Shkruan: Arsim Spahiu
(Doktor në Histori i Universitetit të Franche-Comté-së)
Historianët dhe gjuhëtarët quajnë Greqi territorin e banuar nga grekët edhe para se ata të arrinin në atë vend. Dy qytetërimet e para evropiane paragreke, të cilat kanë lulëzuar në Kretë dhe në pjesën më jugore të gadishullit Ballkanik (Greqi e sotme) para se të arrinin grekët në këto vende, quhen padrejtësisht qytetërime greke.
Pra, termat grek dhe Greqi përdoren shumë më tepër nga ç’duhet. Ta ngasësh nga ana tjetër, këta terma nuk ndeshen as në fjalorët e mitologjisë “greke”, sado të vëllimshëm të jenë. Arsyeja është e thjeshtë: emrat Graeci dhe Graecia kanë dalë në epokën romake dhe rrjedhin nga emri Graii, emër lokal i një fisi ilir, që banonte pranë Dodonës.
Për P. Kretschmer-in dhe të tjerë kërkues të mirënjohur, këto emërtime janë një përshtatje nëpërmjet italishtes të emrit të fisit ilir Γραες (A. Ernout, “Latin Graecus”, n. 98, f. 211).
Edhe emri Helen është shumë i diskutueshëm. TH. Harrison (1988, f. 24) mbron se eponimi Helen, stërgjyshi i grekëve, është i trilluar. Çka është më tepër, ky autor shton se, edhe në epokën klasike (550-300 para e. s.), helenët nuk përbëjnë etnos, por një genos.
Grekët, kaq të pakët në Greqi në vitet 550-300, si mund të jenë të pranishëm para, gjatë dhe pas kësaj periudhe kohe në Epir? E pra, ata kanë qenë të pranishëm në kolonitë greke të vendit.
Kolonitë greke në Epir
Koloni greke quhet një grup grekësh, të shpërngulur nga Greqia në dhe të huaj, ku jetojnë duke ruajtur zakonet dhe gjuhën amtare. Këtu termi koloni nuk ka asgjë të përbashkët me kuptimin tjetër: vend i pushtuar me forcë nga të huajt.
Në rastin tonë kolonia përbën një territor të huaj për popullin, që e rrethon. Fakti që vetë autorët grekë dhe helenofilë flasin për koloni greke në Epir dëshmon se Epiri nuk ka bërë ndonjëherë pjesë në Greqi.
Nuk ka koloni greke në Athinë, apo në Peloponez, por ka vetëm jashtë Greqisë, ashtu siç ka pasur e ka dhe sot koloni shqiptare në Rumani, në Egjipt etj.
Eubeasit dhe korinthasit kanë themeluar kolonitë e para në bregdetin epirot. Në këto koloni janë ngritur qendra tregtare, të cilat me kohë u transformuan në koloni të metropoleve greke.
Një pjesë e popullsisë përherë në rritje e këtyre kolonive përbëhet nga “të huaj” epirotë. Kolonët grekë gjetën mbështetje te këta “të huaj” vendas për t’u shkëputur politikisht nga metropolet greke.
Këto koloni kanë qenë të shkëputura edhe nga mbretërit e Epirit. Por, me mbretër si Pirrua mund të merret me mend se kolonët grekë do t’i jenë nënshtruar autoritetit mbretëror vendas, ose mund të jenë riorganizuar në komuna administrative dhe ushtarake, sipas sistemit ilir në fuqi.
Mund të merret me mend gjithashtu se kolonitë greke në Epir do të kenë qenë transformuar në koloni epirote dhe, për këtë arsye, do të kenë humbur formacionet e tyre demokratike. Në këtë rast termi koloni merr një vështrim të ndryshëm nga i mëparshmi.
Shthurja e rendit fisnor në Epir i ka dhënë mundësi zgjerimit të mëtejshëm të tregtisë me qytetet greke. Nëpërmjet kolonive greke ka depërtuar helenizmi në Epir. Kolonitë ishin qendra tregtare dhe vatra të kulturës greke.
Ilirizimi i kolonive greke
Depërtimi i elementit etnik epirot në kolonitë greke ka ndikuar në përbërjen etnike të popullsisë së këtyre qyteteve. Emrat ilirë në gurët e varreve, të zbuluar në nekropolet e këtyre kolonive, përbëjnë një pjesë të madhe të emrave të njohur të banorëve të këtyre kolonive.
Duke filluar nga sh. III para e. s. kolonitë greke humbasin karakterin tipik të kolonive, sepse tashmë popullsia përbëhet, në pjesën më të madhe, nga epirotët. Madje emrat ilirë të prytanëve dhe të magjistratëve monetarë, që gjenden në drahme dhe në bronze, tregojnë se epirotët kanë fituar të drejtën e qytetarisë, duke përfshirë këtu edhe postet më të lartë në jetën komunale.
Nekropolet tumulare, aq të përhapur në Iliri, në Maqedoni dhe në Epir, mungojnë në kolonitë greke. Përjashtim bën nekropoli tumular i Apollonisë, i cili dëshmon për një traditë të ruajtur nga mënyra e varrimit ilir të taulantëve, të cilët banonin në krahinat përreth
Apollonis. Kodërvarret e këtij qyteti do të jenë shfrytëzuar nga paria fisnore autoktone, e cila bënte pjesë në popullsinë e kolonisë. Varreza tumulare e Apollonisë pasqyron periudhën fillestare të lidhjeve dhe të influencës dypalëshe mes kulturës vendase dhe asaj greke.
Prania e armëve në inventarin e varreve, sidomos prania e majave të ushtave dhe e thikave prej hekuri, është një tregues i ruajtjes së disa traditave ilire në ritet e varrimit. Kurse inventari grek në këto tuma tregon faktin se ilirët vlerësonin objektet e luksit të artizanatit të përparuar grek.
Tipare antropologjike iliro-epirote
Në pikëpamje antropologjike ilirët përbënin një popullsi adriatiko-mesdhetare, ku dallohen qartë edhe tiparet alpine dhe nordike. Studimet antropologjike të qindra skeleteve njerëzorë, të zbuluar në Glasinac (Bosnje), venë në dukje karakterin nordik të ilirëve. Nga nëntë perandorët romakë me prejardhje ilire, tetë kanë qenë leshverdhë dhe me sy të kaltër.
Mirëpo numri i kafkave, të zbuluara në Epir është shumë i vogël për popullsinë e hershme të Epirit. Këto skelete janë zbuluar kryesisht në varrezat e qyteteve, ku ka pasur koloni greke. Për më tepër në Iliri dhe, sidomos, në bregdetin iliro-epirot, ka pasur shumë skllevër. Si thotë Dr. K. Patsch,
“Ilirët, të dhënë pas luftërave dhe dëfrimeve, nuk kishin as dëshirë as kohë të lirë që të merreshin me bujqësi. Për këto punë të rënda ata kishin robërit e luftës, numri i të cilëve do të ketë qenë i madh…”.
Megjithatë, mund të mbështetemi në studimet e thelluara antropologjike të J. Nemeskérit, A. Dhimës etj. për të nxjerrë argumente në të mirë të karakterit etnik ilir të epirotëve.
Tiparet protonordike të skeleteve të varrit qendror të Dukatit, që i përkasin bronzit të hershëm, na kujtojnë tipin verilindor evropian, të ndryshëm nga tipi mesdhetar.
Sipas studiuesve të përmendur më lart elementet antropologjike adriatike të skeleteve, të zbuluar në Karstin triestin, në Olteni, Bosnje, Serbi, Shqipëri dhe në Epir, tregojnë se në këto vise kanë banuar grupe të ndryshëm ilirësh. A. Dhima flet për oshilacione tipologjike të etnisë ilire.
Edhe materialet skeletike të shek. VI-XI të e. s., të zbuluar në Dukat e Piskovë, dhe skeletet e shek. XIII-XV, të zbuluar në Kaninë e në Çepunë, njihen në literaturën antropologjike si materiale dinarike. I bazuar në këtë lëndë, A. Dhima ka ndjekur evolucionin e elementit antropologjik autokton, “adriatizimin” e shqiptarëve të Epirit.
Etnografi
Etnografët mendojnë se, në gjendjen e sotme të kërkimeve arkeologjike, mund të njihen disa petka, të përdorura nga ilirët në Epir. Etnologët sintetizojnë të dhëna dokumentare dhe historiografike për të arritur në përfundimin se këtu është fjala për rroba, që ilirët dhe epirotët kanë përdorur. Por, disa aspekte metodike të trajtimit të këtij problemi nga etnologët do të mund të diskutoheshin.
Linja ose dalmatika është një petk i gjatë e i gjërë, me rrip në ije, i punuar me fije leshi. Isidore de Séville shënon : « dalmatica vestis primum in Dalmatia (Illyricum)… ».
Dalmatica është zbuluar në bustin e “gruas së Dimalit », në Krotinë. Në një gur varri, të zbuluar në Drashovicë është riprodhuar një burrë, i veshur me dalmatica burrash. Ky petk ilir është zbuluar në tërë Ilirinë dhe në Epir.
Z. Çulić e përshkruan hollësisht këtë veshje ilire. Dr. K. Patsch (1923, 53) shton se mbi këtë dalmatica ilire hidhej krahëve një mantel me rrudha. Ky petk tjetër ilir mbahej në shpatullën e djathtë me një gjilpërë dhe mbulonte krahun e majtë, ndërkohë që krahu i djathtë ngelte i pambuluar.
“Më vonë kjo dalmatika ilire (vazhdon historiani vienez) u bë modë në Itali dhe, duke filluar nga koha e perandorit Commodus (180-192 të e. s.), u përdor si veshje në rrethet më të larta romake; pastaj, iu ndërruan stofi, forma e stolia dhe u bë veshje zyrtare e ngeli si petk liturgjik në kishën katolike deri në ditët tona”.
Fustanella. Ky petk ilir është zbuluar në monumentet e Ribić-it (Slloveni), në Glasinac (Bosnje) etj. “Vajza e Vlorës” mban gjithashtu një fustanellë për gra.
Karakteri ilir i fustanellës është pranuar nga shumë specialistë në etnografi (F. Nopcsa, 1959).
F. Konitza mbron se
“… fustanella pak kohë më parë ishte një pjesë e veshjes kremtërore të çdo njeriu prej dere të mirë si në Shqipëri të sipërme ashtu edhe në Shqipëri të poshtme. Puna që të tilla moda veshjeje mund të gjenden dhe në vendet fqinje s’tregon tjatër gjë veç influencës së fortë që shqiptarët kanë ushtruar në kohën e shkuar mbi kombësitë rreth e rrotull. Për shembull, është thënë me përsëritje prej studimtarëvet të këtij subjekti se i ashtu-qojturi kostum modern “grek” në të vërtetë është një imitim i poshtër i kostumit shqiptar. Ky kostum u përhap në mes të Grekëve në shekullin e katërmbëdhjetë, kur Shqiptarët nënë Gjin Bua Shpatën shkelnë dhe pushtuan Greqinë”.
Për fustanellën shqiptare shkruan dhe poeti i njohur britanik:
“Shqiptarët, me veshjen e tyre, më madhështoren në botë, të përbërë prej një fustanelle të gjatë, … – me pisqolla dhe jatagane të stolisur me argjend…” (G. G. Byron).
Llabana është një kapuç i thjeshtë prej leshi.
Busti i “gruas së Krotinës” (Dimal) jep dëshminë e parë për këtë element të veshjes ilire të sh. III-II. Llabana del në reliev edhe në objekte të tjera arkeologjike, të zbuluar në Durrës dhe në Koplik.
M. V. Martial përmend llabanën e liburnëve (cucullus liburnicus). Ky kapuç mund të gjendet dhe sot në Epir. Llabana përdoret edhe në krahina të tjera të Shqipërisë si Korça, Mirdita etj.
Guna. Kjo dallohet qartë në një stelë, të ekspozuar në muzeun e Vlorës. Në një basoreliev duket shëmbëlltyra e një iliri me gunë krahëve. Janë zbuluar edhe skulptura të tjera, të veshura me gunë.
Të bazuar në të dhëna arkeologjike dhe etnologjike iliro-shqiptare, studiues shqiptarë kanë mbështetur opinionin e F. Nopcsa-s, Schuchardit etj., sipas të cilëve këtu është fjala për një element të veshjes ilire.
Riza. Kjo është një shami koke, e përdorur nga gratë ilire.
Diana, hyjni ilire (Eqrem Çabej) mban në kokë një rizë. Në një stelë, të zbuluar në Vlorë, dallohet një grua me rizë në kokë. Një rizë të këtillë mban në kokë një grua, e cila paraqitet në një stelë, të zbuluar në Apolloni.
Opingat dokumentohen në gërmime arkeologjike, të bëra në Dervenberg, Glasinac, Bihac etj. Këto opinga dallohen nga opingat e tipit laptia të popujve sllavë, të cilët do t’i kenë marrë nga ilirët. Si këto opinga mund të gjenden dhe sot në Shqipëri dhe në Epirin e jugut
Sigurisht, ka dhe elemente të tjerë të veshmbathjes së ilirëve dhe epirotëve, për të cilët nuk kemi ende referenca të mjaftueshme.
Kjo veshmbathje ilire, e përdorur në Epir dhe në Iliri, provon se këtu është fjala për një komunitet kulture mes epirotëve dhe ilirëve. Por, ky unitet nuk përjashton ekzistencën e elementeve specifikë në zona të ndryshme të hapësirës gjeografike iliro-epirote. Kjo njësi kulture nuk përjashton as ndikime të qytetërimeve fqinje.
Konkluzion
Në këtë artikull jam përpjekur të vë në dukje karakterin etnik ilir të epirotëve, duke u mbështetur mbi bazat e të dhënave mitologjike, arkeologjike, gjuhësore, antropologjike dhe etnografike.
Mitologjia dhe feja, të ashtuquajtura greke, kanë qenë fillimisht pellazge. Autorët e Greqisë së vjetër dëshmojnë se danajtë kanë përqafuar fenë pellazge ashtu siç ka qenë. Kurse disa autorë të tjerë kanë formuar panteonin grek me elemente të mitologjisë pellazge.
Këto fakte i pranojnë historianë të njohur të ditëve tona. Prandaj mund të konsiderohen si të vjetruara konkluzionet e disa autorëve modernë mbi përparësinë e mitologjisë dhe të fesë greke në Ballkan dhe në Evropë.
Tradita homerike dëshmon për një gjeografi politike të kufizuar të Greqisë së vjetër, ku Epiri, Maqedonia, Kreta dhe ishujt e Egjeut nuk figurojnë. Në “Katalogun e anijeve” Homeri kalon në rivistë të gjithë luftëtarët akeas, të mbledhur në fushën e Trojës. Mirëpo, në këto kontingjente akease nuk ka as epirotë, as maqedonas.
Kujtesa kolektive pellazge, letërsia dhe historia e shkruar helenike dëshmojnë për karakterin etnik jogrek të epirotëve.
Burimet e hershme greke dëshmojnë për lidhjet etnike mes pellazgëve, ilirëve dhe epirotëve.
Gjuha e epirotëve nuk figuron më vete në pemën gjenealogjike të gjuhëve indo-evropiane. Kjo gjuhë nuk ka pasur lidhje me greqishten. Kjo e fundit përmban fjalë pellazge. Një pjesë e mirë e emrave, që gjenden në mbishkrimet e zbuluar në Epir, janë ilirë.
Toponomastika pellazge/ilire është shumë e pranishme në Epir. Toponimia e sotme epirote ruan forma karakteristike të evolucionit fonetik të gjuhës shqipe. Epiri bën pjesë në territorin e formimit të shqipes.
Argumentet e N. G. L. Hammond mbi dyndjet nga Evropa qendrore drejt Greqisë të “popullsive kurghane”, të cilat flisnin një greqishte parahistorike, bien në kundërshtim me të dhënat e traditës greko-romake, si dhe me rezultatet e arkeologjisë së dhjetëvjeçarëve të fundit.
Epiri përbën, njësoj si Maqedonia dhe Iliria, një pjesë të territorit të qytetërimit të Fushave me Urna. Epirotët nuk kanë pësuar asnjë ndikim grek në ritet e varrimit. Varrimet në tuma provojnë vazhdimësinë etno-kulturore ilire në Epir.
Kërkimet e dhjetëvjeçarëve të fundit të A. Harding vënë në dukje se pjesa më e madhe e objekteve prej bronzi dhe prej hekuri, të zbuluar në Greqi, janë ose të tipit adriatik apo ilir, ose objekte arkeologjike barbare, të ardhur nga Evropa qendrore.
Epiri ka të përbashkët një numër karakteresh etnokulturorë me Ilirinë dhe me Maqedoninë.
Kolonitë greke në Epir kanë qenë ishuj të vegjël grekë në gjirin e popullsisë ilire të Epirit.
Argumenti i heshtjes së burimeve për një migrim të vonshëm, ilir ose shqiptar, në Epir mund të vlejë në të mirë të iliricitetit të epirotëve. Toponimia e kësaj krahine, e cila ruan format karakteristike të evolucionit fonetik të shqipes, përjashton çdo mundësi të ndonjë përhapjeje të vonshme të shqipes në Epir.
Elementet që renditëm më lart tregojnë qartë irrealitetin dhe tendenciozitetin e teorisë së “Vorio-Epirit”. Argumentet e mësipërm na bindin për iliricitetin e epirotëve të lashtësisë.
Pra, themi se është në përputhje me realitetin historik të merret Epiri i jugut si pjesë përbërëse e Ilirisë, ose me fjalë të tjera, të pranohet si e vërtetë historike e padiskutueshme përkatësia etnike shqiptare e Çamërisë.

No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *