Tuesday, October 07, 2014

Kush e djeg flamurin, përfundon në burg

Serbia akuzon Shqipërinë se nuk është duke marrë parasysh rrezikun e duelit të tyre në Beograd. Po ashtu, nikoqiri paralajmëron tifozët se kushdo që shkakton telashe, ose djeg flamurin, do të përfundojë në burg.
Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë po afrohet gjithnjë e më tepër, kurse tensionet kanë filluar të shtohen. Informatat për ardhjen e tifozëve shqiptarë në Beograd vazhdimisht ndryshojnë dhe kjo duket se ka shtuar telashet e nikoqirit për t’u bërë gati për sigurinë e ndeshjes.
Komisari për siguri në Federatën e Futbollit të Serbisë, Milivoj Mirkov deklaroi për “Alo”, se problemi më i madh për ta është se Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk e ka dërguar listën me emrat e tifozëve që pritet të vijnë në Beograd. Kjo për faktin se FSHF nuk ka pranuar kushtin e vendosur nga Serbia që në Beograd të kenë të drejtë të vijnë vetëm ata tifozë që kanë pasaportë shqiptare.
“Kjo është e papranueshme. Përfaqësuesit e Shqipërisë sikur nuk brengosen se dueli paraqet rrezik të madh. As nuk e kanë vizituar stadiumin, as hotelin ku do të qëndrojnë kurse vazhdimisht refuzojnë të dërgojnë emrat e mbiemra e atyre që do të jenë në Beograd. Për këtë kanë kohë deri të premten”, deklaroi Mirkov.
Ai ka insistuar se Serbia është duke marrë masa që mos të lejojë asnjë incident.
“Kontrollimet në rrugë do të jenë rigoroze. Nëse dikujt i shkon ndërmend të djeg fanellën e mysafirit, menjëherë do të arrestohet, dërgohet në gjykatë dhe përfundojë në burg. Në tribuna do të ketë policë civilë që do të angazhohen për të parandaluar çfarëdo çmenduri”, u shpreh ai.

No comments:

Post a Comment

Komento reth artikullit
Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *