Wednesday, November 12, 2014

DIPLOMACI ME DRON

Vizita e gjashtëdhjetë e tetë viteve më parë ishte një vizitë ndryshe. Pozicioni i Shqipërisë në rajon atëbote ishte inferior; e sapo dalë nga lufta, e gjendur në mes të një pansllavizmi në njërën anë, nga rreziku greqizimit në anën tjetër. Nga ana perëndimore mund të thuhej se ishte ”porta’’ më e cënueshme e Bllokut Lindor. Natyrisht se ky inferioritet ndihej edhe në vizitën e Enver Hoxhës në Jugosllavinë e Titos.
Tani, 68 vite më pas, Shqipëria dhe shqiptarët ndodhen në pozicion shumë më të mirë
gjeopolitik; Shqipëria në Nato, Kosova e pavarur, të dyja të vendosura si kurrë më parë për një të ardhme evropiane. E rreshtuar mirë politikisht, natyrisht se e ka luksin të bëj vizita edhe në ato vende ku nuk janë të mirëpritur. Roli që Kryeministri Edi Rama mori në Konferencën e Berlinit në gusht të këtij viti, veç sa e konfirmoi këtë. Realizimi i objektivave dhe konkluzioneve të Konferencës së Berlinit, medoemos duhej te fillonte me një takim të dy kryeministrave, shqiptarë dhe serbë. Serbia, e rreshtuar politikisht në të njejtën linjë me Rusinë, me projekte politike fashiste e shoviniste shumëshekullore ndaj fqinjëve e sidomos ndaj shqiptarëve, sigurisht që s‘mund të ketë bashkëpunim rajonal dhe stabilitet në Ballkan e lëre më të flitet për evropianizimin e tij.
Dhe kaluan muaj e erdhi tetori. Vizitës së 22 tetorit, e caktuar qysh prej Konferencës së Berlinit, i paraprinte një ndeshje futbolli midis dy kombëtareve, të Shqipërisë dhe Serbisë. Por vet kjo vizitë i paraprinte nje vizite tjetër, asaj të Kryeministrit të Rusisë Vladimir Putin në Serbi.
Ndeshja ishte caktuar, me kerkese te Federates se Futbollit te Serbise, te zhvillohej pa pranine e tifozeve shqiptare (me gjase serbet i dinin te metat e tyre). Lojtaret dolen ne fushe, u priten si mos me keq. U kenduan kenge cetnike nga tifozet, “u shurdhua” hymni shqiptar nga koret raciste te tifozeve, u neperkemb flamuri shqiptar, u bënë thirrje fashiste dhe raciste si “vdekje e shqiptarëve’’, “vrisni shqiptarët”. E megjithatë ndeshja filloi, ndërkaq që thirrjet raciste skishin pushuar. Filluan të hidheshin edhe gjësende në fushë nga tifozët, për ç‘gjë u ndërpre edhe ndeshja. Fluturoi edhe një dron me një hartë të Shqipërisë Etnike dhe dy figurave emblematike të kombit shqiptar. Gjithë urrejtja për një komb të tërë, që deri atëherë në fushë ishte shfaqur me fjalë fyese, filloi të shfaqej edhe fizikisht. Vërshuan tifozët në fushë, ushtruan dhunë ndaj lojtarëve të kombëtares shqiptare, e cfare nuk u bë tjetër.
E ndodhur në këtë situatë të papritur (që mund të jetë edhe e pritur; mund ta kenë bërë vet serbët në funksion të vizitës së Putinit), Serbia u kujdes ta bënte çeshtjen politike; u tha që droni ishte komanduar nga vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë. Vërshuan deklaratat e lidershipit serb që u shëmbellenin thirrjeve të tifozëve. Të gjithë ato thonin se si serbët paskeshin qenë provokuar nga shqiptarët përmes një droni, gjë që në vendet perëndimore duhej të quhej vetëm si gjest interesant sportiv. Ngjarja mori jehonë. U tha e u shkrua gjithkah për dronin, në mediat vendore e ndërkombëtare; u tha se e bëri vëllai i Kryeministrit Rama; u tha se e bënë vet serbët; u tha se e bëri Ballisti; e thanë të tjerë se e bëmë ne. Gjithcka flitej vetëm për dronin. Thuajse raportet ndërmjet dy vendeve vareshin nga ai dron, nga autori i tij. U harruan gati krejtësisht thirrjet raciste dhe gjithcka ndodhi në stadium, që vetëm ndeshje futbolli nuk ishte. Besoj që çdo shqiptar do të jetë ndier i fyer nga ato që ndodhen atë ditë dhe ditëve në vijim. Duhet të jetë fyer edhe Kryeministri Rama, edhe si shqiptar edhe si përfaqësus i gjithë shqiptarëve të fyer.
Krejt kjo ndodhi në prag të vizitës së Edi Ramës në Serbi. E thane gati të gjithë se duhej të anulonte vizitën. Por, ai ishte i vendosur të shikonte përpara dhe të realizonte vizitën. Tregoi se nuk po shkonte veç si një kryeminister i një vendi, tregoi se kishte marrë përsipër të barte edhe një pjesë të agjendës evropiane, na tregoi të gjithëve se është lideri më i kompletuar në rajon.
Në këtë situatë, politika e Serbisë, në mes agjendës të saj evropiane dhe para një takimi me Vladimir Putin, e kishte të vështirë të priste në takim Kryeministrin e Shqipërisë. E gjendur gjithmone midis Evropës dhe Rusisë, nuk mund të pranonte kurrsesi faktorizimin e popullit shqiptar, nuk mund të pranonte një lider shqiptar, që i ishte dhënë një rol prijës në Ballkanin Perëndimor, për të shtyrë përpara një pjesë të agjendës evropiane të përcaktuar në gushtin e këtij viti në Berlin. Kështu pra, Serbia ishte gati të anulonte takimin me Edi Ramen edhe për faktin se nuk mund t’i thoshte pas dy ditësh Putinit se Serbia ka vendosur t’i shkoj deri në fund agjendes se saj evropiane. U desht ndërhyrja dhe presioni ndërkombëtar që të takimi të mos anulohej. Kështu, Serbia zgjodhi një rrugë të ndërmjetme. Pranoi të shtynte takimin.
Erdhi edhe 10 nëntori dhe takimi u realizua. Kryeministri i Shqipërise e tha aty ku duhet dhe aty ku është më vështirë të thuhet, në Beograd, në Pallatin Serbia; “Kosova është shtet i pavarur dhe një realitet krejt i pandryshueshëm; se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të gëzojne të drejta sa serbët e Kosovës; që shqiptarët kudo që ndodhen duhet t’i kenë të drejtat e garantuara“ dhe la të kuptohet se marrëdhëniet ndërmjet dy popujve ndërtohen mbi bazën e këtyre realiteteve. Kurse, Kryeministri i Serbisë Vuçic, tregoi se Serbia nuk është ndarë nga e kaluara e saj e errët e që është po ajo që ka qenë; me projektin “Serbia e Madhe“ në sirtar, me urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve dhe me flatra të kthyera nga Rusia.
E se kush e hodhi dronin në stadium, tani, pakush mund ta di. Koha do ta tregoj se kush e bëri. Deri atëhere, ngjarjet e muajit të fundit do të kujtohen për tri gjëra; për “mikpritjen serbe“ dhe të Kryeministit Vuçic; dronin si “dron shqiptar” dhe; një “dorë e fortë“ e diplomacisë shqiptare.
Arben Latifi

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *