Friday, March 14, 2014

MITOLOGJI:Rrëfimi i Platonit lidhur me Atlantët

Pellazgët e Mesdheut dhe më në veçanti pellazgët e Athinës ose të Atikës të asaj epoke në zhvillimin e tyre dhe në atë masë që kishin përparuar drejt Perëndimit, pasi nuk gjenin përpara vetes veçse pellazgë më pak të qytetëruar, të egër dhe banorë të shpellave, mund të përparonin pa ndeshur ndonjë rezistencë. Por ditën kur ata u gjendën ballë për ballë me atlantët, pa dyshim të shoqëruar nga iberët, ndodhi një përplasje ndërmjet dy zotërve të Europës në atë moment. Natyrisht, ky kontakt ndodhi përpara përmbytjes së Atlantidës.

Te TIMAIOΣ (III, 24-25) Platoni, ky shkrimtar i madh e filozof i lashtësisë, na jep rrëfimin e Sokratit, sipas atij të Solonit, të cilin nga ana e tyre egjiptasit ia kishin treguar, dhe sipas të cilit në këtë luftë të madhe ndërmjet pellazgëve dhe atlantëve fitorja u takoi pellazgëve dhe zbrapsi invazionin e atlantëve në Europë drejt bregut atlantik, duke i shtyrë tutje përtej Etrurisë, ku ata tashmë kishin arritur. Ja përkthimi i këtij teksti, që ne e kemi bërë vetë:

“... Shkrimet (egjiptase) rrëfejnë se sa e madhe ka qenë forca që qyteti juaj (Athina) ka shkatërruar një ditë, forcë e cila duke u nisur nga gjiri i Detit Atlantik, u drejtua dhe poshtëroi gjithë Europën dhe Azinë së bashku. Në atë epokë në fakt ky det ishte i arritshëm me lundrim, pasi përpara hyrjes, që ju e quani: shtyllat e Herkulit kishte një ishull, dhe ky ishull ishte më i madh se Libia (Afrika) dhe Azia së bashku (ato që njiheshin në atë kohë, natyrisht...) Në këtë ishull Atlantida nga mbretërit ishte ngritur një forcë e madhe dhe e admirueshme ushtarake, që mbante nën pushtetin e vet si vetë ishullin të tërë, ashtu dhe mjaft ishuj të tjerë e vise të kontinentit; gjithashtu atlantët mbretëronin në njërën anë mbi Libinë deri në Egjipt, dhe në tjetrën mbi Europën deri te Tirrenia. Gjithë kjo forcë e mbledhur njësh një ditë ndërmori me një të goditur robërimin e gjithë viseve, si te ju, ashtu dhe te ne, edhe kudo gjetkë në brendësi të shtyllave.
Pikërisht në këtë moment, o Solon, ushtria e qytetit tuaj u shqua në sytë e gjithë njerëzve për bëmat e saj heroike dhe për forcën e saj; duke u ngritur në krye të të gjithëve për hir të madhështisë dhe të dredhisë së saj ushtarake dhe duke komanduar më në veçanti vetëm helenë (këtu Platoni pa dyshim bën një gabim anakronizmi: në epokën e atlantëve pellazgët nuk e kishin ende idenë e emrit grek ose helen, me të cilët një pjesë e vogël e tyre do të quheshin më vonë), ajo u detyrua më pas të luftonte e vetme, pasi të tjerët e kishin braktisur; dhe pasi iu nënshtrua rreziqeve më të skajshme, ajo arriti më në fund t’i mposhtë sulmëtarët, ngriti monumente të fitores dhe mundi gjithashtu të pengonte, nga njëra anë robërimin e atyre që kurrë nuk ishin robëruar, dhe nga ana tjetër, të çlironte përfundimisht ne të tjerët, të gjithë ne që banojmë brenda shtyllave të Herkulit.
Më pas, në një epokë të mëvonshme, pas tërmeteve të jashtëzakonshme dhe të kataklizmave, erdhën një ditë dhe një natë të kobshme; nga njëra anë, gjithë forca luftarake u shkatërrua në tokë nga ju, kurse nga ana tjetër, ishulli i Atlantidës u gëlltit nga deti dhe u zhduk. Edhe sot e kësaj dite ai det atje nuk mund të kalohet me lundrim, se balta që u bë nga ishulli duke u zhytur është aq e trashë, sa është pengesë për këtë”...
Gjëja më e habitshme në këtë pjesë nga Platoni është se autori i lashtë, - siç e kemi vënë re tashmë më lart në tekstin grek të përkthyer, - duke folur për një fakt që kishte ndodhur afër nëntë mijë vjet para tij, nuk mëdyshet t’u japë pellazgëve të asaj epoke aq të largët cilësimin HELENË, ndonëse nuk mund të mos e dinte se në atë epokë emri Helen nuk ekzistonte ende. Vijmë në përfundimin, se shkrimtari i madh e ka bërë këtë, sepse ai e dinte që pellazgët e kohës së Atlantidës kishin qenë natyrisht paraardhës të drejtpërdrejtë të popullsive greke bashkëkohëse të tij; kështu, përveç kësaj, ai gjithë nderin e një bëme ushtarake të kryer nga pellazgët, ua vesh vetëm athinasve, ndërsa Athina nuk ndruhej të quhej si qytet pellazgjik i mirëfilltë.
Nga ana tjetër, te KΡITIAΣ Platoni duket se ka shkruar një farë historie të përgjithshme të atlantëve; na kanë arritur nga dialogu në këtë vepër për fat të mirë të plotë, disa pika të rrëfenjës TIMAIOΣ. Shkrimtari filozof së pari fikson nëntë mijë vjet, para epokës në të cilën jetoi Soloni, data e fitores që korrën pellazgët athinas mbi atlantët, pastaj ai na jep gjenealogjinë e mbretërve të tyre të parë, bij të Poseidonit, dhe barinjtë më të urtë të popujve që kanë qenë ndonjëherë; së fundi, ai na përshkruan ishullin e Atlantidës, të cilit i vesh një pjellori dhe një pasuri të mrekullueshme.
Këto rrëfime të Platonit, të mbështetura nga hollësi që ndeshen te autorë të tjerë të ndryshëm të lashtësisë greke e latinë, si Homeri, Hesiodi, Euripidi, Straboni, Plini, Elieni, Tertulieni, etj., ndërmjet autorëve modernë disa i kanë quajtur si fragmente të një farë romani filozofik, kurse të tjerë, dhe në një numër më të madh, i kanë besuar fjalës së Platonit dhe gjithë të tjerëve.
Personalisht ne jemi të bindur, se këto fakte të ndryshme, të njoftuara nga autorët më të mëdhenj të lashtësisë, nuk kanë asgjë fantaziste ose mitike.