Sunday, September 28, 2014

PD, Basha përjashton Topallin, Berishën, Patozin, Mesila Dodën dhe 15 figura të “vjetra”

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar prej kohësh, në Partinë Demokratike ka nisur “prerja e kokave” ende pa u zhvilluar votimi formal për lidershipin e ri të SHQUP. Lulzim Basha ka zgjedhur Kryesinë e Partisë Demokratike, pa u votuar nga Këshilli Kombëtar, me anë të një truku procedurial të paprecedentë në Evropë.
 
Nga Kryesia e re e PD, është përjashtuar edhe Sali Berisha, por kjo duket se është një lojë e dyshes Berisha-Basha për t’u mbyllur gojën të përjashtuarve të tjerë, me qëllim për të shmangur shpërbërjen e PD apo ndarjen e saj në fraksione. Nga Kryesia e re e PD janë larguar automatikisht Jozefina Topalli, Sali Berisha, Astrit Patozi, Mesila Doda, Genc Ruli, Ilir Rusmajli, Jemin Gjana, Adriana Gjoni, Arben Qirjako, Arta Sakja, Edmond Spaho, Fatos Beja etj. Ndërkaq, Lulzim Basha ka futur automatikisht dhe pa votim në Kryesinë e re të Partisë Demokratike Laura Vorpsin dhe Silvi Bardhin, duke provokuar rëndë figurat e vjetra të PD. Kryesia e re përbëhet nga Lulzim Basha, Laura Vorpsi, Silvi Bardhi, Edi Paloka, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Ridvan Bode, Aldo Bumçi, Albana Vokshi, Majlinda Bregu, Genc Pollo etj. 
 
Lëvizja surprizë 
 
Në kthinat e errëta të SHQUP, dy bashkëkryetarët e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, kanë hartuar dhe përgatitur me kujdes një strategji, për të shkrirë dhe larguar nga Partia Demokratike çdo figurë të identifikuar si kundërshtar i linjës së familjes. Pasi ndryshuan statutin e PD, në mënyrë që Basha të mos largohet edhe nëse humbet zgjedhjet, dyshja në fjalë ka përjashtuar kundërshtarët nga forumet më të larta të Partisë Demokratike, ende pa u kryer votimi. Aktualisht, Partia Demokratike është plotësisht në duart e familjes, ndërsa pas farsës zgjedhore, pritet edhe zyrtarizimi i ndarjes së saj në dy parti. Çfarë ka ndodhur? Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë ndryshuar statutin e PD. Pasi Basha u zgjodh kryetar në kundërshtim flagrant me statutin, statuti i ri do të paraqitet për miratim në Kongresin Zgjedhor. Po çfarë parashikojnë ndryshimet në statut? Ndryshimet parashikojnë largimin nga Kryesia të kundërshtarëve. Me statusin e ri, Kryesia e PD nuk zgjidhet nga Këshilli Kombëtar i PD, por përbëhet automatikisht nga një grup figurash të PD, të diktuara nga kryetari. 
 
Ndryshimet në statut 
 
Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë përgatitur një paketë me ndryshime në statutin e PD. Një ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me Kryesinë. Tashmë Kryesia e PD konstituohet automatikisht dhe përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, Sekretari i Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve dhe sekretarët funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar. Përbëhet nga Kryesia e Grupit Parlamentar, ku përfshihen kryetari, nënkryetari, sekretari dhe zëdhënësi. Kryetari apo nënkryetari i Kuvendit që i përket Grupit parlamentar të PD. Kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare që i përkasin Grupit parlamentar të PD dhe kryetarët e organizatave partnere.  Adriatik Doçi

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *