Friday, July 31, 2015

Gjetjet arkeologjike në Kroaci hapin faqen e re të historisë së ilirëve

Gjetjet arkeologjike në Kroaci hapin faqen e re të historisë së ilirëve.
Me gjetjet arkeologjike në lokalitetin për të cilin kanë shkruar edhe mediat botërore, po përgatitet ekspozita në “Kështjellën e Kloviqit”. Bëhet fjalë për artefakte të gjetura në ishullin Korçulla të Kroacisë.

E ato hapin një faqe të re të historisë së ilirëve.
“Varreza të tilla në Adriatik deri më tani nuk kanë qenë të njohura, e me organizimin, dimensionet dhe ato që janë gjetur aty, paraqesin hyrjen e një kapitulli të ri për studimin e historisë së banorëve lokalë ilirë, me shekuj para Krishtit. Rezultatet e hulumtimeve i kanë tejkaluar të gjitha pritjet tona, sepse supozohej se varrosja ishte bërë në varreza monumentale me mure të thata, një plan afërisht rrethor me renditje blloqesh prej guri.



Pjesët qendrore të rrethit prej guri, janë varre me dhjetëra kufoma afër të cilave janë gjetur gjëra të tjera, si vazo greke, armë hekuri dhe stoli bronzi, argjendi, qelqi e qelibari…”, ka thënë arkeologu Dinko Radiq, transmeton “koha Ditore” shkrimin e gazetës kroate “Jutarnji list”.
Kësisoj, këtë javë është zbuluar varri i fundit prej katër sosh në lokalitetin Kopila në Korçullë, ku arkeologët kanë hasur në eshtra që me kohë janë përzier me copa enësh të kohës së Greqisë antike, si dhe një shtizë luftarake e ruajtur mirë. Në mesin e gjetjeve, fort i vlefshëm është edhe një vath me kokë luani nga koha helene i shkrirë në argjend, që, siç thotë Radiq, s’mund të krahasohet me asnjë artefakt të gjetur deri më tani.
Ky arkeolog, i cili bashkë me Igor Bozhiqin kanë udhëhequr hulumtimet në këtë lokalitet, ka thënë se përkundër faktit se këto varreza përmbanin gjësende greke, bëhet fjalë për varre ilire. Gratë kanë qenë të varrosura me stoli e meshkujt me armë, por krahas të dy gjinive janë gjetur vazo helene.
“Mendoj se gjetjet në Kopila do ta ndryshojnë mënyrën se si i qasemi historisë në këto anë. Ilirët shpeshherë i konsiderojmë si banorë të rendit të dytë, veçmas në raport me bashkëkohanikët e tyre grekë. Megjithatë hulumtimet tona dëshmojnë se roli i ilirëve në këto hapësira ka qenë shumë më i madh se sa që është menduar deri më tani, madje edhe në jetën politike”, ka thënë ai.
Sipas tij, komuniteti i ilirëve në kohën kur datojnë varret ka qenë i fuqishëm, i pasur dhe me siguri edhe dominues në këto anë. Varret datojnë në shekujt III, II dhe I para Krishtit dhe banorët lokalë janë vrarë në këtë lokalitet në kohën e Romës së Vjetër, kur Octaviani, mbreti i ardhshëm August, dërgoi ushtrinë që në mënyrë mizore të qëronte hesapet me ilirët lokalë.
Epilogu i këtij rrëfimi, sipas Radiqit, ka nisur para njëzet vitesh. Në fakt, në atë që supozohet se ka qenë fortesë parahistorike në Korçullë artefaktet e para janë gjetur para 200 vitesh, e për këtë dëshmi janë edhe shënimet e historianit Nikola Ostojiq, si dhe katalogët për koleksionin arkeologjik të Muzeut të Dubrovnikut. Duke hulumtuar këto shënime, Radiq ka konstatuar se rezultatet nuk dalin vetëm prej fortesës, por edhe prej varreve. Por vetëm para katër vitesh atij iu dha leja për gërmime. Në pyetjen se si ndihet që pas këtij rrugëtimi njëzetvjeçar la një rezultat, ai është përgjigjur: “Shkëlqyeshëm dhe është e natyrshme të jem euforik”.
Ekziston edhe një lokalitet arkeologjik i kohës së njëjtë me atë në Korçullë e ai është Vica Luca në ishullin Braç. “Ai lokalitet është më i vogël dhe është zbuluar para njëqind vitesh, kur nuk ka pasur metoda bashkëkohore për hulumtim siç ka sot. Gjetjet në Korçullë japin përgjigje për bashkëjetesën e dy popujve, ilirëve dhe grekëve. Artefaktet e gjetura në varre janë greke e jashtë tyre është gjetur qeramike ilire. Dhe pikërisht për këtë s’ka si këto varre në Adriatik. Në teori e kemi ditur se si janë varrosur ilirët, por në praktikë ky është një shembull unik.
Ka edhe varreza të ngjashme, por për to nuk mund të themi se i takojnë kohës së bronzit. Janë së paku mijëra vjet më të vjetra se sa ato të Korçullës, por as nga ajo kohë nuk ka këso ndërtimesh komplekse e monumentale. Mua para së gjithash, në këto dhe hulumtime të ardhshme më intereson dominimi i kulturës ilire”, ka thënë Radiq.
Për shkak të këtyre zbulimeve në Korçulla, sërish vjen profesori Preston Miracle nga Universiteti i Cambridgeit. Ai tash e sa vjet merr pjesë në lokalitetin “Vela Spila” në perëndim të Korçullës. Por krejt gjetjet në vjeshtë do të ekspozohen në “Kështjellën e Kloviqit”, galeri e njohur në Zagreb të Kroacisë, e cila e ka marrë emrin sipas Juraj Julie Kloviq, artistit të njohur kroat të shekullit XIX, në ekspozitën e kuruar nga Jasmina Bavolak. “Korçulla, së paku sa i përket parahistorisë, është njëri prej ishujve më të hulumtuar mesdhetar, dhe interesimi i shkencëtarëve të njohur evropianë do të thotë se edhe në të ardhmen do të zgjerohen njohuritë e tanishme”, ka thënë ajo.
Hulumtuesit e këtij lokaliteti, të udhëhequr nga Dinko Radiq, thonë se janë të privilegjuar që në një vend mund të hasin në praktikë krejt historinë njerëzore. Në “Vela…” janë gjetur dëshmi të jetës që nga koha e gurit deri në atë të bronzit. Para tri vitesh për këtë lokalitet kanë shkruar media të njohura botërore në mesin e të cilave edhe e përditshmja amerikane “The New York Times”, e cila raportoi për mbetje të qeramikës që datonin prej 17.500 deri në 15.000 vjet para Krishtit.
“I njohim për gjahun e viganëve, por gjetjet e reja në Kroaci na dëshmojnë se në kohën e akullit, njerëzit i kanë dhënë formë qeramikës shumë më shpesh se sa që mendohej deri më tani”, shkroi ndër të tjera “The New York Times”.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *