Denion Ndrenika
Kryeministri Edi Rama u zotua për të përfshirë në programin mësimor në shkolla sportin e futbollit dhe për ndërtimin e stadiumit të ri në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama priti presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, i cili mbërriti rreth orësn 09:30 vendore (03:30 në Nju Jork) në vizitën e tij të pestë në Shqipëri.
Për zotin Rama përfshirja e lëndës së futbollit në programin mësimor synon edukimin e brezit të ri me këtë sport.
Përfshirja e futbollit në programet arsimorë është gjithashtu një projekt që mbështetet nga UEFA.
Ndërkohë, kryeministri Rama theksoi se në shtator të këtij viti 2014 do të fillojnë punimet për të ndërtuar stadiumin e ri në Tiranë.
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” nuk përmbush kushtet për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare.
UEFA dhe FIFA e kanë thënë qartë që Shqipëria duhet të zgjidhë çështjen e stadiumit duke vendosur njëkohësisht moszhvillimin e asnjë ndeshjeje të Kombëtares së Shqiptarëve.
Bisedimet mes kryeministrit Rama dhe presidentit të UEFA-s, Platini u përqendruan gjithashtu për skuadrën kombëtare.
Presidenti Platini premtoi gjithashtu mbështetjen e plotë të UEFA-s për të dy projektet, përkatësisht përfshirjen e lëndës së futbollit dhe për ndërtimin e stadiumit të ri.
“Ne do t’u mbështesim për stadiumin e ri dhe për programin për futbollin në shkolla”-tha zoti Platini, ish-Kampion Europian me Francën në vitin 1984.
Shqipëria me mbështetjen e qeverisë dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë nisur punën për rikonstruksionin e stadiumit të Elbasanit “Ruzhdi Bizhuta” ku do të luajë Kombëtarja e Shqiptarëve ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian “Francë 2016”.