Tuesday, April 21, 2015

Nënshkruhet deklarata e Partneritetit Strategjik me SHBA

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe zv.ndihmës Sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland nënshkruan deklaratën e përbashkët për Partneritetin Strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ndihem e nderuar që jam këtu për të nënshkruar së bashku me Ministrin Bushati Deklaratën e Partneritetit Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, e cila përmbush angazhimin që Sekretari Kerry dhe Kryeministri Rama i bënë njëri-tjetrit gjatë Samitit të NATO-s në Uells në shtator, për ta çuar marrëdhënien tonë në nivele të mëtejshme. Siç thotë edhe shprehja shqiptare, “miku i mirë njihet në ditë të vështira.” Shqipëria ka qenë mike e Shteteve të Bashkuara në kohë të vështira dhe në kohë të mira, dhe sot, ne e çojmë më tej këtë miqësi nëpërmjet këtij dokumenti që po nënshkruajmë”- deklaroi Nuland.

Zyrtarja e lartë amerikane vlerësoi hapat përpara të vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Europian, integrim që Uashingtoni e mbështet pa rezerva.

“Shtetet e Bashkuara janë pranë Shqipërisë, duke dhënë ndihmë në reformën e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësor; duke bashkëpunuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; duke ndihmuar dhe forcuar qeverinë vendore dhe administratën publike; ashtu si edhe e përmenda më parë, duke rritur investimet; dhe duke e kthyer Shqipërinë në një urë të tregut energjitik për Europën, sidomos në gazsjellësin Trans-Atlantik”, vijoi Nuland.

Nga ana e tij, ministri Bushati u shpreh se “partneriteti Strategjik i Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara është një fakt themelor drejt konsolidimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit”.

“Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për kontributin e vazhdueshëm në ato fusha që përkasin me reformat që ne kemi ndërmarrë, në mënyrë që Shqipëria të pranohet në Bashkimin Europian”, tha ai.

Shqipëria kërkon të zgjerojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat, jo vetëm në atë të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Po përqëndrohemi edhe në ekonomi, sigurinë energjitike, të drejtat e njeriut, shkencë, arsim dhe shumë të tjera. Jam i lumtur teksa pohoj se nëpërmjet nënshkrimit të këtij dokumenti sot, ne e ngrëmë marrëdhënien tonë në nivele më të larta”, tha BUshati.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *