Nga Aranit Muraçi
Ishte fillimi i muajit Shtator 2011. Në mitikun “Qemal Stafa” , Shqipëria priste Francën, në ndeshjen kualifikuese të Euro 2012, ndeshje të cilën francezët e fituan 2-1.
Më kujtohet një gazetar francez të cilin gjatë ndeshjes e kisha pranë, por nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Secili në punën e tij. Pas ndeshjes ai filloi të vinte rrotull stadiumit dhe diku aty tek afër sheshit “Nënë Tereza” ndalet dhe në anglisht më bën një pyetje të çuditshme: Të lutem, a di ndonjë qendër interneti këtu afër?
I çuditur edhe unë nga kjo pyetje, për më tepër ngaqë fillova të mendohesha mbi përgjigjen që duhet t’i jepja, sepse nuk dija asnjë qendër interneti afër stadiumit.
Më erdhën në mend disa qendra interneti, në qytet Studenti, të cilat shërbenin kryesisht për studentë, por si t’ia shpjegoja.
-I thashë për çfarë të duhet qendra e internetit dhe a të duhet patjetër, – duke parë se nuk mund t’i vija dot në ndihmë, teksa ai po lodhej kot. – Më tregoi një kompjuter “lap-top” ku kishte mbajtur të dhënat dhe kronikën e ndeshjes dhe më tha se ishte në presion nga redaksia, sepse duhej t’ia niste sa më shpejt. Gazetari francez shtoi duke qeshur se nuk ishte përgatitur për këtë rast, sepse kishte besuar se në stadiumin kombëtar të një vendi evropian, normalisht duhet të kishte valë, apo më e pakta një qendër interneti afër tij. Po ti,- më tha, si ia bëre? Unë – thashë, po shkoi në redaksi dhe atje ka internet. Vuri buzët në gaz dhe më tha: Mirupafshim!
Në fakt, në atë stadium, as në vitin 2012 dhe as në ditën kur u prish, çuditërisht nuk kishte as tualet! Nuk plotësonte as kriteret më minimale për të pritur ndeshjet lokale. As diskutohej nevoja që edhe Shqipëria të kishte jo një por disa stadiume moderne, si çdo vend tjetër europian. Dhe siç dihet 1 vit më parë në vend të stadiumit “Qemal Stafa” u ngrit stadiumi që kemi sot, stadium i cili më në fund i plotëson standardet.
Por si u ngrit?! Dhe kjo është çështja. Shqipëria nuk i ka pasur asnjëherë paratë në 30 vite për të ngritur një stadium modern. Me fondet e UEFA-s dhe të FIFA-s, rreth 10 milion euro, si dhe në partneritet me një kompani private, që investoi 60 milion të tjera, u ngrit stadiumi bashkë edhe me një kullë që sot të kemi një stadium modern.
Shqiptarët a nuk duhet të kishin edhe ata një stadium modern dhe bashkëkohor, duke ruajtur edhe trashëgiminë kulturore, sikurse ta zgjeronin me këtë rast edhe hartën e terreneve sportive, në vend që ta ngushtonin atë!
Pyetja shtrohet: Pse nuk kishte dhe nuk ka para shteti ynë për të ndërtuar qoftë edhe një objekt të vetëm sportiv dhe a ka ndonjë stadium tjetër kombëtar në Europë, me kullë? Po aneksi i stadiumit kombëtar dhe palestra ku janë? Pse u ngrit pranë tyre një kullë tjetër me emrin “ambasador”! Sa kanë mbetur nga 24 fusha sportive që kishte Tirana deri në ’90, të cilat u shërbenin fëmijëve dhe të rinjve për pesë herë më pak banorë që ka sot kryeqyteti.
Sa palestra ishin dhe sa janë sot në Tiranë, në shërbim të të rinjve? Po në Shqipëri? Për çfarë na duhet trashëgimia dhe vlerat sportive, kur fëmijët dhe të rinjtë nuk kanë ku të stërviten sot. Del se nuk vlen as historia dhe as e ardhmja!
Kultura dhe godina e sapoprishur e Teatrit Kombëtar duket se po përjetojnë të njëjtin fat! Debati nëse duhej mbajtur godina e vjetër, apo duhej ngritur një Teatër modern, anashkalon pikërisht thelbin e diskutimit. Sa kinema dhe qendra të kulturës kishte dhe ka Tirana sot? Po Shqipëria? Kujt do t’i shërbejë godina e re, që do të ngrihet me rreth 30 milionë euro kredi, pa diskutuar mbi kullat që do të ngrihen ose jo pas Teatrit modern, nëse ky vend nuk prodhon më art dhe artistë?!
Cili është institucioni apo ekspertët me impakt në publik, që duhet të kishin dhënë mendimin e tyre për trashëgiminë kulturore të vendit tonë, apo edhe vlerat që mbartnin godinat të cilat po bien me radhë, pa u kuptuar nëse janë demode dhe të pariparueshme, apo nëse pas tyre fshihen projekte ambicioze për të përfituar një grup njerëzish, pa asnjë lidhje me zhvillimin e sportit dhe të artit në Shqipëri, dy kolona që mbajnë gjallë shoqëritë kudo në botë. Debati mbi vlerën e godinës së shembur të Teatrit dhe asaj që do të ndërtohet ka një mangësi të madhe: Pse po ndërtohen me kaq ngut të rejat kur nuk ka para, a ka transparencë si do të ndërtohen ato dhe kryesorja është rezultati: kujt do t’i shërbejnë?
Çfarë përfitimi ka shoqëria?
Sipas raporteve të Kontrollit të Lartë i Shtetit, buxhetit të shtetit shqiptar i humbin çdo vit me qindra miliona euro, afro 1 miliard, nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i fondeve. Raporti zyrtar i referohet çdo fundvit edhe prokurorisë, por nuk ka pasur asnjë përgjegjësi, asnjë të ndëshkuar mbi shpërdorimin e fondeve publike. Asnjë protestë dhe çuditërisht asnjë shqetësim!
Shqipërisë i nevojitet para së gjithash, ndoshta vetëm një godinë moderne: godina që duhet të kontrollojë destinacionin e parave të taksapaguesve.
Pas saj ngrihen dhe mbahen të gjitha me radhë, si dhe shemben ato që duhen shembur, po sipas radhës. Godina moderne e drejtësisë, në shërbim të publikut, nuk është ngritur ende.
Nëse nuk do të jemi në gjendje të ngremë ndërtesën e së drejtës, me njerëz të së drejtës, nuk kemi të drejtë të pretendojmë për të drejtën e godinave të tjera rrotull saj!
Derisa të ngrihej kjo godinë, shqiptarët le të shpresojnë se monumenti i Heroit tonë Kombëtar të mos vjetrohet si të tjerët dhe të qëndrojë krenar aty ku është sot!
No comments:
Post a Comment
Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *