Wednesday, September 24, 2014

Deri 100 mijë lekë bileta, Danimarka me çmime të kripura tweet

“Elbasan Arena” merr formë. Kur na ndajnë edhe pak ditë nga përfundimi i punimeve në stadiumin e Elbasanit, ky i fundit pothuajse është gati, teksa po punohet në të gjitha frontet. Çështja më interesante ka të bëjë me ndenjëset, pasi shihet edhe si pjesa më atraktive e impiantit, ku puna po ecën me ritmin e duhur. Ka përfunduar më shumë se 60% e punimeve dhe deri në fund të javës janë të gjitha gjasat që të dorëzohen “çelësat” në këtë sektor. Përveç shqiponjës, që ndodhet në vendin ku rrinë zakonisht ultrasit, rreth e përqark stadiumit dominojnë ngjyrat kuqezi, të cilat në mënyrë uniforme krijojnë një dekor të bukur.
Ambientet Një vrull punimesh ka në ambientet e brendshme të stadiumit, ku ka përfunduar pothuajse tërësisht lyerja dhe veshja me gips, përveç pjesës së tavanit që është lënë për në fund. Nga burimet pranë punëtorëve mësohet se këto punime nuk hanë shumë kohë dhe do të jenë gati disa ditë para ndeshjes me Danimarkën. Teksa ka përfunduar shtrimi me pllaka, ka filluar të vendosen edhe xhamat në ambientet e brendshme, për ta kompletuar kështu dhe këtë sektor të rëndësishëm të impiantit. Për sa i përket fushës, është hedhur një farë e re bari, e cila, përveçse do ta bëjë më cilësore atë, do t’i japë dhe ngjyrën e gjelbër, karakteristikë kjo për një terren sportiv. Fjalë të mira mund të thuhen edhe për fasadën, që për momentin qëndron e mbuluar, për shkak të lyerjes që i është bërë (me blu dhe gri). Kur të zbulohet një herë e mirë, pritet që t’i japë një tjetër pamje stadiumit “Elbasan Arena”.
Vizita Stadiumi është vizituar ditën e djeshme nga zv/ministri i Sporteve, Rauf Dimraj, i cili ndoqi më nga afër edhe punimet që po bëhen në këtë impiant modern. Dimraj, përpos inspektimit të përgjithshëm, mbërriti me dy përfaqësues italianë, ekspertë, të cilët erdhën posaçërisht për të parë nga afër anët teknike për ndërtimin e pistës me tartan. Dimraj theksoi për mediat se do të ndërtohet një pistë që të plotësojë kushtet ndërkombëtare, por që të jetë edhe me një kosto të ulët. “Sot (dje) jam në Elbasan për dy arsye. Së pari duhet të shihja ecurinë e punimeve në këtë stadium, ku mund t’ju them se po ecët me ritmin e duhur. Sipas edhe parashikimeve që janë bërë, stadiumi do të jetë gati për sa i përket ndeshjes me Danimarkën më 11 tetor. Është një sadisfaksion, teksa e sheh përfundimin e këtij impianti”, u shpreh fillimisht zv/ministri i Sporteve, Dimraj. Më pas, ai u ndal edhe te pista me tartan, e cili me sa duket është një pikë e tij e dobët. “Duam që të ndërtojmë një pistë me tartan që të plotësojë edhe kushtet ndërkombëtare, ndaj për këtë arsye kanë mbërritur dy ekspertë të kompanisë ‘Mondo’, që njihet për ndërtimin e pistave. Ata po shohin nga afër anët teknike të kësaj çështjeje, për të na dhënë më pas një përgjigje përfundimtare. Synimi ynë është që të mos kemi shpenzime shumë të mëdha për këtë gjë, por me pak parà të bëjmë diçka të mirë”, përfundon Dimraj. Për sa i përket ndërtimit të pistës me tartan, burime të sigurta tregojnë për “Panorama Sport” se bëhet fjalë pas ndeshjes së 11 tetorit.
Parkingu Forcat punëtore janë shtuar aktualisht edhe te pjesa e parkingut të stadiumit, e cila po shtrohet me pllaka të vogla. Edhe rruga që kalon në stadium po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe të shpejtë, sepse duhet të jetë në një sinkron me impiantin, i cili po bëhet modern. E njëjta gjë po bëhet edhe për sa i përket gjithë perimetrit të stadiumit, i cili i është nënshtruar një rikonstruksioni total. Data 30 shtator mendohet se do të krijojë një pamje më të plotë për stadiumin e rindërtuar të Elbasanit.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *