllavë dhe turq, me qëllim që të minimizohen
kërkesat tona legjitime para diplomacisë evropiane, për të forcuar
bindjen dhe zërin e keq ndaj shqiptarëve».
Në këto biseda me diplomatin anglez, kryengritësit shqiptarë e kishin
bindur atë se asgjë nuk ka të vërtetë nga ato lajme «trishtuese», që
kishin arritur deri në Stamboll. Në fund, diplomati anglez shënon: «Pasi
u vërtetova vetë, se gjatë kësaj kryengritje myslimanët dhe të
krishterët jetojnë shumë mirë në mes veti dhe kishin marrëdhënie
miqësore e posaçërisht nëpër fshatrat e përziera, vështirë mund të
dallosh myslimanin nga të krishterët».
Historiografia aktuale maqedonase thotë se në fillim të kryengritjes
asaj iu bashkëngjiten edhe disa «maqedonas», por shumë shpejt ata u
larguan nga kryengritësit shqiptarë, ndërsa si pretekst morën sjelljet e
këqija të shqiptarëve.
Këto të dhëna që dalin nga historiografia maqedonase janë rezultat i
pikëpamjeve të dala nga këndi i tyre dhe qëndrimet, duke u munduar që të
këqijat t’ua hedhin shqiptarëve, kur deklarojnë se turqit dhe të
krishterët kanë qenë në pozitë shumë më të pa lakmuar. Por, sot shtrohet
pyetja, në atë kohë kur u zhvillua kryengritja shqiptare, a ka pasur
Maqedoni dhe maqedonas, kur dihet se fare nuk ka ekzistuar Maqedonia
sllave, as si krahinë. V.Xh.).
Nishi i asaj kohe
Sllavët e krahinës së Maqedonisë, të dirigjuar nga Beogradi dhe
Moska, në shkrimet e tyre mundohen ta paraqesin komandantin shqiptar
shumë të egër, bile sa shkojnë aq larg sa që komandantin Dervish Caren,
me shtabin e tij, tentojnë ta paraqesin si sundim të pa civilizuar.
Madje, kinse kryengritësit shqiptarë «bëjnë përdhunime dhe vrasje»
kundër të krishterëve, duke mos kursyer as pleqtë dhe fëmijët. Por, pas
kësaj propagande qëndronte diplomacia ruse, e cila ishte e interesuar të
ngrejë çështjen e sllavëve të Ballkanit, me qëllim që përmes tyre të
forconte influencën e vet në Ballkan dhe të sigurojë dalje në Detin
Adriatik.
Historiografia maqedonase shkon aq larg sa që përkujton se: »Mirë u
bë që humbën shqiptarët dhe zoti e di se çfarë do të bëhej sikur Dervish
Care të kishte mbetur edhe më tutje udhëheqës në Shkup. Ai pasi erdhi
këtu e çoi kokën nga të gjitha anët, për të rritur territorin e
perandorisë së «çuditshme».
Ky ishte shkaku që turqit dhe sllavët i lëshuan vendet e tyre, duke
ikur kah Velesi dhe Prilepi. Sot është për të pyetur këtë opinion, pse
kanë pasur kaq frikë nga shqiptarët, pse çlirimin e Shkupit nuk e kanë
pritur si çlirim të tyre të përbashkët me shqiptarët. Se si kanë sunduar
shqiptarët në pashallëqet e veta dhe gjatë kryengritjes, më së miri na
dëshmon prifti Paun nga fshati Nagoriçan, rrethi i Shkupit: «Unë Pauni
që kam jetuar në periferi të Shkupit, në fund të viteve 30 të shek. XIX,
në Shkup dhe në Pollog ishte shumë qetë. Në mbarë krahinën e
pashallarëve shqiptarë zotëronte paqe, rregull dhe një bindje për
siguri». Beteja kryesore u zhvillua në Katllanovë
Diplomati anglez, pasi nuk arriti të bind kryengritësit shqiptarë, më
17 maj, në mbrëmje, u kthye prapë në taborin e ushtrisë turke, për ta
informuar hollësisht Omer pashë Latasin për misionin e tij të
pasuksesshëm lidhur me pikat që kishte ra dakord, si dhe për çështjen e
rekrutimit që ishte e papranuar për kryengritësit. Pas darkës, dhe
bisedave që pata me Omer Pash Latasin, u vendosa në çadrën time që e
kisha pranë komandantit turk.
Papritmas, pas mesnate, u zgjova nga krismat e pushkëve që gjëmonin
si dëshmi «se shqiptarët kishin sulmuar të parët ushtrinë turke, më 18
maj 1844». Lejardi shënon se shqiptarët numerikisht ishin më shumë, por u
mungonte disiplina ushtarake, edhe pse ata ishin të vendosur të
luftonin deri në fund. Betejat kanë zgjatur deri më 21 maj 1844.
Më 17 maj, Omer Pasha mori urdhër që të bëjë një manovër të re të
sulmit, e mbarështoi ngushticën dhe me një pjesë të ushtrisë u paraqitë
përreth fshatrave Konjare Epërme, e Mesme dhe e Poshtme, pastaj u lëshua
përgjatë lumit Pçinjë dhe doli me ushtrinë mbi banjën e Katllanovës, ku
i përqendroi topat kah kryengritësit dhe urdhëroi ushtrinë të hapte
llogore.
Më 18 maj filloi faza e dytë e luftës, betejat u zhvilluan përgjatë
luginës të lumit Pçinja deri te banja e Katllanovës, përfshi këtu edhe
grykën e lumit Vardar. Ushtria turke ishte e koncentruar në krahun e
majtë të lumit Pçinjë, ndërsa kryengritësit në krahun e djathtë.
Paraqitja mbi banjën e Katllanovës të ushtrisë turke, ishte thikë prapa
shpinës të kryengritësve, ku shumica e luftëtarëve të lirisë, ende ishin
në ngushticën e Katllanovës. Në këto rrethana të papritura që ua
mbarështoi taktika e papritur e Omer Pashës, i shtyri kryengritësit me
të shpejtë të tërhiqen nga pozicionet dhe të kalojnë në krahun e djathtë
të lumit Pçinja, për të ndaluar depërtimin e mëtutjeshëm të ushtrisë
turke kah Shkupi.
Beteja te banja e Katllanovës filloi menjëherë pas mesnate, të datës
18 maj 1844, midis ushtrisë turke të komanduar nga dy komandantët më të
shquar, Omer Pashës dhe Hajredin Pashës, ndërsa në anën tjetër
shqiptarët komandoheshin nga shtabi i tyre në krye me Dervish Caren, të
koncentruar te Hani i Katllanovës. Shqiptarët u vërsulën me trimëri të
pashoq, jo vetëm të ndalin depërtimin e turqve kah Shkupi, por
shqiptarët tentuan t’ua marrin edhe armatimin e rëndë në paraditen e 18
majit, por zjarri i topave edhe kësaj radhe ndali hovin e sulmeve
shqiptare.
Omer Pasha e kishte rreshtuar ushtrinë në formë katrori dhe nëpër
skajet vendosi topat për të gjuajtur matanë urës së prishur, ku ishin
koncentruar kryengritësit mbi ujin e ngrohtë të banjës. Komandant të
artilerisë turke ishte caktuar Murat pashë Topçiu. Ndërsa Dervish Care
ishte vendosur me shtabin e vet pas fshatit Katllanovë, në hanin e
fshatit Taor. Kjo grykë midis Velesit dhe Katllanovës, për shkak të
fshatit e mbante të njëjtin emër, gryka e Taorit.
Gjatë natës, Omer Pasha depërtoi kalorësinë turke nëpër lumë, pastaj
edhe këmbësorinë. Ushtrinë dhe topat i vuri në rreth dhe sulmoi ushtrinë
vullnetare shqiptare të Dervish Cares. Kryengritësit në fillim patën
sukses të dukshëm, duke e rralluar vijën e parë të ushtrisë turke. Por,
me angazhimin e fuqishëm të zjarrit të topave u vranë rreshtat e parë të
kryengritësve.
Kjo i hutoi kryengritësit dhe komandën e tyre. Shqiptarët, edhe pse
luftuan me vetëmohim të pashoq, me një moral të lartë patriotik,
prapëseprapë nuk mundën ta thyejnë ushtrinë e rregullt osmane. Në këtë
betejë tejet të përgjakur, fatin e luftës e vendosi armatimi i rëndë, që
e përdori me përpikeni Hajredin Pasha.
Ky komandant me gjak të përzier i solli në epërsi turqit, por kjo nuk
ishte beteja e fundit. Pas kësaj beteje pasojnë edhe disa të tjera deri
në Shkup. Në betejën e Katllanovës pat një numër të madh të vrarësh nga
të dyja palët. Këtu kapet rob edhe Komandanti i Përgjithshëm nga
Tetova, Dervish agë Poda-Care.
Kryengritësit shqiptarë nuk arritën të thyejnë vijën e parë të
frontit turk. Omer Pasha e mbante komandën në duart e veta dhe me një
gjakftohtësi komandonte 7000 luftëtarë, kundrejt 8000 kryengritësve.
Njësitet e artilerisë turke, në mënyrë shumë të koordinuar gjuanin mbi
aradhet sulmuese të kryengritësve. Pati edhe raste që shqiptarët disa
topa t’i neutralizojnë duarthatë, ku u dëshmuan disa luftëtarë trima nga
Kaçaniku dhe Tetova, të cilët me sulm të hovshëm u hodhën kundër
topave.
Në veçanti duhet përmendur komandantët e shquar të Dervish Cares:
Ismail Batalli dhe Emin Bojana nga Tetova, të cilët duarthatë u hodhën
kundër topave, për të ngritur moralin e ushtarëve të tyre. Por, gjithë
kjo trimëri e pashoq ishte e kotë kundër gjyleve të topave, ndaj dhe në
fund me humbje të mëdha, në mëngjesin e 19 majit, filluan të tërhiqen.
Në anën e ushtrisë turke morën pjesë shumë shqiptarë toskë dhe çamë, të
udhëhequr nga bejlerët dhe agallarët e tyre. Por, më të njohur kanë qenë
feudalët dibranë: Dali beu dhe Shain beu.
Në këtë betejë nuk mundën të marrin pjesë qytetarët e Shkupit, pasi
ishin të kërcënuar nga komandanti i ri i kalasë, Kuçuk beu, i cili i
ktheu topat ka qyteti i Shkupit, edhe pse deri atëherë qytetarët e
Shkupit u dhanë një përkrahje të fuqishme kryengritësve.
Dervish Care kur e pa se humbjet do të jenë shumë të mëdha, komandoi
zëvendësve të tij që të tërheqin ushtrinë në vise kodrinore, duke u
grupuar në njësite më të vogla që t’u ikin predhave nga ajri. Pas
disfatës së parë te banja e Katllanovës, sipas kronistëve të kohës,
Dervish Care me shokë ka shkuar te komandanti turk që të kërkojë
ndërprerjen e luftës. Në ato biseda, ai kapet rob nga komandanti turk,
kurse një ditë vonë, më 19 maj, niset për në Selanik, së bashku me 200
udhëheqës të tjerë të luftës. Sipas raportit të Çarls Balantit, Dervish
Care u kap rob, ndërsa Emin Xhambazi u vra me 450 vetë të tjerë, ndërsa
200 u zunë rob.
Këtë tërheqje të kryengritësve shqiptarë e shfrytëzoi me dinakëri
komanda turke, duke përhapur lajmin se u thyen shqiptarët, ndërsa turqit
e fituan luftën moralisht. Ata me të shpejtë kaluan në kundër sulm pas
betejës së Katallnovës, ku pati një betejë tejet e përgjakur, ndërsa
shqiptarët arritën të sulmonin edhe kampin ku ishte vendosur Omer Pashë
Latasi, por pa sukses. Më vonë, beteja u përhap në tërë fushën e
Shkupit.
Deri në orët e pas ditës të 18 majit, në betejë u vranë mbi 450
shqiptarë, mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa 400 sish u zunë
rob, ndër të cilët ishte edhe Emin Xhambazi. Me urdhër të Omer Pashë
Lartasit, Emin Xhambazit iu pre koka aty për aty. Numri ushtarëve turq
në këtë betejë nuk dihet.
Kjo propagandë lufte u dha ushtarëve turq që të kalojnë në kundër
sulm pas betejës së Katllanovës, më vonë lufta u përhap në tërë
hapësirën e fushës së Shkupit, por më e madhe ishte pranë fshatit
Haraqinë më 20 maj, ku pati shumë të vrarë nga të dyja palët, ku sot
edhe kësaj dite në afërsi të këtij fshati ndodhen shumë varreza.
Beteja e fundit u bë në fshatin Creshevë, më 21 maj 1844, pas kësaj
beteje Omer pashë Latasi e rrethoi Shkupin nga të gjitha anët. Pasi ende
qëndronin forca kryengritëse në Malin e Zi të Shkupit, në mbrëmje hyri
në Shkup. Më 22 maj, Omer Pasha ftoi në një takim parinë shqiptare, ku
me tradhti i kapi të gjithë, kurse nga ata zgjodhi mbi 200 persona më të
njohur, të cilët duarlidhur i nisi për në Selanik. Shqipëria Lindore e lirë che autonome gjat kohës së Dervish Carës
Kryengritja e Dervish Cares, e cila fillon me çlirimin e Gostivarit
në nëntor të vitit 1843 dhe vazhdon deri në maj të vitit 1844, kur u
çlirua e tërë Shqipëria Lindore. Kjo periudhë e lirë e popullit shqiptar
zgjati mbi gjashtë muaj, ndërsa kjo ngjarje në historinë tonë kombëtare
njihet si periudhë e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur, ku ka
funksionuar administrata shqiptare. Por, pas disfatës të kryengritësve
te beteja e Katllanovës, u rivendos përsëri rendi feudal turk në këtë
pjesë të Shqipërisë Lindore.
Me riorganizimin e organeve të pushtetit turk, ata morën masa
drastike, me qëllim të frikësimit dhe nënshtrimit të popullatës sa më
parë të jetë e mundur. Pushteti turk burgosi dhe internoi me mijëra
shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe komandanti Dervish Care. Këta të
gjithë, të lidhur, duke ecur në këmbë, janë dërguar për në Selanik, prej
nga me anije janë transportuar në Stamboll, për t’i nxjerrë para
gjyqit.
Duhet përmendur se një numër i madh i tyre që luftuan për çlirimin e
Shqipërisë, nga lodhja, maltretimi dhe torturat që përjetuan gjatë
rrugës, pa ujë dhe pa ushqim mbetën rrugëve, pa arritur në burgjet e
Selanikut. Ata që arritën në Stamboll, u shpërndanë në territore të
ndryshme të Anadollit, në ato shkretëtira të pa fund, prej nga kurrë më
nuk u kthyen në vatrat e tyre, duke i thënë përgjithmonë lamtumirë
Shqipërisë. Por duhet theksuar se me këtë nuk përfundoi lufta e ushtrisë
turke për rivendosjen e pushtetit në trojet shqiptare.
Omer pashë Latasi, pasi u kthye nga Vraja për në Shkup, prej aty u
drejtua kah Gryka e Kaçanikut, Ferizajt, për në Prishtinë e Prizren. Në
këtë kohë edhe Prishtina ishte ngritur në këmbë, për të përkrahur
kryengritësit që luftonin kundër reformave të Tanzimatit. Rezistenca
shqiptare në Pejë, Prizren, Gjakovë, ka zgjatur deri kah mesi i vitit
1845. Kjo rezistencë gjithë shqiptare ruajti në esencë karakterin
autokton të vetëvendosjes deri te kërkesa e plotë për njohje të
autonomisë në kuadër të perandorisë turke, në të gjithë trevat e
Shqipërisë Etnike që përfshinte shumicën e popullatës shqiptare.
Kjo kryengritje, edhe pse në fillim nisi në Pollog, aty kah fundi i
vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar nga mesi i vitit 1844, e cila
mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve të Kosovës, aty nga fundi i
vitit 1845. Këtë kryengritje dhe karakterin e saj për çlirim nacional e
bashkim kombëtar, më së miri e përshkruan konsulli rus në Manastir.
Konsulli rus për kryengritjen e Dervish Cares thotë: Dervish Care ishte
një i afërm i Havzi Pashës.
Kjo ngjarje ka ndodhur në tokën e gegëve, siç e quan konsulli rus
«Gegalik», tokë fqinje me sllavët. Në fillim të vitit 1840, tre
vëllezërit kanë sunduar në tërë Shqipërinë në mënyrë të pavarur. Ky
udhëheqës shqiptar e futi nën sundimin e tij tërë tokën e Gegërisë,
ishte një komandant i ashpër dhe e shpalli veten sundues të Shqipërisë
në vitin 1844. Gjatë sundimit të tij u çliruan të gjithë qytetet
shqiptare të Gegërisë, përveç Manastirit, Velesit e Prilepit.
Gjykimi i Dervish Carës dhe jehona diplomatike
Për Dervish Caren ka pasur interesim të madh edhe nga diplomacia
evropiane, kurse një ndër to më të interesuar kanë qenë franceze dhe
angleze. Konsulli anglez kur e përshkruan komandantin shqiptar, Dervish
Caren, thotë: «Kur kuptuam se Dervish Care i lidhur kishte arritur në
Selanik, dola dhe e pashë me sytë e mi.
Ai dukej një burrë i lartë, përafërsisht i moshës 50 vjeçare, në
fytyrë dukej i ashpër dhe fare nuk buzëqeshte». Por edhe në bazë të të
dhënave që kam për kohën e sundimit të tij në Gostivar, si zëvendës i
Xheladin Beut, ai prej vitit 1841 njihet si njeri që ka mbajtur rend dhe
rregull në Gostivar, Tetovë dhe Shkup.
Gjatë sundimit të vet, Xheladin Beu, ka qenë i pavendosur në disa
momente kyçe për aplikimin e ligjit dhe të rendit në Pashallëk, pasi që
pashait më tepër i ka interesuar jeta luksoze, sesa kujdesi për
qeverisjen dhe zhvillimin e pashallëkut. Në këto raste të pa qarta të
qeverisjes së tij, të gjitha detyrat i kryente vetë Dervish Care, si
ndihmës i tij. Në gjykimin e tij në Stamboll, sipas raporteve të
konsullit anglez, Dervish Care në mënyrë lakonike përgjigjet para trupit
gjykues, kur ka qenë i pyetur se kush e kishte shtyrë të çojë
popullatën shqiptare kundër Perandorisë Osmane.
Ai përgjigjet: «Mos e merrni në qafë askënd, të gjithë janë të
pafajshëm, kam qenë vetë ai që e kam filluar luftën nga Gostivari, e
deri në betejën e Katllanovës, prandaj duhet të më dënoni vetëm mua, të
tjerët janë të pafajshëm». Në këtë gjykim, gjyqi dënoi edhe 28 të tjerë
me vdekje, por më vonë Sulltani, me ferman të veçantë uli dënimet me
vdekje dhe ua ktheu me burg të përjetshëm. Por mbi 300 bashkëluftëtarë
të Dervish Cares mbetën edhe më tutje në internim, disa nga ata kurrë
nuk arritën të kthehen në vendlindje, vdiqën në burgjet e Stambollit.
Kryengritja e Dervish Cares e tronditi deri në themel Perandorinë
Osmane, kurse administrata e saj gati në tërësi u shpartallua në tërë
qytetet shqiptare, e në veçanti në Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë e
deri në Preshevë dhe Vrajë. Diplomacinë evropiane, këto ngjarje që
ndodhën midis Ballkanit, shqetësuan pa masë, mirëpo ajo më së shumti
ishte e interesuar të ruante status-quon në Ballkan se sa të pranonte
ndryshimet e reja.
Prandaj, ajo asnjëherë, në asnjë çast, nuk mori në mbrojtje popullin
shqiptar dhe kërkesat e tij. Ndërsa diplomacia ruse tregonte për ngjarje
dhe ndodhi, të cilat fare nuk i takonin popullit shqiptar si popull i
robëruar, së bashku me popujt e tjerë që banonin në këto troje. Me
gjithë atë, diplomacia ruse tentonte që nëpërmjet internacionalizmit të
këtij problemi, të ngrejë çështjen e sllavëve të Ballkanit, që nëpërmes
tyre ajo të forconte influencën e vet.
Kjo ishte politika permanente e saj, që t’i afrohet Detit Adriatik.
Prandaj, ajo përmes diplomatëve evropianë, kërkonte me të shpejtë të
intervenohet, që sa më parë të shuhej kjo kryengritje pastër shqiptare.
Diplomacia ruse e dëshironte me çdo kusht disfatën e kryengritësve
shqiptarë. Për Rusinë dhe diplomacinë e saj, ishin të papranuara
kërkesat e luftës së popullit shqiptar për çlirim nacional dhe formimin e
shtetit etnik shqiptar midis Ballkanit.
Kjo kryengritje ishte e përgjithshme, me karakter pastër shqiptar. Në
këtë kryengritje, më herët apo më vonë, u bashkëngjitën të gjitha
shtresat popullore shqiptare, për të luftuar reformat e Tanzimatit, që
rrezikonte interesat kombëtare shqiptare. Në krye të kësaj kryengritjeje
ishin shtresat e mesme dhe të ulëta popullore.
Për këtë arsye, kjo kryengritje mori epitetin e Lëvizjes Nacional-
çlirimtare. Kjo kryengritje ka pasur edhe karakter gjithë popullor, për
arsye se në këtë kryengritje morën pjesë të gjithë shqiptarët që patën
mundësi të mbajnë armë dhe u nisën në luftë, për të çliruar tokat e veta
të robëruara nga sundimi dhe administrata turke, e cila kohët e fundit
po përpiqej me forma të llojllojshme të asimilojë popullin shqiptar,
duke i trajtuar ata si popullatë turke. Prandaj, ajo përmes reformave të
Tanzimatit, do të mundohet t’i shpërngul nga trevat e tyre autoktone.
Pasojat në këtë kryengritje ishin shumë të mëdha. Pas shuarjes së
kryengritjes u likuiduan të gjithë krerët shqiptarë që kishin influencë
në popull, ku një pjesë e madhe e tyre nga të gjitha qytetet shqiptare u
internuan, kurse popullsia e pafajshme iu nënshtrua haraçeve të
ndryshme që i lypte me forcë ushtria turke. Pra, strategjia e sundimit
turk kundër popullatës shqiptare ishte permanente, ajo vazhdonte me
likuidimin e krerëve shqiptarë, siç bëri edhe në Vilajetin e Manastirit
në vitin 1830, kur likuidoi mbi 500 krerë të zgjedhur të popullit
shqiptar që donin lirinë e popullit të vet.
Kryengritja e Dervish Cares ishte kryengritje e përgjithshme dhe e
para kryengritje që përfshiu mbi 70% të krahinave të banuara me
popullatë shqiptare. Kjo rezistencë gjithëshqiptare ruajti në esencë
karakterin autokton të kërkesave shqiptare për vetëvendosje, deri në
kërkesën e plotë për çlirim nacional.
Historiografia shqiptare nuk ia ka dhënë peshën e merituar që ka kjo
kryengritje popullore në historinë tonë kombëtare, bile mund të themi se
edhe e ka injoruar. Edhe pse kjo kryengritje nisi në Pollog, aty kah
fundi i vitit 1843, mori karakter mbarëkombëtar gjatë vitit 1844 dhe
mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve veriore të Kosovës, aty kah
fundi i vitit 1845.
Kjo kryengritje, në bazë të rrjedhave të saj, mund të konsiderohet
pastër si kryengritja e parë fshatare, pasi në këtë lëvizje nuk pati
udhëheqës nga lartë, por ata dolën nga vetë populli. Prandaj, kjo
kryengritje e pastër fshatare duhet të hyjë në histori si kryengritje më
e madhe e shqiptarëve midis Ballkanit e më gjerë, e ngjashme me atë të
Matija Gubecit në Kroaci. V.Xh..
Udhëheqësit e Shqipërisë Lindore patën kërkesa për Autonomi të Shqipërisë
Kryengritja e Dervish Cares nuk duhet shikuar veçmas, por në kuadër
të të gjitha kryengritjeve të mëparshme shqiptare, duke filluar madje
nga luftërat e Skënderbeut në shekullin XV-të. Fakt është se shqiptarët
gjatë gjithë periudhës osmane kishin ruajtur shumë të fuqishme
fisnikërinë e vet, siç ishin familjet Kastrioti, Muzaka, Dukagjini,
pastaj udhëheqësit si Ali pashë Janina, Mustafa pashë Shkodrani e të
tjerë, që gëzonin autoritet te bashkëvendësit e tyre dhe që ishin shpesh
të pavarur ose gjysmë të varur, me një fare autonomie të brendshme.
Po ashtu, është fakt se gjatë gjithë kësaj periudhe, shqiptarët ishin
të organizuar në fise, bajraqe e klane, që kishin njëfarë kohezioni në
popull. Nuk duhet nënçmuar e mënjanuar as bektashizmin, i cili në këtë
kohë ishte tejet i zhvilluar, që u bë fe e tretë në Shqipëri dhe që si
mbindërtim e ideologji ishte shpesh në opozitë të ashpër me islamin,
duke zhvilluar edhe ndjenjën për autonomi të veçantë.
Këta tre faktorë ndikuan pozitivisht për ruajtjen dhe zhvillimin e
ndjenjës për diçka të veçantë që i largonte nga Perandoria Osmane,
kundër së cilës ngriheshin shpesh në luftë për autonomi. Ata, këtë frymë
kryengritëse e kultivonin dhe e bartnin në radhët e gjeneratave më të
reja, duke idealizuar në kohë të njëjtë e në radhë të parë doktrinën e
luftës dhe taktikën e të Madhit Skënderbe.
Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se shqiptarët në Perandorinë Osmane
trajtoheshin si popull i robëruar dhe ata që ishin ortodoks ishin të
detyruar të mësonin greqisht, ndërsa myslimanët turqisht dhe arabisht,
kurse shqiptarët katolikë italisht, pa u njohur me gjuhën shqipe. Me
gjithë pengesat që pati gjuha jonë në shkollat e huaja që u hapën në
tërë Shqipërinë Etnike, shqipja për shqiptarët në komunikimin reciprok
ishte dhe mbeti absolutisht e para, pasi gjuha ishte edhe porosi
familjare e nënave shqiptare: «Mos e harro gjuhën e nënës».
Po ashtu, në ngritjen e vetëdijes kombëtare ndikuan edhe faktorë të
tjerë, ku në mesin e shekullit XIX, ndihej gjithnjë më shumë depërtimi i
elementeve kapitaliste në mbarë Shqipërinë, e posaçërisht në vendet
bregdetare (limanet tona), që ndikoi në paraqitjen e klasës qytetare dhe
të inteligjencies, si dhe paraqitjet tendencioze të Serbisë dhe Greqisë
së pavarur që ndikuan shumë mbi vetëdijen shqiptare.
Këto rrethana të reja në Ballkan shkaktuan dukurinë dhe kristalizimin
e ideve për autonomi edhe të Shqipërisë, që do të ngelte edhe më tutje
vasale ndaj sulltanit.
Gjatë kryengritjes së Dervish Cares, një gazetë e përditshme në
Peterburg shkruante: »Prijësit e kryengritjes e kanë lajmëruar
komandantin e fuqive osmane se do t’i dorëzonin armët, por me kusht që
edhe atyre t’u jepen të drejta të ngjashme me serbët». Po ashtu, edhe
shtypi rumun, duke i përcjellë ngjarjet në Shqipëri, flet për
preokupimet e shqiptarëve për çlirim acional e kombëtar të tyre.
Këtë fakt e kumton edhe konsulli austriak në Shkodër, Ippen, i cili
thotë: «Kryengritësit shqiptarë kërkonin autonomi të posaçme për
Shqipërinë, të ngjashme me atë të Serbisë, pra që t’u jepeshin të drejta
si gëzonte principata serbe në atë kohë. Konsulli francez në Selanik,
Griz, mendonte se Shqipëria trajtohet më shumë si vend i pushtuar se si
provincë e perandorisë, banorët e së cilës qenkan në përleshje me
pushtetin, prandaj kërkuan njëfarë autonomie të ngjashme me serbët.
Por siç dihet kjo kryengritje e madhe shqiptare nuk është përkrahur
fare nga bashkëvendësit sllavë. Ata jo që nuk e përkrahën këtë
kryengritje shqiptare, por shpifnin te Sulltani lloj-lloj trillimesh
duke kërkuar që kjo kryengritje e udhëhequr nga Dervish Cara me krerët e
saj shqiptarë të shuhej sa më parë.
Poashtu edhe historiografia maqedonase gjatë kohë ka manipuluar me
origjinën e tij se edhe komandanti i shquar i Kryengritjes Shqiptare
Dervish Cara, «është me prejardhje sllave–myslimane», pasi familja e tij
ka jetuar në fshatin Urviçë.
Të dhënat dhe dokumentet historike flasin ndryshe se Devish Cara
ishte udhëheqësi i kryengritjes më të madhe shqiptare. Këtë e vërteton
edhe fakti se ai, së bashku me luftëtarët shqiptarë të këtyre trojeve e
ka çliruar tërë territorin shqiptar deri në Veles. Pra, të gjitha
qytetet shqiptare të krahinës së sotme të Maqedonisë në vijën mbi
Kumanovë me qytetet: Qustendil, Stracin–Katllanovë. Prandaj ky ka
vepruar edhe ushtarakisht për çlirimin e tokave shqiptare deri në Veles;
ka luftuar deri aty ku shtrihen kufijtë e Shqipërisë Etnike.
Kjo kryengritje shqiptare, edhe pse nisi në pjesën e Shqipërisë
Lindore aty kah fundi i vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar dhe
mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve të Shqipërisë Veriore kah
fundi i vitit 1845. Kryengritja e Dervish Cares ishte kryengritja më e
madhe shqiptare në kohën e Tanzimatit.
Kjo kryengritje vuri themelet e saj drejt autonomisë së Shqipërisë,
në luftë për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo kryengritje u hapi rrugën
shqiptarëve dhe krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare drejt autonomisë
së Shqipërisë dhe parapërgatiti konditat për mbajtjen e Lidhjes së Parë
Shqiptare në vitin 1878 në Prizren.
No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *
No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *