Sunday, April 26, 2015

Aksion i madh policor në Malinë, fshati mbetet i bllokuar

Shkup, 26 prill - Situatë e tensionuar mbizotëron në fshatin Malinë. Një aksion i madh policor i filluar në mëngjesin e ditës së diel i ka shqetësuar tej mase banorët e Malinës. Të bllokuar dhe të izoluar, asnjëri prej fshatarëve nuk guxon të dalë nga pragu i shtëpisë. Gazeta KOHA nëpërmjet telefonit kontaktoi me kryetarin e Bashkësisë Lokale të fshatit Malinë, Veli Saliun, i cili e konfirmoi gjendjen kaotike që është shkaktuar me prezencën e madhe të forcave policore dhe ushtarake. “Nga ora 3 e mëngjesit kanë ardhur rreth 500 policë dhe policë kufitare, dhe pa asnjë arsyetim, kanë filluar të kontrollojnë shtëpi për shtëpi. Me mjete të rënda artilerie, me helikopterë, autoblinda po qëndrojnë në fshat. Në oborrin e çdo shtëpie janë vendosur nga 10-15 policë të veshur me të zeza, njësite speciale dhe të armatosur deri në fyt”, ankohet Saliu. Ai thotë se në mesin e këtij grupi të madh të policëve ka vetëm tre-katër shqiptarë. “Këtu në fshat janë afër 500, por me siguri në mal janë më tepër. Deri tani i kanë bastisur disa shtëpi, në të cilat nuk ka banuar askush. Si duket, deri në darkë do të mbesim të bllokuar në fshat. Presion të madh na kanë krijuar”, u shpreh Saliu. Ndërkohë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme e konfimojnë aksionin, por deri në përfundimin e saj, nuk jep askush informacione se çfarë po kërkohet në fshat. (O.XH)

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *