Tuesday, September 01, 2015

Nga 10 mijë euro premio? Kuqezinjtë: S’luajmë për pará

Përflitet se, në rast suksesi me Danimarkën, FSHF mund të shpërblejë ekipin kombëtar me nga 10 mijë euro futbollistët, pra rreth 200 mijë euro në total. Gjithsesi, kjo nuk është zyrtare, sepse për këtë vendos Komiteti
Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe bëhet e ditur për të gjithë nëse miratohet diçka e tillë. Nuk është hera e parë që kuqezinjtë janë shpërblyer kur kanë fituar apo barazuar, por dy ndeshjet e radhës janë vërtet shumë të rëndësishme. Burime pranë FSHF-së pohojnë që shpërblimi mendohet të jetë në fund të eliminatoreve, ku mund të jepeshin 500 mijë euro në total, ose edhe më shumë. Megjithatë, kjo nuk është zyrtare dhe njëherësh është kompetencë e Komitet Ekzekutiv.



Ka mundësi që edhe individë të veçantë, biznesmenë të suksesshëm shqiptarë nëpër Europë apo Shqipëri të japin shpërblime. Një premtim të tillë e bëri edhe një person nga Zvicra për ndeshjen me Serbinë në rast fitoreje, teksa premtoi 1 milion dollarë, por ajo ndeshje u ndërpre dhe sot, në fakt, është fituar 3-0 në tavolinë nga kuqezinjtë. Nuk dihet nëse biznesmeni kosovar do të bëjë të njëjtin premtim për dy ndeshjet e radhës, që janë po aq të rëndësishme sa ajo me Serbinë, apo e ka pasur thjesht nga patriotizmi për të mundur serbët dhe suksesi historik i kuqezinjve për në “Euro 2016” nuk i intereson aspak.



“Telesport.al” ka kontaktuar me disa nga kuqezinjtë e grumbulluar në Trevizo. Kështu, Hysaj, Sadiku, Balaj dhe të tjerë janë treguar unison kur janë pyetur në lidhje me premion e mundshme që mund të akordojë FSHF-ja. “Nuk besojmë se ka ndonjë që luan për ngjyrat kuqezi dhe ka ardhur për pará. Këtu luhet me zemër për Shqipërinë, luajmë për kombin tonë. As që bëhet fjalë që luajmë pará. Kemi një mision, kualifikimin për në Europian, as që është diskutuar ndonjëherë në ekip premiot apo përfitimet financiare. Duam suksesin dhe jemi të përqendruar vetëm të marrim rezultate pozitive”, – është konteksti i kuqezinjve që kontaktuam.